Rregullorja për Fëmijët e Prindërve LGBT, Anëtarë në Martesa Homoseksuale
Prindërit të cilët e identifikojnë veten si lesbike, gej, biseksualë apo transgjinorë, tani mund të kërkojnë që fëmijët e tyre të bekohen kur janë foshnja nga një mbajtës i denjë i Priftërisë Melkizedeke dhe fëmijët e tyre gjithashtu mund të pagëzohen pasi të bëhen tetë vjeç pa miratimin e Presidencës së Parë, lajmëroi Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, gjatë sesionit të udhëheqjes të konferencës së përgjithshme.
Gjithashtu, ndonëse martesa mes të njëjtës gjini ende konsiderohet “një shkelje e rëndë”, Kisha nuk do ta trajtojë atë si “braktisje” për qëllimet e disiplinës në Kishë. “Sjellja e pamoralshme në marrëdhëniet heteroseksuale ose homoseksuale do të trajtohet në të njëjtën mënyrë”, tha Presidenti Ouks.
Këto ndryshime në rregullore “nuk përfaqësojnë një devijim në doktrinën e Kishës lidhur me martesën ose urdhërimet e Perëndisë për sa i përket dëlirësisë ose moralshmërisë”, shkroi Presidenca e Parë në një deklaratë zyrtare. “Doktrina e planit të shpëtimit dhe rëndësia e dëlirësisë nuk do të ndryshojnë.”
Presidenti Ouks tha se rregullorja duhet t’i ndihmojë familjet e prekura dhe “përveç kësaj, përpjekjet e anëtarëve tanë që të tregojnë më shumë kuptueshmëri, dhembshuri dhe dashuri duhet ta shtojnë respektin dhe kuptueshmërinë mes njerëzve me vullnet të mirë”.