Lajmet për Misionarët
Kontakti me shtëpinë. Misionarët dhe misionaret tani autorizohen të komunikojnë me familjet e tyre çdo javë në ditën e përgatitjes nëpërmjet mesazheve me celular, mesazheve në internet, thirrjeve telefonike dhe bisedave me pamje filmike, përveç letrave dhe mesazheve me postë elektronike.
Mjeti planifikues për misionarët e ardhshëm. Një mjet i ri në internet, planifikues për misionin, i krijuar nga Sektori i Misionarëve të Kishës, mund t’i ndihmojë misionarët e ardhshëm që të kenë më shumë planifikim dhe më shumë kujdes teksa vendosin se kur do të jenë të përgatitur më mirë për t’i shërbyer Zotit si misionar/e.
Misione shërbimi. Që nga janari 2019, misionarët e rinj në moshë me shërbim në Kishë thirren “misionarë shërbimi”. Të gjithë të rinjtë në moshë madhore që bëjnë kërkesë për shërbim misionar, e bëjnë këtë gjë në të njëjtën mënyrë, nëpërmjet një portali në internet dhe të gjitha thirrjet misionare – qofshin për një mision për kthim në besim apo për një mision shërbimi – vijnë nga profeti. Të rinj dhe të reja të denja në moshë madhore që për arsye të ndryshme justifikohen të mos marrin pjesë në shërbimin e një misioni për kthimin në besim, mund të thirren në një mision shërbimi.
Motrat misionare mund të veshin pantallona. Motrat misionare tani kanë mundësinë të veshin pantallona gjatë veprimtarive të përditshme normale, gjithsesi motrat duhet të vazhdojnë të veshin fustane ose funde kur shkojnë në tempull dhe gjatë shërbimeve të adhurimit të së dielës, në konferencat e udhëheqjes dhe të zonës, në shërbimet e pagëzimit dhe në takimet shpirtërore të qendrës së trajnimit të misionarëve. Veshja e pantallonave të lirshme mund të ndihmojë për t’i mbrojtur motrat nga sëmundjet virale që shkaktohen nga mushkonjat, t’i mbajnë ngrohtë motrat në klima të ftohta dhe e bën më të lehtë për motrat që të ngasin biçikleta.
Misione u krijuan, kufijtë u ricaktuan. U krijuan katër misione të reja dhe dymbëdhjetë misione do të përfshihen brenda misioneve ekzistuese. Ndryshime të tilla ndodhin herë pas here me qëllim që të rregullohet numri i misionarëve që po shërbejnë. Misionet e reja janë misioni i Kinshasës Lindore në Republikën Demokratike të Kongos, i Antiguas në Guatemalë, i Limatambos në Peru dhe i Antipolos në Filipine. Prindërit e misionarëve që janë duke shërbyer në misionet e ndikuara – qoftë ato të krijuara apo të shpërbëra – do të marrin informacion shtesë nga presidentët e misioneve të tyre.
Numrat e qendrave të trajnimit të misionarëve u rregulluan. Me qëllim që të bëhet më i mirë përdorimi i përgjithshëm i qendrave të trajnimit të misionarëve anembanë botës, qendrat po mbyllen në Argjentinë, Spanjë, Kili dhe Republikën Dominikane. Me mbylljet, Kisha do të ketë në veprim 11 qendra të trajnimit të misionarëve, të vendosura në Brazil, Kolumbi, Angli, Ganë, Guatemalë, Meksikë, Zelandën e Re, Peru, Filipine, Provo në Jutë të SHBA‑së dhe në Afrikën e Jugut.
Materiale filmike për sigurinë. Seritë e reja të materialeve filmike me 12 pjesë The Safety Zone [Zona e Sigurisë] u prodhuan që ta rritin sigurinë e 65 000 misionarëve kohëplotë që po shërbejnë aktualisht, si edhe për ata që do të shërbejnë në të ardhmen. Materiali i parë filmik është krijuar që të shihet nga misionarët e ardhshëm me prindërit e tyre pasi të merret një thirrje misioni dhe përpara hyrjes në një qendër trajnimi të misionarëve. Në QTM misionari do ta shohë sërish materialin e parë filmik si edhe 11 materiale të tjera. Kujtues të herëpashershëm për sigurinë do t’u jepen misionarëve edhe gjatë gjithë misionit të tyre.