2021
Bashkëbisedimet Thelbësore
maj 2021


11:24

Bashkëbisedimet Thelbësore

Ne nuk mund të presim që kthimi në besim thjesht t’u ndodhë fëmijëve tanë. Kthimi në besim rastësor nuk është një parim i ungjillit të Jezu Krishtit.

A e keni pyetur ndonjëherë veten përse e quajmë Filloren “Fillore”? Ndërkohë që emri i drejtohet të mësuarit shpirtëror që fëmijët e marrin në vitet e tyre më të hershme, për mua ai është edhe një kujtues i një të vërtete të fuqishme. Për Atin tonë Qiellor, fëmijët nuk kanë qenë kurrë dytësorë – ata kanë qenë gjithmonë parësorë.1

Ai na mirëbeson se do t’i vlerësojmë, respektojmë dhe mbrojmë ata si fëmijë të Perëndisë. Kjo do të thotë që ne kurrë nuk i dëmtojmë ata fizikisht, gojarisht apo emocionalisht në çfarëdo mënyre, edhe kur janë të larta tensionet dhe trysnitë. Përkundrazi, ne i quajmë me vlerë fëmijët dhe bëjmë gjithçka mundemi për të luftuar ligësitë e keqtrajtimit. Kujdesi për ta është parësor për ne – sikurse është për Të.2

Një nënë dhe një baba, të rinj në moshë, u ulën tek tavolina në kuzhinë duke shqyrtuar ditën e tyre. Nga korridori dëgjuan një zhurmë të mbytur. Nëna tha: “Çfarë ndodhi?”

Pastaj dëgjuan një të qarë të butë që vinte nga dhoma e gjumit e djalit të tyre katërvjeçar. Me nxitim vrapuan nëpër korridor. Ja tek ishte ai, i shtrirë në dysheme pranë shtratit të tij. Nëna e mori në duar vogëlushin dhe e pyeti se çfarë kishte ndodhur.

Ai tha: “Rashë nga shtrati”.

Ajo tha: “Përse re nga shtrati?”

Ai mblodhi supet dhe tha: “Nuk e di. Ndoshta nuk kisha hyrë brenda sa duhet.”

Është rreth frazës të “hysh brenda sa duhet” që do të doja të flisja këtë mëngjes. Është privilegji dhe përgjegjësia jonë që t’i ndihmojmë fëmijët të “hy[jnë] brenda sa duhet” në ungjillin e Jezu Krishtit. Dhe nuk është kurrë tepër herët për ta filluar këtë.

Ka një kohë të veçantë e të pashoqe në jetën e fëmijëve kur ata janë të mbrojtur nga ndikimi i Satanit. Ajo është një kohë kur ata janë të pafajshëm dhe pa mëkate.3 Ajo është një kohë e shenjtë për prindin dhe fëmijën. Fëmijëve duhet t’u jepet mësim, me anë të fjalës dhe shembullit, përpara dhe pasi të kenë “arritur vitet e përgjegjshmërisë përpara Perëndisë”4.

Presidenti Henri B. Ajring na mësoi: “Ne kemi mundësinë më të madhe me të vegjlit. Koha më e mirë për t’i mësuar është herët, ndërsa fëmijët janë akoma të imunizuar prej tundimeve të armikut vdekjeprurës dhe shumë më përpara se fjalët e së vërtetës të jenë më të vështira për t’u dëgjuar prej tyre në zhurmën e betejave të tyre vetjake.”5 Kjo mësimdhënie do t’i ndihmojë ata ta kuptojnë identitetin e tyre hyjnor, qëllimin e tyre dhe bekimet e pasura që i presin kur bëjnë besëlidhje të shenjta dhe marrin ordinanca përgjatë shtegut të besëlidhjeve.

Ne nuk mund të presim që kthimi në besim thjesht t’u ndodhë fëmijëve tanë. Kthimi në besim rastësor nuk është një parim i ungjillit të Jezu Krishtit. Bërja si Shpëtimtari ynë nuk do të ndodhë rastësisht. Të qenit të qëllimshëm në shprehjen e dashurisë, mësimdhënien dhe dhënien e dëshmisë, mund t’i ndihmojë fëmijët të fillojnë që në moshë të vogël që ta ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë është thelbësor për dëshminë për Jezu Krishtin dhe kthimin në besimin tek Ai të fëmijëve tanë; ne dëshirojmë që ata “gjithmonë [ta] kujtojnë atë, që të mund të kenë Shpirtin e tij me ta”6.

Bashkëbisedim familjar

Merreni parasysh vlerën e bashkëbisedimeve familjare rreth ungjillit të Jezu Krishtit, bashkëbisedimeve thelbësore, që mund të ftojnë Shpirtin. Kur kemi bashkëbisedime të tilla me fëmijët tanë, ne i ndihmojmë ata që të krijojnë një themel, “që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se [ata] ndërtojnë, nuk mund të bien”7. Kur e forcojmë një fëmijë, ne forcojmë familjen.

Këto diskutime jetike mund t’i bëjnë fëmijët:

  • Ta kuptojnë doktrinën e pendimit.

  • Të kenë besim te Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.

  • Të zgjedhin pagëzimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë kur mbushin tetë vjeç.8

  • Dhe të luten dhe “të ecin drejt përpara Zotit”9.

Shpëtimtari dha nxitjen: “Si rrjedhim, unë të jap një urdhërim, t’ua mësosh këto gjëra lirisht fëmijëve të tu”10. Dhe për çfarë donte Ai që ne të jepnim mësim kaq lirisht?

  1. Rënien e Adamit

  2. Shlyerjen e Jezu Krishtit

  3. Rëndësinë e të lindurit përsëri11

Plaku D. Tod Kristoferson tha: “Sigurisht kundërshtari kënaqet kur prindërit e lënë pas dore mësimdhënien dhe ushtrimin e fëmijëve të tyre që të kenë besim te Krishti dhe të linden përsëri shpirtërisht”12.

Në dallim, Shpëtimtari do që ne t’i ndihmojmë fëmijët ta “vë[në] besimin [e tyre] në atë Shpirt që drejton për të bërë mirë”13. Për ta bërë këtë gjë, ne mund t’i ndihmojmë fëmijët të dallojnë rastet kur po e ndiejnë Shpirtin dhe të dallojnë se cilat veprime bëjnë që Shpirti të largohet. Kështu ata mësojnë të pendohen dhe të kthehen në dritë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Kjo ndihmon që të nxitet aftësia ripërtëritëse shpirtërore.

Mund të zbavitemi kur i ndihmojmë fëmijët tanë që të ndërtojnë aftësi ripërtëritëse shpirtërore në çfarëdo moshe. Nuk duhet të jetë e ndërlikuar apo të kërkojë shumë kohë. Thjesht, bashkëbisedime plot kujdesje mund t’i bëjnë fëmijët të dinë jo vetëm se çfarë besojnë, por më e rëndësishmja, përse e besojnë atë. Bashkëbisedimet plot kujdesje, që ndodhin në mënyrë të natyrshme dhe të vazhdueshme, mund të çojnë te kuptueshmëri dhe përgjigje më të mira. Le të mos ta lejojmë lehtësinë e [përdorimit të] pajisjeve elektronike që të na largojë nga mësimdhënia dhe të dëgjuarit e fëmijëve tanë dhe të vështruarit në sytë e tyre.

Bashkëbisedim nënë dhe bijë

Mundësi të tjera për bashkëbisedime thelbësore mund të ndodhin gjatë një interpretimi me role. Pjesëtarët e familjes mund të interpretojnë me role situata kur po tundohen ose po ndiejnë trysni për të bërë një zgjedhje të keqe. Një ushtrim i tillë mund t’i forcojë fëmijët që të jenë të përgatitur në një mjedis sfidues. Për shembull, ne mund të interpretojmë me role dhe më pas të diskutojmë teksa i pyetim fëmijët se çfarë do të bënin:

  • Nëse tundohen që të shkelin Fjalën e Urtësisë.

  • Nëse ekspozohen ndaj pornografisë.

  • Nëse tundohen të gënjejnë, vjedhin ose mashtrojnë.

  • Nëse dëgjojnë diçka nga një shok ose shoqe apo mësues/e në shkollë që i vë në diskutim bindjet ose vlerat e tyre fetare.

Teksa interpretojnë me role dhe më pas diskutojnë, në vend që të kapen të papërgatitur në një mjedis armiqësor me një grup bashkëmoshatarësh, fëmijët mund të armatosen me “mburojën e besimit, me të cilën mund të shua[jnë] të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut”14.

Një shoku im i ngushtë e mësoi herët këtë mësim vendimtar kur ishte 18 vjeç. Ai u regjistrua në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara gjatë luftës midis Shteteve të Bashkuara dhe Vietnamit. U caktua për përgatitjen ushtarake bazë në këmbësori për t’u bërë një ushtar këmbësor. Ai shpjegoi se trajnimi ishte rraskapitës. Ai e përshkroi oficerin e përgatitjes ushtarake si mizor dhe çnjerëzor.

Një ditë të veçantë, skuadra e tij ishte e veshur me tërë armatimin e betejës, duke iu ngjitur malit në zagushinë përvëluese. Oficeri i përgatitjes ushtarake papritur bërtiti urdhrin që të shtriheshin përtokë e të mos lëviznin. Oficeri po shihte madje për lëvizjen më të vogël. Çfarëdo lëvizjeje do të përfundonte në pasoja të rënda më vonë. Skuadra vuajti për më shumë se dy orë në motin e nxehtë, duke iu rritur zemërimi dhe mëria ndaj udhëheqësit të saj.

Shumë muaj më vonë, miku ynë u gjend duke drejtuar skuadrën e vet përmes xhunglave të Vietnamit. Kjo ishte reale, jo thjesht trajnim. Plumbat filluan të goditnin nga lart në pemët rrethuese. E tërë skuadra menjëherë u shtri përtokë.

Për çfarë po shihte armiku? Lëvizje. Edhe lëvizja më e vogël do të bënte të qëlloheshin. Miku im më tha se, teksa qëndronte i djersitur dhe pa lëvizur në tabanin e xhunglës, duke pritur errësirën për disa orë të gjata, mendimet iu kthyen tek trajnimi fillestar. Solli ndërmend mllefin e tij të madh për oficerin e përgatitjes ushtarake. Tani ai ndjeu mirënjohje të thellë – për atë që ai i kishte mësuar dhe se si e kishte përgatitur për këtë gjendje kritike. Oficeri i përgatitjes ushtarake me urtësi e kishte pajisur mikun tonë dhe skuadrën e tij me aftësinë që të dinin se çfarë të bënin kur po ziente beteja. Ai, në fakt, ia kishte shpëtuar jetën mikut tonë.

Si mund të bëjmë ne të njëjtën gjë shpirtërisht për fëmijët tanë? Kohë përpara se të hyjnë në fushëbetejën e jetës, si mund të përpiqemi fort më plotësisht që t’i mësojmë, forcojmë dhe përgatitim ata?15 Si mund t’i ftojmë të “hy[jnë] brenda sa duhet”? A nuk do të donim që ata të “djersiten” në mjedisin e sigurt të mësimit në shtëpi, në vend që të gjakosen në fushëbetejat e jetës?

Teksa e hedh vështrimin pas, pati raste kur unë dhe bashkëshorti im u ndiem si oficerë të përgatitjes ushtarake në zellin tonë për t’i ndihmuar fëmijët tanë që ta jetonin ungjillin e Jezu Krishtit. Profeti Jakob duket se shprehu po të njëjtat ndjenja kur tha: “Unë jam i dëshiruar për mirëqenien e shpirtrave tuaj. Po, shqetësimi im është i madh për ju; dhe ju vetë e dini se ka qenë gjithmonë.”16

Teksa fëmijët mësojnë dhe përparojnë, bindjet e tyre fetare do të sfidohen. Por kur janë pajisur siç duhet, ata mund të rriten për nga besimi, kuraja dhe vetëbesimi, edhe në mes të kundërshtisë së fortë.

Alma na mësoi të “përgatiti[m] mendjet e fëmijëve”17. Ne po i përgatitim pjesëtarët e brezit e ri që të jenë mbrojtësit e ardhshëm të besimit, që të kuptojnë “se [ata janë] të lirë të vepro[jnë] nga vetja [e tyre] – të zgj[edhin] udhën e vdekjes së pafundme, ose udhën e jetës së përjetshme”18. Fëmijët e meritojnë ta kuptojnë këtë të vërtetë të madhërishme: është e gabuar që për përjetësinë të jemi të gabuar.

Bashkëbisedimet tona të thjeshta, por thelbësore, me fëmijët tanë i ndihmofshin ata që të “gëzo[jnë] fjalët e jetës së përjetshme” tani, që ata të mund të gëzojnë “jetën e përjetshme në botën që vjen, madje lavdi të pavdekshme”19!

Teksa i ushqejmë shpirtërisht dhe i përgatitim fëmijët tanë, ne lejojmë lirinë e tyre të zgjedhjes, i duam me gjithë zemër, u mësojmë urdhërimet e Perëndisë dhe dhuratën e Tij të pendimit dhe kurrë, asnjëherë, nuk heqim dorë prej tyre. Në fund të fundit, a nuk është kjo mënyra e Zotit me secilin prej nesh?

Shkofshim “përpara me vendosmëri në Krishtin”, duke e ditur se mund të kemi “një ndriçim të përkryer të shpresës”20 nëpërmjet Shpëtimtarit tonë të dashur!

Unë dëshmoj se Ai është gjithmonë përgjigjja. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih 3 Nefi 17:23–24.

  2. Shih Michaelene P. Grassli, “Behold Your Little Ones”, Ensign, nëntor 1992, f. 93: “Për mua fjala vini re është domethënëse. Nënkupton më shumë sesa thjesht ‘të vështrosh e të shohësh’. Kur Zoti i udhëzoi nefitët të vinin re të vegjlit e tyre, unë besoj se Ai u tha atyre t’u kushtonin vëmendje fëmijëve të tyre, t’i soditnin ata, të vështronin përtej së tashmes dhe të shihnin mundësitë e tyre të përjetshme.”

    Shih edhe Russell M. Nelson, “Listen to Learn”, Ensign, maj 1991, f. 22: “T’i drejtoni fëmijët me anë të forcës, është teknika e Satanit, jo e Shpëtimtarit. Jo, fëmijët nuk janë prona jonë. Privilegji ynë prindëror është t’i duam ata, t’i udhëheqim ata dhe t’i lemë të largohen.”

  3. Shih Doktrina e Besëlidhje 29:46–47.

  4. Doktrina e Besëlidhje 20:71.

  5. Henry B. Eyring, “The Power of Teaching Doctrine”, Liahona, korrik 1999, f. 87.

  6. Doktrina e Besëlidhje 20:79.

  7. Helamani 5:12.

  8. Shih Doktrina e Besëlidhje 68:25; shih edhe Nenet e Besimit 1:4.

  9. Doktrina e Besëlidhje 68:28.

  10. Moisiu 6:58; theksimi i shtuar.

  11. Shih Moisiu 6:59; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 20:29–31.

  12. D. Tod Kristoferson, “Përse Martesa, Përse Familja?Liahona, maj 2015, f. 52.

  13. Shih Doktrina e Besëlidhje 11:12–13; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 93.

  14. Doktrina e Besëlidhje 27:17; theksimi i shtuar; shih edhe Marion G. Romney, “Home Teaching and Family Home Evening”, Improvement Era, qershor 1969, f. 97: “Satani, armiku ynë, po bën një sulm tërësor ndaj drejtësisë. Trupat e tij të organizuara mirë, janë të shumta. Fëmijët tanë dhe rinia jonë janë shënjestrat e goditjes së tij kryesore. Ata janë kudo të ekspozuar ndaj propagandës së ligë dhe të mbrapshtë. Në çfarëdo vendi që shkojnë, ata goditen me ligësi, e shpikur djallëzisht që të mashtrojë dhe shkatërrojë çdo gjë të shenjtë dhe çdo parim të drejtë. … Nëse fëmijët tanë duhet të forcohen mjaftueshëm që t’i bëjnë ballë këtij sulmi të furishëm satanik, ata duhet të mësohen dhe ushtrohen në shtëpi, siç e ka drejtuar Zoti.”

  15. Shih Russell M. Nelson, “Children of the Covenant”, Ensign, maj 1995, f. 32:

    “Vite më parë, kur isha student i ri për mjekësi, unë pashë shumë pacientë që vuanin nga sëmundje që tani janë të parandalueshme. Sot është e mundur të imunizohen individët kundrejt sëmundjeve që dikur ishin paaftësuese – madje vdekjeprurëse. Një metodë mjekësore me anë të së cilës jepet imuniteti i fituar, është inokulimi. Termi inokuloj është mahnitës. Vjen nga dy rrënjë të latinishtes: in, që do të thotë ‘brenda’; dhe okulus, që do të thotë ‘një sy’. Folja inokuloj, si rrjedhim, fjalë për fjalë do të thotë ‘të futësh një sy brenda’ – të vëzhgosh kundër dëmtimit.

    Një sëmundje si poliomieliti mund ta sakatojë ose shkatërrojë trupin. Një sëmundje si mëkati mund ta sakatojë ose shkatërrojë shpirtin. Rrënimet e poliomielitit tani mund të parandalohen nga imunizimi, por rrënimet e mëkatit kërkojnë mjete të tjera parandalimi. Mjekët nuk mund të imunizojnë kundër paudhësisë. Mbrojtja shpirtërore vjen vetëm nga Zoti – dhe në vetë mënyrën e Tij. Jezusi zgjedh të mos na inokulojë, por të na indoktrinojë. Kjo metodë nuk përfshin asnjë vaksinë; ajo përdor mësimdhënien e doktrinës hyjnore – një ‘sy qeverisës brenda’ – për t’i mbrojtur shpirtrat e përjetshëm të fëmijëve të Tij.”

  16. 2 Nefi 6:3.

  17. Alma 39:16.

  18. 2 Nefi 10:23.

  19. Moisiu 6:59; theksimi i shtuar.

  20. 2 Nefi 31:20.