2010
Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta
Maj 2010


Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta

Qëllimi kryesor i gjithë shkrimit të shenjtë është që të mbushë shpirtin tonë me besim tek Perëndia Atë dhe tek Biri i Tij, Jezu Krishti.

Elder D. Todd Christofferson

Më 6 tetor të vitit 1536, një person në një gjendje për t’u mëshiruar u nxor nga një birucë e kështjellës Vilvorde, pranë Brukselit në Belgjikë. Prej afro një viti e gjysmë ai njeri kishte vuajtur izolimin në një qeli të errët e të lagësht. Tashmë jashtë murit të kështjellës, të burgosurin e lidhën në një shtyllë. Pati kohë të thoshte me zë të lartë lutjen e tij të fundit: “Zot! Hapja sytë mbretit të Anglisë” dhe atë e mbytën. Menjëherë trupin e tij e dogjën tek shtylla. Kush ishte ky njeri dhe çfarë qe krimi për të cilin e patën dënuar edhe autoritetet politike, edhe ato kishtare? Emrin e kishte Uiliam Tindel dhe krimi i tij qe se kishte përkthyer dhe botuar në anglisht Biblën.

Tindeli, i lindur në Angli rreth kohës që Kolombi lundroi drejt botës së re, u arsimua në Oksford dhe Kembrixh dhe më pas u bë pjesëtar i klerit katolik. Fliste rrjedhshëm në tetë gjuhë, përfshirë greqishten, hebraishten dhe latinishten. Tindeli ishte një studiues i përkushtuar i Biblës dhe padituria e përhapur që ai vërente për shkrimet e shenjta, si tek pritftërinjtë, ashtu dhe tek populli i thjeshtë, e mundonte thellë. Në një debat të nxehtë me një klerik i cili kundërshtonte vënien e shkrimeve të shenjta në duart e njeriut të thjeshtë, Tindeli u betua: “Në më kurseftë jetën Perëndia, shumë vite para se të vdes, unë do të bëj që një djalë i cili nget parmendën, të dijë më shumë nga shkrimi i shenjtë, sesa di ti!”

Ai kërkoi miratimin e autoriteteve kishtare që të përgatiste një përkthim të Biblës në anglisht, në mënyrë që të gjithë ta lexonin e ta zbatonin fjalën e Perëndisë. Kjo iu mohua, ngaqë mbizotëronte pikëpamja se përdorimi i drejtpërdrejtë i shkrimeve të shenjta nga kushdo tjetër veç klerit, kërcënonte autoritetin e kishës dhe ishte njëlloj si të hidhje “margaritarët para derrave” (Mateu 7:6).

Tindeli, megjithatë, e ndërmori punën e mundimshme të përkthimit. Më 1524 ai udhëtoi drejt Gjermanisë, me një emër të rremë, ku për shumë kohë jetoi i fshehur nën kërcënimin e vazhdueshëm të arrestimit. Me ndihmën e miqve të zotuar, Tindeli qe në gjendje të botonte përkthimet anglisht të Dhiatës së Re dhe më vonë të Dhiatës së Vjetër. Biblat u futën fshehurazi në Angli, ku ato ishin shumë të kërkuara dhe shumë të çmueshme për ata që mund t’i merrnin. Ato qarkullonin gjerësisht, por në fshehtësi. Autoritetet i digjnin të gjitha kopjet që arrinin të gjenin. Megjithatë, brenda tre viteve nga vdekja e Tindelit, Perëndia vërtet ia hapi sytë Mbretit Henri VIII dhe, me botimin e asaj që u quajt “Bibla e Madhe”, shkrimet e shenjta në Angli filluan të ekzistonin publikisht. Puna e Tindelit u bë themeli i thuajse të gjitha përkthimeve të ardhshme të Biblës në anglisht, më veçanërisht i Variantit të Mbretit Xhejms1.

Uiliam Tindeli nuk ishte i pari, as i fundit, i atyre të cilët në shumë vende dhe gjuhë kanë sakrifikuar, madje deri në pikën e vdekjes, për ta nxjerrë nga terri fjalën e Perëndisë. Të gjithë atyre u kemi një borxh të madh mirënjohjeje. Ndoshta u kemi një borxh edhe më të madh atyre të cilët me besnikëri i shënuan dhe i ruajtën fjalët nëpër epoka, shpesh me punë të mundimshme dhe sakrificë – Moisiut, Isaias, Abrahamit, Gjonit, Palit, Nefit, Mormonit, Jozef Smithit dhe shumë të tjerëve. Çfarë dinin ata për rëndësinë e shkrimeve të shenjta, që nevojitet të dimë edhe ne? Çfarë kuptuan njerëzit në Anglinë e shekullit të 16-të, të cilët paguan shuma mjaft të larta parash dhe morën përsipër rreziqe serioze që të arrinin të përdornin Biblën, gjë që duhet ta kuptojmë edhe ne?

Jo shumë kohë përpara vdekjes, profeti Alma ia besoi birit të tij Helaman analet e shenjta të popullit. Ai i rikujtoi Helamanit se shkrimet e shenjta kishin “zgjeruar kujtesën e këtij populli, po, dhe kanë bindur shumë nga ata për gabimin e udhëve të tyre dhe i kanë sjellë ata në njohurinë e Perëndisë së tyre deri në shpëtimin e shpirtrave të tyre” (Alma 37:8). Ai e urdhëroi Helamanin t’i ruante analet, që përmes tyre Perëndia “t’u tregojë brezave të ardhshëm fuqinë e tij” (Alma 37:14).

Nëpërmjet shkrimeve të shenjta Perëndia vërtet “[tregon] … fuqinë e tij” për të shpëtuar dhe ekzaltuar fëmijët e Tij. Me anë të fjalës së Tij, sikurse tha Alma, Ai zgjeron kujtesën tonë, hedh dritë mbi pavërtetësinë dhe gabimin e na shtyn të pendohemi dhe të gëzojmë për Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë.

Shkrimet e Shenjta Zgjerojnë Kujtesën Tonë

Kujtesën tonë shkrimet e shenjta e zgjerojnë duke na ndihmuar që përherë të kujtojmë Zotin dhe marrëdhënien tonë me Të dhe me Atin. Na rikujtojnë për ato që dinim në jetën paratokësore. Dhe kujtesën tonë ato e zgjerojnë në një kuptim tjetër, duke na mësuar në lidhje me epoka, njerëz dhe ngjarje që nuk i përjetuam vetë. Asnjë nga ne nuk qe i pranishëm që të shihte të ndarë Detin e Kuq dhe të kalonte me Moisiun mes mureve prej uji deri në anën tjetër. Ne nuk qemë atje ta dëgjonim Predikimin në Mal, të shihnim Llazarin të ngritur së vdekuri, të shihnim Shpëtimtarin që vuante në Gjetseman e në kryq dhe as nuk dëgjuam tok me Marien dy engjëjt që tek varri i zbrazur dëshmonin se Jezusi u ngrit së vdekuri. Ju edhe unë nuk shkuam një nga një përpara tok me turmën në vendin e Begatisë, të ftuar nga Shpëtimtari i ringjallur të preknim shenjat e gozhdëve e duke larë në lot këmbët e Tij. Nuk u përkulëm në gjunjë pranë Jozef Smithit në Korijen e Shenjtë dhe atje të vështronim lart Atin dhe Birin. Megjithatë, ne i dimë të gjitha këto gjëra dhe shumë e shumë të tjera, sepse kemi dokumentin e shkrimit të shenjtë për zgjerimin e kujtesës sonë, për mësimin e asaj që nuk dinim. Dhe kur këto gjëra përshkojnë mendjen dhe zemrën tonë, besimi ynë tek Perëndia dhe Biri i Tij i Dashur zë rrënjë.

Kujtesën tonë shkrimet e shenjta gjithashtu e zgjerojnë duke na ndihmuar të mos harrojmë ato që ne dhe brezat e mëparshëm kemi mësuar. Ata që ose nuk e kanë, ose e shpërfillin fjalën e dokumentuar të Perëndisë, përfundimisht pushojnë së besuari në Të dhe e harrojnë qëllimin e ekzistencës së tyre. Juve do t’ju kujtohet sa e rëndësishme qe për njerëzit e Lehit t’i merrnin me vete fletët prej tunxhi kur ikën nga Jeruzalemi. Këto shkrime të shenjta ishin në thelb të njohurisë së tyre për Perëndinë dhe Shëlbimin e ardhshëm të Krishtit. Grupi tjetër që “doli nga Jeruzalemi” pak kohë mbas Lehit, nuk kishte shkrime të shenjta dhe, kur pasardhësit e Lehit u takuan me ta afro 300 a 400 vjet më vonë, shënohet që “gjuha e tyre ishte bërë e prishur; … dhe ata mohonin qenien e Krijuesit të tyre” (Omni 1:15, 17).

Në kohën e Tindelit, padituria mbi shkrimet e shenjta gëlonte sepse njerëzit nuk mund ta gjenin Biblën, sidomos në një gjuhë që mund ta kuptonin. Sot Biblën dhe shkrime të shenjta të tjera i kemi thuajse tek dora, por ende ka një analfabetizëm në rritje lidhur me to, ngaqë njerëzit nuk i hapin librat. Rrjedhimisht, ata kanë harruar gjëra që gjyshërit e tyre i dinin.

Shkrimet e Shenjta Janë Etaloni për Dallimin e së Vërtetës dhe të Gabimit

Perëndia e përdor shkrimin e shenjtë për të ndrequr mendimin e gabuar, traditat e pavërteta dhe mëkatin tok me ndikimet e tij rrënuese. Ai është një prind i dhimbsur i cili na kursen vuajtjen dhe pikëllimin e panevojshëm dhe njëkohësisht na ndihmon të arrijmë potencialin tonë hyjnor. Shkrimet e shenjta, për shembull, zhvlerësojnë një filozofi të lashtë që ka rifituar popullaritet në kohën tonë – filozofinë e Korihorit se nuk ka standarde morale absolute, se “çdo njeri [përparon] sipas gjenisë së tij dhe se çdo njeri [fiton] sipas fuqisë së tij; dhe çdo gjë që një njeri [bën nuk është] krim” dhe se, “kur njeriu vdes, çdo gjë mbaron për të” (Alma 30:17–18). Alma, i cili qe ndeshur me Korihorin, nuk e la në mëdyshje të birin Korianton rreth së vërtetës dhe përmbajtjes së një ligji moral hyjnor. Koriantoni kishte qenë në faj për mëkat seksual dhe ati i tij i foli me dashuri, por hapur: “A nuk e di, biri im, se këto gjëra janë një neveri në pamjen e Zotit; po, më të neveritshme mbi të gjitha mëkatet e tjera, me përjashtim të gjakderdhjes së një të pafajshmi, ose të mohimit të Frymës së Shenjtë? (Alma 39:5.)

Në qëndrim krejt të kundërt me atë të një shekulli më parë, sot shumëkush do ta kundërshtonte Almën lidhur me seriozitetin e imoralitetit. Të tjerë do të argumentonin se gjithçka është relative apo që dashuria e Perëndisë është tolerante. Nëse ka Perëndi, thonë ata, Ai i shfajëson të gjitha mëkatet dhe prapësitë për shkak të dashurisë që ka për ne – nuk ka nevojë për pendim. Ose, e shumta, një rrëfim i thjeshtë mjafton. Ata kanë përfytyruar një Jezus i cili do që njerëzit të punojnë për drejtësi shoqërore, por që nuk ka kërkesa mbi jetën dhe sjelljen e tyre vetjake.2 Por një Perëndi dashurie nuk na lë që ne të mësojmë nga përvoja e trishtë se “ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi” (Alma 41:10; shih edhe Helamani 13:38). Urdhërimet e Tij janë zëri i realitetit dhe mbrojtje për ne ndaj dhimbjes së vetëshkaktuar. Shkrimet e shenjta janë gur prove për matjen e korrektësisë e të vërtetës dhe tregojnë qartë që lumturia e vërtetë nuk qëndron tek mohimi i drejtësisë së Perëndisë apo te përpjekja për të anashkaluar pasojat e mëkatit, por tek pendimi dhe falja nëpërmjet hirit shlyes të Birit të Perëndisë (shih Alma 42).

Shkrimi i shenjtë na mëson në parime dhe vlera morale që janë të domosdoshme për mbajtjen e shoqërisë civile, duke përfshirë integritetin, përgjegjshmërinë, vetëmohimin, besnikërinë dhe dashurinë hyjnore. Në shkrimin e shenjtë ne gjejmë portretizime të gjalla për bekime që vijnë nga nderimi i parimeve të vërteta si edhe për tragjedi që ndodhin kur njerëzit dhe qytetërimet i flakin ato. Atje ku të vërtetat e shkrimeve të shenjta shpërfillen ose braktisen, themeli kryesor moral i shoqërisë shpërbëhet dhe kalbëzimi vjen fill nga pas. Me kohë, nuk mbetet asgjë që të mbështesë institucionet që përkrahin shoqërinë.

Shkrimet e Shenjta Na Sjellin te Krishti, Shëlbuesi Ynë

Në fund, qëllimi kryesor i gjithë shkrimit të shenjtë është që të mbushë shpirtin tonë me besim tek Perëndia Atë dhe tek Biri i Tij, Jezu Krishti – besim që Ata ekzistojnë; besim tek plani i Atit për pavdekësinë dhe jetën tonë të përjetshme; besim tek Shlyerja dhe Ringjallja e Jezu Krishtit, që i jep jetë këtij plani të lumturisë; besim që ta bëjmë ungjillin e Jezu Krishtit mënyrë jetese; dhe besimin që të arrijmë të njohim “të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që [Ai ka] dërguar” (Gjoni 17:3).

Fjala e Perëndisë, sikurse tha Alma, është si një farë e mbjellë në zemrën tonë, që prodhon besim ndërsa fillon të rritet brenda nesh (shih Alma 32:27–43; shih edhe Romakëve 10:13–17). Besimi nuk do të vijë nga studimi i teksteve të lashta si një kërkim thjesht akademik. Nuk do të vijë nga gërmime dhe zbulime arkeologjike. Nuk do të vijë nga eksperimente shkencore. Madje nuk do të vijë as nga dëshmimi i mrekullive. Këto gjëra mund të shërbejnë për të përforcuar besimin ose, nganjëherë, për t’i bërë sfidë atij, por nuk krijojnë besim. Besimi vjen nga dëshmia e Shpirtit të Shenjtë tek shpirti ynë, Shpirti ndaj shpirtit, ndërsa dëgjojmë ose lexojmë fjalën e Perëndisë. Dhe besimi piqet ndërsa ne vazhdojmë të ushqehemi me bollëk me fjalën.

Rrëfimet e shkrimeve të shenjta për besimin e të tjerëve, shërbejnë për të forcuar tonin. Ne sjellim ndër mend besimin e një centurioni, që i mundësoi Krishtit t’ia shëronte shërbëtorin edhe pa e parë atë (shih Mateu 8:5–13), dhe shërimin e vajzës së një gruaje johebreje, sepse ajo nënë e përulur do të pranonte, si të thuash, edhe thërrimet nga tryeza e Mjeshtrit (shih Mateu 15:22–28; Marku 7:25–30). Ne dëgjojmë thirrjen e Jobit që vuan: “Ja, ai do të më vrasë, nuk kam më shpresë” (Jobi 13:15) – dhe duke shprehur: “Unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë … [dhe] në mishin tim do të shoh Perëndinë” (Jobi 19:25–26). Dëgjojmë dhe marrim kurajë nga vendosmëria e një djaloshi profet, i urryer dhe i përndjekur hidhur nga shumë të rritur: “Unë kisha parë një vegim; unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja, as nuk guxoja ta bëja atë” (Joseph Smith – Historia 1:25).

Ngaqë parashtrojnë doktrinën e Krishtit, shkrimet e shenjta shoqërohen prej Shpirtit të Shenjtë, roli i të cilit është që të japë dëshmi për Atin dhe Birin (shih 3 Nefi 11:32). Prandaj, leximi i shkrimeve të shenjta është një mënyrë si ne marrim Frymën e Shenjtë. Natyrisht, shkrimi i shenjtë, në radhë të parë, është i dhënë përmes Frymës së Shenjtë (shih 2 Pjetri 1:21; DeB 20:26–27; 68:4) dhe po i njëjti Shpirt mund t’jua dëshmojë të vërtetën e shkrimit juve dhe mua. Studiojini shkrimet e shenjta me kujdes, me qëllimin për t’i studiuar. Mendohuni dhe lutuni lidhur me to. Shkrimet e shenjta janë zbulesë dhe ato do të sjellin zbulesë shtesë.

Merrni në konsideratë madhësinë e bekimit tonë që kemi Biblën e Shenjtë dhe afro 900 faqe të tjera shkrimi të shenjtë, që përfshijnë Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Më pas merrni në konsideratë, veç kësaj, fjalët e profetëve të thëna siç nxiten nga Fryma e Shenjtë në mjedise si ky këtu, që Zoti i quan shkrim të shenjtë (shih DeB 68:2–4), të cilat rrjedhin drejt nesh pothuaj vazhdimisht nëpërmjet televizionit, radios, internetit, satelitit, disqeve CD e DVD dhe shtypshkrimeve. Mendoj se kurrë gjatë historisë nuk ka qenë bekuar një popull me një sasi të tillë shkrimi të shenjtë. Dhe jo vetëm kjo, por çdo burrë, grua e fëmijë mund të ketë e të studiojë librin vetjak të këtyre teksteve të shenjta, shumicën në gjuhën e vet. Sa e pabesueshme do t’u jetë dukur një gjë e tillë njerëzve të kohës së Uiliam Tindelit dhe shenjtorëve të periudhave ungjillore të mëparshme! Me siguri, me këtë bekim Zoti po na thotë se nevoja që kemi për përdorimin e vazhdueshëm të shkrimeve të shenjta, është më e madhe se në çdo kohë të mëparshme. Qoftë e mundur që të ushqehemi vazhdimisht me bollëk mbi fjalët e Krishtit, të cilat do të na tregojnë gjithçka që ne duhet të bëjmë (shih 2 Nefi 32:3). Unë i kam studiuar shkrimet e shenjta, i kam menduar thellë shkrimet e shenjta dhe, në këtë kohë Pashke, ju jap dëshminë time për Atin dhe Birin, sikurse Ata zbulohen tek shkrimet e shenjta, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

SHËNIME

  1. Burimet që vijojnë u morën si referim për informacion mbi Uiliam Tindelin: David Daniell, The Bible in English (2003), f. 140–157; Lenet Hadley Read, How We Got the Bible (1985), f. 67–74; S. Michael Wilcox, Fire in the Bones: William Tyndale – Martyr, Father of the English Bible (2004); John Foxe, The New Foxe’s Book of Martyrs (1997), f. 121–133; “William Tyndale”, http://en.wikipedia.org/wiki/ William_Tyndale; hulumtuar më 28 shkurt 2010. Bible Dictionary, “Bible, English”.

  2. Shih intervistën e Richard Neitzel Holzapfel, në Michael De Groote, “Questioning the Alternative Jesus”, Deseret News, 26 nëntor 2009, f. M5.