Ja, Qengji i Perëndisë
Shërbimi ynë i ndryshuar i së dielës duhet ta theksojë sakramentin e Darkës së Zotit si pikën e shenjtë e të njohur të përvojës sonë të përjavshme të adhurimit.
Isha shumë mirë derisa pashë lotët në sytë e këtyre të rinjve e të rejave në këtë kor. Këta lot janë një predikim shumë më shprehës se çdo predikim që unë mund të jap.
Duke ngritur sytë nga buza e ujit, duke parë përtej turmave të paduruara që po kërkonin të pagëzoheshin nga dora e tij, Gjoni, që e thërrisnin Pagëzori, e pa në largësi kushëririn e tij, Jezusin e Nazaretit, që ecte vendosmërisht me hapa të shpejtë drejt tij për t’i bërë një kërkesë për të njëjtën ordinancë. Me nderim, por me zë të lartë mjaftueshëm sa ta dëgjonin ata që ishin aty pranë, Gjoni shqiptoi admirimin që ende na prek dy mijëvjeçarë më vonë: “Ja, Qengji i Perëndisë!”1.
Është diçka udhëzuese që ky pararendës i Jezusit, për të cilin qe profetizuar prej kohësh, nuk e thirri Atë “Jehova” ose “Shpëtimtar” apo “Shëlbues”, ose madje edhe “Biri i Perëndisë” – të cilët të gjithë qenë tituj me vend. Jo, Gjoni zgjodhi shëmbëlltyrën më të hershme dhe ndoshta më të njohur nga të gjithë në traditën fetare të popullit të tij. Ai e përdori figurën e një qengji për flijim, të dhënë si ofertë shlyerjeje për mëkatet dhe brengat e një bote të rënë dhe të të gjithë njerëzve të rënë në të.
Ju lutemi, më lejoni të rikujtoj vetëm pak nga ajo histori.
Pas dëbimit nga Kopshti i Edenit, Adami dhe Eva u përballën me një të ardhme rrënuese. Duke e hapur derën drejt vdekshmërisë dhe jetës në tokë për ne, ata ia kishin mbyllur vetes derën drejt pavdekësisë dhe jetës së përjetshme. Prej një shkeljeje që e kishin zgjedhur me vetëdije ta bënin në emrin tonë, tani u përballën me vdekjen fizike dhe dëbimin shpirtëror, ndarjen nga prania e Perëndisë përgjithmonë.2 Çfarë duhej të bënin? A do të kishte një rrugëdalje nga kjo gjendje e vështirë? Nuk jemi të sigurt se sa iu lejohej atyre të dyve që të mbanin mend nga udhëzimi që morën ndërkohë që ishin ende në kopsht, por ata ama e mbajtën mend që duhej të bënin rregullisht si ofertë për flijim ndaj Perëndisë një qengj të pastër, pa të meta, të parëlindurin mashkull të tufës së tyre.3
Më vonë, një engjëll erdhi për të shpjeguar që ky flijim qe një model, një shëmbëllesë e flijimit që do të bëhej në emër të tyre nga Shpëtimtari i botës që do të vinte. “Kjo gjë është në ngjashmëri me flijimin e të Vetëmlindurit të Atit”, tha engjëlli. “Si rrjedhim, … do të pendohesh e do t’i thërrasësh Perëndisë në emër të Birit përgjithmonë”4. Për fat, kishte një rrugëdalje dhe një mënyrë për t’u lartësuar.
Në këshillat paratokësorë në qiell, Perëndia i kishte premtuar Adamit dhe Evës (dhe të gjithë neve) se do të vinte ndihmë nga Biri i Tij i pastër, pa të meta, I Parëlinduri i Atit, Qengji i Perëndisë “që ishte vrarë që nga krijimi i botës”5, ashtu siç do ta përshkruante Atë më vonë Apostulli Gjon. Duke dhënë si ofertë qengjat e tyre të vegjël simbolikë në vdekshmëri, Adami dhe pasardhësit e tij, po shprehnin kuptueshmërinë dhe varësinë e tyre për shpëtim nga flijimi shlyes i Jezusit, të Vajosurit.6 Më vonë, tabernakulli në shkretëtirë do të bëhej mjedisi për këtë ordinancë dhe pas tij, tempulli që do të ndërtonte Salomoni.
Për fat të keq, si simbol i pendimit të çiltër dhe i të jetuarit me besnikëri, kjo ofertë rituale e qengjave të tyre pa të meta nuk funksionoi shumë mirë, për aq sa na zbulon Dhiata e Vjetër. Vendosmëria morale që duhej t’i kishte shoqëruar ato flijime ndonjëherë nuk zgjaste as sa të thahej gjaku i derdhur mbi gurë. Gjithsesi, nuk zgjati as aq sa për të parandaluar vëllavrasjen, kur Kaini vrau vëllanë e tij, Abelin, në brezin e parë.7
Me sprova dhe telashe të tilla që vazhduan për shekuj me radhë, nuk ishte çudi që engjëjt e qiellit kënduan nga gëzimi, kur, më në fund, Jezusi u lind – Vetë Ai, Mesia i shumëpremtuar. Atëherë, pas shërbesës së Tij të shkurtër në vdekshmëri, ky qengj Pashke, më i pastri nga të gjithë, i përgatiti dishepujt për vdekjen e Tij duke u paraqitur sakramentin e Darkës së Zotit, një formë më vetjake të ordinancës që ishte paraqitur pikërisht jashtë Edenit. Do të kishte prapë një ofertë, do të përfshihej sërish një flijim, por do të ishte me simbolizëm shumë më të thellë, shumë më tepër vetëshqyrtues dhe vetjak sesa gjakderdhja e një qengji të parëlindur. Nefitëve, pas Ringjalljes së Vet, Shpëtimtari u tha rreth kësaj:
“Dhe ju nuk do të më ofroni më derdhje gjaku; …
Ju do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Dhe kushdo që vjen tek unë me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, atë do ta pagëzoj me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë. …
Prandaj … pendohuni, … dhe shpëtohuni.”8
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, me theksin e ri emocionues tek të mësuarit e ungjillit në shtëpi, është vendimtare që ne ta mbajmë mend se ende e kemi urdhrin që të “shko[jmë] në shtëpinë e lutjes dhe t’i ofro[jmë] sakramentet [tona] në [d]itën [e Tij] të shenjtë”9. Përveç gjetjes së kohës për udhëzim më të përqendruar te shtëpia mbi ungjillin, shërbimi ynë i ndryshuar i së dielës duhet edhe ta pakësojë ndërlikimin e orarit të mbledhjeve në një mënyrë që e thekson siç duhet sakramentin e Darkës së Zotit si pikën e shenjtë e të njohur të përvojës sonë të përjavshme të adhurimit. Ne duhet ta kujtojmë në mënyrën më vetjake që të jetë e mundur se Krishti vdiq nga një zemër e thyer, e shkaktuar ngaqë i mori mbi supe i vetëm mëkatet dhe brengat e të gjithë familjes njerëzore.
Çfarëdo pjese t’i kemi shtuar asaj barre fatale, për një çast të tillë duhet respekt nga ana jonë. Pra, ne nxitemi që të vijmë në shërbesat tona herët dhe me nderim, të veshur në mënyrë të përshtatshme për pjesëmarrje në një ordinancë të shenjtë. “Veshja më e mirë e së dielës” e ka humbur pak kuptimin e vet në kohën tonë dhe prej vlerësimit për Atë, në praninë e të cilit vijmë, duhet ta rikthejmë atë traditë të veshjes dhe paraqitjes së Shabatit kur dhe atje ku mundemi.
Për sa i përket përpikërisë, një justifikim për vonesën do t’iu lejohet me dashuri atyre nënave të bekuara, të cilat, me fëmijë, me biskota dhe çanta pelenash me vete në një rrëmujë të hatashme, janë me fat edhe që ia dalin të vijnë në kishë. Për më tepër, do të ketë të tjerë të cilët në mënyrë të pashmangshme e gjejnë gomarin e vet në baltë një mëngjes Shabati. Megjithatë, këtij grupi të mëvonshëm i themi se një vonesë me raste është e kuptueshme, por nëse gomari është në baltë çdo të diel, atëherë ju rekomandojmë fuqimisht që ta shitni gomarin ose ta thani baltën.
Në po atë frymë, ne bëjmë një lutje apostolike për pakësimin e zhurmës në shenjtëroren e ndërtesave tona. Neve na pëlqen të bisedojmë me njëri‑tjetrin dhe bëjmë mirë – ai është një nga gëzimet e ardhjes në Kishë – por nuk duhet të bëhet me aq zë të lartë në hapësirën e përkushtuar posaçërisht për adhurim. Druhem se vizitorët që nuk janë të besimit tonë, tronditen nga ajo që ndonjëherë mund të jetë mungesë nderimi e zhurmshme në një mjedis që supozohet të karakterizohet nga lutja, dëshmia, zbulesa dhe paqja. Ndoshta edhe qielli është pak i tronditur nga kjo.
Do të shtohej fryma e nderimit në mbledhjet tona të sakramentit nëse drejtuesit kryesues ulen në kryesi kohë përpara se të fillojë mbledhja, duke dëgjuar muzikën e preludit dhe duke na dhënë me nderim shembullin që ne të tjerët duhet të ndjekim. Nëse ka dërdëllitje në kryesi, nuk duhet të befasohemi që ka dërdëllitje në sallë. I përgëzojmë ato peshkopata që po i heqin lajmërimet që e zbehin frymën e adhurimit tonë. Unë, një herë, nuk mund ta përfytyroj një prift të tillë si Zakaria – atje, në tempullin e lashtë të Zotit duke u bërë gati të marrë pjesë në privilegjin e pashoq të bërjes së flijimeve si prift i lartë, që do t’i vinte atij vetëm një herë në gjithë jetën e tij – nuk mund ta imagjinoj duke ndaluar përpara altarit për të na kujtuar që veprimtaria e garës me makina lodre të fëmijëve është vetëm gjashtë javë larg dhe së shpejti do të mbarojë afati i regjistrimit.
Vëllezër dhe motra, kjo orë e shuguruar nga Zoti është ora më e shenjtë e javës sonë. Sipas urdhërimit, ne mblidhemi për ordinancën që merret më përgjithësisht në Kishë. Ajo është në kujtim të Atij që kërkoi t’i largohej kupa që do të pinte pas pak, e që gjithsesi vazhdoi ta pinte sepse Ai e dinte se për hirin tonë ajo nuk mund të largohej. Do të na vinte në ndihmë po ta kujtonim se një simbol i asaj kupe po drejtohet dalëngadalë përgjatë rreshtit për te nga dora e një dhjaku 11 ose 12-vjeçar.
Kur vjen ora e shenjtë për t’ia paraqitur dhuratat tona të sakrificës Zotit, ne kemi vetë mëkatet dhe të metat tona për të zgjidhur; kjo është arsyeja pse jemi këtu. Por mund të jemi më të suksesshëm në këtë pendim, po të jemi të vëmendshëm ndaj zemrave të tjera të thyera dhe shpirtrave të tjerë të brengosur që na rrethojnë. Të ulur jo shumë larg janë disa që mund të jenë duke lotuar – së jashtmi ose së brendshmi – gjatë gjithë himnit të sakramentit dhe lutjeve të atyre priftërinjve. A mund ta dallojmë në heshtje këtë dhe ta japim si ofertë kafshatën tonë të vogël të ngushëllimit dhe kupën tonë të vogël të dhembshurisë për ta – a mund t’ua kushtojmë atë atyre” ose anëtarit në vështirësi që po loton, i cili nuk është në shërbesën e sakramentit dhe që, pa ndonjë veprim shëlbues e shërbestar nga ana jonë, nuk do të jetë aty as javën e ardhshme? ose vëllezërve dhe motrave tona që nuk janë fare anëtarë të Kishës por janë vëllezërit e motrat tona? Nuk ka mungesë vuajtjeje në këtë botë, brenda Kishës dhe jashtë saj, prandaj vështroni në cilindo drejtim dhe ju do të gjeni dikë, dhembja e të cilit duket shumë e rëndë për t’u mbajtur dhe pikëllimi i të cilit duket se nuk resht kurrë. Një mënyrë që “gjithmonë ta kujtoj[m]ë atë”10, do të ishte t’i bashkoheshim Mjekut të Madhërishëm në detyrën e Tij pa mbarim për t’ua hequr ngarkesën atyre që janë të rënduar dhe për t’ua lehtësuar dhembjen atyre që janë të munduar.
Miq të shtrenjtë, teksa bashkohemi përqark rruzullit tokësor çdo javë në atë që shpresojmë se është një pranim gjithnjë e më i shenjtë i dhuratës madhështore të Krishtit për të gjithë njerëzimin, sjellshim në altarin e sakramentit “më shum’ lot hidh’rimi për Zotin q[ë] vojti”. Dhe më pas, teksa reflektojmë, lutemi dhe besëlidhim sërish, marrshim nga ai çast i shenjtë “më shum’ durim n’vuajtje, … më shum’ lehtësim”11. Për një durim e lehtësim të tillë, për një shenjtëri e shpresë të tillë, unë lutem për të gjithë ju, në emrin e Atij që theu bukën e çmuar të faljes dhe zbrazi verën e shenjtë të shëlbimit, madje Jezu Krishti, i madhërishmi, i mëshirshmi dhe i shenjti Qengj i Perëndisë, amen.