2019
Duke u Përgatitur për Kthimin e Zotit
maj 2019


Duke u Përgatitur për Kthimin e Zotit

Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është fuqizuar dhe autorizuar në mënyrë të pashoqe për të kryer përgatitjet e nevojshme për Ardhjen e Dytë të Zotit.

Për dy javë, ne do të kremtojmë Pashkën. Ringjallja vërteton natyrën hyjnore të Jezu Krishtit dhe realitetin e Perëndisë, Atit. Mendimet tona drejtohen te Shpëtimtari dhe ne përsiatim “jetë[n e] Tij të pashoqe dhe virtyti[n e] pafund të sakrificës së Tij madhështore e shlyese”1. Unë shpresoj që ne gjithashtu mendojmë për kthimin e Tij të ardhshëm kur “Ai do të sundojë si Mbreti i Mbretërve dhe … Zoti i Zotërve”2.

Para disa kohësh në Buenos‑Ajres në Argjentinë, mora pjesë në një konferencë me udhëheqës nga një shumëllojshmëri e madhe besimesh fetare. Dashuria e tyre për bashkëqeniet ishte e dukshme. Ata synonin lehtësimin e vuajtjeve dhe t’i ndihmonin njerëzit të ngriheshin mbi shtypjen e varfërinë. Reflektova mbi nismat e shumta humanitare të kësaj Kishe, përfshirë projektet në bashkëpunim me një numër grupesh të besimeve [fetare] të përfaqësuara në konferencë. Ndjeva mirënjohje të thellë për bujarinë e anëtarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që e bën të mundur një shërbim të tillë si të Krishtit.

Në atë çast, Shpirti i Shenjtë më pohoi dy gjëra. Së pari, puna për dhënien e shërbesës ndaj nevojave materiale është jetike dhe duhet të vazhdojë. E dyta ishte e papritur, por prapëseprapë e fuqishme dhe e qartë. Ishte kjo: përtej shërbimit vetëmohues, është jashtëzakonisht e rëndësishme ta përgatitim botën për Ardhjen e Dytë të Zotit Jezu Krisht.

Kur të vijë Ai, shtypja dhe padrejtësia jo vetëm që do të pakësohen; ato do të marrin fund:

“Ujku do të jetojë me qengjin, leopardi do të shtrihet pranë kecit dhe viçi dhe këlyshi i luanit dhe mëzati së bashku; dhe një fëmijë i vogël do t’i udhëheqë. …

Ata nuk do të prishin, as shkatërrojnë malin tim të shenjtë; pasi toka do të jetë plot me diturinë e Zotit, sikurse ujërat mbulojnë detin.”3

Varfëria dhe vuajtjet jo vetëm që do të zvogëlohen; ato do të zhduken:

“Ata nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë etje, as nuk do t’i godasë më dielli, as kurrfarë vape,

sepse Qengji, që është në mes të fronit, do t’i kullosë dhe do t’i çojë te burimet e gjalla të ujërave; dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre”4.

Madje dhembja dhe pikëllimi për vdekjen do të largohen:

“Në atë ditë një foshnjë nuk do të vdesë derisa të plaket; dhe jeta e tij do të jetë si mosha e një peme;

Dhe kur të vdesë, ai nuk do të flerë, që është në tokë, por do të ndryshohet sa të hapësh e të mbyllësh sytë e do të rrëmbehet lart dhe pushimi i tij do të jetë i lavdishëm”5.

Pra, po, le të bëjmë gjithçka mundemi për t’i lehtësuar vuajtjet dhe pikëllimin tani dhe le t’u kushtohemi më me zell përgatitjeve që nevojiten për ditën kur dhembja dhe e keqja do të marrin fund plotësisht, kur “Krishti do të mbretërojë personalisht mbi tokë; dhe … toka do të ripërtërihet dhe do të marrë lavdinë e saj të parajsës”6. Do të jetë një ditë shëlbimi dhe gjykimi. Ish‑peshkopi Anglikan i Durhamit, dr. N. T. Rajt, e ka përshkruar me vend domethënien e Shlyerjes, Ringjalljes dhe Gjykimit të Krishtit në mposhtjen e padrejtësisë dhe në bërjen e të gjitha gjërave siç duhet.

Ai tha: “Perëndia ka caktuar një ditë në të cilën do ta gjykojë botën me drejtësi me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar – dhe për këtë, ai u ka dhënë të gjithëve një siguri, duke e ringjallur këtë njeri së vdekuri. Faktet rreth Jezusit të Nazaretit, dhe veçanërisht rreth ringjalljes së tij së vdekuri, janë themeli i sigurisë se bota nuk është e pakuptimtë. Përfundimisht ajo nuk është një kaos; se kur bëjmë drejtësi në të tashmen, nuk po i çojmë dëm kohën dhe përpjekjet tona, duke u përpjekur të mbrojmë një ndërtesë që përfundimisht do të shembet, ose të rregullojmë një makinë që aktualisht është gati për t’u flakur si mbeturinë. Kur Perëndia e ngriti Jezusin së vdekuri, kjo ishte ngjarja mikrokozmike në të cilën akti përfundimtar makrokozmik i gjykimit u përmblodh në një bërthamë, fara … e shpresës përfundimtare. Perëndia shpalli, në mënyrën më të fuqishme që mund të imagjinohet, se Jezusi i Nazaretit ishte me të vërtetë Mesia. … Për ironinë më të madhe të historisë, vetë [Jezusi] iu nënshtrua gjykimit mizor dhe të padrejtë, duke ardhur në vendin që simbolizoi dhe mblodhi të gjitha moritë e mizorive dhe padrejtësive të historisë, për ta mbartur vetë atë kaos, atë errësirë, atë mizori, atë padrejtësi dhe për ta shkatërruar fuqinë e saj.”7

Ndërkohë që isha në konferencën në Buenos‑Ajres, të cilën e përmenda më herët, Shpirti më bëri të qartë se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është fuqizuar dhe autorizuar në mënyrë të pashoqe për të kryer përgatitjet e nevojshme për Ardhjen e Dytë të Zotit; me të vërtetë, ajo u rivendos për atë qëllim. A mund të gjeni diku tjetër një popull që e përqafon epokën e tanishme, si profetizimi i “plotës[isë së] kohë[s]”, në të cilën Perëndia ka vendosur t’i “s[jellë] në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat”?8 Nëse nuk gjeni këtu një komunitet të zotuar për ta arritur atë që duhet të arrihet si për të gjallët dhe për të vdekurit për t’u përgatitur për atë ditë, nëse nuk gjeni këtu një organizatë që është e gatshme t’iu kushtojë kohë dhe fonde të mëdha mbledhjes dhe përgatitjes së një populli besëlidhës që të jetë gati për ta pranuar Zotin, nuk do ta gjeni askund tjetër.

Duke i folur Kishës në vitin 1831, Zoti shpalli:

“Çelësat e mbretërisë së Perëndisë i jepen njeriut në tokë dhe që atje do të përhapet ungjilli deri në fundet e dheut. …

Lutjuni Zotit, që mbretëria e tij të mund të përhapet mbi tokë, që banorët e saj të mund ta pranojnë atë dhe të përgatiten për ditët që do të vijnë, në të cilat Biri i Njeriut do të zbresë në qiell, i veshur me shkëlqimin e lavdisë së tij, për të takuar mbretërinë e Perëndisë që është ngritur mbi tokë.”9

Çfarë mund të bëjmë ne që të përgatitemi tani për atë ditë? Ne mund ta përgatitim veten tonë si popull; ne mund ta mbledhim popullin e besëlidhjes së Zotit dhe ne mund të ndihmojmë për ta shëlbuar premtimin për shpëtim që iu “bë etërve”, paraardhësve tanë.10 E gjithë kjo duhet të ndodhë në një shkallë të konsiderueshme para se Zoti të vijë përsëri.

Së pari, dhe vendimtare për kthimin e Zotit, është prania në tokë e një populli të përgatitur për ta pritur Atë në ardhjen e Tij. Ai ka thënë se ata që mbeten në tokë në atë ditë, “nga më i vogli te më i madhi … do të mbushen me diturinë e Zotit e do të shohin sy për sy, dhe do ta ngrenë zërin e tyre e njëzëri do të këndojnë së bashku këtë këngë të re, duke thënë: Zoti e ka sjellë përsëri Sionin. … Zoti ka mbledhur gjithçka në një. Zoti ka zbritur Sionin nga lart. Zoti ka ngritur Sionin nga poshtë.”11

Në kohët e lashta, Perëndia e mori për Vete qytetin e drejtë të Sionit.12 Në dallim me këtë, në ditët e fundit, një Sion i ri do ta presë Zotin në kthimin e Tij.13 Sioni është të kulluarit në zemër, popull i një zemre dhe i një mendjeje, që banojnë në drejtësi pa të varfër mes tyre.14 Profeti Jozef Smith shpalli: “Ne duhet ta kemi ndërtimin e Sionit si objektivin tonë më të madh”15. Ne e ndërtojmë Sionin në shtëpitë, lagjet, degët dhe kunjet tona nëpërmjet unitetit, perëndishmërisë dhe dashurisë hyjnore.16

Ne duhet ta pranojmë se ndërtimi i Sionit ndodh në kohë të trazuara – “një ditë zemërimi, një ditë djegie[je], një ditë shkatërrimi, kuje, vajtimi dhe ankimi; dhe si një vorbull do të vijë mbi gjithë faqen e tokës, thotë Zoti”17. Pra, mbledhja në kunje bëhet “për mbrojtje e për strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun”18.

Ashtu si në kohët e mëparshme, ne “mblidhe[mi] së bashku shpesh për të agjëruar, për t’u lutur dhe për të folur me njëri-tjetrin, në lidhje me mirëqenien e shpirtit … t[onë]. Dhe … për të m[arrë] bukë dhe verë në kujtim të Zotit Jezus.”19 Ashtu siç e shpjegoi Presidenti Rasëll M. Nelson në konferencën e përgjithshme tetorin e kaluar: “Qëllimi afatgjatë i Kishës është t’u japë ndihmesë të gjithë anëtarëve që ta rritin besimin e tyre te Zoti ynë Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij, t’u japë ndihmesë atyre për t’i bërë dhe mbajtur besëlidhjet e tyre me Perëndinë, si dhe për t’i forcuar dhe vulosur familjet e tyre”20. Prandaj, ai e thekson rëndësinë e besëlidhjeve të tempullit, të shenjtërimit të Shabatit dhe të ushqyerjes me bollëk çdo ditë me ungjillin, të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga një program studimi i ndërthurur në Kishë. Ne duam të dimë për Zotin dhe duam ta njohim Zotin.21

Një përpjekje themelore për ndërtimin e Sionit është mbledhja e popullit të besëlidhjes së Zotit të shpërndarë për një kohë të gjatë.22 “Ne besojmë në mbledhjen aktuale të Izraelit dhe në rivendosjen e Dhjetë Fiseve.”23 Të gjithë ata që do të pendohen, do të besojnë te Krishti dhe do të pagëzohen, janë populli i Tij i besëlidhjes.24 Vetë Zoti profetizoi se përpara kthimit të Tij, ungjilli do të predikohej në të gjithë botën25 “për të shpenguar popullin [e Tij] që është i shtëpisë së Izraelit”26 “dhe atëherë do të vijë mbarimi”27. Profecia e Jeremisë po përmbushet:

“‘Prandaj ja, po vijnë ditët’, thotë Zoti, ‘në të cilat [ata] nuk do të th[onë] më: ‘Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit’,

por: ‘Për Zotin e gjallë që nxori bijtë e Izraelit nga vendi i veriut dhe nga tërë vendet ku i kishte shpërndarë’. Dhe unë do t’i çoj përsëri në vendin që u kisha dhënë etërve të tyre.”28

Presidenti Nelson ka theksuar në mënyrë të përsëritur se “mbledhj[a e Izraelit] është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga rëndësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhështia. Dhe nëse e zgjidhni, … ju mund të jeni një pjesë e madhe e saj.”29 Shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë qenë gjithmonë një popull misionar. Qindra mijëra njerëz u janë përgjigjur thirrjeve për mision që nga fillimi i Rivendosjes; aktualisht shërbejnë dhjetëra mijëra [misionarë/e]. Dhe, sikurse sapo na mësoi Plaku Kuentin L. Kuk, të gjithë ne mund të marrim pjesë në mënyra të thjeshta e të natyrshme, me dashuri, duke i ftuar të tjerët që të bashkohen me ne në kishë, të na vijnë për vizitë në shtëpi, të bëhen pjesë e rrethit tonë. Botimi i Librit të Mormonit qe sinjali që mbledhja kishte filluar.30 Vetë Libri i Mormonit ishte mjeti i mbledhjes dhe i kthimit në besim.

Gjithashtu jetike në përgatitjet për Ardhjen e Dytë është përpjekja e madhe shëlbuese në emër të paraardhësve tanë. Zoti premtoi ta dërgonte Elijan, profetin, përpara Ardhjes së Dytë, “dit[ës së] madhe dhe [të] llahtarshme [të] Zotit”31, për të “zbul[uar] Priftërinë” dhe për të “mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve”32. Elija erdhi ashtu siç ishte premtuar. Ishte data 3 prill 1836; vendi ishte Tempulli i Kirtlandit. Në atë vend dhe në atë çast, ai me të vërtetë dha priftërinë e premtuar, çelësat për shëlbimin e të vdekurve dhe të bashkimit të bashkëshortëve, bashkëshorteve dhe familjeve përgjatë gjithë brezave në kohë dhe gjatë gjithë përjetësisë.33 Pa këtë, qëllimi i krijimit do të ishte penguar, dhe në këtë kuptim, toka do të mallkohej ose “shkatërrohej tërësisht”34.

Në takimin shpirtëror për të rinjtë që i parapriu përkushtimit të Tempullit të Romës në Itali, qindra të rinj dhe të reja të pranishëm i treguan Presidentit Nelson kartat që kishin përgatitur me emrat e paraardhësve të tyre. Ata ishin gati të hynin në tempull për të kryer pagëzime mëkëmbëse për ata paraardhës sapo ai të hapej. Ishte një çast i jashtëzakonshëm kënaqësie, por një shembull i vetëm i përpjekjes përshpejtuese për ta themeluar Sionin për brezat që kanë qenë përpara nesh.

Ndërkohë që përpiqemi fort të jemi të zellshëm në ndërtimin e Sionit, duke e përfshirë pjesën tonë në mbledhjen e të zgjedhurve të Zotit dhe në shëlbimin e të vdekurve, ne duhet të ndalemi për të kujtuar se kjo është vepra e Zotit dhe se Ai po e bën atë. Ai është Zoti i vreshtit dhe ne jemi shërbëtorët e Tij. Ai na kërkon të punojmë në vresht me fuqinë tonë këtë “her[ë të] fundit” dhe Ai punon me ne.35 Ndoshta do të ishte më e saktë të themi se Ai na lejon të punojmë me Të. Ashtu siç tha Pali: “Unë mbolla, Apoli ujiti, po Perëndia i bëri të rriten”36. Është Ai që po e përshpejton punën e Tij në kohën e saj.37 Duke i përdorur përpjekjet tona padyshim të papërsosura – “mjete[t tona] të vogla” – Zoti mund të shkaktojë gjëra të mëdha.38

Kjo periudhë madhështore dhe e fundit ungjillore po shkon vazhdimisht drejt kulmit të saj – Sioni në tokë, që bashkohet me Sionin nga lart në kthimin e lavdishëm të Shpëtimtarit. Kisha e Jezu Krishtit është e autorizuar ta përgatitë – dhe po e përgatit – botën për atë ditë. Dhe kështu, këtë Pashkë, le ta kremtojmë me të vërtetë Ringjalljen e Jezu Krishtit dhe gjithçka që ajo kumton: kthimin e Tij për të mbretëruar për një mijë vjet në paqe, një gjykim të drejtë dhe drejtësi të përsosur për të gjithë, pavdekësinë e të gjithë atyre që kanë jetuar ndonjëherë mbi këtë tokë dhe premtimin e jetës së përjetshme. Ringjallja e Krishtit është siguria përfundimtare se gjithçka do të bëhet siç duhet. Le të punojmë për ndërtimin e Sionit për ta përshpejtuar atë ditë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.