2018
Lehtësimi i Punës Misionare
maj 2018


Lehtësimi i Punës Misionare

Gjatë gjashtë muajve të fundit, Kisha ka ndërmarrë disa hapa për ta lehtësuar punën misionare.

Pyetje standarde. Presidenca e Parë paraqiti një grup pyetjesh standarde për peshkopët dhe presidentët e kunjeve për t’u përdorur ndërkohë që intervistohen misionarët e ardhshëm kohëplotë. Ata i nxitën udhëheqësit, prindërit dhe rininë të familjarizohen me pyetjet.

Standardet e pasqyruara në pyetjet nuk i ndryshojnë ose u shtojnë kërkesave për shërbimin misionar kohëplotë, por rishikimi i tyre rregullisht do t’i aftësojë misionarët e ardhshëm dhe prindërit që të mësojnë parime dhe të përcaktojnë fusha ku mund të kërkohet përmirësim ose përgatitje shtesë.

Përdorimi i teknologjisë. Numri i misioneve që përdorin pajisje elektronike, po rritet nga 87 në 162 dhe kompjuterët e dorës po zëvendësohen me telefona inteligjentë. Telefonat do t’i ndihmojnë misionarët për studimin, gjetjen dhe mësimdhënien.

Teknologjia gjithashtu është duke u përdorur që të sigurojë përmbajtje në internet për njerëzit që kërkojnë përgjigje ndaj pyetjeve fetare. Kisha e filloi përdorimin e qendrave të mësimdhënies në internet gjashtë vjet më parë dhe sot ka në funksionim 20 qendra mësimdhënieje në internet anembanë botës.

Falë teknologjisë, anëtarët të cilët u referojnë miq misionarëve, tani mund të komunikojnë me misionarët që po i japin mësim mikut/es të/së tyre. Ata mund të diskutojnë për nevojat me misionarët dhe të marrin pjesë në mësime nëpërmjet internetit. Zbuloni se si te lds.org/referrals.

Plotësimi i nevojave aktuale. Duke filluar nga korriku 2018 Kisha do t’i ndryshojë kufijtë e 19 misioneve dhe do të krijohen 5 misione të reja. Kjo do ta ndryshojë numrin e misioneve nga 421 në 407. Misionet e reja do të jenë Brazil, Rio‑de‑Zhaneiro Jugor; Bregu i Fildishtë, Jamosukro; Nigeri, Ibadan; Filipine, Kabanatuan dhe Zimbabve, Bulauajo. Hollësi mbi shkrirjet e misioneve do t’u dërgohen në komunikimet e ardhshme prej presidentëve të misioneve prindërve të misionarëve në misionet e ndikuara prej kësaj.

Që kur u shpall ndryshimi i moshave për shërbim misionar në vitin 2012, Kisha krijoi 76 misione të reja për të mirëpritur valën e rritjes nga 58 000 në 88 000 misionarë. Vala fillestare e misionarëve është zvogëluar që atëherë, sikurse pritej, dhe aktualisht po shërbejnë rreth 68 000 misionarë. Kjo do të thotë që për kohën e tanishme kërkohen më pak misione. Por do të thotë edhe që kërkon vëmendje të veçantë vendosja e duhur e misionarëve në zona ku ka nevojë anembanë botës.

Qendrat e trajnimit të misionarëve. Janë zgjeruar dhe përkushtuar që të dyja Qendrat e Trajnimit të Misionarëve në Provo të Jutës në SHBA dhe QTM‑ja në Filipine dhe është përkushtuar edhe qendra e trajnimit të misionarëve në Ganë. Qendrat e trajnimit në Spanjë dhe Kili do të mbyllen në janar të vitit 2019 dhe misionarët që do të kishin frekuentuar ndonjërën prej këtyre qendrave, do të trajnohen në 13 qendrat e trajnimit të misionarëve që ngelen nëpër botë.