2018
Ai Që do të Ngulmojë deri në Fund do të Shpëtohet
maj 2018


Ai që do të Ngulmojë deri në Fund, do të Shpëtohet

Le të jemi besnikë ndaj asaj që kemi besuar dhe dimë.

Të dashur vëllezër dhe motra, e vlerësoj shumë mundësinë për t’ju shprehur disa nga ndjenjat e mia.

Disa vite më parë, unë dhe bashkëshortja ime ishim të pranishëm në ceremoninë e përurimit të ekspozitës së fëmijëve në Muzeun Historik të Kishës në Solt-Lejk-Siti. Në fund të ceremonisë, Presidenti Tomas S. Monson eci drejt nesh dhe ndërsa na i shtrëngoi duart, tha: “Duroni dhe ju do të ngadhënjeni” – një mësim i thellë, vërtetësinë e të cilit, me siguri mund ta pohojmë të gjithë.

Jezu Krishti na siguroi se “ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet”1.

Të durosh do të thotë “të mbetesh i vendosur në zotimin për të qenë i vërtetë ndaj urdhërimeve të Perëndisë, pavarësisht nga tundimi, kundërshtimi [dhe] fatkeqësia”2.

Edhe ata të cilët kanë pasur përvoja të fuqishme shpirtërore dhe kanë dhënë shërbim besnik, mundet që një ditë të humbasin rrugën ose të bëhen joaktivë nëse nuk durojnë deri në fund. E mbajtshim gjithmonë me fuqi në mendjen dhe në zemrën tonë frazën: “Kjo nuk do të më ndodhë mua”.

Kur Jezu Krishti dha mësim në Kapernaum, “shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.

Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: ‘A doni edhe ju të largoheni?’”3

Unë besoj se sot, Jezu Krishti na pyet të gjithëve ne që kemi bërë besëlidhje të shenjta me Të: “A doni edhe ju të largoheni?”

Lutem që të gjithë ne, me një reflektim të thellë rreth asaj që përjetësitë ruajnë për ne, të mund të përgjigjemi si Simon Pjetri: “Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme”4.

Le të jemi besnikë ndaj asaj që kemi besuar dhe dimë. Nëse nuk kemi jetuar sipas diturisë sonë, le të ndryshojmë. Mëkatarët që vazhdojnë në mëkatet e tyre dhe nuk pendohen, zhyten thellë e më thellë në fëlliqësi, derisa Satani i merr për vete, duke e vënë mjaft në rrezik mundësinë e tyre për t’u penduar, për të marrë falje dhe për t’u bekuar me të gjitha bekimet e përjetësisë.

Kam dëgjuar shumë shfajësime prej atyre që kanë reshtur së marri pjesë në mënyrë aktive në Kishë dhe e kanë humbur largpamësinë e duhur të qëllimit që ka udhëtimi ynë në tokë. Unë i këshilloj ata të reflektojnë dhe të kthehen, sepse unë besoj se askush nuk do të jetë në gjendje të justifikohet përpara Zotit tonë, Jezu Krishtit.

Kur pagëzohemi, ne bëjmë besëlidhje – jo me ndonjë njeri por me Shpëtimtarin, duke pranuar të “marri[m] mbi vete emrin e Jezu Krishtit duke patur vendosmërinë për t’i shërbyer atij deri në fund”5.

Pjesëmarrja në mbledhjet e sakramentit është një nga mënyrat kyç me anë të së cilës ne mund ta vlerësojmë vendosmërinë tonë për t’i shërbyer Atij, forcën tonë shpirtërore dhe rritjen e besimit tonë në Jezu Krisht.

Marrja e sakramentit është gjëja më e rëndësishme që bëjmë ditën e Shabatit. Zoti ua shpjegoi këtë ordinancë Apostujve të Tij pak para së të vdiste. Ai bëri të njëjtën gjë në kontinentin amerikan. Ai na thotë se nëse marrim pjesë në këtë ordinancë, kjo do të jetë një dëshmi ndaj Atit se ne e kujtojmë gjithmonë Atë dhe Ai na premton se, si rrjedhojë, do ta kemi Shpirtin e Tij me vete.6

Te mësimet e Alma të Riut ndaj birit të tij Shiblonit, ne gjejmë këshilla të urta dhe paralajmërime që na ndihmojnë t’u qëndrojmë besnikë besëlidhjeve tona:

“Vër re të mos ngrihesh në krenari; po, shiko të mos lëvdohesh për zgjuarsinë tënde, as për fuqinë tënde të madhe.

“Ki guxim, por të mos jesh arrogant; dhe gjithashtu vër re të frenosh të gjitha pasionet e tua, që të mund të mbushesh me dashuri; shih të përmbahesh nga përtacia”7.

Disa vite më parë, kur isha në pushime, dëshiroja të vozitja me kajak për herë të parë. Mora një kajak me qira dhe plot entuziazëm u hodha në det.

Pas disa minutash, një dallgë e përmbysi kajakun. Me shumë mundim, duke e mbajtur lopatën në njërën dorë dhe kajakun në dorën tjetër isha në gjendje ta gjej ekuilibrin.

E provova sërish të vozitja me kajak, por disa minuta më vonë, kajaku u kthye sërish përmbys. Me kokëfortësi vazhdova të përpiqesha, por më kot, derisa dikush që merrte vesh nga vozitja me kajak më tha se duhet të kishte një të çarë diku në trupin e kajakut dhe se kajaku duhet të ishte mbushur me ujë, duke e bërë atë të paqëndrueshëm dhe të pamundur për t’u kontrolluar. E tërhoqa zvarrë kajakun deri në breg të detit dhe e hoqa tapën, dhe sigurisht, doli një sasi e madhe uji.

Mendoj se me raste ne lëvizim në jetë me mëkate të tilla që, njësoj si rrjedhja në kajakun tim, e pengojnë përparimin tonë shpirtëror.

Nëse ngulmojmë në mëkatet tona, ne i harrojmë besëlidhjet që kemi bërë me Zotin, edhe pse vazhdojmë të gremisemi për shkak të mungesës së drejtpeshimit që ato mëkate krijojnë në jetën tonë.

Njësoj si të çarat në kajakun tim, të çarat në jetën tonë duhen ndrequr. Për disa mëkate do të kërkohen më shumë përpjekje për t’u penduar se për disa të tjerë.

Prandaj ne duhet ta pyetim veten: Ku jemi ne në lidhje me sjelljen tonë ndaj Shpëtimtarit dhe veprës së Tij? A jemi në situatën e Pjetrit kur ai e mohoi Jezu Krishtin? Apo kemi përparuar deri në pikën ku kemi sjelljen dhe vendosmërinë që ai kishte mbas porosisë së madhe që mori nga Shpëtimtari?8

Ne të gjithë duhet të përpiqemi fort që t’i bindemi të gjitha urdhërimeve dhe t’u kushtojmë rëndësi të veçantë atyre që janë më të vështira për t’u mbajtur. Zoti do të jetë në anën tonë, duke na ndihmuar në kohë nevoje dhe dobësie dhe, nëse tregojmë një dëshirë të sinqertë dhe veprojmë siç duhet, Ai do të bëjë që “gjërat e dobëta të bëhen të forta”9.

Bindja do të na japë forcën për ta mposhtur mëkatin. Ne duhet të kuptojmë gjithashtu se sprova e besimit tonë kërkon që ne të bindemi, shpesh duke mos e ditur përfundimin.

Unë sugjeroj një formulë që do të na ndihmojë të durojmë deri në fund:

  1. Të lutemi e t’i lexojmë shkrimet e shenjta çdo ditë.

  2. Ta marrim sakramentin çdo javë, me një zemër të thyer e shpirt të penduar.

  3. Të paguajmë të dhjetën dhe ofertat tona mujore të agjërimit.

  4. Të përtërijmë çdo dy vjet – çdo vit për rininë – rekomandimin tonë të tempullit.

  5. Të shërbejmë në veprën e Zotit gjatë gjithë jetës sonë.

Na e qetësofshin mendjen tonë të vërtetat e mëdha të ungjillit dhe e mbajtshim jetën tonë pa të çara të cilat mund të na e pengojnë udhëtimin e sigurt nëpër detin e kësaj jete!

Suksesi në udhën e Zotit ka një çmim dhe e vetmja mënyrë për ta marrë atë është që ta paguajmë atë çmim.

Sa mirënjohës jam që Shpëtimtari ynë duroi deri në fund, duke e përmbushur flijimin e Tij të madhërishëm shlyes.

Ai vuajti për mëkatet tona, dhembjet, depresionin, ankthet, lëngatat dhe frikën, dhe kështu Ai e di si të na ndihmojë, si të na frymëzojë, si të na ngushëllojë dhe si të na forcojë në mënyrë që të mund të durojmë dhe të marrim kurorën që është ruajtur për ata të cilët nuk mposhten.

Jeta është ndryshe për secilin prej nesh. Të gjithë kemi një kohë sprovash, një kohë të lumtur, një kohë për marrje vendimesh, një kohë për kapërcim pengesash dhe një kohë për të përfituar nga mundësitë.

Cilado qoftë situata juaj vetjake, unë dëshmoj se Ati ynë Qiellor është duke thënë vazhdimisht: “Të dua. Të mbështet. Jam me ty. Mos u dorëzo. Pendohu dhe duro në rrugën që të kam treguar. Dhe Të siguroj se ne do ta shohim njëri-tjetrin sërish në shtëpinë tonë çelestiale”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.