Konferenca e Përgjithshme
Shkrimet e Shenjta – Themelet e Besimit
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


14:7

Shkrimet e Shenjta – Themelet e Besimit

Nuk mund të nënvleftësojmë rëndësinë e shkrimeve të shenjta, si në kthimin në besim, ashtu dhe në qëndrimin besnikë ndaj ungjillit.

Bashkëshortja ime, Meri, dhe unë, kohët e fundit pamë një bluzë me mëngë të shkurtra me figurën e një libri dhe një mesazh përpara ku thuhej: “Librat: Mjeti Fillestar i Mbajtur në Dorë”.

Një bluzë me mëngë të shkurtra që shpall: “Librat: Mjeti Fillestar i Mbajtur në Dorë.”

Mendova për këtë mesazh interesant dhe se sa domethënëse janë bërë mjetet e të gjitha llojeve që mbahen në dorë. Pas të menduarit të mëtejshëm e kuptova se çfarëdo mjeti ose edhe një mjet i pajisur me inteligjencë artificiale nuk do të jetë kurrë po aq i rëndësishëm ose domethënës sa udhërrëfimi shpirtëror që vjen nga zbulesa hyjnore.

Qoftë të mbajtur në dorë apo digjitale, Bibla e Shenjtë dhe Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit sigurojnë udhërrëfim dhe mësime nga Jezu Krishti, Shpëtimtari i botës. Ne i ruajmë si thesare këta libra për rolin e tyre të thellë në dokumentimin e udhëzimit nga Perëndia të profetëve dhe njerëzve të lashtë dhe të udhërrëfimit që ata japin për vetë jetën tonë personale.

Të ndërthurura me mësimet e profetëve të gjallë, këto shkrime të shenjta japin udhëzim doktrinor për ne në botën e sotme. Këto shkrime të shenjta janë më të fuqishme kur ato u japin udhëzim, korrigjim, rehati dhe ngushëllim individëve dhe familjeve që kërkojnë udhërrëfim nga Zoti.

Shkrimet e shenjta, të ndërthurura me frymëzim shpirtëror nga Shpirti i Shenjtë, vazhdojnë të jenë burimi parësor që e lehtëson kthimin në besim të atyre që kanë “zemra të thyera dhe … shpirtra të penduar” dhe dëshirojnë ta ndjekin Jezu Krishtin. Shkrimet e shenjta ndihmojnë për të ndërtuar një themel që mund t’u bëjë ballë përpjekjeve të vazhdueshme të kundërshtarit për ta gërryer besimin.

Të kthyerit e rinj në besim e kanë bekuar Kishën dhe kanë qenë gjaku jetëdhënës i Kishës gjatë gjithë historisë së saj. Një shembull është veçanërisht i çmuar për mua. Kur isha peshkopi i ri në moshë, dy motra të mrekullueshme misionare po i jepnin mësim familjes së Uilliam Eduard Masmanit. Babai, një avokat shumë i zoti, ishte avokati kryesor i një korporate të madhe. Bashkëshortja e tij e përkushtuar, Xheneta, po e ndihmonte familjen që të përpiqej fort për të jetuar një jetë më shumë si Krishti.

Biri dhe bija e tyre, që ishin të jashtëzakonshëm, që të dy në fillim të të njëzetave, gjithashtu po merrnin mësimet. Të katër i kishin marrë mësimet dhe po e frekuentonin kishën. Motrat misionare e kishin vënë theksin te leximi i Librit të Mormonit dhe te lutja për një dëshmi të atij shkrimi të shenjtë. Në mënyrë mbresëlënëse, familja plot lutje e lexoi të gjithë Librin e Mormonit brenda një kohe të shkurtër.

Misionaret e kunjit, të cilat që të dyja kishin qenë më parë presidente të Shoqatës së Ndihmës së lagjes, i shoqëronin ata në mbledhjet e sakramentit.

Teksa familja po i afrohej pagëzimit, u erdhi një mori literature kritikuese ndaj Kishës. Kjo ishte përpara kohës së internetit, por materiali ishte sa një kuti e madhe kartoni.

Motrat misionare më ftuan mua si një peshkop i sapothirrur 34‑vjeçar që të ndihmoja për t’u dhënë përgjigje pyetjeve që qenë ngritur. Kur u mblodhëm në dhomën e tyre të ndenjjes, kutia e madhe me pamfletet kritikuese ndaj Kishës ishte në mes të dhomës. I isha drejtuar plot lutje kësaj detyre. Gjatë lutjes së hapjes, Shpirti më pëshpëriti: “Ai tashmë e di se është e vërtetë”. Kjo ishte e rëndësishme. Motrat besonin se pjesa tjetër e familjes tashmë e kishte një dëshmi. Ato nuk ishin të sigurta për babanë.

Menjëherë e njoftova atë se Shpirti më kishte nxitur që ai tashmë e kishte një dëshmi. “A ishte kjo e vërtetë?” Ai më vështroi me qëllim dhe tha se Shpirti i kishte pohuar atij të vërtetën për Librin e Mormonit dhe Kishën.

Pastaj e pyeta a do të ishte e nevojshme t’i shqyrtonim pamfletet, duke qenë se ata tashmë e kishin një vërtetim shpirtëror.

Babai tha se nuk do të ishte e nevojshme. Pjesa tjetër e familjes ishte në një mendje me përgjigjen e tij.

Ai tha se kishte një pyetje të rëndësishme: Një arsye përse kishin marrë kaq shumë literaturë kundër Kishës, ishte se ata ishin anëtarë të një besimi tjetër fetar. Përveç kësaj, ai kishte bërë një zotim për një shumë të madhe parash që të ndihmonte të ndërtohej një godinë e re kishtare për atë besim fetar. Ai më njoftoi se motrat misionare i kishin mësuar rreth rëndësisë së të dhjetës, të cilën ai e kishte pranuar plot mirënjohje, por ai pyeste veten a do të ishte e gabuar që gjithashtu të mbante zotimin që kishte bërë më parë. E sigurova se ai pagim i zotimit do të ishte si i nderuar, ashtu edhe me vend.

Familja Masman.

Familja Masman me birin e tyre, nusen dhe bijën.

E tërë familja u pagëzua. Një vit më vonë, ata u vulosën si familje në Tempullin e Oklandit në Kaliforni. Pata privilegjin që të isha i pranishëm. I biri mbaroi shkollën juridike, kaloi provimin e jurisprudencës për shtetin e Kalifornisë dhe menjëherë shërbeu në një mision plot besnikëri në Japoni. Kam vëzhguar përgjatë viteve teksa brezat pasues kanë qëndruar besnikë ndaj ungjillit. Pata privilegjin që të kryesoja në vulosjen e njërës prej mbesave.

Kthimet në besim që po ndodhin në kohën tonë, janë po aq mbresëlënëse. Qershorin e kaluar, trajneri Endi Rid, trajneri kryesor i ekipit Kanzas Siti Çifs në futbollin amerikan, dhe unë, së bashku me të tjerë që përfaqësonim besimin tonë dhe besime të tjera fetare, folëm në një ngjarje të shumë besimeve fetare në kishën Rivërsajd në Nju‑Jork‑Siti. Trajneri Rid theksoi shanset e dyta dhe përgjigjen ndaj ftesave dhe mundësive, për të cilat flitet në ungjillin e Jezu Krishtit. Të nesërmen në mëngjes, me bashkëshortet tona, Temi Ridin dhe Merin, frekuentuam mbledhjen e sakramentit në Lagjen e Dytë të Manhatanit. Ishte një shërbesë shpirtërore. Pati shumë të kthyer në besim të rinj në atë bashkësi. Pesë anëtarë të pagëzuar kohët e fundit, katër burra dhe një djalë i ri në moshë, ishin mes anëtarëve të Priftërisë Aarone që shpërndanin sakramentin. Jam i lumtur të raportoj se një dyndje e ngjashme e anëtarëve të rinj po ndodh anembanë Kishës.

Jemi mirënjohës për rritjen e dukshme në numër të atyre që u përgjigjen ftesave të shenjta, e ndryshojnë jetën dhe e pranojnë mundësinë për të ndjekur Jezu Krishtin. Ata hyjnë në shtegun e besëlidhjeve nëpërmjet besimit, pendimit, pagëzimit dhe konfirmimit siç u dha mësim në Biblën e Shenjtë dhe Librin e Mormonit.

Nuk mund të nënvleftësojmë rëndësinë e shkrimeve të shenjta, si në kthimin në besim, ashtu dhe në qëndrimin besnikë ndaj ungjillit. Profetët e lashtë, të përshkruar në Librin e Mormonit, qenë në dijeni për misionin e Jezu Krishtit dhe e dhanë mësim ungjillin e Tij. Libri i Mormonit na ndihmon të afrohemi më shumë me Perëndinë ndërsa i mësojmë, i kuptojmë dhe i zbatojmë mësimet e tij. Profeti Jozef Smith dha mësim: “Një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të [librit], se nga [cilido] libër tjetër”.

Për të ditur që Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, kemi nevojë ta lexojmë, të përsiatim dhe të lutemi për të dhe më pas të veprojmë sipas parimeve të tij. Profeti Moroni premtoi se Perëndia do të na e zbulojë të vërtetën e librit ndërsa lutemi me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë dhe me besim te Krishti. Studimi i Librit të Mormonit është thelbësor për një kthim afatgjatë në besim.

Ndërkohë që mendojmë për lidhjen midis Biblës dhe Librit të Mormonit si mjete që mbahen në dorë, dikush mund të bëjë një pyetje. Sa të dobishëm dhe plotësues mendoni se do të ishin të dy librat, në qoftë se Zoti shpallte që ata do të bashkoheshin së bashku dhe do të “bëhe[shi]n një gjë e vetme në dorën [tonë]”? Kjo është ajo që Zoti shpalli lidhur me “copën e drurit të Judës”, Biblën, dhe “copën e drurit të Jozefit”, Librin e Mormonit.

Në shumë aspekte të rëndësishme, Libri i Mormonit siguron doktrinën themelore që lartëson dhe ndërton mbi Biblën. Doktrina e Shlyerjes së Jezu Krishtit është një shembull i thellë.

Bibla jep një rrëfim të saktë të shërbesës së Jezu Krishtit në vdekshmëri, përfshirë vdekjen dhe Ringjalljen e Tij. Libri i Mormonit është më i qartë rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit, diçka që profetët e shpjeguan me hollësi përpara vdekjes së Tij.

Kreu tek Alma kapitulli 42 pasqyron rëndësinë doktrinore të Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Aty thuhet: “Vdekshmëria është një periudhë prove për t’i dhënë mundësi njeriut të pendohet dhe t’i shërbejë Perëndisë – Rënia solli vdekje trupore dhe shpirtërore mbi gjithë njerëzimin – Shpëtimi vjen nëpërmjet pendimit – Perëndia vetë shlyen për mëkatet e botës – Mëshira është për ata që pendohen – Gjithë të tjerët duhet t’i nënshtrohen drejtësisë së Perëndisë – Mëshira vjen për shkak të shlyerjes – Vetëm të penduarit e vërtetë, shpëtohen”.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Unë ju premtoj se kur e studioni me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, ju do të merrni vendime më të mira – çdo ditë”. Ai gjithashtu premtoi që, nëse “e zhytni veten përditë në Librin e Mormonit, ju mund të fitoni imunitet kundër të ligave të ditës”.

Siç e përmenda, më la mbresë koncepti i mjetit fillestar të mbajtur në dorë – një libër. Sidoqoftë, unë e dalloj rëndësinë e pabesueshme të internetit në botë sot. Një mjet bashkëkohor që mbahet në dorë, mund të sigurojë informacionin që historikisht ka mbushur një bibliotekë të madhe. Jemi mirënjohës që jetojmë në një kohë si kjo. Jam veçanërisht mirënjohës që i lejon librat e shenjtë dhe materialet e Kishës për të qenë në dispozicion në mënyrë digjitale. Interneti është një mjet i fuqishëm për të studiuar ungjillin. Sot, shumë njerëz shpërndajnë shkrime të shenjta te miqtë duke përdorur teknologjinë. Për shembull, programi elektronik për Librin e Mormonit është një mënyrë e mrekullueshme për t’ua paraqitur miqve Librin e Mormonit dhe mund të shpërndahet lehtësisht në mënyra të zakonshme dhe të natyrshme kudo ku mund të jeni.

Programi elektronik “Libri i Mormonit”.

Ndërkohë që interneti siguron shumë bekime, për fat të keq, si pamfletet e shkruara, kritikuese ndaj Kishës që i përshkrova më parë, gjithashtu është përdorur për të krijuar dyshim dhe për të gërryer besimin në parimet e çmuara të ungjillit. Ai mund të jetë pjesë e “të ligave të ditës” që i përmendi Presidenti Nelson.

Kundërshtari dhe ata që e ndihmojnë atë me vetëdije ose padashur, kanë krijuar në internet të barasvlefshmen e një kutie plot me materiale të shkruara, kritikuese ndaj Kishës që i përshkrova më parë, me qëllimin që t’ju largojnë nga e vërteta e Perëndisë.

Çështjet e ngritura për të krijuar dyshim përgjatë viteve, kanë qenë jashtëzakonisht të ngjashme. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur e krahasoni kohën tonë me vitet 1960, kur unë isha në fillim të të njëzetave.

Shkrimet e shenjta na mësojnë të përdorim gjykim dhe të jemi të mençur në të gjitha gjërat. Interneti mund të përdoret në mënyrë pozitive ose në mënyrë shkatërrimtare.

Si anëtarët prej një kohe të gjatë, ashtu edhe ata që sapo po e studiojnë ungjillin, nevojitet të jenë të qëllimshëm rreth asaj që shikojnë. Mos merrni në shqyrtim materiale të pamoralshme, të pandershme ose të padrejta. Nëse e bëni, algoritmet mund t’ju çojnë nëpër një shteg që e shkatërron besimin dhe e dëmton përparimin tuaj të përjetshëm. Mbi ju mund të veprohet pozitivisht ose negativisht. Kërkoni drejtësinë dhe shmangiuni situatave të çuditshme dhe gjëmëklikimit në Internet. Mbusheni jetën tuaj me ide pozitive, të drejta; jini plot gëzim; argëtohuni por shmangiuni budallallëkut. Ka ndryshim. Neni i 13‑të i besimit është një udhërrëfyes i mrekullueshëm. Mbi të gjitha, zhyteni veten rregullisht në Librin e Mormonit, i cili do ta tërheqë Shpirtin në jetën tuaj dhe do t’ju ndihmojë që të dalloni të vërtetën nga gabimi.

Këshilla ime për ju që në njëfarë mënyre jeni shmangur nga shtegu i besëlidhjeve, është që të ktheheni te shkrimet e shenjta, udhërrëfimi profetik, respektimi i fesë në shtëpi dhe muzika plot besim. Çdo shpirt është i çmuar për Zotin. Ne kemi nevojë për ju! Zoti ka nevojë për ju dhe ju keni nevojë për Të! Do të jeni të mirëpritur përherë. Gjatë viteve të shumta të shërbimit në Kishë, jam kënaqur nga njerëzit e mrekullueshëm që u kthyen në shtegun e besëlidhjeve dhe më pas shërbyen dhe e bekuan çdo njeri që e donin ose me të cilin komunikuan.

Shkrimet e shenjta dhe profetët e gjallë janë një mënyrë kryesore se si një Atë i dashur Qiellor e vë planin e Tij për lumturinë në dispozicion për të gjithë fëmijët e Tij.

Unë jap dëshminë time të sigurt për natyrën hyjnore të Jezu Krishtit dhe vërtetësinë e Shlyerjes së Tij, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shihni te 2 Timoteut 3:16.

  2. Shihni te Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për të Përhapur Ungjillin e Jezu Krishtit (2023), f. 28; shihni edhe te 2 Nefi 2:7; 3 Nefi 12:19; Doktrina e Besëlidhje 20:37; Ezra Taft Benson, “A Mighty Change of Heart”, Ensign, tetor 1989, f. 2–5.

  3. Motrat Beverli Brixh dhe Sherëll Morgan ishin motrat misionare.

  4. I biri, Uilliam E. Masman III, ishte diplomuar nga Universiteti i Stanfordit dhe po ndiqte shkollën juridike të Universitetit të Kalifornisë në San‑Françisko. Motra e tij, En C. Masmani, po frekuentonte Universitetin e Stanfordit.

  5. Misionaret e kunjit qenë Motra Eleonor Meri dhe Motra Luiz Xhonsoni.

  6. The New York Latter-day Saint Professional Association (NYLDSPA) [Shoqata Profesionale e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Nju‑Jork] i nderoi Të Përnderuarin A. R. Bernard dhe Trajnerin Endriu “Endi” W. Rid në kishën historike ndërbesimtare Rivërsajd në Manhatan. Gjithashtu ishin të pranishëm udhëheqës të Kishës nga feja jonë dhe shumë besime të tjera fetare, përfshirë Rabinin e mëparshëm, të nderuarin, Jozef Potasnikun.

  7. Shihni te Tad Walch, “How Andy Reid’s Beliefs in Jesus Christ and a Second Chance for Michael Vick Guide the Kansas City Chiefs”, Deseret News, 3 korrik 2024, deseret.com.

  8. Mbi 198 000 të kthyer të rinj në besim janë pagëzuar gjatë periudhës 1 janar 2024 deri në 30 gusht 2024 (informacion i dhënë nga Sektori i Misionarëve).

  9. Predikoni Ungjillin Tim, kapitulli 5 përshkruan përse Libri i Mormonit është guri kyç i fesë sonë.

  10. Parathënia për Librin e Mormonit.

  11. Profeti Jozef Smith dëshmoi se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të dhëna mësim në Librin e Mormonit sesa nga cilido libër tjetër (shihni te “parathënia për Librin e Mormonit”).

  12. Shihni te Moroni 10:4.

  13. Shihni tek Ezekiel 37:15–17; shihni edhe te 2 Nefi 3:12.

  14. Fjala Shlyerje, që i referohet Shlyerjes së Jezu Krishtit, përmendet vetëm një herë në Dhiatën e Re (shihni te Romakëve 5:11). Në Librin e Mormonit, fjala Shlyerje përmendet 24 herë. 2 Nefi 2:10 përshkruan “lumturi[n]ë” që bashkëngjitet nëpërmjet Shlyerjes (shihni edhe treguesin e Librit të Mormonit, “Jesus Christ, Atonement through”).

  15. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 62–63.

  16. Thjesht mendoni se sa të bekuar jemi çdo javë teksa studiojmë nga programi në internet Eja, Më Ndiq.

  17. Disa nga çështjet janë tërësisht të pavërteta. Disa i paraqitin faktet historike jashtë kontekstit. Disa po përkrahin çështje shoqërore që nuk janë në pajtim si me Biblën ashtu edhe me Librin e Mormonit. Disa janë mbi çështje për të cilat Zoti ende nuk ka dhënë zbulesë.

  18. Gjëmëklikimi është veprimi i të kërkuarit zakonisht dhe me ngulmim për lajme negative ose që shkaktojnë mërzi në rrjetet sociale ose rubrikat e lajmeve (shihni te Merriam-Webster.com Dictionary, “doomscroll” [“gjëmëklikim”]).

  19. Kisha ka përjetuar rritje të jashtëzakonshme dhe frekuentim në rritje në vitet e fundit. Përqindja e atyre që largohen nga Kisha, është më pak se në të shkuarën, por neve na nevojitet çdo anëtar.