2019
Kuorumi: Një Vend Përkatësie
maj 2019


Kuorumi: Një Vend Përkatësie

Zoti do që ju të ndërtoni një kuorum të fortë. Teksa Ai i mbledh fëmijët e Tij, ata kanë nevojë për një vend që t’i përkasin e të rriten.

Në vitin 2010, Andre Sebako ishte një i ri që po kërkonte të vërtetën. Edhe pse më parë nuk kishte bërë kurrë një lutje me zemër, ai vendosi të përpiqej. Shpejt pas kësaj, ai u takua me misionarët. Ata i dhanë një kartë për shpërndarje me një figurë të Librit të Mormonit. Andrea ndjeu diçka dhe i pyeti misionarët a do t’ia shisnin librin. Ata i thanë se mund ta merrte librin falas nëse do të vinte në kishë.1

Andrea e frekuentoi degën e Mokudit që sapo ishte krijuar në atë kohë në Botsvanë, Afrikë, i vetëm. Por dega ishte një grup i dashur, i lidhur fort me njëri-tjetrin, që përbëhej nga rreth 40 anëtarë.2 Ata e mirëpritën Andrenë krahëhapur. Ai mori mësimet me misionarët dhe u pagëzua. Ishte e mrekullueshme!

Po pastaj çfarë ndodhi? Si do të qëndronte aktiv Andrea? Kush do ta ndihmonte të përparonte përgjatë shtegut të besëlidhjeve? Një përgjigje për këtë pyetje është kuorumi i tij i priftërisë!3

Çdo mbajtës i priftërisë, pavarësisht nga situata e tij, përfiton nga një kuorum i fortë. Vëllezërit e mi të rinj që mbani Priftërinë Aarone, Zoti do që ju të krijoni një kuorum të fortë, një vend përkatësie për cilindo dhe çdo të ri, një vend ku Shpirti i Zotit është i pranishëm, një vend ku të gjithë anëtarët e kuorumit mirëpriten dhe vlerësohen. Teksa Zoti i mbledh fëmijët e Tij, ata kanë nevojë për një vend që t’i përkasin e të rriten.

Secili nga ju anëtarë të presidencës së kuorumit prini udhën ndërsa kërkoni frymëzim4 dhe zhvilloni dashuri e vëllazëri mes gjithë anëtarëve të kuorumit. Ju u kushtoni vëmendje të veçantë atyre që janë anëtarë të rinj, që janë më pak aktivë ose që kanë nevoja të veçanta.5 Me fuqinë e priftërisë, ju ndërtoni një kuorum të fortë.6 Dhe një kuorum i fortë dhe i bashkuar bën gjithë ndryshimin në jetën e një të riu.

Kur Kisha njoftoi përqendrimin e ri në shtëpi për të mësuarin e ungjillit7, disa menduan për anëtarë si Andrea dhe pyetën: “Po të rinjtë që vijnë nga një situatë familjare ku ungjilli nuk studiohet dhe ku nuk ka një mjedis të të mësuarit dhe të jetuarit të ungjillit në shtëpi? A do të lihen pas ata?”

Jo! Asnjë nuk mund të lihet pas! Zoti e do çdo të ri dhe çdo të re. Ne, si mbajtës të priftërisë, jemi duart e Zotit. Ne jemi përkrahja e Kishës në përpjekjet e përqendruara te shtëpia. Kur ka përkrahje të kufizuar në shtëpi, kuorumet e priftërisë dhe udhëheqësit e miqtë e tjerë kujdesen dhe e përkrahin çdo individ e familje sipas nevojës.

E kam parë të funksionojë. E kam përjetuar. Kur isha gjashtë vjeç, prindërit e mi u shkurorëzuan dhe im atë e la nënën time me pesë fëmijë të vegjël. Nëna filloi të punonte për të siguruar për nevojat tona. Për një periudhë kohore asaj i duhej një punë e dytë, si dhe arsimim shtesë. Ajo nuk kishte shumë kohë të na edukonte. Por gjyshërit, ungjit, emtat, peshkopët dhe mësuesit e shtëpisë u përfshinë për ta ndihmuar nënën time të mrekullueshme.

Dhe unë kisha një kuorum [përkrahës]. Jam shumë mirënjohës për miqtë e mi – vëllezërit e mi – që më donin dhe më përkrahën. Kuorumi im ishte një vend përkatësie. Disa njerëz mund të kenë menduar për mua si pa ndonjë të ardhme dhe me pozitë të dobët për shkak të situatës së familjes sime. Ndoshta isha. Por kuorumet e priftërisë i ndryshuan mundësitë e mia për sukses. Kuorumi im u mblodh rreth meje dhe e bekoi pa masë jetën time.

Kudo rreth nesh ka persona pa ndonjë të ardhme dhe me pozita të dobëta. Ndoshta, në një mënyrë ose tjetër, kështu jemi të gjithë. Por secili prej nesh këtu ka një kuorum, një vend ku ne edhe mund të marrim forcë edhe të japim forcë. Kuorumi është “të gjithë për një dhe një për të gjithë”8. Është një vend ku ne e udhëzojmë njëri-tjetrin, u shërbejmë të tjerëve dhe ndërtojmë unitet e vëllazëri ndërsa i shërbejmë Perëndisë.9 Është një vend ku ndodhin mrekulli.

Do të doja t’ju tregoja për disa mrekulli që ndodhën në kuorumin e Andreas në Mokudi. Ndërsa tregoj këtë shembull, shikoni parimet që e forcojnë çdo kuorum priftërie që i zbaton ato.

Pasi u pagëzua, Andrea shoqëronte misionarët teksa u jepnin mësim katër të rinjve të tjerë, të cilët gjithashtu u pagëzuan. Tani ishin pesë të rinj. Ata filluan ta forconin njëri‑tjetrin dhe degën.

Një i ri i gjashtë, Tuso, u pagëzua. Tuso u tregoi për ungjillin tre prej miqve tij dhe shpejt kishte nëntë të rinj.

Dishepujt e Jezu Krishtit shpesh mblidhen në këtë mënyrë – disa njëkohësisht, ndërsa ftohen nga miqtë e tyre. Në kohët e lashta, kur Andrea e gjeti Shpëtimtarin, ai shkoi shpejt te vëllai i tij, Simoni, dhe “e çoi te Jezusi”10. Në mënyrë të ngjashme, shpejt pasi Filipi u bë pasues i Krishtit, ai e ftoi mikun e tij, Natanaelin, që të “[vinte] e [të] shih[te]”11.

Në Mokudi, një i ri i 10‑të iu bashkua shpejt Kishës. Misionarët gjetën të 11‑in. Dhe i riu i 12‑të u pagëzua pasi pa ndikimin e ungjillit te miqtë e tij.

Anëtarët e degës në Mokudi ishin të emocionuar. Këta të rinj “u kthyen në besim te Zoti, dhe u bashkuan me kishën”12.

Libri i Mormonit luajti një rol domethënës në kthimin e tyre në besim.13 Tuso kujton: “Fillova ta lexoj Librin e Mormonit … sa herë që isha i lirë, në shtëpi, në shkollë, kudo”14.

Oratili u tërhoq tek ungjilli për shkak të shembullit të miqve të tij. Ai shpjegon: “[Ata] dukej sikur ndryshuan me një të kërcitur të gishtave. … Mendova se kishte … të bënte me librin … e vogël që ata filluan ta mbanin me vete … në shkollë. Mund ta shihja se çfarë burrash të mirë ishin bërë. … Edhe [unë] doja të ndryshoja”15.

Dega në Mokudi

Të 12 të rinjtë u mblodhën dhe u pagëzuan brenda dy vjetësh me distancë nga njëri‑tjetri. Secili prej tyre ishte i vetmi anëtar i Kishës në familjen e vet. Por ata u përkrahën nga familja e tyre e Kishës, përfshirë Presidenti Rakuela16, presidenti i tyre i degës; Plaku dhe Motra Tejlor17, një çift misionarësh në moshë dhe anëtarë të tjerë të degës.

Vëllai Xhunior18, një udhëheqës i kuorumit, i ftonte të rinjtë në shtëpinë e tij të dielave pasdite dhe i këshillonte. Të rinjtë i studionin shkrimet e shenjta së bashku dhe zhvillonin mbrëmje të rregullta familjare.

Duke vizituar anëtarët

Vëllai Xhunior i çonte të vizitonin anëtarët, njerëz që po merrnin mësim nga misionarët dhe të gjithë ata që kishin nevojë për një vizitë. Të 12 të rinjtë ngjesheshin në pjesën e prapme të kamionit të Vëllait Xhunior. Ai i zbriste ata te shtëpitë në shoqërinë e dy ose tre vetave dhe i merrte më vonë.

Edhe pse të rinjtë sapo po mësonin rreth ungjillit dhe nuk mendonin se dinin shumë, Vëllai Xhunior u thoshte atyre t’u tregonin njerëzve që vizitonin një apo dy gjëra që ata i dinin vërtet. Këta mbajtës të rinj të priftërisë dhanë mësim, u lutën dhe ndihmuan për të vëzhguar mbi Kishën19. Ata i përmbushën përgjegjësitë e tyre të priftërisë dhe përjetuan gëzimin e shërbimit.

Grupi i Vëllezërve

Andrea tha: “Ne luanim së bashku, qeshnim së bashku, qanim së bashku dhe u bëmë një vëllazëri”20. Në fakt, ata e quajnë veten “Grupi i Vëllezërve”.

Së bashku ata vendosën një qëllim që të gjithë do të shërbenin në mision. Meqenëse ishin të vetmit anëtarë të Kishës në familjet e tyre, ata kishin shumë pengesa për të kapërcyer, por ata e ndihmuan njëri‑tjetrin që t’i kalonin ato.

Një nga një, të rinjtë morën thirrje për mision. Ata që u larguan të parët u shkruanin letra atyre që ende po përgatiteshin, duke u treguar përvoja dhe duke i nxitur që të shërbenin. Njëmbëdhjetë prej të rinjve shërbyen në mision.

Këta të rinj e përhapën ungjillin te familjet e tyre. Nënat, motrat, vëllezërit, miqtë, si dhe njerëzit të cilëve ata u dhanë mësim në misionet e tyre, u kthyen në besim e u pagëzuan. Mrekulli ndodhën dhe jetë të panumërta u bekuan.

Unë mund t’i dëgjoj disa prej jush të mendojnë se ndoshta një mrekulli e tillë mund të ndodhë vetëm në një vend si Afrika, një fushë pjellore ku mbledhja e Izraelit po përshpejtohet. Megjithatë, unë dëshmoj se parimet e vëna në jetë në degën e Mokudit janë të vërteta kudo. Kudo që të jeni, kuorumi juaj mund të rritet nëpërmjet aktivizimit dhe përhapjes së ungjillit. Sikur edhe një dishepull t’i afrohet një shoku, nga një mund të bëhet dy. Nga dy mund të bëhen katër. Nga katër mund të bëhen tetë. Dhe nga tetë mund të bëhen dymbëdhjetë. Degët mund të bëhen lagje.

Lagja në Mokudi

Shpëtimtari dha mësim: “Kudo që dy a tre [ose më shumë] janë mbledhur së bashku në emrin tim, … vini re, atje do të jem unë në mes tyre”21. Ati Qiellor po i përgatit mendjet dhe zemrat e njerëzve kudo përreth nesh. Ne mund t’i ndjekim nxitjet, ta shtrijmë dorën e miqësisë, ta përhapim të vërtetën, t’i ftojmë të tjerët ta lexojnë Librin e Mormonit, dhe t’i duam e t’i përkrahim ata teksa arrijnë ta njohin Shpëtimtarin tonë.

Janë bërë pothuajse 10 vjet që kur Grupi i Vëllezërve Mokudi filloi udhëtimin e tij së bashku dhe ata janë ende një grup vëllezërish.

Katlego tha: “Mund të jemi të ndarë nga largësia, por ne jemi ende atje për njëri-tjetrin”22.

Lutja ime është që ne do ta pranojmë ftesën e Zotit për t’u bashkuar me Të në kuorumet tona të priftërisë në mënyrë që secili kuorum të jetë një vend përkatësie, një vend mbledhjeje, një vend që të rrit.

Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe kjo është vepra e Tij. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Mark dhe Shirley Taylor, përmb., The Band of Brothers (historitë dhe dëshmitë e kthimit në besim të Degës në Mokudi, 2012–2013), f. 4, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt‑Lejk‑Siti.

  2. Letërkëmbim vetjak, Letanang Andre Sebako, dosjet burimore të Grupit të Vëllezërve, 2011–2019, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt‑Lejk‑Siti.

  3. Presidenti Bojd K. Paker tha: “Kur një burrë mban priftërinë, ai i përket diçkaje më të madhe se vetja. Është diçka jashtë tij, ndaj së cilës ai mund të bëjë një zotim të plotë” (“The Circle of Sisters”, Ensign, nëntor 1980, f. 109–110).

  4. Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi se si të kërkojmë zbulesë dhe më pas deklaroi: “Kur e përsëritni këtë proces ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, ju do të ‘rriteni drejt parimit të zbulesës’” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 95; shih edhe Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 136).

  5. Shih Handbook 2: Administering the Church (2010), 8.3.2.

  6. Të tjerë ndihmojnë gjithashtu, përfshirë anëtarët dhe këshilltarët e peshkopatës. Plaku Ronald A. Rasband vuri në dukje se një nga përfitimet e ristrukturimit të kuorumeve të Priftërisë Melkizedeke, të shpallur më 31 mars 2018, është ta “lejojnë peshkopin që t’u delegojë më shumë përgjegjësi presidentit të kuorumit të pleqve dhe presidentes së Shoqatës së Ndihmës, në mënyrë që peshkopi dhe këshilltarët e tij të mund të përqendrohen te detyrat e tyre kryesore – veçanërisht te kryesimi mbi të rejat dhe të rinjtë që mbajnë Priftërinë Aarone” (“Shih! Një Ushtri Mbret’rore”, Liahona, maj 2018, f. 59). Engjëjt do të ndihmojnë gjithashtu. Mbajtësit e Priftërisë Aarone mbajnë çelësat e shërbesës së engjëjve (shih Doktrina e Besëlidhje 13:1; shih edhe Dale G. Renlund dhe Ruth Lybbert Renlund, The Melchizedek Priesthood [2018], f. 26). Plaku Xhefri R. Holland tha: “Zakonisht [engjëjt shërbestarë] nuk shihen. Nganjëherë shihen. Por, të shikuar ose jo, ata janë përherë pranë. Nganjëherë detyrat e tyre janë shumë të mëdha dhe kanë rëndësi për mbarë botën. Nganjëherë mesazhet janë më personale. Herë‑herë pikësynimi engjëllor është për të paralajmëruar. Por më së shpeshti është për të ngushëlluar, për të siguruar një formë përkujdesjeje zemërgjerë, udhëheqje në kohë të vështira” (“Shërbesa e Engjëjve”, Liahona, nëntor 2008, f. 29). Nëse dëshironi ndihmë të tillë, ju mund të “kërkoni dhe do të merrni” (Gjoni 16:24).

  7. Shih Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, Liahona, nëntor 2018, f. 7–8.

  8. Shih Alexandre Dumas, The Three Musketeers (1844).

  9. Shih Handbook 2, 8.1.2.

  10. Shih Gjoni 1:40–42.

  11. Shih Gjoni 1:43–46.

  12. 3 Nefi 28:23.

  13. Shih D. Todd Christofferson, “The Power of the Book of Mormon” (fjalim dhënë në seminarin për presidentët e rinj të misioneve, 27 qershor 2017).

  14. Thuso Molefe, në Taylor, The Band of Brothers, f. 22.

  15. Oratile Molosankwa, në Taylor, The Band of Brothers, f. 31–32.

  16. Lukas Rakuela, Mokudi, Botsvana.

  17. Mark dhe Shirli Tejlor, Ajdaho, SHBA.

  18. Kilvester Xhunior Kgosiemang, Mokudi, Botsvana.

  19. Shih Doktrina e Besëlidhje 20:46–47, 53–54.

  20. Letërkëmbim vetjak, Letanang Andre Sebako, dosjet burimore të Grupit të Vëllezërve.

  21. Doktrina e Besëlidhje 6:32.

  22. Katlego Mongole, në “Band of Brothers 2nd Generation” (përmbledhje e pabotuar), f. 21.