Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër
Kudo që të jeni në këtë tokë, ka mundësi të shumta për ta përhapur lajmin e mirë të ungjillit të Jezu Krishtit.
Muajin e kaluar, Të Dymbëdhjetët u ftuan nga profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, për të udhëtuar me të në përkushtimin e Tempullit të Romës në Itali. Gjatë udhëtimit mendova për Apostullin Pal dhe udhëtimet e tij. Në kohën e tij, të udhëtoje nga Jerusalemi për në Romë, do të kërkonte rreth 40 ditë. Sot, në një nga aeroplanët e mi të parapëlqyer, kjo kërkon më pak se 3 orë.
Studiuesit biblikë besojnë se Pali ishte në Romë kur i shkroi disa prej letrave të tij, të cilat ishin çelësi për forcimin e anëtarëve të Kishës në atë kohë si edhe sot.
Pali dhe anëtarët e tjerë të Kishës së lashtë, shenjtorët e ditëve të hershme, ishin personalisht të ndërgjegjshëm për sakrificën. Shumë prej tyre u përndoqën rëndë, madje deri në vdekje.
Në 200 vitet e fundit, edhe anëtarët e Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit, shenjtorët e ditëve të mëvonshme, kanë përjetuar forma të shumta përndjekjeje. Por, pavarësisht nga ajo përndjekje (dhe ndonjëherë për shkak të saj), Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka vazhduar të rritet dhe tani gjendet në mbarë globin.
Ka Shumë për të Bërë
Megjithatë, përpara se të bëjmë një tortë, të hedhim letra zbukurimi në ajër dhe ta përgëzojmë veten për këtë sukses të jashtëzakonshëm, do të bënim mirë ta vendosnim atë rritje në perspektivë.
Ka afërsisht shtatë miliardë e gjysmë njerëz në botë, krahasuar me rreth 16 milionë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – me të vërtetë një tufë shumë e vogël.1
Ndërkaq, numri i besimtarëve të krishterë në disa vende të botës po zvogëlohet.2
Edhe në Kishën e rivendosur të Zotit – ndërkohë që anëtarësimi në përgjithësi vazhdon të rritet – ka shumë njerëz që nuk i kërkojnë bekimet e pjesëmarrjes së rregullt në Kishë.
Me fjalë të tjera, kudo që të jeni në këtë tokë, keni mundësi të shumta për ta përhapur lajmin e mirë3 të ungjillit të Jezu Krishtit me njerëzit që takoni, studioni e jetoni ose punoni dhe shoqëroheni.
Gjatë vitit që kaloi, kam pasur mundësinë emocionuese për t’u përfshirë thellësisht në veprimtaritë misionare mbarëbotërore të Kishës. Shpesh jam përsiatur dhe jam lutur për porosinë e mrekullueshme të Shpëtimtarit ndaj dishepujve të Tij – neve, fëmijëve të Tij – të “shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë”4.
Jam munduar të gjej përgjigjen e pyetjes: “Si mundemi ne, si anëtarë dhe dishepuj të Krishtit, ta përmbushim më mirë atë porosi të mrekullueshme në jetën tonë të përditshme?”
Sot ju ftoj ta përsiatni po këtë pyetje në zemrën dhe mendjen tuaj.5
Një Dhuratë për Punën Misionare
Udhëheqësit e Kishës, për dekada të tëra, e kanë vënë theksin te thirrja “Çdo anëtar një misionar!”6
Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit – si në të kaluarën ashtu edhe në kohën tonë – e kanë përhapur me entuziazëm e plot gëzim ungjillin me miq e të njohur. Zemrat e tyre digjen nga dëshmia për Jezu Krishtin dhe sinqerisht dëshirojnë që të tjerët të përjetojnë të njëjtin gëzim që ata kanë gjetur në ungjillin e Shpëtimtarit.
Disa anëtarë të Kishës duket se kanë një dhuratë për këtë gjë. Atyre u pëlqen shumë të jenë ambasadorë të ungjillit. Ata me guxim e gëzim shërbejnë dhe udhëheqin punën si anëtarë misionarë.
Megjithatë, të tjerë prej nesh janë më ngurrues. Kur diskutohet puna misionare në mbledhjet e Kishës, kokat ulen ngadalë derisa fshihen prapa stolave, me sy të përqendruar te shkrimet e shenjta ose të mbyllura në një meditim të thellë për të shmangur kontaktet sy më sy me anëtarët e tjerë.
Pse ndodh kjo? Ndoshta ne ndihemi fajtorë që nuk kemi bërë më shumë për ta përhapur ungjillin. Ndoshta ne ndihemi të pasigurt se si ta bëjmë këtë. Ose mund të ndihemi të druajtur për të dalë jashtë zonës sonë të rehatisë.
E kuptoj këtë.
Por mbani mend, Zoti kurrë nuk ka kërkuar përpjekje të specializuara, të përsosura misionare. Në vend të kësaj, “Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme”7.
Nëse tashmë jeni të lumtur duke bërë punë misionare, ju lutem vazhdoni dhe qëndroni si shembull për të tjerët. Zoti do t’ju bekojë.
Megjithatë, nëse mendoni se keni ngurruar kur bie fjala për përhapjen e mesazhit të ungjillit, a mund të sugjeroj pesë gjëra që nuk ju bëjnë të ndiheni në faj, të cilat çdokush mund t’i bëjë për të marrë pjesë në porosinë e mrekullueshme të Shpëtimtarit për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit?
Pesë Sugjerime të Thjeshta
Së pari, afrohuni më pranë Perëndisë. Urdhërimi i parë, i madh është ta duash Perëndinë.8 Është një arsye kryesore pse jemi në këtë tokë. Pyeteni veten: “A besoj me të vërtetë tek Ati Qiellor?”
“A e dua dhe i mirëbesoj Atij?”
Sa më shumë afroheni me Atin tonë Qiellor, aq më shumë drita dhe gëzimi i Tij do të shndritin nga brenda jush. Të tjerët do të vërejnë se ka diçka të pashoqe dhe të veçantë te ju. Dhe ata do t’ju pyetin për këtë.
Së dyti, mbusheni zemrën tuaj me dashuri për të tjerët. Ky është urdhërimi i dytë, i madh.9 Mundohuni ta shihni me të vërtetë gjithkënd rreth jush si një fëmijë të Perëndisë. Jepuni shërbesë atyre – pavarësisht nga fakti nëse emrat e tyre shfaqen në listën tuaj të motrës ose të vëllait që duhet t’i jepet shërbesë.
Qeshni me ta. Gëzohuni me ta. Vajtoni me ta. Respektojini ata. Shërojini, lartësojini dhe forcojini ata.
Përpiquni fort ta imitoni dashurinë e Krishtit dhe të keni dhembshuri për të tjerët – madje edhe për ata që janë të pasjellshëm ndaj jush, që tallen me ju dhe dëshirojnë t’ju lëndojnë. Duajini ata dhe trajtojini si bashkëfëmijë të Atit Qiellor.
Së treti, përpiquni fort të ecni në shtegun e dishepullimit. Ndërsa dashuria juaj për Perëndinë dhe fëmijët e Tij thellohet, ashtu thellohet edhe zotimi juaj për ta ndjekur Jezu Krishtin.
Ju mësoni për udhën e Tij duke u ushqyer me bollëk me fjalën e Tij dhe duke ua vënë veshin e duke i zbatuar mësimet e profetëve dhe të apostujve bashkëkohorë. Ju rriteni në vetëbesim e guxim për të ndjekur udhën e Tij teksa komunikoni me Atin Qiellor me një zemër që e pranon mësimin e të përulur.
Ecja në shtegun e dishepullimit kërkon praktikë – çdo ditë, pak nga pak, “hir pas hiri”10, “r[r]egull mbi r[r]egull”11. Ndonjëherë dy hapa përpara dhe një hap prapa.
Gjëja e rëndësishme është që të mos dorëzoheni; vazhdoni përpiquni për ta bërë atë siç duhet. Ju përfundimisht do të bëheni më të mirë, më të lumtur e më të vërtetë. Bisedimi me të tjerët për besimin tuaj do të bëhet normal dhe i natyrshëm. Në fakt, ungjilli do të jetë një pjesë kaq thelbësore, e çmuar e jetës suaj saqë do të duket një gjë e panatyrshme të mos flasësh për të me të tjerët. Kjo mund të mos ndodhë menjëherë – është një përpjekje që zgjat gjatë gjithë jetës. Por do të ndodhë.
Së katërti, shpreheni atë që keni në zemër. Nuk po kërkoj që të qëndroni në një cep të rrugës me një megafon dhe të thoni me zë të lartë vargje nga Libri i Mormonit. Ajo që po kërkoj është që gjithmonë të kërkoni mundësi për ta përmendur besimin tuaj në mënyra të natyrshme dhe normale me njerëzit – si personalisht ashtu edhe në internet. Po kërkoj që të “qëndroni si dëshmitarë”12 të fuqisë së ungjillit në të gjitha kohët – dhe kur të jetë e nevojshme, përdorni fjalët.13
Për shkak se “ungjilli [i] Krishtit … është fuqia e Perëndisë për shpëtimin”, ju mund të keni vetëbesim, guxim dhe përulësi teksa e përhapni atë.14 Vetëbesimi, guximi dhe përulësia mund të duken si cilësi kontradiktore, por nuk janë të tilla. Ato pasqyrojnë ftesën e Shpëtimtarit që të mos i fshihni vlerat dhe parimet e ungjillit nën babunë, por ta lini dritën tuaj të shndritë, që veprat tuaja të mira të mund ta lëvdojnë Atin tuaj në Qiell.15
Ka shumë mënyra normale dhe të natyrshme për ta bërë këtë gjë, që nga veprimet e përditshme dashamirëse deri te dëshmitë vetjake në YouTube, Facebook, Instagram ose Twitter e deri te bisedat e thjeshta me njerëz që takoni. Këtë vit ne po mësojmë nga Dhiata e Re në shtëpitë tona dhe në Shkollën e së Dielës. Çfarë mundësie e mrekullueshme për t’i ftuar miqtë dhe fqinjët në kishë dhe në shtëpitë tuaja për të mësuar me ju rreth Shpëtimtarit! Tregojuni atyre programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], ku ata mund të gjejnë manualin “Eja, më Ndiq”. Nëse njihni të rinj dhe familjet e tyre, jepuni broshurën “Për Forcën e Rinisë” dhe ftojini të vijnë e të shohin se si të rinjtë tanë përpiqen fort të jetojnë sipas atyre parimeve.
Nëse dikush ju pyet për fundjavën, mos ngurroni të flisni për atë që keni përjetuar në kishë. Flisni për fëmijët e vegjël, të cilët qëndruan përpara një bashkësie dhe kënduan me zell se si po përpiqen të jenë si Jezusi. Flisni për grupin e të rinjve që shpenzuan kohë duke ndihmuar të moshuarit në shtëpitë e të moshuarve për të përpiluar historitë vetjake. Flisni për ndryshimin e kohëve të fundit në programin tonë për mbledhjen e së dielës dhe se si ai e bekon familjen tuaj. Ose shpjegoni se përse ne e theksojmë se kjo është Kisha e Jezu Krishtit dhe se ne jemi shenjtorë të ditëve të mëvonshme, pikërisht siç edhe anëtarët e Kishës së lashtë u quajtën shenjtorë.
Në çfarëdo mënyre që duket e natyrshme dhe normale për ju, tregojuni njerëzve përse Jezu Krishti dhe Kisha e Tij janë të rëndësishme për ju. Ftojini ata të “[vijnë] e [të] sh[ohin]”16. Më pas nxitini ata të vijnë e të ndihmojnë. Ka mundësi të shumta që njerëzit të ndihmojnë në Kishën tonë.
Lutuni jo vetëm që misionarët t’i gjejnë të zgjedhurit. Lutuni çdo ditë me gjithë zemër që ju do t’i gjeni ata që do të vijnë e do të shohin, do të vijnë e do të ndihmojnë, dhe do të vijnë e do të qëndrojnë. Mbajini të informuar misionarët kohëplotë. Ata janë si engjëj, gati për të ndihmuar!
Ndërsa e përhapni lajmin e mirë, ungjillin e Jezu Krishtit, bëjeni këtë me dashuri e durim. Në qoftë se ndërveprojmë me njerëzit me shpresën e vetme se së shpejti ata do të veshin kominoshen e bardhë dhe do të kërkojnë udhëzime për vaskën më të afërt të pagëzimit, ne po e bëjmë gabim këtë.
Disa që vijnë e shohin, ndoshta, nuk do të bashkohen kurrë me Kishën; disa do të bashkohen në një kohë të mëvonshme. Kjo është zgjedhja e tyre. Por kjo nuk e ndryshon dashurinë tonë për ta. Dhe kjo nuk i ndryshon përpjekjet tona entuziaste që të vazhdojmë t’i ftojmë individët dhe familjet që të vijnë e të shohin, të vijnë e të ndihmojnë dhe të vijnë e të qëndrojnë.
Së pesti, mirëbesoni se Zoti do të bëjë mrekullitë e Tij. Kuptojeni se nuk është puna juaj për t’i kthyer njerëzit në besim. Ky është roli i Frymës së Shenjtë. Roli juaj është që të tregoni atë që është në zemrën tuaj dhe të jetoni në përputhje me bindjet tuaja.
Ndaj, mos u shkurajoni nëse dikush nuk e pranon menjëherë mesazhin e ungjillit. Ky nuk është një dështim vetjak.
Kjo është mes individit dhe Atit Qiellor.
Përgjegjësia juaj është ta doni Perëndinë dhe t’i doni të afërmit tuaj, fëmijët e Tij.
Beso, duaj, bëj.
Ndiqeni këtë shteg dhe Perëndia do të bëjë mrekulli nëpërmjet jush për t’i bekuar fëmijët e Tij të çmuar.
Këto pesë sugjerime do t’ju ndihmojnë të bëni atë që dishepujt e Jezu Krishtit kanë bërë që nga kohët e lashta. Ungjilli i Tij dhe Kisha e Tij janë një pjesë e rëndësishme e jetës suaj dhe e asaj që jeni e që bëni. Prandaj, ftojini të tjerët të vijnë e të shohin, dhe të vijnë e të ndihmojnë, dhe Perëndia do ta bëjë punën e Tij shpëtuese, dhe ata do të vijnë e do të qëndrojnë.
Por, po Sikur të Jetë e Vështirë?
“Por”, mund të pyetni ju, “po sikur ta bëj të gjithë këtë dhe njerëzit të reagojnë keq? Po sikur të jenë kritikë rreth Kishës? Po sikur të mos jenë më miqtë e mi?”
Po, kjo mund të ndodhë. Që prej kohëve të lashta, dishepujt e Jezu Krishtit shpesh kanë qenë të përndjekur.17 Apostulli Pjetër tha: “Gëzohuni … ndërsa ju merrni pjesë nga mundimet e Krishtit”18. Shenjtorët e hershëm u gëzuan “sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit”19.
Kujtoni, Zoti punon në mënyra të mistershme. Mund të ndodhë që prej përgjigjes suaj si të Krishtit ndaj refuzimit, një zemër e ngurtësuar të mund të zbutet.
Si një Apostull i Zotit Jezu Krisht, unë ju bekoj me vetëbesimin që të jeni një dëshmi e gjallë e vlerave të ungjillit, me guximin që gjithmonë të njiheni si një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, me përulësinë për të ndihmuar në punën e Tij si shprehje e dashurisë suaj për Atin Qiellor dhe fëmijët e Tij.
Miqtë e mi të dashur, ju do të gëzoheni të dini se jeni një pjesë e rëndësishme në mbledhjen e parathënë kohë më parë të Izraelit, duke e përgatitur ardhjen e Krishtit në “fuqi dhe lavdi të madhe, me të gjithë engjëjt e shenjtë”20.
Ati Qiellor ju njeh. Zoti ju do. Perëndia do t’ju bekojë. Kjo punë është e shuguruar prej Tij. Ju mund ta bëni këtë. Ne të gjithë mund ta bëjmë këtë së bashku.
Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.