2021
Arsyeja për Shtegun e Besëlidhjeve
maj 2021


15:4

Arsyeja për Shtegun e Besëlidhjeve

Ndryshimi që ka shtegu i besëlidhjeve është veçanërisht dhe përjetësisht thelbësor.

Gjatë gjithë shërbesës së tij, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka studiuar dhe na ka dhënë mësim për besëlidhjet e Perëndisë me fëmijët e Tij. Ai vetë është një shembull i shkëlqyer i dikujt që ecën në shtegun e besëlidhjeve. Në mesazhin e tij të parë si President i Kishës, Presidenti Nelson tha:

“Zotimi juaj për ta ndjekur Shpëtimtarin nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të dhe më pas nëpërmjet mbajtjes së atyre besëlidhjeve, do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion të burrave, grave dhe fëmijëve kudo.

… Ordinancat e tempullit dhe besëlidhjet që bëni atje, janë thelbësore për ta forcuar jetën tuaj, martesën e familjen tuaj dhe aftësinë tuaj për t’u bërë ballë sulmeve të kundërshtarit. Adhurimi juaj në tempull dhe shërbimi juaj atje për paraardhësit tuaj do t’ju bekojnë me zbulesë dhe paqe të shtuar vetjake dhe do ta forcojnë zotimin tuaj për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve.”1

Çfarë është shtegu i besëlidhjeve? Ai është i vetmi shteg që të çon në mbretërinë çelestiale të Perëndisë. Ne e nisim shtegun te porta e pagëzimit dhe më pas “shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit [dy urdhërimet e mëdha] … deri në fund”2. Në udhën e shtegut të besëlidhjeve (e cila, meqë ra fjala, shtrihet përtej vdekshmërisë), ne marrim të gjitha ordinancat dhe besëlidhjet që i përkasin shpëtimit dhe ekzaltimit.

Zotimi ynë gjithëpërfshirës për besëlidhjet është të bëjmë vullnetin e Perëndisë “dhe të jemi të bindur ndaj urdhërimeve të tij, në të gjitha gjërat që ai do të na urdhërojë ne”3. Ndjekja e parimeve dhe urdhërimeve të ungjillit të Jezu Krishtit ditë pas dite është udha më e gëzueshme dhe më e kënaqshme në jetë. Një arsye është që një person shmang shumë nga problemet dhe keqardhjet e mëdha. Më lejoni të përdor një analogji nga sporti. Në tenis ekziston diçka me termin gabime të padetyruara. Këto janë gjëra të tilla si të godasësh topin e lojës në rrjetë ose të bësh gabime të dyfishta gjatë shërbimit. Gabimet e padetyruara konsiderohen rrjedhojë e gafave të një lojtari në vend që të shkaktohen nga zotësia e kundërshtarit.

Shumë shpesh problemet ose sfidat tona janë të vetëshkaktuara, janë rrjedhojë e zgjedhjeve të këqija, ose, mund të themi, rrjedhojë e “gabimeve të padetyruara”. Kur jemi duke e ndjekur me zell shtegun e besëlidhjeve, ne i shmangim gati natyrshëm shumë “gabime të padetyruara”. Ne i mënjanojmë format e shumta të varësive. Ne nuk biem në llogoren e sjelljeve të pandershme. E kapërcejmë humnerën e imoralitetit dhe tradhtisë bashkëshortore. I anashkalojmë njerëzit dhe gjërat që, ndonëse kanë popullaritet, do ta rrezikonin mirëqenien tonë fizike dhe shpirtërore. Ne i shmangim zgjedhjet që i dëmtojnë ose nuk i favorizojnë të tjerët, dhe në vend të këtyre fitojmë zakonet e vetëdisiplinimit dhe të shërbimit.4

Plaku J. Golden Kimball pretendohet të ketë thënë: “Unë mund të mos kem ecur [gjithnjë] në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar, por [përpiqem] të kaloj në të sa më shpesh që të [mundem]”5. Në një çast më serioz, jam i sigurt që Vëllai Kimball do të binte dakord se qëndrimi, jo thjesht kalimi në shtegun e besëlidhjeve, është shpresa jonë më e madhe për ta shmangur mjerimin e shmangshëm nga njëra anë dhe për t’ua dalë mbanë me sukses vuajtjeve të pashmangshme të jetës nga ana tjetër.

Disa mund të thonë: “Mund të bëj zgjedhje të mira me ose pa pagëzimin; nuk kam nevojë për besëlidhje që të jem njeri i nderuar dhe i suksesshëm”. Në të vërtetë, ka shumë njerëz, të cilët, ndonëse nuk ndodhen vetë në shtegun e besëlidhjeve, veprojnë në një mënyrë që pasqyron zgjedhjet dhe ndihmesat e atyre që janë në atë shteg. Ju mund të thoni se ata korrin bekimet e të ecurit në një “shteg veprash të mira” [që ngjan disi me atë të besëlidhjeve]. Atëherë, çfarë ndryshimi ka shtegu i besëlidhjeve?

Faktikisht, ndryshimi është veçanërisht dhe përjetësisht thelbësor. Ai përfshin natyrën e bindjes sonë, karakterin e zotimit të Perëndisë ndaj nesh, ndihmën hyjnore që marrim, bekimet që lidhen me mbledhjen si një popull i besëlidhjes, dhe, më e rëndësishmja, trashëgiminë tonë të përjetshme.

Zotimi për Bindje

Së pari, është natyra e bindjes sonë ndaj Perëndisë. Më tepër sesa thjesht të kemi qëllime të mira, ne zotohemi solemnisht që të jetojmë sipas çdo fjale që del nga goja e Perëndisë. Në këtë, ne ndjekim shembullin e Jezu Krishtit, i cili, duke u pagëzuar, “u tregon fëmijëve të njerëzve se, sipas mishit, ai përul veten para Atit dhe i dëshmon Atit se ai do të jetë i bindur ndaj tij, në zbatimin e urdhërimeve të tij”6.

Me besëlidhjet, ne synojmë më shumë sesa thjesht shmangien e gabimeve ose të qenit të matur në vendimet tona. Ne ndihemi përgjegjës ndaj Perëndisë për zgjedhjet tona dhe jetën tonë. Ne marrim mbi vete emrin e Krishtit. Ne përqendrohemi te Krishti – në të qenit të guximshëm në dëshminë për Jezusin dhe në zhvillimin e karakterit të Krishtit.

Me besëlidhjet, bindja ndaj parimeve të ungjillit bëhet e rrënjosur brenda vetë shpirtit tonë. Njoh një çift që gjatë martesës së tyre, bashkëshortja nuk ishte aktive në Kishë dhe bashkëshorti nuk kishte qenë kurrë anëtar i Kishës. Unë do t’i quaj ata Meri dhe Xhoni, jo me emrat e tyre të vërtetë. Kur në jetë filluan të shfaqen fëmijët, Meri ndjeu shumë fort nevojën për t’i rritur ata, siç thuhet në shkrimet e shenjta, “në disiplinë dhe në këshillë të Zotit”7. Xhoni ishte përkrahës. Meri bëri disa sakrifica të rëndësishme për të qëndruar në shtëpi që t’ua mësonte ungjillin në mënyrë sistematike. Ajo u sigurua që familja të përfitonte plotësisht nga adhurimi dhe veprimtaria në Kishë. Meri dhe Xhoni u bënë prindër shembullorë dhe fëmijët e tyre (të gjithë djem plot energji) u rritën me besim dhe përkushtim ndaj parimeve dhe standardeve të ungjillit.

Prindërit e Xhonit, gjyshërit e djemve, ishin të kënaqur me jetët dhe arritjet e dobishme të nipërve të tyre, por për shkak të njëfarë kontradikte ndaj Kishës, ata dëshironin t’ia kushtonin këtë sukses vetëm aftësive prindërore të Xhonit dhe Merit. Xhoni, megjithëse nuk ishte anëtar i Kishës, nuk e la atë vlerësim të kalonte me aq. Ai nguli këmbë se ata po dëshmonin frytet e mësimeve të ungjillit – atë që bijtë e tij po e përjetonin në kishë, si edhe atë që po ndodhte në shtëpi.

Vetë Xhoni po ndikohej nga Shpirti, nga dashuria dhe nga shembulli i bashkëshortes së tij dhe shtytjeve nga bijtë e tij. Me kalimin e kohës ai u pagëzua, duke sjellë shumë gëzim për anëtarët dhe miqtë e lagjes.

Ndërkohë që jeta nuk ka qenë pa sfida për ta dhe bijtë e tyre, Meri dhe Xhoni pohojnë me gjithë zemër se është në fakt besëlidhja e ungjillit që është rrënja e bekimeve të tyre. Ata i kanë parë fjalët që Zoti i tha Jeremias, të përmbushen në jetët e fëmijëve të tyre si edhe në vetë jetën e tyre: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im”8.

Të Lidhur me Perëndinë

Një aspekt i dytë i veçantë i shtegut të besëlidhjeve është marrëdhënia jonë me Hyjninë. Besëlidhjet që Perëndia u ofron fëmijëve të Tij, bëjnë më shumë sesa të na udhërrëfejnë. Ato na lidhin me Të dhe, të lidhur me Të, ne mund t’i mundim të gjitha gjërat.9

Dikur, lexova një artikull nga një reporter gazete me informim të dobët, i cili shpjegoi se mënyra se si ne i kryejmë pagëzimet për të vdekurit është duke zhytur bobina mikrofilmi në ujë. Pastaj të gjithë ata, emrat e të cilëve shfaqen në mikrofilm, konsiderohen të pagëzuar. Ajo mënyrë do të ishte e efektshme, por nuk merr parasysh vlerën e pafundme të secilit shpirt dhe rëndësinë vendimtare të një besëlidhjeje vetjake me Perëndinë.

Jezusi tha: “Hyni nëpërmjet portës së ngushtë; pasi e ngushtë është porta dhe e ngushtë është udha që të shpie në jetë dhe të paktë janë ata që e gjejnë”10. Duke folur në mënyrë figurative, kjo portë është kaq e ngushtë, saqë lejon që të hyjë vetëm një njeri për çdo herë. Secili bën një zotim individual me Perëndinë dhe në këmbim merr prej Tij një besëlidhje vetjake, me emër, se ai ose ajo mund të mbështetet plotësisht për kohën dhe përjetësinë. Në ordinancat dhe besëlidhjet, “fuqia e perëndishmërisë manifestohet” në jetën tonë11.

Ndihma Hyjnore

Kjo na bën të marrim në konsideratë një bekim të tretë, të veçantë të shtegut të besëlidhjeve. Perëndia mundëson një dhuratë thuajse të paimagjinueshme për t’i ndihmuar bërësit e besëlidhjeve që të jenë mbajtës të besëlidhjeve: dhuratën e Frymës së Shenjtë. Kjo dhuratë është e drejta për shoqërimin, mbrojtjen dhe udhërrëfimin e vazhdueshëm të Shpirtit të Shenjtë.12 I njohur edhe si Ngushëlluesi, Shpirti i Shenjtë “mbush me shpresë dhe dashuri të pastër”13. Ai “i di të gjitha gjërat dhe jep dëshmi për Atin dhe për Birin”14, dëshmitarët e të cilëve ne zotohemi të jemi.15

Në shtegun e besëlidhjeve, ne gjithashtu gjejmë edhe bekimet thelbësore të faljes dhe pastrimit nga mëkati. Kjo është ndihma që mund të vijë vetëm nëpërmjet hirit hyjnor, që administrohet nga Fryma e Shenjtë. “Tani, ky është urdhërimi”, thotë Zoti: “Pendohuni, të gjitha ju skajet e tokës dhe ejani tek unë dhe pagëzohuni në emrin tim, që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni pa njollë para meje, në ditën e fundit.”16

Mblidhuni me Popullin e Besëlidhjes

Së katërti, ata që e ndjekin shtegun e besëlidhjeve, gjejnë bekime të pazakonta në mbledhje të ndryshme, të caktuara në mënyrë hyjnore. Profecitë për një mbledhje të mirëfilltë të fiseve të Izraelit, të shpërndara kohë më parë në tokat e trashëgimit të tyre, gjenden gjatë gjithë shkrimeve të shenjta.17 Përmbushja e atyre profecive dhe premtimeve tani është në vijim e sipër me mbledhjen e popullit të besëlidhjes në Kishë, në mbretërinë e Perëndisë në tokë. Presidenti Nelson shpjegon: “Kur flasim për mbledhjen, po themi thjesht këtë të vërtetë themelore: çdonjëri nga fëmijët e Atit tonë Qiellor, … e meriton ta dëgjojë mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit”18.

Zoti i urdhëron anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: “Ngrihuni e shkëlqeni, që drita juaj të mund të jetë një flamur për kombet; … që mbledhja së bashku mbi tokën e Sionit dhe në kunjat e tij të mund të jetë për mbrojtje e për strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun”19.

Ka gjithashtu një mbledhje javore për popullin e besëlidhjes në shtëpinë e lutjes, në ditën e Zotit, që ne të mund “ta rua[jmë] veten më tepër të panjollë nga bota”20. Kjo është një mbledhje për të marrë bukën dhe ujin e sakramentit në kujtim të Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe një kohë “për të agjëruar, për t’u lutur dhe për të folur me njëri-tjetrin, në lidhje me mirëqenien e shpirtit [tonë]”21. Kur isha adoleshent, në shkollë të mesme isha i vetmi anëtar i Kishës në klasën time. Më pëlqente shoqërimi me shumë miq të mirë në shkollë, sidoqoftë zbulova se mbështetesha fuqishëm në këtë mbledhje Shabati çdo javë për të më rifreskuar dhe përtërirë shpirtërisht, si edhe fizikisht. Sa fort e kemi ndier humbjen e kësaj mbledhjeje të rregullt të besëlidhjes gjatë pandemisë së tanishme dhe me sa dëshirë e presim kohën kur mund të mblidhemi sërish bashkë si më parë.

Populli i besëlidhjes mblidhet gjithashtu në tempull, në shtëpinë e Zotit, për të marrë ordinancat, bekimet dhe zbulesat që janë në dispozicion vetëm atje. Profeti Jozef Smith dha mësim: “Cili ishte qëllimi i mbledhjes së … popullit të Perëndisë në çfarëdo epoke të botës? … Qëllimi kryesor ishte ndërtimi i një shtëpie për Zotin, në të cilën Ai të mund t’i zbulonte popullit të Tij ordinancat e shtëpisë së Tij dhe lavditë e mbretërisë së Tij dhe t’u mësonte njerëzve udhën e shpëtimit; sepse ka disa ordinanca e parime që, kur mësohen e praktikohen, duhet të kryhen në një vend apo shtëpi të ndërtuar për atë qëllim.”22

Trashëgojini Premtimet e Besëlidhjes

Në fund, është vetëm në ndjekjen e shtegut të besëlidhjeve që ne trashëgojmë bekimet e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, bekimet më të larta të shpëtimit dhe ekzaltimit, të cilat mund t’i japë vetëm Perëndia.23

Referencat e shkrimeve të shenjta për popullin e besëlidhjes shpesh nënkuptojnë pasardhësit e drejtpërdrejtë të Abrahamit ose “shtëpi[në] e Izraelit”. Por populli i besëlidhjes përfshin gjithashtu të gjithë ata që e pranojnë ungjillin e Jezu Krishtit.24 Pali shpjegoi:

“Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur. …

Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.”25

Ata që janë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre, “do të dalin në ringjalljen e të drejtëve”26. Ata janë “bërë të përsosur nëpërmjet Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re. … Këta janë ata, trupat e të cilëve janë çelestialë, lavdia e të cilëve është ajo e diellit, madje lavdia e Perëndisë, më të lartit të të gjithëve.”27 “Prandaj, të gjitha gjërat janë të tyret, qoftë jetë apo vdekje, ose gjërat e tanishme, ose gjërat që do të vijnë, të gjitha janë të tyret dhe ata janë të Krishtit e Krishti është i Perëndisë.”28

Ia vënshim veshin thirrjes së profetit për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve! Nefi na pa ne dhe kohën tonë dhe shënoi: “Unë, Nefi, vura re fuqinë e Qengjit të Perëndisë e cila zbriti mbi shenjtorët e kishës së Qengjit dhe mbi njerëzit e besëlidhjes së Zotit që ishin shpërndarë mbi të gjithë faqen e tokës; dhe ata ishin armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”29.

Me Nefin, “shpirti im kënaqet në besëlidhjet … [e] Zoti[t]”30. Në këtë të diel Pashke, unë jap dëshmi për Jezu Krishtin, Ringjallja e të cilit është shpresa dhe siguria jonë për gjithçka që premtohet gjatë shtegut të besëlidhjeve dhe në përfundim të tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.