Vazhdoni me Durim
Mësimet që mësojmë nga durimi, do të zhvillojnë karakterin tonë, do të lartësojnë jetën tonë dhe do të shtojnë lumturinë tonë.
Në vitet 1960 një profesor i Universitetit të Stanfordit nisi një eksperiment të thjeshtë ku provonte forcën e vullnetit të fëmijëve katërvjeçarë. Ai vendosi para tyre një bonbone të madhe dhe u tha pastaj se mund ta hanin menjëherë ose, nëse do të prisnin për 15 minuta, ata do të mund të kishin dy bonbone.
Pastaj ai i la vetëm fëmijët dhe vështroi se çfarë ndodhi pas një pasqyre gjysmë të tejdukshme. Disa nga fëmijët e hëngrën menjëherë bonbonen; disa mundën të prisnin vetëm disa minuta përpara se t’i jepeshin tundimit. Vetëm 30 përqind qenë të aftë të prisnin.
Qe një eksperiment disi interesant, dhe profesori kaloi në fusha të tjera kërkimore, sepse, sipas fjalëve të tij, “seç ka aq shumë gjëra që mund të bësh me fëmijë që përpiqen të mos hanë bonbone”. Por, ndërsa koha kalonte, ai mbajti kontakt me fëmijët dhe filloi të vinte re një lidhje reciproke interesante: fëmijët që nuk mundën të prisnin patën vështirësi më vonë në jetë dhe patën më tepër probleme sjelljeje, ndërsa ata që pritën prireshin të ishin më pozitivë dhe të motivuar më mirë, kishin nota e të ardhura më të larta dhe kishin marrëdhënie më të shëndetshme.
Çka filloi si një eksperiment i thjeshtë me fëmijë dhe bonbone, u bë një studim domethënës që sugjeroi se aftësia për të pritur – për të qenë të duruar – qe një tipar kyç i karakterit, që mund të parashikonte sukses të mëvonshëm në jetë1.
Pritja Mund të Jetë e Vështirë
Pritja mund të jetë e vështirë. Fëmijët e dinë këtë dhe po kështu të rriturit. Ne jetojmë në një botë që ofron ushqim të shpejtë, mesazhe elektronike të çastit, filma sipas kërkesës dhe përgjigje të menjëhershme për pyetjet më të parëndësishmet apo më të thellat. Neve nuk na pëlqen të presim. Disa madje ndiejnë t’u rritet tensioni i gjakut kur radha e tyre tek ushqimorja lëviz më ngadalë se të tjerat pranë.
Durimi – aftësia për t’i mbajtur në pritje dëshirat tona për një farë kohe – është një virtyt i çmuar dhe i rrallë. Ne duam atë që duam dhe e duam tani. Prandaj, vetë ideja e durimit mund të duket e pakëndshme dhe, nganjëherë, e papëlqyeshme.
Megjithatë, pa durim, ne nuk mund t’i pëlqejmë Perëndisë, nuk mund të përsosemi. Vërtet, durimi është një proces pastrimi që përpunon mirëkuptimin, thellon lumturinë, përqendron veprimin dhe ofron shpresë për paqe.
Si prindër, ne e dimë sa e pamatur do të ishte të plotësonim çdo dëshirë të fëmijëve tanë. Por fëmijët nuk janë të vetmit që dëmtohen kur mbulohen me kënaqje të menjëhershme. Ati ynë Qiellor e di atë çka prindërit e mirë arrijnë ta kuptojnë pas një farë kohe: që fëmijët të arrijnë ndonjëherë të piqen dhe të arrijnë potencialin e tyre, ata duhet të mësojnë të presin.
Durimi Nuk Është Thjesht të Presësh
Kur isha 10 vjeç, familja ime shkoi refugjate në një tokë të re. Kisha qenë gjithmonë nxënës i mirë në shkollë – domethënë, derisa arrita në Gjermaninë Perëndimore. Atje përvoja ime arsimore qe tërësisht e ndryshme. Gjeografia që studionim në shkollën time, qe e re për mua. Historia që studionim gjithashtu qe shumë e ndryshme. Më parë, po mësoja rusishten si gjuhë të dytë; tani, qe anglishtja. Kjo qe e vështirë për mua. Vërtet, pati çaste kur realisht besova se gjuha ime thjesht nuk qe bërë për të folur anglisht.
Meqë aq shumë prej programit mësimor qe e re dhe e pazakonshme për mua, mbeta prapa. Për herë të parë në jetën time, fillova të vras mendjen nëse thjesht nuk isha mjaft i zgjuar për shkollë.
Fatmirësisht pata një mësues që më mësoi të isha i duruar. Ai më mësoi se puna e vazhdueshme dhe e qëndrueshme – këmbëngulja me durim – do të më ndihmonte të mësoja.
Me kalimin e kohës, lëndë të vështira u bënë më të qarta – madje dhe anglishtja. Ngadalë fillova ta kuptoj që, nëse do të ushtrohesha vazhdimisht, mund të mësoja. Kjo nuk erdhi shpejt, por me durim, erdhi.
Nga ajo përvojë mësova se durimi qe shumë më tepër se thjesht pritja që të ndodhë diçka – durimi kërkonte punë aktive drejt synimeve të vlefshme dhe të mos shkurajohesha kur rezultatet nuk shfaqeshin në çast apo pa përpjekje.
Ka një koncept të rëndësishëm këtu: durimi nuk është dorëheqje pasive as nuk është të mos veprosh për shkak të druajtjeve tona. Durim do të thotë pritje dhe qëndrueshmëri aktive. Do të thotë këmbëngulje tek diçka dhe të bësh gjithçka që mundesh – duke punuar, shpresuar dhe ushtruar besim; duke duruar vështirësinë me guxim, edhe kur dëshirat e zemrave tona vonohen. Durim nuk është thjesht të qëndrosh, ai është të qëndrosh mirë!
Padurimi, nga ana tjetër, është shenjë e egoizmit. Është tipar i egocentrikëve. Ai vjen nga gjendja tepër e përhapur e quajtur sindroma e “qendrës së universit”, që i çon njerëzit të besojnë se bota rrotullohet rreth tyre dhe se gjithë të tjerët janë thjesht një trupë mbështetëse në teatrin e madh të vdekshmërisë, ku vetëm ata kanë rolin kryesor.
Sa e ndryshme është kjo, vëllezër të mi të dashur, nga standardi që ka vendosur Zoti për ne si mbajtës të priftërisë.
Durimi, një Parim i Priftërisë
Si mbajtës të priftërisë dhe përfaqësues të Zotit Jezu Krisht, ne duhet t’u shërbejmë të tjerëve në një mënyrë që përputhet me shembullin e Tij. Ka një arsye pse thuajse çdo mësim mbi udhëheqjen e priftërisë në njëfarë pike arrin tek seksioni i 121-të i Doktrinës e Besëlidhjeve. Në disa vargje Zoti jep një kurs mjeshtëror mbi udhëheqjen e priftërisë. “Asnjë fuqi apo ndikim nuk mund ose nuk duhet të mbahet me anë të priftërisë, veçse nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur.”2
Tiparet e karakterit dhe praktikat e përshkruara në këto vargje janë themeli i durimit të perëndishëm dhe janë të lidhura pazgjidhshmërisht me priftërinë efektive dhe shërbimin patriarkal. Këto veti do t’ju japin juve forcë dhe urtësi në lartësimin e thirrjeve tuaja, në predikimin e ungjillit, në shoqërimin e anëtarëve të kuorumit dhe në dhënien e shërbimit më të rëndësishmit të priftërisë – që është në të vërtetë shërbimi me dashuri brenda mureve të vetë shtëpive tuaja.
Le të kujtojmë gjithmonë se një nga arsyet pse Perëndia na ka besuar neve priftërinë është të na ndihmojë që të përgatitemi për bekimet e përjetshme duke përmirësuar natyrat tona përmes durimit që kërkon shërbimi i priftërisë.
Ashtu si Zoti është i durueshëm me ne, le të jemi të durueshëm me ata të cilëve u shërbejmë. Le ta kuptojmë se ata, ashtu si ne, janë të papërsosur. Ata, ashtu si ne, bëjnë gabime. Ata, ashtu si ne, dëshirojnë që të tjerët të mendojnë pozitivisht për ta.
Kurrë mos i humbni shpresat për askënd. Dhe kjo përfshin të mos i humbni shpresat për veten tuaj.
Besoj se gjithkush prej nesh, në një kohë apo tjetrën, mund të identifikohet me shërbëtorin në shëmbëlltyrën e Krishtit që i detyrohej para mbretit dhe që iu përgjërua mbretit duke i thënë: “Zot, ki durim me mua”3.
Mënyra dhe Koha e Zotit
Bijtë e Izraelit pritën 30 vite në shkretëtirë përpara se të mund të hynin në tokën e premtuar. Jakobi priti 7 vite të gjata për Rakelën. Çifutët pritën 70 vjet në Babiloni, përpara se të mund të ktheheshin për të rindërtuar tempullin. Nefitët pritën për një shenjë të lindjes së Krishtit, edhe pse e dinin që, nëse shenja nuk do të vinte, ata do të mbaronin. Sprovat e Jozef Smithit në burgun e Libertisë e bënë madje profetin e Perëndisë të vriste mendjen: “Për sa kohë?”4
Në secilin rast, Ati Qiellor kishte një qëllim përse u kërkoi fëmijëve të Tij të prisnin.
Secili prej nesh thirret të presë në vetë mënyrën tonë. Ne presim për përgjigje ndaj lutjeve. Ne presim për gjëra që në atë kohë mund të na duken kaq të drejta dhe të mira për ne, saqë ndoshta nuk mund të përfytyrojmë pse Ati Qiellor do ta vononte përgjigjen.
Më kujtohet kur po përgatitesha të trajnohesha si pilot luftarak. Kaluam një pjesë të madhe të trajnimit ushtarak paraprak në stërvitje fizike. Ende nuk jam tamam i sigurt përse vrapimi i pafund konsiderohej një pjesë përgatitore kaq thelbësore për t’u bërë pilot. Sidoqoftë, ne vrapuam e vrapuam e vrapuam më tepër.
Kur po vrapoja, fillova të vë re diçka që, sinqerisht, më shqetësoi. Vazhdimisht, po ma kalonin burra që pinin duhan, pije alkoolike dhe bënin gjithë llojet e gjërave që ishin në kundërshtim me ungjillin dhe, veçanërisht, me Fjalën e Urtësisë.
Më kujtohet që mendova: “Pa prit pak! A nuk supozohej që unë të isha në gjendje të vrapoja e të mos lodhesha?” Por unë isha i lodhur dhe po ma kalonin njerëz që, pa dyshim, nuk po ndiqnin Fjalën e Urtësisë. E pranoj, kjo më shqetësoi në atë kohë. Unë pyesja veten: “A ishte i vërtetë ai premtim apo jo?”
Përgjigjja nuk erdhi menjëherë. Por përfundimisht unë mësova se premtimet e Perëndisë nuk përmbushen gjithmonë aq shpejt ose në mënyrën si mund të shpresojmë; ato vijnë sipas kohës së Tij dhe në mënyrat e Tij. Vite më vonë munda të shihja provën e qartë të bekimeve fizike që u vijnë atyre që i binden Fjalës së Urtësisë – përveç bekimeve shpirtërore që vijnë menjëherë nga bindja ndaj cilitdo prej ligjeve të Perëndisë. Duke kujtuar të kaluarën, e di me siguri se premtimet e Zotit, në mos ndoshta jo gjithmonë aty për aty, janë gjithmonë të sigurta.
Durimi Kërkon Besim
Brigam Jangu na mësoi se, kur dilte ndonjë gjë që ai nuk mundej ta kuptonte plotësisht, ai do t’i lutej Zotit: “Më jep durim të pres derisa të mund ta kuptoj për vete”. Dhe pastaj Brigami do të vazhdonte të lutej derisa të mund ta kuptonte5.
Ne duhet të mësojmë se, në planin e Zotit, kuptimi na vjen “rresht pas rreshti, parim pas parimi”6. Shkurt, dija dhe kuptimi paguhen me çmimin e durimit.
Shpesh luginat e thella të së tashmes sonë do t’i kuptojmë vetëm duke i shikuar rishtas më pas nga malet e përvojës sonë të ardhshme. Shpesh ne s’mund ta shohim dorën e Zotit në jetën tonë deri shumë kohë pas kalimit të sprovave. Shpeshherë kohët më të vështira të jetës sonë janë blloqe të domosdoshme ndërtimi që formojnë themelin e karakterit tonë dhe shtrojnë udhën për mundësi, kuptim dhe lumturi të ardhshme.
Durimi – një Fryt i Shpirtit7
Durimi është një cilësi e perëndishme që mund të shërojë shpirtra, të çkyçë thesarë dijeje e kuptimi dhe të shndërrojë burra e gra të zakonshëm në shenjtorë e engjëj. Durimi është vërtet një fryt i Shpirtit.
Durim do të thotë të këmbëngulim për diçka deri në fund. Do të thotë të shtyjmë për më vonë kënaqje të menjëhershme për bekime të ardhshme. Do të thotë të kontrollojmë zemërimin dhe të përmbajmë fjalën e pasjellshme. Do të thotë t’i rezistojmë të ligës, edhe kur duket se po i bën të pasur të tjerët.
Durim do të thotë të pranojmë atë që nuk mund të ndryshohet dhe ta përballojmë atë me kurajë, mirësi dhe besim. Do të thotë të jemi të “gatshëm t’u nënshtrohe[mi] të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi [ne], madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij”8. Së fundi, durim do të thotë të jemi “[të] vendosur dhe [të] qëndrueshëm dhe [të] patundur në zbatimin e urdhërimeve të Zotit”9 çdo orë të çdo dite, edhe kur është e vështirë ta bëjmë këtë. Me fjalët e Gjon Zbulesëtarit: “Këtu është qëndrueshmëria e shenjtorëve; këtu janë ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe besimin [në] Jezusin”10.
Durimi është një proces përsosjeje. Vetë Shpëtimtari tha se me durimin tuaj ju do t’i fitoni shpirtrat tuaj11. Ose, për të përdorur një tjetër përkthim të tekstit grek, me durimin tuaj ju fitoni kontrollin e plotë të shpirtrave tuaj12. Durim do të thotë të mbeteni në besim, duke e ditur se nganjëherë është më shumë pritja se marrja e përgjigjeve ajo që na rrit më tepër. Kjo qe e vërtetë në kohën e Shpëtimtarit. Është e vërtetë po ashtu në kohën tonë, sepse jemi urdhëruar në këto ditë të fundit që të “vazhdo[jmë] me durim derisa të përsose[m]i”13.
Zoti na Bekon për Durimin Tonë
Duke parafrazuar Psalmistin e lashtësisë, nëse presim me durim për Zotin, Ai do të përkulet mbi ne. Ai do t’i dëgjojë britmat tona. Ai do të na nxjerrë nga balta e moçalit dhe do t’i vendosë këmbët tona mbi shkëmb të fortë. Ai do të vërë një kantik të ri në gojën tonë dhe ne do të lëvdojmë Perëndinë tonë. Shumë njerëz rreth nesh do ta shohin këtë dhe ata do t’i besojnë Zotit.14
Vëllezër të mi të dashur, puna e durimit në thelb është kjo: mbani urdhërimet; besojini Perëndisë, Atit tonë Qiellor; shërbejini Atij me butësi dhe dashuri si ajo e Krishtit; ushtroni besim dhe shpresë tek Shpëtimtari; dhe kurrë mos u dorëzoni. Mësimet që mësojmë nga durimi, do të zhvillojnë karakterin tonë, do të lartësojnë jetën tonë dhe do të shtojnë lumturinë tonë. Ato do të na ndihmojnë të bëhemi mbajtës të denjë të priftërisë dhe dishepuj besnikë të Mësuesit tonë, Jezu Krishtit.
Është lutja ime që durimi të jetë një karakteristikë përcaktuese e neve që mbajmë priftërinë e Perëndisë të Plotfuqishëm; që ne me kurajë t’u besojmë premtimeve të Zotit dhe afateve të tij kohore; që ne do të veprojmë kundrejt të tjerëve me durimin e dhembshurinë që kërkojmë për veten tonë; dhe se ne do të vazhdojmë me durim derisa të përsosemi. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.