2019
Një Shtëpi ku Banon Shpirti i Zotit
maj 2019


Një Shtëpi ku Banon Shpirti i Zotit

Ju do t’i zbuloni disa nga gëzimet tuaja më të mëdha gjatë përpjekjeve tuaja për ta bërë shtëpinë tuaj një vend besimi në Zotin Jezu Krisht dhe një vend që përshkohet nga dashuria.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës që jam ftuar për t’ju folur në këtë Konferencë të Përgjithshme Vjetore të 189-të të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në këtë datë në vitin 1830, Jozef Smithi organizoi Kishën nën drejtimin e Zotit. Kjo u bë në shtëpinë e familjes Uitmer afër Fajetit në Nju-Jork. Atje atë ditë ishin gjashtë anëtarë dhe rreth 50 njerëz të tjerë të interesuar.

Edhe pse nuk e di se çfarë tha Profeti Jozef apo si u duk kur qëndroi përpara atij grupi të vogël, unë e di se çfarë ndien ata njerëz me besim te Jezu Krishti. Ata e ndien Frymën e Shenjtë dhe ndien se ishin në një vend të shenjtë. Me siguri ndien se ishin të bashkuar në një.

Ajo ndjenjë e mrekullueshme është ajo që ne të gjithë e duam në shtëpitë tona. Është një ndjenjë që vjen nga të qenit, siç e përshkroi Pali, të “kontrolluar nga Fryma”1.

Qëllimi im sot është të jap mësim atë që unë di për mënyrën se si ne mund të kualifikohemi për atë ndjenjë më shpesh dhe ta ftojmë atë të jetojë më gjatë në familjet tona. Siç e dini nga përvoja, ajo nuk është e lehtë për t’u bërë. Grindja, krenaria dhe mëkati duhet të lihen jashtë shtëpisë sonë. Dashuria e pastër e Krishtit duhet të vijë në zemrat e njerëzve në familjen tonë.

Adami dhe Eva, Lehi dhe Saria, dhe prindër të tjerë që i njohim nga shkrimet e shenjta, zbuluan se kjo ishte një sfidë e vështirë. Prapëseprapë ka shembuj nxitës të lumturisë së qëndrueshme në familje dhe shtëpi që na japin siguri. Dhe ata shembuj na lejojnë të kuptojmë mënyrën se si kjo mund të ndodhë për ne dhe familjet tona. Ju e mbani mend tregimin nga 4 Nefi:

“Dhe ndodhi që nuk pati grindje në tokë, për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve.

Dhe nuk pati zili, as luftime, as trazira, as lavirësi, as gënjeshtra, as vrasje, as ndonjë lloj ndyrësie; dhe me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë.

Nuk kishte as vjedhës, as vrasës, as nuk kishte Lamanitë, as ndonjë lloj tjetër -itësh; por ata ishin të gjithë një, fëmijë të Krishtit dhe trashëgimtarë të mbretërisë së Perëndisë.

Dhe sa të bekuar ishin ata! Pasi Zoti i bekoi në të gjitha veprimet e tyre; po, madje, ata qenë të bekuar dhe përparuan derisa kaluan njëqind e dhjetë vjet; dhe brezi i parë pas Krishtit kishte vdekur dhe nuk kishte grindje në gjithë vendin.”2

Siç e dini, ajo kohë e lumtur nuk zgjati përgjithmonë. Tregimi te 4 Nefi përshkruan simptomat e mundshme të rënies shpirtërore mes një grupi njerëzish të mirë. Është një model që është shfaqur për shekuj me radhë në të gjithë popujt, në bashkësi dhe, më e trishtueshmja, në familje. Duke e studiuar atë model, ne mund të shohim se si mund t’i mbrojmë dhe madje t’i rritim ndjenjat e dashurisë në familjen tonë.

Këtu është modeli i rënies që u shfaq pas 200 vjetësh nga të jetuarit në paqen e përsosur që e sjell ungjilli:

Krenaria hyri dalëngadalë.

Njerëzit nuk i jepnin më njëri‑tjetrit nga gjërat që kishin.

Ata filluan ta shohin veten në shtresa shoqërore më të larta ose më të ulëta.

Ata filluan ta dobësonin besimin e tyre te Jezu Krishti.

Ata filluan të urrenin.

Ata filluan të kryenin çdo lloj mëkati.

Prindërit e urtë do të jenë mjaft vigjilentë për t’i vënë re ato simptoma kur shfaqen midis pjesëtarëve të familjes së tyre. Ata, sigurisht, që do të shqetësohen. Por do ta dinë se shkaku themelor është ndikimi i Satanit që përpiqet t’i zbresë njerëzit e mirë nëpër një shteg mëkati dhe si rrjedhojë ta humbasin ndikimin e Frymës së Shenjtë. Prandaj prindi i urtë do të shohë se gjendet mundësia për ta drejtuar secilin fëmijë, dhe veten e tyre, për ta pranuar më plotësisht ftesën e Zotit për të ardhur tek Ai.

Ju mund të mos keni shumë sukses kur i bëni thirrje një fëmije të pendohet, për shembull, për krenarinë. Ju mund të përpiqeni t’i bindni fëmijët që të japin më me bujari nga ajo që kanë. Ju mund t’u kërkoni atyre që të mos ndihen se janë më të mirë se dikush tjetër në familje. Por atëherë ju arrini në simptomën që e përshkrova më parë si: “Ata filluan ta dobësonin besimin e tyre te Jezu Krishti”.

Ai është çelësi për ta drejtuar familjen tuaj që të ngrihet në atë vend shpirtëror që ju dëshironi për ta – dhe që ju të jeni atje me ta. Kur i ndihmoni ata të rriten me besimin se Jezu Krishti është Shëlbuesi i tyre i dashur, ata do të ndiejnë dëshirën për t’u penduar. Ndërsa e bëjnë këtë, përulësia do të fillojë ta zëvendësojë krenarinë. Kur fillojnë të ndiejnë se çfarë u ka dhënë Zoti atyre, ata do të duan të japin më me bujari. Rivaliteti për të qenë të rëndësishëm ose për vëmendje do të zvogëlohet. Urrejtja do të dëbohet nga dashuria. Dhe përfundimisht, ashtu siç veproi për njerëzit e kthyer në besim nga mbreti Beniamin, dëshira për të bërë mirë do t’i forcojë ata kundrejt tundimit për të mëkatuar. Populli i mbretit Beniamin dëshmoi se ata “nuk k[ishin] më prirje të bëj[n]ë keq”3.

Prandaj ndërtimi i besimit te Jezu Krishti është fillimi i heqjes rrënjësore të rënies shpirtërore në familjen tuaj dhe në shtëpinë tuaj. Ai besim ka më shumë gjasë të sjell pendim sesa predikimi nga ana juaj kundër çdo simptome të rënies shpirtërore.

Ju do të drejtoheni më mirë nëpërmjet shembullit. Pjesëtarët e familjes dhe të tjerët duhet t’ju shohin duke e rritur vetë besimin tuaj te Jezu Krishti dhe tek ungjilli i Tij. Kohët e fundit ju është dhënë ndihmë e madhe. Prindërit në Kishë janë bekuar me një program të frymëzuar mësimor për familjet dhe individët. Ndërsa e përdorni atë, ju do të ndërtoni besimin tuaj dhe besimin e fëmijëve tuaj te Zoti Jezu Krisht.

Rritja në Besim

Besimi juaj te Shpëtimtari është rritur ndërsa e ndoqët sugjerimin e Presidentit Rasëll M. Nelson për ta rilexuar Librin e Mormonit. Ju shenjuat fragmente dhe fjalë që i drejtoheshin Shpëtimtarit. Besimi juaj te Jezu Krishti u rrit. Por si një bimë e re, një besim i tillë te Jezu Krishti do të vyshket nëse nuk gjeni vendosmëri të vazhdueshme për të përsiatur dhe për t’u lutur që ta rritni atë.

Shembulli juaj i rritjes në besim mund të mos ndiqet nga të gjithë pjesëtarët e familjes suaj tani. Por merrni zemër nga përvoja e Alma të Riut. Gjatë nevojës së tij të dhembshme për pendim dhe falje, ai kujtoi besimin e atit të tij te Jezu Krishti. Fëmijët tuaj mund ta kujtojnë besimin tuaj te Shpëtimtari në një çast kur dëshpërimisht kanë nevojë për pendim. Alma për një çast të tillë tha:

“Dhe ndodhi që ndërsa isha ashtu i torturuar me mundim pasi isha ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të mia të shumta, vini re, m’u kujtua se kisha dëgjuar atin tim duke u profetizuar njerëzve në lidhje me ardhjen e një Jezu Krishti, një Biri të Perëndisë, për të shlyer mëkatet e botës.

Tani, ndërsa mendja ime po më përqendrohej në këtë mendim, thirra brenda zemrës sime: O Jezus, ti Biri i Perëndisë, ki mëshirë mbi mua që jam në vrerin e hidhësirës dhe që jam rrethuar nga zinxhirët e përjetshëm të vdekjes.

Dhe tani vini re, kur mendova këtë nuk munda t’i kujtoj më dhembjet e mia; po, nuk isha më i ngacmuar nga kujtimi i mëkateve të mia.”4

Lutja me Dashuri

Përveç shembullit tuaj të rritjes në besim, lutja juaj si një familje mund të luajë një rol vendimtar për te bërja e shtëpisë një vend i shenjtë. Një person zakonisht zgjidhet si zëri që do të lutet për familjen. Kur lutja i drejtohet qartë Perëndisë në emër të njerëzve që gjunjëzohen dhe dëgjojnë, besimi rritet tek të gjithë ata. Ata mund t’i ndiejnë shprehjet e dashurisë për Atin Qiellor dhe për Shpëtimtarin. Dhe kur personi që lutet, i përmend ata që janë gjunjëzuar në atë rreth, të cilët janë në nevojë, të gjithë mund të ndiejnë dashuri për ta dhe për çdo pjesëtar të familjes.

Madje edhe kur pjesëtarët e familjes nuk jetojnë në shtëpi, lutja mund të krijojë lidhje dashurie. Lutja në familje mund të arrijë në anën tjetër të botës. Më shumë sesa një herë kam marrë vesh se një pjesëtar i familjes tepër larg po lutej në të njëjtin çast për të njëjtën gjë si unë. Për mua, thënia e vjetër “Familja që lutet së bashku, qëndron së bashku” mund të ndryshohet në “Familja që lutet së bashku, është së bashku, edhe kur ata janë tepër larg”.

Të Mësojmë të Pendohemi Herët

Ngaqë asnjëri prej nesh nuk është i përkryer dhe ne lëndohemi kollaj, familjet mund të bëhen vende të shenjta vetëm kur pendohemi herët dhe sinqerisht. Prindërit mund të japin shembullin e tyre. Për fjalët e rënda ose mendimet e pakëndshme mund të pendohemi shpejt dhe sinqerisht. Një shprehje e thjeshtë “Më fal” mund të shërojë plagë dhe ta ftojë faljen si edhe dashurinë.

Profeti Jozef Smith ishte një model për ne ndërsa u përball me sulme të dhunshme, me tradhtarë dhe madje me mosmarrëveshje në familjen e vet. Ai fali shpejt ndonëse e dinte se sulmuesi mund ta sulmonte sërish. Ai kërkoi falje dhe e dha atë lirisht.5

Kultivimi i Frymës Misionare

Bijtë e Mosias ishin të vendosur për t’ia paraqitur ungjillin kujtdo. Kjo dëshirë erdhi nga përvoja e tyre vetjake në lidhje me pendimin. Ata nuk mund ta duronin mendimin se ndonjë person po vuante pasojat e mëkatit siç i kishin vuajtur ata. Prandaj ata u përballën me vite refuzimi, vështirësi dhe rrezik për t’ua paraqitur ungjillin e Jezu Krishtit armiqve të tyre. Gjatë procesit ata gjetën gëzim te shumë njerëz që u penduan dhe përjetuan gëzimin nga falja nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Pjesëtarëve të familjes sonë do t’u rritet dëshira për ta përhapur ungjillin kur e ndiejnë gëzimin nga falja. Kjo mund të vijë edhe ndërkohë që ata i përtërijnë besëlidhjet kur marrin sakramentin. Fryma misionare do të rritet në shtëpitë tona ndërsa fëmijët dhe prindërit e ndiejnë gëzimin nga falja gjatë shërbimit të sakramentit. Nëpërmjet shembullit të tyre të nderimit, si prindërit edhe fëmijët mund ta ndihmojnë njëri-tjetrin që ta ndiejnë atë gëzim. Ai gëzim mund të shkojë më tej duke i kthyer shtëpitë tona në qendra trajnimi të misionarëve. Jo të gjithë mund të shërbejnë në misione, por të gjithë do ta ndiejnë dëshirën për ta përhapur ungjillin, i cili i ka bërë të ndiejnë falje dhe paqe. Dhe pavarësisht nëse tashmë po shërbejnë ose jo në misione kohëplota, të gjithë mund të ndiejnë gëzim për t’ua ofruar ungjillin të tjerëve.

Vizitimi i Tempullit

Si për prindërit edhe për fëmijët, tempulli është mundësia më e mirë për të fituar një ndjenjë dhe një dashuri për vendet qiellore. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur fëmijët janë të vegjël. Fëmijët lindin me Dritën e Krishtit. Edhe një foshnjë mund ta ndiejë se tempulli është i shenjtë. Ngaqë prindërit i duan fëmijët e tyre të vegjël, tempulli për ta përfaqëson shpresën që mund t’i kenë fëmijët e vet në familjen e tyre të përjetshme për t’i dashur – përgjithmonë.

Disa prej jush keni fotografi të tempujve në shtëpitë tuaja. Teksa tempujt po shtohen anekënd tokës, është e mundur që shumë prindër ta vizitojnë territorin e tempullit me familjet e tyre. Madje disa mund të jenë në gjendje të marrin pjesë në shtëpitë e hapura kur ndërtohen tempujt. Prindërit mund t’i pyesin fëmijët se si u ndien që ishin afër ose brenda një tempulli.

Çdo prind mund të japë dëshmi se çfarë domethënie ka pasur për të një tempull. Presidenti Ezra Taft Benson, i cili i pëlqente shumë tempujt, foli shpesh që e shihte nënën e vet të hekuroste me kujdes rrobat e saj të tempullit.6 Ai foli për kujtimin e tij kur ishte i vogël që e shihte familjen e vet ndërsa largohej nga shtëpia për të marrë pjesë në tempull.

Kur ishte Presidenti i Kishës, ai mori pjesë në tempull në të njëjtën ditë çdo javë. Ai përherë bëri punën në tempull për një paraardhës. Kjo erdhi kryesisht nga shembulli i prindërve të tij.

Dëshmia Ime

Ju do të zbuloni disa nga gëzimet tuaja më të mëdha gjatë përpjekjeve tuaja për ta bërë shtëpinë tuaj një vend besimi në Zotin Jezu Krisht dhe një vend që përshkohet nga dashuria, dashuria e pastër e Krishtit. Rivendosja e ungjillit filloi me një pyetje të përulur, të përsiatur në një shtëpi të përulur, dhe ajo mund të vazhdojë në secilën nga shtëpitë tona ndërsa vazhdojmë t’i vendosim dhe t’i ushtrojmë parimet e ungjillit atje. Kjo ka qenë shpresa ime dhe dëshira ime më e thellë që kur isha një djalë i vogël. Ju të gjithë keni pasur çaste të shkurtra të shtëpive të tilla. Shumë prej jush, me ndihmën e Zotit, i keni krijuar ato.

Disa janë përpjekur me gjithë zemër për atë bekim, prapëseprapë ai nuk iu është dhënë. Premtimi im për ju është një premtim që një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve ma bëri dikur. I kisha thënë atij se, për shkak të zgjedhjeve që kishin bërë disa njerëz në rrethin tonë familjar, dyshoja se mund të ishim së bashku në botën që do të vijë. Ai tha, me aq sa mund ta kujtoj: “Po shqetësohesh për problemin e gabuar. Ti thjesht jeto i denjë për mbretërinë çelestiale dhe situatat në familje do të jenë më të mrekullueshme nga sa mund t’i përfytyrosh.”

Unë besoj se ai do t’ia jepte atë shpresë të lumtur secilit prej nesh në vdekshmëri, që kemi bërë gjithçka mundemi për ta kualifikuar veten dhe pjesëtarët e familjes sonë për jetë të përjetshme. Unë e di se plani i Atit Qiellor është një plan lumturie. Unë dëshmoj se plani i Tij bën të mundur për secilin prej nesh që ka bërë më të mirën që mundet, që të vuloset si një familje përgjithmonë.

Unë e di se çelësat e priftërisë që u rivendosën nga Jozef Smithi, u kaluan nga një linjë e pashkëputur deri te Presidenti Rasëll M. Nelson. Ato çelësa bëjnë të mundur vulosjen e familjeve sot. Unë e di se Ati Qiellor na do ne, fëmijët e Tij shpirtërorë, me një dashuri të përsosur. Unë e di se për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund të pendohemi, të pastrohemi dhe të bëhemi të denjë për të jetuar me familjet e dashura përgjithmonë, me Atin tonë Qiellor dhe me Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.