Plaku Alan R. Uolker
Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë
Të mësuarit rreth kulturave të reja dhe shkrirja e tij me to është bërë një veprimtari e pëlqyer e jetës për Plakun Alan R. Uolker, e cila do t’i shërbejë më së miri në thirrjen e tij si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë.
Lindur në Buenos‑Ajres të Argjentinës nga Viktor Adrian Uolkeri dhe Kristina Ofelia Sparou Uolkeri, më 2 janar 1971, Alan Roi Uolker u rrit në pjesë të ndryshme të Amerikës Veriore dhe Jugore.
Ai i kaloi vitet e para të jetës në Argjentinë përpara se familja e tij të shpërngulej në Boston, Masaçusets në SHBA dhe më vonë në Meksiko‑Siti të Meksikës, për shkak të punës së babait të tij.
“Të mësuarit e gjuhës angleze ka qenë një bekim i jashtëzakonshëm”, thotë ai. Dhe rritja e tij në ungjill e lejoi ta zhvillonte dëshminë e vet dhe të përgatitej për mision në një moshë të re. Pasi frekuentoi Universitetin “Brigam Jang” për një vit, Plaku Uolker shërbeu si një misionar kohëplotë në Misionin e Neshvillit të Tenesisë.
Për ta ndihmuar babanë e tij që të shërohej nga një aksident i rëndë, Plaku Uolker i shtyu planet për t’u kthyer në shkollë pas misionit të tij dhe u kthye në Argjentinë. Pikërisht në këtë kohë u njoh me Ines Marsela Shulin në një mbrëmje vallëzimi në institut. Tetë muaj më vonë, më 12 gusht 1993, ata u martuan në Tempullin e Buenos‑Ajresit në Argjentinë. Ditën tjetër, çifti i ri u shpërngul për në Provo të Jutës në SHBA, ku Plaku Uolker përfundoi diplomën e tij universitare për ekonomi në vitin 1996.
Plaku Uolker punoi për tre vjet si punonjës banke për korporatat në Citibank, gjashtë vjet si kontrollor për Kishën në Zonën Jugore të Amerikës së Jugut, 11 vjet në Zonën e Meksikës dhe kohët e fundit si drejtor për çështjet materiale në Zonën Jugore të Amerikës së Jugut. Në vitin 2010, Plaku Uolker u thirr që të kryesonte në Misionin Lindor të Montereit në Meksikë.
Familja Uolker, bashkë me vajzën e tyre, gjejnë kënaqësi kur u shërbejnë të tjerëve, kur udhëtojnë dhe kur arrijnë të njohin vende dhe njerëz të rinj.
Përpara se të thirrej si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë, Plaku Uolker shërbeu në thirrje të ndryshme në Kishë, duke përfshirë [pozicionet] si: I Shtatëdhjetë Zonal, këshilltar në një presidencë kunji, këshilltar i lartë, peshkop, këshilltar në peshkopatë dhe udhëheqës misioni i lagjes.