2010
Shërimi i të Sëmurëve
Maj 2010


Shërimi i të Sëmurëve

Ne e kemi këtë fuqi të priftërisë dhe duhet që të gjithë të jemi të përgatitur për ta përdorur atë siç duhet.

Elder Dallin H. Oaks

Në këto kohëra trazire të përbotshme, gjithnjë e më shumë njerëz të besimit po i drejtohen Zotit për bekime ngushëllimi e shërimi. Unë dëshiroj t’i flas këtij auditori të mbajtësve të priftërisë lidhur me shërimin e të sëmurëve – me anë të mjekësisë, me lutjet e besimit dhe me bekimet e priftërisë.

I.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme besojnë në praktikimin e njohurisë dhe metodave më të mira ekzistuese. Ne përdorim ushqyerjen, ushtrimet dhe praktika të tjera për ruajtjen e shëndetit dhe kërkojmë ndihmën e shëruesve profesionistë, si doktorët dhe kirurgët, për kthimin e shëndetit.

Përdorimi i shkencës mjekësore nuk bie ndesh me lutjet tona të besimit dhe mbështetjen tonë tek bekimet e priftërisë. Kur një person do të kërkonte një bekim priftërie, Brigam Jangu e pyeste: “A ke provuar ndonjë mjekim?” Atyre që thanë se jo, ngaqë “dëshirojmë që Pleqtë të vendosin duart mbi kokën tonë dhe kemi besim se do të shërohemi”, Presidenti Jang u përgjigjej: “Kjo është në mospajtim të madh me besimin tim. Në rast se jemi sëmurë dhe i kërkojmë Zotit të na bekojë e të bëjë për ne të gjitha ato që duhen bërë, sipas kuptimit që unë kam për Ungjillin e shpëtimit, unë mund t’i kërkoja Zotit gjithashtu të më rriste grurin dhe misrin pa e pluguar unë tokën e pa mbjellë farën. Mua më duket e rregullt që të përdor çdo mjekim që gjendet brenda hapësirës së dijes sime dhe [më pas] t’i kërkoja Atit Qiellor … ta shenjtëronte atë përdorim për shërimin e trupit tim.”1

Natyrisht, ne nuk presim derisa të shterin të gjitha metodat e tjera para se të lutemi me besim ose të japim bekime priftërie për shërim. Në raste urgjente, lutjet dhe bekimet vijnë të parat. Më së shpeshti, ne i ushtrojmë të gjitha përpjekjet njëkohësisht. Kjo gjë ndjek mësimet e shkrimit të shenjtë se duhet “[të lutemi] gjithmonë” (DeB 90:24) dhe se gjithçka duhet të bëhet me urtësi dhe rregull.2

II.

Dimë se lutja e besimit, e shqiptuar në vetmi ose në shtëpitë apo vendet tona të adhurimit, mund të jetë e efektshme për të shëruar të sëmurët. Shumë shkrime të shenjta tregojnë për fuqinë e besimit në shërimin e dikujt. Apostulli Jakob na mësoi se duhet “[të luteni] për njeri-tjetrin, që të shëroheni”, duke shtuar se “shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt” (Jakobi 5:16). Kur gruaja e cila e preku Jezusin, u shërua, Ai i tregoi: “Besimi yt të ka shëruar” (Mateu 9:22).3 Në ngjasim, Libri i Mormonit na mëson se Zoti “vepron nëpërmjet fuqisë, sipas besimit të fëmijëve të njerëzve” (Moroni 10:7).

Një vëzhgim mbarëkombëtar i para pak kohe zbuloi se afro 8 nga 10 amerikanë “besojnë se mrekullitë akoma ndodhin sot si në kohërat e dikurshme”. Një e treta e të vëzhguarve thanë se kishin “përjetuar ose dëshmuar një shërim hyjnor”4. Shumë shenjtorë të ditëve të mëvonshme kanë përjetuar fuqinë e besimit në shërimin e të sëmurëve. Ne gjithashtu dëgjojmë shembuj të kësaj gjëje mes njerëzve të besimit nëpër kisha të tjera. Një gazetar në Teksas përshkroi një mrekulli të tillë. Kur një vajzë pesëvjeçare pësoi vështirësi në frymëmarrje dhe e zunë ethet, prindërit e saj e çuan me nxitim në spital. Në kohën që arriti atje, veshkat dhe mushkëritë nuk funksiononin, temperatura ishte gati 42 gradë dhe trupi i qe skuqur fort e mbulohej nga lezione të purpurta. Mjekët thanë që ajo po vdiste nga sindroma e shokut toksik, shkaku qe i panjohur. Ndërkohë që fjala përhapej tek familja dhe miqtë, njerëz që i druhen Perëndisë filluan të luteshin për të dhe një shërbesë e veçantë lutjeje u zhvillua në bashkësinë e tyre protestante në Uako të Teksasit. Mrekullisht, ajo papritur u kthye sërish nga buza e vdekjes dhe u nxor nga spitali në pak më shumë se një javë. Gjyshi i saj shkruante: “Ajo është dëshmi e gjallë se Perëndia u përgjigjet lutjeve dhe kryen mrekulli”5.

Vërtet, sikurse mëson Libri i Mormonit, Perëndia “u shfaqet të gjithë atyre që besojnë në të, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë; po, çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli, duke bërë mrekulli të mëdha … mes fëmijëve të njerëzve, sipas besimit të tyre” (2Nefi 26:13).

III.

Për këtë auditor – me të rritur që mbajnë Priftërinë Melkizedeke dhe të rinj që shpejt do ta marrin këtë fuqi – unë do t’i përqendroj komentet e mia mbi bekimet shëruese të cilat përfshijnë fuqinë e priftërisë. Ne e kemi këtë fuqi të priftërisë dhe duhet që të gjithë të jemi të përgatitur për ta përdorur atë siç duhet. Shtimi i tanishëm i fatkeqësive natyrore dhe i sfidave financiare tregon që do të na nevojitet kjo fuqi madje edhe më shumë në të ardhmen se në të kaluarën.

Shumë shkrime të shenjta mësojnë që shërbëtorët e Zotit “do t’i vënë duart mbi të sëmurët dhe këta do të shërohen” (Marku 16:18).6 Ndodhin mrekulli kur përdoret autoriteti i priftërisë për të bekuar të sëmurët. Unë i kam përjetuar këto mrekulli. Në moshën djaloshare dhe burrërore unë kam parë shërime aq të mrekullueshme, sa cilëtdo që shënohen në shkrimet e shenjta, dhe kështu kanë parë shumë nga ju.

Janë pesë pjesë në përdorimin e autoritetit të priftërisë për të bekuar të sëmurët: 1) vajosja, 2) vulosja e vajosjes, 3) besimi, 4) fjalët e bekimit dhe 5) vullneti i Zotit.

Vajosja

Dhiata e Vjetër e përmend shpesh vajosjen me vaj, si pjesë e një bekimi të dhënë me anë të autoritetit të priftërisë.7 Bëhet e ditur se vajosjet ishin për shenjtërim8 e ndoshta edhe mund të shihen si një gjë simbolike për bekimet që do të derdhen nga qielli si rezultat i këtij veprimi të shenjtë.

Në Dhiatën e Re ne lexojmë se Apostujt e Jezusit “vajosnin me vaj shumë të lëngatë dhe i shëronin” (Mark 6:13). Libri i Jakobit mëson për rolin e vajosjes në marrëdhënie me pjesët e tjera përbërëse të një bekimi shërimi me anë të autoritetit të priftërisë:

“A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit:

dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë” (Jakobi 5:14–15).

Vulosja e Vajosjes

Kur dikush është vajosur me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke, vajosja vuloset me anë të të njëjtit autoritet. Të vuloset diçka, do të thotë të pohohet, të bëhet e detyrueshme për qëllimin e caktuar. Kur pleqtë vajosin një të sëmurë dhe e vulosin vajosjen, ata hapin dritaret e qiellit që Zoti të derdhë bekimin që Ai dëshiron për personin që vuan.

Presidenti Brigam Jang na mësoi: “Kur vendos duart mbi të sëmurët, unë pres që fuqia dhe ndikimi shërues i Perëndisë të kalojë përmes meje tek pacienti dhe që sëmundja të sprapset… . Kur jemi të përgatitur, kur jemi vazo të shenjta para Zotit, një rrjedhë fuqie prej të Plotfuqishmit do të kalojë përmes tabernakullit trupor të administruesit tek organizmi i pacientit, dhe të sëmurët shërohen… .”9

Megjithëse dimë shumë raste në të cilat personat e bekuar me autoritetin e priftërisë janë shëruar, rrallëherë i përmendim këto shërime në mbledhje publike, ngaqë zbulesa moderne na paralajmëron të mos “[mburremi] për këto gjëra as t’i [themi] ato përpara botës; sepse këto gjëra ju jepen juve për përfitimin tuaj dhe për shpëtim” (DeB 84:73).

Besimi

Besimi është i domosdoshëm për shërimin me anë të fuqive të qiellit. Libri i Mormonit madje mëson se “po të mos ketë besim mes fëmijëve të njerëzve, Perëndia nuk mund të bëjë mrekulli mes tyre” (Ethëri 12:12).10 Në një bisedë të shquar në lidhje me administrimin e të sëmurëve, Presidenti Spenser W. Kimball tha: “Nevoja për besim shpeshherë nënvlerësohet. I sëmuri dhe familja e tij shpesh duken sikur varen plotësisht tek fuqia e priftërisë dhe tek dhurata e shërimit të cilën ata shpresojnë se mund të kenë vëllezërit që administrojnë, mirëpo përgjegjësia më e madhe është tek ai i cili bekohet… . Elementi më kryesor është besimi i njeriut, kur ai person është i vetëdijshëm e i përgjegjshëm. ‘Besimi yt të ka shëruar’ [Mateu 9:22] përsëritej nga Mjeshtri aq shpesh, sa pothuajse u bë një refren.”11

Presidenti Kimball madje këshilloi që “administrimet mjaft të përsëritura mund të jenë një tregues i mungesës së besimit apo i përpjekjes së të sëmurit për t’ua përcjellë përgjegjësinë e zhvillimit të besimit më shumë pleqve, sesa vetvetes”. Ai tregoi për një motër besimplote e cila mori një bekim të priftërisë. Kur u pyet të nesërmen nëse dëshironte të merrte sërish një administrim, ajo u përgjigj: “Jo, unë u vajosa dhe mora administrim. Ordinanca është e kryer. Tani më përket mua ta marr bekimin nëpërmjet besimit tim.”12

Fjalët e Bekimit

Një tjetër pjesë e bekimit të priftërisë janë fjalët e bekimit që shprehen nga personi me detyrën e plakut, mbasi vulos vajosjen. Këto fjalë mund të jenë shumë të rëndësishme, por përmbajtja e tyre nuk është thëlbësore dhe nuk regjistrohet në dokumentet e Kishës. Në disa bekime të priftërisë – si bekimi patriarkal – fjalët e shprehura janë thelbi i bekimit. Por në një bekim shërimi, janë pjesët e tjera të bekimit – vajosja, vulosja, besimi dhe vullneti i Zotit – ato që janë elementet thelbësore.

Në mënyrën ideale, plaku i cili kryen shërbesën, do të jetë aq në harmoni me Shpirtin e Zotit, saqë do të dijë dhe do ta shprehë vullnetin e Zotit në fjalët e bekimit. Brigam Jangu u mësonte mbajtësve të priftërisë: “Për ju është privilegj dhe detyrë të jetoni në mënyrë të tillë që të dini se kur fjala e Zotit ju thuhet dhe kur mendja e Zotit ju zbulohet”13. Kur ndodh kjo gjë, bekimi i shprehur plotësohet fjalë për fjalë dhe mrekullisht. Në disa raste të shkëlqyera e kam përjetuar atë siguri frymëzimi në bekimin e shërimit dhe kam ditur se ajo që po shprehja ishte vullneti i Zotit. Megjithatë, ashtu si shumica e atyre që kryejnë një bekim shërimi, jam përpjekur shpesh të mposht pasigurinë në fjalët që duhet të thoja. Për një larmi shkaqesh, çdo plak përjeton rritje dhe zbritje të nivelit të ndjeshmërisë së tij ndaj shtysave të Shpirtit. Kushdo nga pleqtë që jep një bekim, është subjekt për të ndikuar me atë që ai vetë dëshiron për personin që vuan. Secila nga këto e të tjera papërsosmëri të jetës në vdekshmëri, mund të ndikojnë mbi fjalët që shprehim.

Fatmirësisht, fjalët e shprehura në një bekim shërimi nuk janë thelbësore në efektin e tij shërues. Në rast se besimi është i mjaftueshëm dhe nëse dëshiron Zoti, personi që vuan do të shërohet ose do të bekohet, i thëntë ose jo ato fjalë zbatuesi i bekimit. Anasjelltas, nëse zbatuesi shkon pas dëshirës vetjake ose papërvojës dhe jep urdhra apo fjalë bekimi në tejkalim të asaj që Zoti zgjedh të japë sipas besimit të individit, ato fjalë nuk do të përmbushen. Rrjedhimisht, vëllezër, asnjë nga pleqtë nuk duhet të ngurrojë të marrë pjesë në një bekim shërimi nga frika se mos nuk do të dijë çfarë të thotë. Fjalët e shprehura në një bekim shërimi mund ta ngrenë e ta gjallërojnë besimin e njerëzve që i dëgjojnë ato, por efekti i bekimit varet nga besimi dhe vullneti i Zotit, jo nga fjalët e shprehura nga plaku që kreu shërbesën.

Vullneti i Zotit

Djem të rinj dhe burra më të rritur, ju lutem të tregoni vëmendje të veçantë për atë që do të them tani. Ndërsa ushtrojmë fuqinë e padyshimtë të priftërisë së Perëndisë dhe ndërsa e ruajmë si thesar premtimin e Tij që Ai do të dëgjojë e do t’i përgjigjet lutjes së bërë me besim, ne duhet të mbajmë mend se besimi dhe fuqia shëruese e priftërisë nuk mund të sjellin një rezultat të kundërt me vullnetin e Atij e të cilit është priftëria. Ky parim mësohet në zbulesën që udhëzon se pleqtë e Kishës do t’i vënë duart mbi të sëmurët. Premtimi i Zotit është se “ai që ka besim në mua për t’u shëruar dhe nuk caktohet për vdekjen, do të shërohet” (DeB 42:48; kursivet janë theksime). Në ngjasim me këtë, në një tjetër zbulesë moderne Zoti shpall që, kur dikush “kërkon sipas vullnetit të Perëndisë … , do të bëhet ashtu si ai kërkon” (DeB 46:30).14

Prej gjithë kësaj kuptojmë që edhe shërbëtorët e Zotit, duke ushtruar fuqinë e Tij hyjnore në një rrethanë ku ka besim të mjaftueshëm për t’u shëruar, nuk mund të japin një bekim të priftërisë i cili do t’i sjellë shërim një personi, nëse ai shërim nuk është vullneti i Zotit.

Si fëmijë të Perëndisë, që njohim dashurinë e Tij të madhe dhe diturinë maksimale se çfarë është më e mira për mirëqenien tonë të përjetshme, ne i mirëbesojmë Atij. Parimi i parë i ungjillit është besimi tek Zoti Jezu Krishti, dhe besim do të thotë mirëbesim. E ndjeva atë mirëbesim në bisedën që një kushëri i imi dha në funeralin e një vajze adoleshente e cila kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë. Ai tha këto fjalë, të cilat në fillim më tronditën e më pas më ngritën në shpirt: “Unë e di se ishte vullneti i Zotit që ajo të vdiste. Asaj iu dha trajtim i mirë mjekësor. Iu dhanë bekime të priftërisë. Emri i saj qe në listën e lutjeve në tempull. Ajo u bë tema e qindra lutjeve për rikthimin e shëndetit të saj. Dhe unë e di se ka mjaft besim në këtë familje saqë ajo do të ishte shëruar, po të mos ishte vullneti i Zotit që ta merrte në shtëpi në këtë kohë.” Po atë mirëbesim e ndjeva në fjalët e babait të një tjetër vajze të zgjedhur, jeta e së cilës u mor nga kanceri në moshën e saj të të dhjetave. Ai shprehu: “Besimi i familjes sonë është tek Jezu Krishti dhe nuk varet nga rezultatet”. Ato mësime mua më tingëllojnë të vërteta. Bëjmë gjithçka që mundim për shërimin e një njeriu të dashur dhe pastaj ia besojmë rezultatin Zotit.

Dëshmoj për fuqinë e priftërisë së Perëndisë, për fuqinë e lutjes me besim dhe për të vërtetën e këtyre parimeve. Më së shumti, unë dëshmoj për Zotin Jezu Krishti, shërbëtorë të të cilit jemi, Ringjallja e të cilit na jep garantimin e pavdekësisë dhe Shlyerja e të cilit na jep mundësinë për jetë të përjetshme, më të madhen e të gjitha dhuratave të Perëndisë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Discourses of Brigham Young, përzgj. John A. Widtsoe (1954), f. 163.

  2. Shih Mosia 4:27.

  3. Shih edhe Marku 10:46–52; Lluka 18:35–43.

  4. U.S. Religious Landscape Survey: Religious Beliefs and Practices: Diverse and Politically Relevant (The Pew Forum on Religion and Public Life, qershor 2008), f. 34, f. 54, http://religions.pewforum.org/ reports#.

  5. Shih Steve Blow, “Sometimes, ‘Miracles’ Are Just That”, Dallas Morning News, 30 janar 2000, 31A.

  6. Shih edhe Mateu 9:18; Marku 5:23; 6:5; 7:32–35; 16:18; Lluka 4:40; Veprat e Apostujve 9:12, 17; 28:8; Doktrina e Besëlidhje 42:44, 48; 66:9.

  7. Shih, për shembull, Eksodi 28:41; 1 Samueli 10:1; 16:13; 2 Samueli 5:3.

  8. Shih Levitiku 8:10–12.

  9. Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), 252; shih edhe Russell M. Nelson, “Neither Trust in the Arm of Flesh”, Liahona, mars 2010, f. 40; Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 474.

  10. Shih edhe 1 Nefi 7:12; Doktrina e Besëlidhje 35:9.

  11. “President Kimball Speaks Out on Administration to the Sick”, Tambuli, gusht 1982, f. 36–37.

  12. Tambuli, gusht 1982, f. 36.

  13. Teachings: Brigham Young, f. 68.

  14. Shih edhe 1 Gjoni 5:14; Helamani 10:5.