2019
Përpjekjet Humanitare Ndihmojnë Mijëra Njerëz
maj 2019


Përpjekjet Humanitare Ndihmojnë Mijëra Njerëz

Mamia dhe nëna e re në Indonezi

Një mami në Indonezi qëndron pranë një nëne të re. Mamitë në këtë qendër lindjesh përfunduan një kurs “Ndihma për Foshnjën që të Marrë Frymë”, të organizuar nga LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM].

Burrë në Ganë

Një i ri në Ganë buzëqesh pasi po pajiset me një karrige me rrota me ndihmën e një tekniku të LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM].

Dega humanitare e Kishës, LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM], mori pjesë në 2 885 projekte në 141 vende gjatë vitit të kaluar, duke punuar me 1 900 organizata partnere humanitare. Që nga viti 1985, LDS Charities ka dhënë më shumë se 2,2 miliard dollarë ndihmë – përfshirë të holla, mallra dhe dhurime në natyrë në 197 vende dhe territore, sipas raportit vjetor për vitin 2018 të LDS Charities, të lëshuar më 19 shkurt 2019.

Përpjekjet humanitare të Kishës nxiten nga dhembshuria dhe dashuria për të gjithë fëmijët e Perëndisë dhe theksojnë tri parime udhërrëfyese – përkujdesjen për njerëzit në nevojë më të madhe, frymëzimin e mbështetjes te vetja dhe nxitjen e vullnetarizmit dhe shërbimit. Këto parime që bazohen te besimi në Jezu Krisht, i forcojnë individët dhe familjet pavarësisht nga raca, feja ose kombësia.

Kisha ndihmon me përgjigje ndaj urgjencave (përfshirë përpjekjet vullnetare), shërbime për njerëzit me shikim të dëmtuar, kujdes për nënën e foshnjën, ujin e pastër dhe higjienën publike, vaksinim, vënie në dispozicion të karrigeve me rrota dhe mjeteve ndihmëse për të ecur, ndihmë ndaj njerëzve që të sigurojnë ushqim për veten duke përdorur zgjidhje e burime vendore dhe ndihmë të menjëhershme dhe afatgjatë për refugjatët. Kisha gjithashtu merr pjesë në projekte të komuniteteve vendore në 43 shtete e provinca në SHBA dhe Kanada për të ndihmuar për nevojat e të pastrehëve, të risistemimit të refugjatëve dhe nevoja të tjera.

“Ne ndiejmë mirënjohje dhe afërsi të madhe me çdo njeri të vetëm që kontribuoi në suksesin e punës humanitare në vitin 2018”, tha Motra Sheron Iubank, presidente e LDS Charities [Organizatës Bamirëse SHDM] dhe Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës. Ajo tha se raporti përfaqëson mirësinë e dhjetëra mijëra njerëzve.