2019
Përgjigjet për Lutjen
maj 2019


Përgjigjet për Lutjen

Ati është i vetëdijshëm për ne, i di nevojat tona dhe do të na ndihmojë në mënyrë të përsosur.

Një doktrinë e rëndësishme dhe ngushëlluese e ungjillit të Jezu Krishtit është që Ati ynë Qiellor ka dashuri të përsosur për fëmijët e Tij. Për shkak të asaj dashurie të përsosur, Ai na bekon jo vetëm në përputhje me dëshirat dhe nevojat tona, por edhe në përputhje me urtësinë e Tij të pafundme. Siç u shpall thjesht nga profeti Nefi: “Unë e di se [Perëndia] i do fëmijët e tij”1.

Një aspekt i asaj dashurie të përsosur është përfshirja e Atit tonë Qiellor në hollësitë e jetës sonë, edhe kur ne mund të mos jemi të vetëdijshëm për këtë ose mund të mos e kuptojmë atë. Ne kërkojmë udhërrëfimin dhe ndihmën hyjnore të Atit nëpërmjet lutjes së përzemërt, të zellshme. Kur i nderojmë besëlidhjet tona dhe përpiqemi të jemi më shumë si Shpëtimtari ynë, neve na jepet e drejta ndaj një rrjedhjeje të vazhdueshme2 të udhërrëfimit hyjnor nëpërmjet ndikimit dhe frymëzimit nga Fryma e Shenjtë.

Shkrimet e shenjta na mësojnë: “Sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t’i kërkoni”3 dhe Ai “i di të gjitha gjërat, pasi gjithë gjërat janë të pranishme përpara syve të [Tij]”4.

Profeti Mormoni është një shembull për këtë. Ai nuk jetoi sa t’i shihte rezultatet e punës së vet. Prapëseprapë ai e kuptoi se Zoti po e udhëhiqte me kujdes përgjatë udhës. Kur u ndje i frymëzuar që të përfshinte fletët e vogla të Nefit me analin e vet, Mormoni shkroi: “Dhe unë e bëj këtë për një synim të urtë; pasi kështu m’u pëshpërit, sipas punëve të Shpirtit të Zotit që është në mua. Dhe tani, unë nuk i di të gjitha gjërat, por Zoti i di të gjitha gjërat që do të vijnë; prandaj, ai punon tek unë që të bëj sipas vullnetit të tij.”5 Edhe pse Mormoni nuk dinte për humbjen në të ardhmen të 116 faqeve të dorëshkrimit, Zoti e dinte dhe përgatiti një udhë për ta kapërcyer atë pengesë shumë kohë përpara se të ndodhte.

Ati është i vetëdijshëm për ne, i di nevojat tona dhe do të na ndihmojë në mënyrë të përsosur. Nganjëherë ajo ndihmë jepet pikërisht në çastin ose pak kohë pasi e kërkojmë ndihmën hyjnore. Ndonjëherë dëshirat tona më të zellshme dhe më të denja nuk plotësohen në mënyrën që shpresojmë, por ne mësojmë se Perëndia ka bekime më të mëdha që na presin në të ardhmen. Dhe ndonjëherë dëshirat tona të drejta nuk na plotësohen në këtë jetë. Do t’i ilustroj nëpërmjet tri tregimeve të ndryshme mënyrat se si Ati ynë në Qiell mund t’iu përgjigjet kërkesave tona më të zellshme, të drejtuara Atij.

Biri ynë më i vogël u thirr të shërbente si misionar në Misionin e Francës në Paris. Në përgatitje për të shërbyer, ne shkuam me të për të blerë këmishët, kostumet, kollaret, çorapët e zakonshëm dhe një pallto. Për fat të keq, palltoja që ai donte, nuk ishte në atë kohë në dyqan në masën që i nevojitej. Sidoqoftë, shitësi i dyqanit na tha se do ta gjenin pallton brenda pak javësh dhe do ta çonin në qendrën e trajnimit të misionarëve në Provo përpara largimit të birit tonë për në Francë. Paguam për pallton dhe nuk i kushtuam më vëmendje.

Biri ynë hyri në qendrën e trajnimit të misionarëve në qershor dhe pallton e mori pak ditë përpara largimit të tij të planifikuar në gusht. Ai nuk e provoi pallton, por me nxitim e paketoi në valixhe me rrobat dhe artikujt e tij të tjerë.

Teksa dimri u afrua në Paris, ku biri ynë po shërbente, ai na shkroi se e kishte nxjerrë pallton dhe e kishte provuar, por mësoi se ishte shumë e vogël. Prandaj na u desh të depozitonim fonde shtesë në llogarinë e tij bankare që të mund të blinte një pallto tjetër në Paris, gjë të cilën ai e bëri. Me njëfarë acarimi i shkrova dhe i thashë t’ia jepte dikujt pallton e parë përderisa nuk mund ta përdorte atë.

Më vonë morëm këtë postë elektronike prej tij: “Është shumë, shumë ftohtë këtu. … Era duket sikur na hyn deri në palcë, edhe pse palltoja ime e re është e mirë dhe mjaft e rëndë. … Ia dhashë pallton e vjetër [një misionari tjetër në apartamentin tonë], i cili tha se ishte lutur për një mënyrë që të gjente një pallto më të mirë. Ai është një i kthyer në besim prej disa vjetësh dhe ka vetëm nënën … dhe misionarin që e pagëzoi, të cilët po e mbështetin në misionin e tij dhe prandaj palltoja ishte përgjigje e një lutjeje, kështu që ndihem shumë i lumtur për këtë gjë.”6

Ati Qiellor e dinte se këtij misionari, i cili po shërbente në Francë gati 10 000 kilometra larg nga shtëpia, do t’i nevojitej me ngutje një pallto e re për një dimër të ftohtë në Paris, por ky misionar nuk do t’i kishte mjetet për ta blerë atë. Ati Qiellor gjithashtu e dinte se biri ynë do të merrte nga dyqani i veshjeve në Provo të Jutës një pallto që do të ishte tepër e vogël. Ai e dinte se këta dy misionarë do të shërbenin së bashku në Paris dhe se palltoja do të ishte përgjigje ndaj lutjes së përulur dhe të zellshme të një misionari që kishte një nevojë të ngutshme.

Shpëtimtari dha mësim:

“A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj.

Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara.

Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.”7

Në situata të tjera, kur dëshirat tona të denja nuk na plotësohen në mënyrën që kishim shpresuar, kjo në fakt mund të jetë për të mirën tonë përfundimtare. Për shembull, Jozefin, birin e Jakobit, e kishin zili dhe e urrenin vëllezërit e vet deri në pikën që ata komplotuan vrasjen e Jozefit. Në vend të kësaj, ata e shitën si skllav në Egjipt.8 Nëse ndonjëherë një njeri mund të ketë ndier se lutjet e tij nuk morën përgjigje në mënyrën që kishte shpresuar, ai mund të kishte qenë Jozefi. Në të vërtetë, fatkeqësia e tij e dukshme çoi në bekime të mëdha për të dhe e shpëtoi familjen e tij prej vdekjes nga uria. Më vonë, pasi ishte bërë një udhëheqës i mirëbesuar në Egjipt, me besim dhe urtësi të madhe ai u tha vëllezërve të tij:

“Por tani mos u trishtoni dhe mos t’ju vijë keq që më shitët me qëllim që të çohesha këtu poshtë, sepse Perëndia më ka dërguar para jush për të ruajtur jetën tuaj.

Në fakt u bënë dy vjet që ra zija e bukës në vend; dhe do të ketë pesë vjet të tjera gjatë të cilave as do të lërohet, as do të korret.

Por Perëndia më ka dërguar para jush, me qëllim që të ruhet diçka mbi tokë dhe për t’ju shpëtuar jetën me një çlirim të madh.

Nuk jeni ju, pra, që më dërguat këtu, por është Perëndia.”9

Ndërkohë që ishte në kolegj, biri ynë më i madh u punësua në një punë me kohë të pjesshme shumë të dëshiruar nga studentët, e cila pas diplomimit kishte mundësinë të çonte në një punë të mrekullueshme, me kohë të plotë. Ai punoi shumë në këtë punë si student për katër vjet, u bë tepër i kualifikuar dhe respektohej shumë nga bashkëpunëtorët dhe mbikëqyrësit e tij. Në mbarim të vitit të fundit të shkollës, pothuajse si të ishte planifikuar nga qielli (të paktën sipas mënyrës që mendonte biri ynë), u hap pozicioni i përhershëm dhe ai ishte kandidati kryesues, me çdo lloj treguesi dhe pritshmërie që, me të vërtetë, ai do ta merrte vendin e punës.

Epo, atë nuk e morën në punë. Askush prej nesh nuk mund ta kuptonte këtë gjë. Ai ishte përgatitur mirë, e kishte bërë mirë intervistën, ishte kandidati më i kualifikuar dhe ishte lutur me shpresë e pritshmëri të madhe. Ai u shkatërrua dhe u dërrmua nga mërzia dhe i gjithë episodi na e turbulloi mendjen të gjithëve. Përse Perëndia e kishte braktisur atë në dëshirën e tij të drejtë?

Ndodhi vetëm disa vjet më vonë që përgjigjja u bë shumë e qartë. Po të kishte marrë punën që e ëndërronte pas diplomimit, ai do të kishte humbur një mundësi të rëndësishme jetëndryshuese që tani u vërtetua se është për përfitimin dhe bekimin e tij të përjetshëm. Perëndia e dinte fundin që nga fillimi (sikurse Ai e di gjithmonë) dhe në këtë rast, përgjigjja ndaj shumë lutjeve të drejta ishte jo, në favor të një rezultati shumë më të lartë.

Dhe nganjëherë, përgjigjja ndaj lutjes që e kemi kërkuar me kaq drejtësi, ngulm e zell, nuk jepet në këtë jetë.

Motra Patrisha Parkinson u lind me shikim normal, por në moshën shtatëvjeçare filloi të verbohej. Në moshën nëntë vjeçe, Pati filloi të ndiqte Shkollat e Jutës për të Shurdhët dhe të Verbrit në Ogden të Jutës, gati 145 km larg shtëpisë së saj, duke e bërë të nevojshme të jetonte në konviktin e shkollës – që përfshiu të gjithë mallin për shtëpinë që mund të kishte përjetuar një nëntëvjeçare.

Në moshën 11‑vjeçare ajo e kishte humbur tërësisht shikimin. Pati u kthye përfundimisht në shtëpi në moshën 15‑vjeçare për të ndjekur shkollën e mesme vendore. Ajo vazhdoi kolegjin dhe u diplomua me një diplomë të shkollës së lartë për çrregullimet në komunikim e për psikologji dhe pas një ndeshjeje heroike me punonjësit dyshues të pranimeve në universitet, ajo u fut në shkollën pasuniversitare dhe mori një diplomë masteri në patologjinë e gjuhës së folur. Pati tani punon me 53 studentë të shkollave fillore dhe mbikëqyr katër teknikë të gjuhës së folur në distriktin e saj shkollor. Ajo ka shtëpinë e vet dhe makinën e vet, të cilën e ngasin miqtë dhe pjesëtarët e familjes kur Pati ka nevojë të shkojë diku.

Motra Patrisia Parkinson

Në moshën 10‑vjeçare Patit iu planifikua edhe një procedurë tjetër mjekësore për ta trajtuar shikimin e saj që pakësohej. Prindërit e saj i kishin thënë gjithmonë me saktësi se çfarë do të ndodhte lidhur me kujdesin e saj mjekësor, por, për njëfarë arsyeje ata nuk i treguan për këtë procedurë të veçantë. Kur prindërit i thanë se ishte planifikuar procedura, Pati, sipas fjalëve të nënës së saj, “u shqetësua”. Pati vrapoi për në dhomën tjetër, por më vonë u kthye dhe u tha prindërve me njëfarë indinjate: “Më lejoni t’jua them. Unë e di, Perëndia e di dhe ju mund ta dini po ashtu. Do të jem e verbër për tërë jetën time!”

Disa vite më parë, Pati udhëtoi për në Kaliforni që të vizitonte pjesëtarë të familjes që jetonin atje. Ndërkohë që kishte dalë me nipin e saj trevjeçar, ai i tha: “Halla Pati, përse thjesht nuk i kërkon Atit Qiellor që të të japë sy të rinj? Sepse po t’ia kërkosh Atit Qiellor, Ai do të të japë çfarëdo që dëshiron. Thjesht duhet t’ia kërkosh Atij.”

Pati tha se u befasua nga pyetja, por u përgjigj: “Epo, nganjëherë Ati Qiellor nuk vepron në atë mënyrë. Nganjëherë Ai ka nevojë që ti të mësosh diçka dhe prandaj Ai nuk të jep gjithçka që dëshiron. Nganjëherë duhet të presësh. Ati Qiellor dhe Shpëtimtari e dinë më mirë se çfarë është e mirë për ne dhe çfarë na nevojitet. Prandaj Ata nuk do të të japin gjithçka që dëshiron në çastin që e dëshiron.”

E kam njohur Patin për shumë vjet dhe kohët e fundit i thashë se e admiroja faktin që ajo është gjithmonë pozitive dhe e gëzuar. Ajo u përgjigj: “Epo, nuk keni qenë në shtëpi me mua, apo jo? Kam çastet e mia. Kam pasur raste mjaft të rënda depresioni dhe kam qarë shumë.” Gjithsesi, ajo shtoi: “Që nga koha kur fillova ta humbas shikimin, ishte e çuditshme, por e dija se Ati Qiellor dhe Shpëtimtari ishin me familjen time dhe me mua. Ia dolëm mbanë sa më mirë që mundëm dhe sipas mendimit tim, ia dolëm mbanë ashtu siç duhet. Unë u bëra një njeri mjaft i suksesshëm dhe në përgjithësi kam qenë njeri i lumtur. E kujtoj që dora e Tij është në gjithçka. Atyre që më pyetin a jam e inatosur ngaqë jam e verbër, u përgjigjem: ‘Me kë të jem e inatosur? Ati Qiellor është në këtë gjë me mua; nuk jam vetëm. Ai është me mua gjatë gjithë kohës.’”

Në këtë rast, dëshira e Patit për ta fituar sërish shikimin nuk do të jepet në këtë jetë. Por motoja e saj, e mësuar prej babait të saj, është: “Edhe kjo do të kalojë”10.

Presidenti Henri B. Ajring tha: “Ati është në këtë çast i vetëdijshëm për ju, për ndjenjat tuaja dhe për nevojat shpirtërore dhe materiale të çdo njeriu përreth jush”11. Kjo e vërtetë e madhe dhe ngushëlluese mund të gjendet në tri përvojat që kam treguar.

Vëllezër e motra, ndonjëherë lutjet tona marrin përgjigje shpejt me rezultatin për të cilin shpresojmë. Ndonjëherë, lutjet tona nuk marrin përgjigje në mënyrën për të cilën shpresojmë, por me kalimin e kohës ne mësojmë se Perëndia pati bekime të përgatitura për ne më të mëdha nga sa e kishim pritur fillimisht. Dhe nganjëherë kërkesat tona të drejta ndaj Perëndisë nuk do të na jepen në këtë jetë.12 Ashtu si tha Plaku Nil A. Maksuell: “Besimi gjithashtu përfshin mirëbesim në kohën e Perëndisë”13.

Ne kemi sigurinë se në mënyrën e Tij dhe në kohën e Tij, Ati Qiellor do të na bekojë dhe do t’i zgjidhë të gjitha shqetësimet, padrejtësitë dhe zhgënjimet tona.

Duke cituar mbretin Beniamin: “Dhe për më tepër, unë do të doja që ju të keni parasysh gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë. Pasi vini re, ata janë të bekuar në të gjitha gjërat, qoftë tokësore ashtu edhe shpirtërore; dhe nëse qëndrojnë besnikë deri në fund, ata janë marrë në qiell, që si rrjedhim të jetojnë me Perëndinë, në një gjendje lumturie të pafund. O, kujtoni, kujtoni se këto gjëra janë të vërteta; pasi Zoti Perëndi i ka folur.”14

E di se Perëndia i dëgjon lutjet tona.15 E di se, si një Atë i gjithëditur, i dashur, Ai u përgjigjet lutjeve tona në mënyrë të përsosur, në përputhje me urtësinë e Tij të pafundme dhe në mënyra që do të jenë për përfitimin dhe bekimin tonë përfundimtar. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.