2019
Plaku Benxhamin M. Z. Tai
maj 2019


Plaku Benxhamin M. Z. Tai

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Plaku Benxhamin M. Z. Tai

Gjyshi nga ana e babait i Plakut Benxhamin M. Z. Tai u zu rob, u burgos dhe u ekzekutua nga trupat japoneze kur pushtuan Hong‑Kongun gjatë Luftës II Botërore.

Dekada më vonë, Plaku Tai njohu bashkëshorten e tij të ardhshme, Naomi Toma nga Japonia, ndërkohë që shërbente si president i kuorumit të pleqve në lagjen e tij të studentëve në Universitetin “Brigam Jang”. Naomi po shërbente si presidente e Shoqatës së Ndihmës.

Kur Benxhamini i tha babait të tij, Plakut Kuok Juen Tai, Autoritet i Përgjithshëm nderi, se ai po dilte në takim me Naomin dhe shpresonte që të martohej me të, i ati nuk shprehu as edhe një grimë pakënaqësie. Në fakt prindërit e Naomit, Rikuo dhe Fumiko Toma, erdhën në Hong‑Kong për të vizituar prindërit e Benxhaminit. Prindërit e saj vunë re se ungjilli i Jezu Krishtit e kishte bërë të mundur martesën e tyre. Çifti u martua në Tempullin e Solt‑Lejkut më 23 dhjetor 1995. Ata janë prindër të gjashtë fëmijëve.

“Ne vijmë nga kultura të ndryshme, por ka parime të besimit dhe sakrificës së përbashkët”, thotë Plaku Tai. Plaku Tai e di se ato parime besimi dhe sakrifice do ta lidhin tani atë me shenjtorët e ditëve të mëvonshme në mbarë globin.

Benxhamin Ming Zhe Tai lindi më 20 maj 1972, në Hong‑Kong nga Kuok Jueni dhe Hui Hua Tai. Për shkak të punës së babait të tij familja udhëtoi anembanë botës përpara se të imigronin në Kaliforninë Jugore, SHBA, ku Plaku Tai kaloi vitet e adoleshencës. Në shtëpinë e tyre, prindërit e tij kanë të ekspozuar një dorëshkrim me këto fjalë sipas artit të shkrimit kinez: “Sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit” (Jozueut 24:15). Kjo ka shërbyer si motoja e familjes Tai.

Pasi shërbeu në Misionin e Melburnit të Australisë, Plaku Tai mori një diplomë universitare për shkencën e të ushtruarit fizik nga UBJ‑ja në vitin 1996 dhe një diplomë pasuniversitare për administrim biznesi nga Universiteti i Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA), në vitin 2003. Ai ka punuar në Japoni dhe Hong‑Kong në investimin bankar dhe për zhvillimin e pronave të paluajtshme.

Plaku Tai ka shërbyer si I Shtatëdhjetë Zonal, president distrikti, këshilltar në një presidencë distrikti, sekretar ekzekutiv i distriktit, president i kuorumit të pleqve, president dege dhe mësues i Shkollës të së Dielës.