2019
Plaku Xhon A. Mek‑Kjun
maj 2019


Plaku Xhon A. Mek‑Kjun

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Plaku Xhon A. Mek‑Kjun

Kohë më parë në karrierën e tij të biznesit, Plaku Xhon A. Mek‑Kjun pati një diskutim me shefin e tij, ku shpejt u bë e qartë se shefi nuk dinte shumë rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Shefi i tij e pyeti Plakun Mek‑Kjun se përse shenjtorët e ditëve të mëvonshme nuk kërcenin ose hanin biskota.

“Faktikisht unë i ha biskotat”, i tha shefit të tij Plaku Mek‑Kjun me një buzëqeshje, duke fërkuar stomakun. “Mendoj se na ngatërron me të tjerë.”

Ndërkohë që po flisnin, Plaku Mek‑Kjun i qartësoi idetë e gabuara rreth Kishës. Ajo bisedë çoi në diskutime të tjera rreth ungjillit të Jezu Krishtit dhe i ripohoi Plakut Mek‑Kjun rëndësinë e të qenit gjithmonë gati për ta shpërndarë ungjillin.

“Ne jemi dishepuj të Shpëtimtarit Jezu Krisht, kudo që jemi, në çdo rrethanë, në çdo mundësi”, thotë Plaku Mek‑Kjun. “Ne kemi punë dhe karrierë, por ato i kemi që të përkrahim familjet tona dhe që të na vënë në situata që ta shpërndajmë ungjillin. Kjo është përgjegjësia jonë kryesore si dishepuj të Jezu Krishtit.”

Xhon Alen Mek‑Kjuni lindi në Santa‑Kruz të Kalifornisë në SHBA, më 20 qershor 1963, nga Kliford dhe Xhoan Shulthis Mek‑Kjuni. Ai u rrit kryesisht në Nisa të Oregonit në SHBA.

Pasi shërbeu në një mision kohëplotë në Fukuoka në Japoni, Plaku Mek‑Kjun u martua me Debra Elen Kingsbërin në Tempullin e Solt‑Lejkut në vitin 1984. Ata janë prindër të katër fëmijëve dhe jetojnë në Miduei të Jutës në SHBA.

Plaku Mek‑Kjun mori një diplomë shkencore universitare për financë nga Universiteti “Brigam Jang” dhe më vonë një diplomë pasuniversitare për administrim biznesi për financë nga Universiteti i Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA). Ai punoi si zëvendëspresidenti kryesor dhe drejtor administrimi për “Capital Investment Advisors” nga viti 1997 deri në 2012‑ën. Më pas ai shërbeu si president në Misionin e Provos në Jutë, përpara se të bëhej ndërlidhës i dhuruesve për dhuratat kryesore për LDS Philanthropies [Bamirësitë SHDM].

Plaku Mek‑Kjun po shërbente si I Shtatëdhjetë Zonal kur mori thirrjen e tij të re. Ai gjithashtu ka shërbyer si president kunji, peshkop, këshilltar në një peshkopatë dhe në një presidencë dege dhe si president i kuorumit të pleqve.