Plaku Piter M. Xhonson
Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë
Pasi Piter M. Xhonsoni, djali i një mbikëqyrësi godinash dhe shoferi taksie, kishte pranuar një bursë për basketboll në Universitetin “Brigam Jang” – Havai, ai e gjeti veten duke qëndruar përpara një mësuesi instituti.
“Ti [ose] do të bashkohesh me Kishën menjëherë, ose do të të duhet një kohë e gjatë”, parashikoi mësuesi.
Mësuesi pati të drejtë. Më shumë se një vit më vonë, Piteri “agjëroi dhe u lut dhe mori një përgjigje”. Ai u pagëzua më 16 gusht 1986.
Piter Methju Xhonsoni, fëmija i katërt nga pesë fëmijët, lindi nga Mek‑Kinli Xhonsoni dhe Xheneva Paris Longu, më 29 nëntor 1966, në Kuins të Nju‑Jorkut në SHBA.
Prindërit e tij u shkurorëzuan kur ai ishte 11 vjeç dhe nëna e tij u shpërngul në Havai. Një vit më vonë, Piteri u bashkua me organizatën Kombi i Islamit dhe u bë mysliman. Kjo bashkësi siguroi udhërrëfim e përkrahje dhe e përgatiti atë që të përqafonte ungjillin e Jezu Krishtit.
Në moshën 15-vjeçare, Piteri u shpërngul në Havai që të jetonte me nënën e tij. Atje, ai zbuloi sporte – veçanërisht basketbollin – dhe nisi rrugën drejt arsimit universitar, anëtarësisë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, shërbimit misionar në Misionin e Birmingamit në Alabama dhe martesës në tempull me Stefani Lin Çaduikun në vitin 1990. Çifti, që u njoh ndërkohë që luanin basketboll në Universitetin e Jutës Jugore, ka katër fëmijë.
“Jam këtu për t’i shërbyer Zotit”, thotë Plaku Xhonson për thirrjen e tij si I Shtatëdhjetë. “Pavarësisht kombësisë ose kulturës apo vendit prej nga vij, detyra ime është që t’i shërbej Zotit me gjithë zemrën, mendjen dhe forcën time dhe t’ia paraqit Zotin popullit të Tij. Shpëtimtari na do të gjithëve. Ne jemi bij dhe bija të Perëndisë.”
Plaku Xhonson mori diplomë universitare dhe pasuniversitare për llogaritar nga Universiteti i Jutës Jugore dhe një doktoraturë për llogaritar nga Universiteti shtetëror i Arizonës. Ai ka punuar si profesor i asociuar në UBJ – Havai, profesor i asociuar në Universitetin “Brigam Jang” dhe profesor i asociuar në Universitetin e Alabamës. Ai ka shërbyer si një I Shtatëdhjetë Zonal, president kunji, nëpunës i financave në kunj dhe udhëheqës misioni i lagjes.