2021
Gjërat që po Mësojmë dhe që Kurrë Nuk do t’i Harrojmë
maj 2021


16:22

Gjërat që po Mësojmë dhe që Kurrë Nuk do t’i Harrojmë

Nëse mendoni me lutje për jetën tuaj, unë besoj se ju do të shihni shumë mënyra në të cilat Zoti ka qenë duke ju udhërrëfyer gjatë kësaj kohe vështirësish.

Vëllezërit e mi të dashur, e kam pritur me padurim këtë mbledhje virtuale me ju. Hera e fundit që mbajtëm një sesion priftërie të konferencës së përgjithshme, ishte në prill të vitit 2019. Shumë gjëra kanë ndodhur në dy vitet e fundit! Disa prej jush kanë humbur njerëz të dashur. Të tjerë kanë humbur punët, mundësitë për të siguruar jetesën ose shëndetin. Ende të tjerë kanë humbur ndjenjën e paqes ose të shpresës për të ardhmen. Zemra ime ndien dhembshuri për secilin prej jush që ka vuajtur këto humbje ose të tjera. Lutem vazhdimisht që Zoti t’ju ngushëllojë. Teksa vazhdoni ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj, unë e di se Ai është po aq optimist për të ardhmen tuaj sa ka qenë gjithmonë.

Mes humbjeve që kemi përjetuar, ka gjithashtu disa gjëra që kemi gjetur. Disa kanë gjetur besim më të thellë tek Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Shumë njerëz kanë gjetur një këndvështrim të ri për jetën – madje një këndvështrim të përjetshëm. Ju mund të keni gjetur marrëdhënie më të forta me njerëzit tuaj të dashur dhe me Zotin. Unë shpresoj që të keni gjetur aftësi më të madhe për ta dëgjuar Atë dhe për të marrë zbulesë vetjake. Sprovat e vështira shpesh ofrojnë mundësi për t’u rritur, që nuk do të kishin ardhur në ndonjë mënyrë tjetër.

Mendoni përsëri për dy vitet e fundit. Si jeni rritur? Çfarë keni mësuar? Fillimisht mund të dëshironit të ktheheshit edhe një herë në vitin 2019 dhe të qëndronit atje! Por nëse mendoni me lutje për jetën tuaj, unë besoj se ju do të shihni shumë mënyra në të cilat Zoti ka qenë duke ju udhërrëfyer gjatë kësaj kohe vështirësish, duke ju ndihmuar që të bëheni një njeri më i përkushtuar, më i kthyer në besim – një njeri i vërtetë i Perëndisë.

Unë e di se Zoti ka plane të mëdha dhe të mrekullueshme për ne – individualisht dhe kolektivisht. Me dhembshuri dhe durim, Ai thotë:

“Ju jeni fëmijë të vegjël dhe ju nuk keni kuptuar ende ç’bekime të mëdha Ati Qiellor ka … përgatitur për ju;

Dhe ju nuk mund t’i duroni të gjitha gjërat tani; megjithatë, merrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës.”1

Vëllezërit e mi të dashur, unë ju dëshmoj se Ai na ka udhëhequr dhe është duke na udhëhequr vërtet gjatë udhës, kur përpiqemi ta dëgjojmë Atë. Ai dëshiron që ne të rritemi dhe të mësojmë, madje nëpërmjet – ndoshta sidomos nëpërmjet – fatkeqësisë.

Fatkeqësia është një mësuese e shkëlqyer. Çfarë gjërash keni mësuar ju në dy vitet e fundit që dëshironi t’i kujtoni gjithmonë? Përgjigjet tuaja do të jenë unike për ju, por më lejoni të sugjeroj katër mësime që shpresoj t’i kemi mësuar të gjithë dhe të cilat nuk do t’i harrojmë kurrë.

Mësimi 1: Shtëpia Është Qendra e Besimit dhe Adhurimit

Shpesh kur Zoti na paralajmëron për rreziqet e ditëve të fundit, Ai këshillon kështu: “Qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni”2. Këto “vende të shenjta” sigurisht që përfshijnë tempujt dhe shtëpitë e mbledhjeve të Zotit. Por ndërsa mundësia jonë për t’u mbledhur në këto vende të shenjta është kufizuar në shkallë të ndryshme, ne kemi mësuar se një nga vendet më të shenjta në tokë është shtëpia – po, madje shtëpia juaj.

Vëllezër, ju mbani priftërinë e Perëndisë. “Të drejtat e priftërisë lidhen në mënyrë të pandashme me fuqitë e qiellit.”3 Ju dhe familja juaj keni marrë ordinanca të priftërisë. Është “në ordinancat e [priftërisë që] fuqia e perëndishmërisë manifestohet”4. Ajo fuqi është në dispozicionin tuaj dhe të familjes suaj në vetë shtëpinë tuaj ndërsa mbani besëlidhjet që keni bërë.5

Pikërisht si sot, 185 vjet më parë, më 3 prill 1836, Elija rivendosi çelësat e priftërisë që i lejon familjet tona të vulosen së bashku përgjithmonë. Kjo është arsyeja pse është ndjenjë kaq e mirë kur e administroni sakramentin në shtëpinë tuaj. Si mendoni se ndikoi ajo te pjesëtarët e familjes suaj që t’ju shihnin ju – babanë, gjyshin, bashkëshortin, birin ose vëllanë e tyre – duke administruar këtë ordinancë të shenjtë? Çfarë do të bëni për ta ruajtur atë ndjenjë të shenjtë në familjen tuaj?

Mund të ndieni se ka akoma më shumë që nevojitet të kryeni për ta bërë shtëpinë tuaj vërtet një shenjtërore besimi. Nëse është kështu, ju lutem bëjeni! Nëse jeni të martuar, këshillohuni me bashkëshorten tuaj si partneren tuaj të barabartë në këtë punë vendimtare. Ka pak veprimtari që janë më të rëndësishme se kjo. Midis të tanishmes dhe kohës kur Zoti të vijë sërish, ne të gjithë kemi nevojë që shtëpitë tona të jenë vende qetësie dhe sigurie.6

Qëndrimet dhe veprimet që e ftojnë Shpirtin, do ta rritin shenjtërinë e shtëpisë suaj. Po aq i sigurt është fakti që shenjtëria do të zhduket në qoftë se ka diçka në sjelljen ose mjedisin tuaj që e fyen Shpirtin e Shenjtë, pasi atëherë “qiejt tërhiqen”7.

A e keni pyetur ndonjëherë veten se përse Zoti dëshiron që ne ta bëjmë shtëpinë tonë qendrën e të mësuarit dhe të jetuarit të ungjillit? Nuk është që vetëm të na përgatitë dhe të na ndihmojë gjatë një pandemie. Kufizimeve të tanishme për grumbullimet, si përfundim, do t’u vijë fundi. Sidoqoftë, zotimit tuaj për ta bërë shtëpinë tuaj shenjtëroren kryesore të besimit, nuk duhet t’i vijë kurrë fundi. Ndërsa besimi dhe shenjtëria pakësohen në këtë botë të rënë, nevoja juaj për vende të shenjta do të rritet. Unë ju nxit që të vazhdoni ta bëni shtëpinë tuaj një vend me të vërtetë të shenjtë “dhe të mos lëvizni8 nga ai synim thelbësor.

Mësimi 2: Ne Kemi Nevojë për Njëri‑Tjetrin

Perëndia dëshiron që ne të punojmë së bashku dhe ta ndihmojmë njëri‑tjetrin. Kjo është arsyeja pse Ai na dërgon në tokë në familje dhe na organizon në lagje dhe kunje. Kjo është arsyeja pse Ai na kërkon t’i shërbejmë dhe japim shërbesë njëri‑tjetrit. Kjo është arsyeja pse Ai kërkon që ne të jetojmë botë, por të mos jemi botës.9 Ne mund të arrijmë shumë më tepër së bashku sesa mundemi të vetëm.10 Plani i Perëndisë për lumturinë do të ishte i dështuar, në qoftë se fëmijët e Tij do të qëndronin të izoluar njëri nga tjetri.

Pandemia e fundit ka qenë e pashoqe pasi ka prekur këdo në botë pothuajse në të njëjtën kohë. Ndërkohë që disa kanë vuajtur më shumë se të tjerët, ne të gjithë kemi pasur sfida në njëfarë mënyre. Për shkak të kësaj, sprova jonë e përbashkët ka potencialin që t’i ndihmojë fëmijët e Perëndisë të bashkohen si kurrë më parë. Prandaj, unë ju pyes, a ju ka afruar më shumë kjo sprovë e përbashkët me të afërmit tuaj – me vëllezërit dhe motrat tuaja matanë rrugës dhe nëpër botë?

Lidhur me këtë, dy urdhërimet e mëdha mund të na udhërrëfejnë: së pari, të duam Perëndinë dhe së dyti, të duam të afërmin tonë.11 Ne e tregojmë dashurinë tonë duke shërbyer.

Nëse njihni dikë që është vetëm, zgjateni dorën e ndihmës – edhe nëse ju vetë ndiheni vetëm. Nuk nevojitet që të keni një arsye, një mesazh apo punë për ta bërë. Thjesht përshëndeteni dhe tregoni dashurinë tuaj. Teknologjia mund t’ju vijë në ndihmë. Pandemi ose jo, çdo fëmijë i çmuar i Perëndisë ka nevojë të dijë se ai ose ajo nuk është vetëm!

Mësimi 3: Kuorumi Juaj i Priftërisë Është Synuar të Jetë më Shumë sesa Thjesht një Mbledhje

Gjatë pandemisë, mbledhjet e kuorumit të së dielës u anuluan për njëfarë kohe. Disa kuorume tani janë në gjendje të mblidhen virtualisht. Gjithsesi, puna që Zoti iu ka dhënë kuorumeve të priftërisë, nuk synohej kurrë që të kufizohej në një mbledhje. Mbledhjet janë veçse një pjesë e vogël e asaj që synohet të jetë një kuorum dhe asaj që mund të bëjë një kuorum.

Vëllezërit e mi të Priftërisë Aarone dhe të kuorumeve të pleqve, zgjerojeni largpamësinë tuaj për arsyen se përse kemi kuorume. Si dëshiron Zoti që ju ta përdorni kuorumin tuaj për ta kryer punën e Tij – tani? Kërkoni zbulesë nga Zoti. Përuluni! Pyetni! Dëgjoni! Nëse jeni thirrur që të drejtoni, këshillohuni si presidencë dhe me anëtarët e kuorumit. Cilado qoftë detyra ose thirrja juaj e priftërisë, lejojeni Perëndinë të triumfojë në zotimin tuaj si anëtar i kuorumit tuaj dhe në shërbimin tuaj. Përjetojeni me gëzim drejtësinë që do të sillni ndërsa “përfshihen[i] me zell në një kauzë të mirë”12. Kuorumet janë në një pozicion të pashoq për ta përshpejtuar mbledhjen e Izraelit në të dyja anët e velit.

Mësimi 4: Ne e Dëgjojmë më Mirë Jezu Krishtin kur Jemi të Qetë

Jetojmë në një kohë të profetizuar shumë kohë më parë, kur “gjithë gjërat do të jenë në rrëmujë; dhe, sigurisht, zemrat e njerëzve do të mpaken; sepse frikë do të vijë mbi gjithë njerëzit”13. Kjo gjë ishte e vërtetë përpara pandemisë dhe do të jetë e vërtetë edhe më pas. Rrëmuja në botë do të vazhdojë të rritet. Në dallim nga kjo, zëri i Zotit nuk është “zëri i zhurmës së një trazire të madhe, por … [është] një zë i qetë i një butësie të përsosur, [si] një pëshpëritje dhe depërto[n] deri në thellësinë e shpirtit”14. Për ta dëgjuar këtë zë të qetë, edhe ju duhet të jeni të qetë!15

Për njëfarë kohe, pandemia i ka anuluar veprimtaritë që normalisht do ta mbushnin jetën tonë. Shpejt ne mund të jemi në gjendje të zgjedhim që ta mbushim atë kohë sërish me zhurmën dhe rrëmujën e botës. Ose mund ta përdorim kohën tonë për të dëgjuar zërin e Zotit që pëshpërit udhërrëfimin, ngushëllimin dhe paqen e Tij. Koha e qetë është kohë e shenjtë – kohë që do ta lehtësojë zbulesën vetjake dhe të mbrujë paqe brenda nesh.

Disiplinojeni veten që të keni kohë vetëm për vete dhe me njerëzit tuaj të dashur. Hapjani zemrën Perëndisë në lutje. Gjeni kohë për t’u zhytur në shkrimet e shenjta dhe për të adhuruar në tempull.

Vëllezërit e mi të dashur, ka shumë gjëra që Zoti dëshiron që ne të mësojmë nga përvojat tona gjatë kësaj pandemie. Unë kam renditur vetëm katër. Ju ftoj të bëni listën tuaj, shqyrtojeni me kujdes dhe tregojuani njerëzve që i doni.

E ardhmja është e ndritur për njerëzit e Perëndisë që i mbajnë besëlidhjet16. Zoti gjithnjë e më shumë do t’i thërrasë shërbëtorët e Tij, që mbajnë me denjësi priftërinë, për ta bekuar, ngushëlluar dhe forcuar njerëzimin dhe që të ndihmojnë për ta përgatitur botën dhe njerëzit e saj për Ardhjen e Tij të Dytë. I takon secilit prej nesh që të jetë në lartësinë e duhur të shugurimit të shenjtë që kemi marrë. Ne mund ta bëjmë këtë! Dëshmoj kështu, duke shprehur dashurinë time për secilin prej jush, vëllezërit e mi të dashur, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.