Plaku Hans T. Bum
Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë
Kur Plaku Hans T. Bum ishte tetë vjeç, familja e tij u shpërngul nga Amsterdami në qytetin e Bredës, që ndodhet në pjesën jugore të Holandës. Babai i tij, një holandez i cili ishte rritur në Indonezi dhe ishte i kthyer në besim në Kishë, ndjeu se familja e tij duhej të largohej nga qyteti i madh dhe të kthehej në origjinën e tij.
Koha që kaloi Plaku Bum me familjen e tij në atë degë të vogël, vërtetoi se ishte një vend edukimi për shërbimin në Kishë – shërbim që e kishte dhënë gjithë jetën e vet dhe që do të vazhdojë ta japë në thirrjen e tij të re si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë.
“Gjithçka që jam dhe gjithçka që kam ia detyroj Zotit, si dhe mundësive që Ai më ka dhënë për të mësuar dhe për t’u rritur”, thotë ai.
Lindur më 13 korrik 1963 në Amsterdam nga Hans dhe Anki Bumi, Hans Teodorus Bumi, është djali i dytë nga katër fëmijët e familjes Bum. Prindërit e tij e dhanë mësim ungjillin në shtëpinë e tyre dhe i nxitën fëmijët e tyre të punonin fort.
Në moshën 18‑vjeçare, Plaku Bum shërbeu në Misionin Lindor të Londrës në Angli. Pak muaj pasi mbaroi misionin e tij, ai njohu bashkëshorten e tij të ardhshme, Ariena Xhohana “Marjan” Brukciterin, në një konferencë të Kishës për të rinjtë në moshë madhore. Çifti u martua më 27 korrik 1984, në Rhon të Holandës dhe u vulosën tri ditë më vonë në Tempullin e Londrës në Angli. Ata kanë tre djem.
Plaku Bum punoi si sekretar i drejtorit të kolegjit “Markenhage” dhe si rekrutues për “Franchise Development Benelux”. Në kohën kur mori thirrjen e tij si Autoritet i Përgjithshëm, ai po punonte si administrues shitjesh për Agjencitë “MacLean”.
Plaku Bum ka shërbyer si I Shtatëdhjetë Zonal, këshilltar në një presidencë kunji, president i Të Rinjve në kunj, president dege dhe këshilltar në një presidencë dege. Në kohën kur mori thirrjen e tij, ai po shërbente si mësues instituti dhe punonjës për ordinancat e tempullit në Tempullin e Hagës në Holandë.