2018
Zoti Krisht Ësht’ Ngritur Sot
maj 2018


Zoti Krisht Ësht’ Ngritur Sot

Kjo është e diela e Pashkës. Unë me nderim jap dëshmim dhe solemnisht dëshmoj për Krishtin e gjallë – për Atë i cili “vdiq, u varros dhe u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell”.

Të dashur vëllezër dhe motra, kur djemtë tanë ishin shumë të vegjël, u tregoja histori për qenusha të vegjël para se të flinin dhe u këndoja nën zë himne për t’i vënë në gjumë, përfshirë “Zoti Krisht Ësht’ Ngritur Sot”1. Nganjëherë me shaka i ndryshoja fjalët: “Erdhi koha t’shkojm’ për gjum’, aleluja”. Zakonisht djemtë tanë binin në gjumë me të shpejtë; ose të paktën ata e dinin se po të mendoja që ishin në gjumë, do të pushoja së kënduari.

Fjalët – të paktën fjalët e mia – nuk mund t’i shprehin ndjenjat mbizotëruese që kur Presidenti Rasëll M. Nelson me dashuri i mori duart e mia në duart e tij, me Suzanën time të dashur në krahun tim, dhe më drejtoi këtë thirrje të shenjtë nga Zoti, e cila më la pa frymë dhe më ka bërë që të derdh lot shumë herë në këto ditë të kaluara.

Këtë Shabat Pashke, unë këndoj plot gëzim “Aleluja”. Kënga e dashurisë shëlbuese2 të Shpëtimtarit tonë të ngritur kremton harmoninë e besëlidhjeve (që na lidhin me Perëndinë dhe njëri‑tjetrin) dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit (që na ndihmon ta zhveshim burrin dhe gruan e natyrshme dhe t’i dëgjojmë thirrjet e Frymës së Shenjtë3).

Së bashku, besëlidhjet tona dhe Shlyerja e Shpëtimtarit na bëjnë të zotë dhe fisnikë. Së bashku, ato na ndihmojnë të mbahemi fort tek ungjilli dhe t’i largohemi mëkatit. Së bashku, ato ëmbëlsojnë, ruajnë, shenjtërojnë, shëlbojnë.

Tha Profeti Jozef Smith: “Disave mund t’iu duket si një doktrinë shumë e guximshme ajo për të cilën po flasim – një fuqi që regjistron ose lidh në tokë dhe lidh në qiell. Megjithatë, në të gjitha epokat e botës, kurdoherë që Zoti ia ka dhënë një kujdestari të priftërisë një njeriu ose një grupi njerëzish, me anë të zbulesës aktuale, kjo fuqi është dhënë gjithmonë.”4

Dhe kështu është sot. Besëlidhjet dhe ordinancat e shenjta, që nuk janë në dispozicion askund tjetër, merren në 159 shtëpi të shenjta të Zotit në 43 vende. Bekimet e premtuara vijnë nëpërmjet çelësave të rivendosur të priftërisë, doktrinës dhe autoritetit, duke pasqyruar besimin, bindjen tonë dhe premtimet e Shpirtit të Tij të Shenjtë, për ne në brezat tanë, në kohë e përjetësi.

Të dashur vëllezër dhe motra në çdo komb, fis dhe gjuhë, kudo në Kishën tonë mbarëbotërore, ju falënderoj për besimin tuaj të gjallë, shpresën dhe dashurinë tuaj hyjnore në çdo hap. Faleminderit që jeni mbledhur së bashku plot dëshmi dhe përvojë për ungjillin e rivendosur.

Vëllezër dhe motra të dashura, ne i përkasim njëri‑tjetrit. Ne mund të jemi “të thurur në bashkim dhe dashuri”5, në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet6. Sikurse Zoti Jezu Krisht e fton secilin prej nesh, kudo ku jemi, cilatdo qofshin rrethanat tona, ju lutem “ejani e shikoni”7.

Këtë ditë me përulësi unë ia zotoj gjithë energjitë dhe aftësinë e shpirtit tim8, cilatdo të jenë ose të mund të bëhen ato, Shpëtimtarit tim, Suzanës sime të dashur, familjes sonë, Vëllezërve të mi dhe secilit prej jush, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura.

Çdo gjë e denjë dhe e përjetshme është e përqendruar në realitetin e gjallë të Perëndisë, Atit tonë të Përjetshëm e të dashur, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe të Shlyerjes së Tij, që dëshmohet nga Fryma e Shenjtë.9 Kjo është e diela e Pashkës. Me nderim jap dëshmim dhe solemnisht dëshmoj për Krishtin e gjallë – për Atë i cili “vdiq, u varros dhe u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell”10. Ai është Alfa dhe Omega11 – me ne që nga fillimi, Ai është me ne deri në mbarim.

Unë dëshmoj për profetët e ditëve të mëvonshme, që nga Profeti Jozef Smith e deri te Presidenti ynë i dashur, Rasëll M. Nelsoni, të cilin e mbështetim plot gëzim. Siç këndojnë fëmijët tanë të Fillores: “Ndiqe profetin; udhën ai di”12. Unë dëshmoj se, sikurse u profetizua në shkrimet e shenjta, përfshirë në Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit, “mbretëria e Zotit [është] e ngritur sërish mbi tokë, për të përgatitur për Ardhjen e Dytë të Mesias”13. Në emrin e shenjtë dhe të shenjtëruar të Jezu Krishtit, amen.