2021
Emi A. Rajt
maj 2021


Emi A. Rajt

Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Fillores

Pesë vjet më parë, Motra Emi A. Rajt u diagnostikua me kancer të fazës së 4‑rt të ovareve. E vetmja mënyrë se si familja e saj ia doli përmes kurimeve të saj të rënda, tha ajo, ishte nëpërmjet përqendrimit te Shpëtimtari Jezu Krisht.

“Kur gjithçka u përqendrua tek unë, bota u bë një vend vërtet i zymtë”, kujtoi ajo. “Por kur përqendrimi im u kthye drejt të tjerëve, kur përpiqesha fort t’u shërbeja të tjerëve dhe të ecja sipas mënyrës se si eci Krishti, pati dritë dhe gëzim, edhe gjatë dhembjes dhe vuajtjes më të madhe.”

Motra Rajt e përshkroi betejën e saj me kancerin si një “përvojë pastruese dhe përmirësuese” – një përvojë që ishte “përshtatur veçanërisht” për ta ndihmuar atë që të arrinte ta njihte Shpëtimtarin në mënyrë thellësisht vetjake. Gjithashtu i mësoi asaj se vjen forcë shtesë kur përpiqemi të mësojmë dhe të kuptojmë sfidat e larmishme të të tjerëve.

“Ne të gjithë shërbejmë në pjesë të ndryshme të vreshtit të Zotit në kohë të ndryshme të jetës sonë. Por është i njëjti vresht me të njëjtin Zotëri”, tha ajo.

“Shpresa jonë është po ashtu e njëjta, e cila është jeta e përjetshme dhe ekzaltimi. Kjo është ajo që dëshirojmë për të gjithë këta fëmijë të vegjël, të shtrenjtë, që Shpëtimtari do të jetë pjesë e udhëtimit të tyre dhe se ata do të kthehen në shtëpi tek Ai.”

Emi Ejlin Anderson Rajti iu lindi Robert dhe Xhoi Andersonit më 6 janar 1972, në Solt‑Lejk‑Siti, Jutë, SHBA. Ajo u martua me Xhejms Mek‑Konki Rajtin në vitin 1994, në Tempullin e Solt‑Lejkut. Ata kanë tre fëmijë.

Motra Rajt mori një diplomë universitare për studimet e zhvillimit njerëzor dhe familjar nga Universiteti i Jutës në vitin 1998. Ajo ka punuar si ndihmësmësuese për leximin dhe përgjegjëse zyre, si dhe ishte vullnetare në Shoqatën e Prindërve dhe Mësuesve. Kohët e fundit ajo ndihmoi për marketingun dhe reklamimin e një klinike dentare.

Motra Rajt ka shërbyer në këshillin e përgjithshëm konsultativ të Të Rejave që nga viti 2018. Thirrjet e mëparshme përfshijnë thirrje si presidente e Fillores të kunjit dhe të lagjes, këshilltare në presidencën e Fillores të lagjes, mësuese e Doktrinës së Ungjillit dhe udhëheqëse e Skautistëve Fillestarë.