2018
Plaku Dejvid P. Homer
maj 2018


Plaku Dejvid P. Homer

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Plaku Dejvid P. Homer

Një nga kujtimet më të hershme të Plakut Dejvid P. Homer lidhur me ungjillin është kur u caktua në moshën 14‑vjeçare si shoqërues i mësuesit të shtëpisë për një anëtar të lagjes së tij, mësues i cili “ndërmori një metodë të pazakontë për mësimin e shtëpisë”, tha Plaku Homer. “Nuk kishte të bënte me shkuarjen në shtëpi dhe vizitat nëpër njerëz; kishte të bënte me dhënien e shërbesës ndaj nevojave të tyre.”

Si dyshe shoqëruese, ata luteshin dhe flisnin për familjet që u ishin caktuar, jo si një i rritur dhe një i ri, por si bashkëpunëtorë në shërbimin e priftërisë. “Mësova se Shpirti vjen me shërbimin dhe është i lidhur me të”, tha Plaku Homer.

Ai mësim ka qëndruar gjatë gjithë jetës së tij me të dhe me shërbimin në Kishë që ka rrjedhur prej tij, qoftë kur shërbente si I Shtatëdhjetë Zonal, si udhëheqës i çerdhes apo si specialisti i stendës së lajmërimeve – një thirrje që e përmbushi ndërkohë që ai dhe bashkëshortja e tij jetonin në Melburn të Australisë.

Dejvid Paul Homeri u lind më 25 prill 1961 në Solt‑Lejk‑Siti të Jutës në SHBA nga Frederik dhe Fillis LeNajla Homeri. Pas misionit të tij në Hong‑Kong nga viti 1980 deri në 1982, ai u takua me Nensi Dransfilldin, një të diplomuar në Universitetin “Brigam Jang”, në një mbledhje rreth vatrës të institutit në Solt‑Lejk‑Siti, ku ajo po punonte dhe ndiqte klasa tek Universiteti i Jutës. Ata u martuan në Tempullin e Solt‑Lejkut më 31 korrik 1984. Kanë rritur pesë vajza dhe një djalë.

Plaku Homer mori një diplomë universitare për ekonomi në Universitetin e Jutës dhe një diplomë pasuniversitare për administrim biznesi në Shkollën Uarthën tek Universiteti i Pensilvanisë.

Gjatë karrierës së tij 30‑vjeçare si drejtues i kompanisë General Mills, ai dhe bashkëshortja e tij jetuan në Majemi të Floridës në SHBA, Mineapolis të Minesotës në SHBA, Bërlington të Ontarios në Kanada dhe San‑Sulpis të Vaudit në Zvicër.

Plaku Homer ka shërbyer si president kunji, peshkop, president i kuorumit të pleqve dhe sekretar ekzekutiv i lagjes. Si I Shtatëdhjetë Zonal ai e filloi shërbimin e tij në Kanada dhe e vazhdoi në Europë, ku shërbeu katër vitet e fundit përpara se të mbështetej si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë më 31 mars 2018.