2021
Tempullin Shum’ Dua t’Shoh
maj 2021


16:22

Tempullin Shum’ Dua t’Shoh

Tempulli është vendi ku ne mund të marrim sigurinë për lidhjet e dashura familjare që do të vazhdojnë pas vdekjes dhe do të zgjatin në përjetësi.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës që jam me ju në këtë sesion të parë të konferencës së përgjithshme. Folësit, muzika dhe lutja kanë sjellë Shpirtin – si edhe një ndjenjë drite dhe shprese.

Ajo ndjenjë më ka sjellë në kujtesë ditën e parë kur hyra në Tempullin e Solt‑Lejkut. Isha i ri. Prindërit e mi ishin të vetmit shoqërues atë ditë. Brenda, ata ndalën për një çast për t’u përshëndetur nga një punonjës i tempullit. Për një çast, eca përpara tyre i vetëm.

U përshëndeta nga një zonjë trupvogël me flokë të bardhë, e veshur me një fustan të bukur, të bardhë tempulli. Ajo më vështroi, buzëqeshi dhe më pas tha shumë butësisht: “Mirë se erdhe në tempull, Vëllai Ajring”. Për një çast mendova se ishte një engjëll ngaqë e dinte emrin tim. Nuk e kisha kuptuar se një kartë e vogël me emrin tim në të ishte vendosur në jakën e xhaketës së kostumit tim.

Kalova pranë saj dhe ndalova. E hodha vështrimin te një tavan i lartë, i bardhë që e mbushte dhomën me kaq shumë dritë sa dukej sikur ishte hapur e takonte qiellin. Dhe në atë çast, në mendjen time erdhi një mendim me këto fjalë të qarta: “Kam qenë në këtë vend të ndriçuar më parë”. Por pastaj më erdhën menjëherë në mendje këto fjalë, jo me vetë zërin tim: “Jo, ti nuk ke qenë kurrë këtu. Ti po kujton një çast përpara se të lindeshe. Ti ishe në një vend të shenjtë si ky.”

Në pjesën e jashtme të tempujve tanë, ne vendosim fjalët: “Shenjtëri Zotit”. E di vetë se ato fjalë janë të vërteta. Tempulli është një vend i shenjtë ku zbulesa na vjen me lehtësi nëse zemrat tona janë të hapura ndaj saj dhe jemi të denjë për të.

Më vonë, atë ditë të parë, unë ndjeva sërish të njëjtin Shpirt. Ceremonia e tempullit përfshiu disa fjalë që më sollën një ndjesi djegieje në zemër, duke pohuar se ajo që po portretizohej, ishte e vërtetë. Ajo që ndjeva, ishte personale për mua lidhur me të ardhmen time dhe u bë realitet 40 vjet më vonë nëpërmjet një thirrjeje nga Zoti për të shërbyer.

Përjetova të njëjtën ndjenjë kur u martova në Tempullin e Loganit në Jutë. Vulosjen e kreu Presidenti Spenser W. Kimball. Në ato pak fjalë që tha, ai dha këtë këshillë: “Hal dhe Kethi, jetoni në atë mënyrë që kur thirrja të vijë, ju të mund të largoheni me lehtësi”.

Kur i tha ato pak fjalë, unë pashë qartësisht në mendjen time, me plot ngjyra, një kodër të thepisur dhe një rrugë që të çonte në majë. Në anën e majtë të rrugës ishte një gardh i bardhë, i cili u zhduk në një radhë pemësh në majë të kodrës. Përmes pemëve mezi shihej një shtëpi e bardhë.

Një vit më vonë, e njoha atë kodër kur vjehërri im na çoi me makinë nëpër atë rrugë. Ishte me hollësi ajo që pashë kur Presidenti Kimball na dha këshillën e tij në tempull.

Kur mbërritëm në majë të kodrës, vjehërri im ndaloi te shtëpia e bardhë. Na tha se ai dhe bashkëshortja e tij po e blinin pronën dhe se donte që unë dhe bija e tij të jetonim në shtëpinë e miqve. Ata do të jetonin në hyrjen kryesore, vetëm disa metra më larg. Kështu që, gjatë 10 vjetëve që jetuam në atë mjedis të dashur familjar, bashkëshortja ime dhe unë thoshim thuajse çdo ditë: “Bëjmë mirë ta shijojmë, sepse nuk do të jemi shumë gjatë këtu”.

Erdhi një telefonatë nga komisioneri i Kishës për arsimin, Nil A. Maksuelli. Paralajmërimi i dhënë nga Presidenti Kimball që të ishim në gjendje “të largohe[shim] me lehtësi”, u bë realitet. Ishte një thirrje për t’u larguar nga ajo që dukej një situatë familjare idilike, për të shërbyer në një detyrë në një vend për të cilin nuk dija asgjë. Familja jonë ishte gati ta linte atë kohë dhe vend të bekuar për shkak se një profet, në një tempull të shenjtë, një vend zbulese, pa një ngjarje të ardhshme për të cilën ne atëherë ishim të përgatitur.

E di se tempujt e Zotit janë vende të shenjta. Qëllimi im sot për të folur për tempujt është që të shtoj dëshirën tuaj dhe timen për të qenë të denjë dhe gati për mundësitë e shtuara për përvoja tempulli që po na vijnë.

Për mua, shtysa më e madhe që të jem i denjë për përvojat në tempull, është ajo që ka thënë Zoti për shtëpitë e Tij të shenjta:

“Dhe për aq sa njerëzit e mi më ndërtojnë një shtëpi mua në emër të Zotit dhe nuk lejojnë gjëra të papastra të hyjnë në të, që ajo të mos ndotet, lavdia ime do të pushojë në të;

Po, dhe prania ime do të jetë atje, sepse unë do të hyj në të, dhe gjithë të kulluarit në zemër që do të hyjnë në të, do ta shohin Perëndinë.

Por, në qoftë se ndotet, unë nuk do të hyj në të dhe lavdia ime nuk do të jetë atje; sepse unë nuk do të hyj në tempuj jo të shenjtë.”1

Presidenti Rasëll M. Nelson na e qartësoi se ne mund ta “shohi[m]” Shpëtimtarin në tempull, në kuptimin që Ai nuk është më i panjohur për ne. Presidenti Nelson tha këtë: “Ne e kuptojmë Atë. E kuptojmë veprën e Tij dhe lavdinë e Tij. Dhe fillojmë ta ndiejmë ndikimin e pafundmë të jetës së Tij të pakrahasueshme.”2

Nëse ju apo unë do të shkonim në tempull jo mjaftueshëm të pastër, ne nuk do të ishim në gjendje të shihnim, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, mësimin shpirtëror rreth Shpëtimtarit që mund ta marrim në tempull.

Kur jemi të denjë për të marrë një mësim të tillë, aftësia për të ndier shpresë, gëzim dhe optimizëm gjatë gjithë jetës sonë, mund të rritet nëpërmjet përvojës sonë në tempull. Kjo shpresë, ky gëzim dhe optimizëm janë në dispozicion vetëm nëpërmjet pranimit të ordinancave që kryhen në tempujt e shenjtë. Tempulli është vendi ku ne mund të marrim sigurinë për lidhjet e dashura familjare që do të vazhdojnë pas vdekjes dhe do të zgjatin në përjetësi.

Vite më parë, ndërkohë që po shërbeja si peshkop, një i ri i pashëm i rezistoi ftesës sime që të bëhej i denjë për të jetuar me Perëndinë si familje përgjithmonë. Në një mënyrë luftarake, ai më tregoi për kohët e bukura që kishte kaluar me miqtë. E lashë të fliste. Pastaj më tregoi për një çast gjatë njërës prej mbrëmjeve të tij, në mes të zhurmës së çjerrë, kur papritur kuptoi se ndihej i vetmuar. E pyeta se çfarë kishte ndodhur. Ai tha se i qe kujtuar një rast kur ishte i vogël, i ulur në prehrin e nënës së tij, e cila e kishte mbështjellë në krahë. Në atë çast, ndërsa tregoi atë histori, u përlot. I tregova atë që e di se është e vërtetë: “E vetmja mënyrë që të mund ta kesh përgjithmonë ndjenjën e atij përqafimi familjar, është të bëhesh vetë i denjë dhe t’i ndihmosh të tjerët të marrin ordinancat vulosëse të tempullit”.

Ne nuk i dimë hollësitë e lidhjeve familjare në botën e shpirtrave ose çfarë mund të ndodhë pasi të ringjallemi. Por vërtet e dimë që profeti Elija erdhi ashtu siç ishte premtuar, për t’i kthyer zemrat e etërve te fëmijët dhe të fëmijëve tek etërit.3 Dhe ne e dimë që lumturia jonë e përjetshme varet nga bërja e më të mirës nga ana jonë për t’ua ofruar të njëjtën lumturi të qëndrueshme sa më shumë prej të afërmve tanë që është e mundur.

Ndiej të njëjtën dëshirë që t’ia dal për t’i ftuar pjesëtarët e gjallë të familjes, që të dëshirojnë të bëhen të denjë për të marrë dhe për të nderuar ordinancat vulosëse të tempullit. Kjo është pjesë e mbledhjes së premtuar të Izraelit në ditët e fundit në të dyja anët e velit.

Një nga mundësitë tona më të mëdha është kur pjesëtarët e familjes sonë janë të vegjël. Ata lindin me Dritën e Krishtit si një dhuratë. Kjo u mundëson atyre të kuptojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Për atë arsye, edhe të parit e një tempulli ose të një fotografie tempulli mund të kultivojë te një fëmijë dëshirën që të jetë i denjë dhe i privilegjuar që një ditë të hyjë në të.

Atëherë mund të vijë dita kur, si të rinj, ata të marrin një rekomandim tempulli për të kryer pagëzime mëkëmbëse në tempull. Nga kjo përvojë, mund të rritet ndjenja e tyre se ordinancat e tempullit gjithmonë tregojnë drejt Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij. Kur ata ndiejnë se po i ofrojnë një personi në botën e shpirtrave mundësinë për t’u pastruar nga mëkati, ndjenja e tyre do të rritet për ta ndihmuar Shpëtimtarin në veprën e Tij të shenjtë për të bekuar një fëmijë të Atit tonë Qiellor.

E kam parë fuqinë e asaj përvoje të ndryshojë jetën e një të reje. Vite më parë, shkova me bijën time në një tempull pasdite vonë. Ajo ishte e fundit që shërbeu si mëkëmbëse në pagëzimore. Bijën time e pyetën a mund të qëndronte më gjatë për të përfunduar ordinancat për të gjithë njerëzit emrat e të cilëve ishin përgatitur. Ajo tha “po”.

E pashë vogëlushen time të futej në vaskën e pagëzimit. Filloi pagëzimi. Uji rridhte nga fytyra e vogëlushes sime çdo herë që e nxirrnin nga uji. Herë pas here asaj iu bë pyetja: “A mund të bësh prapë [pagëzime]?” Çdo herë ajo tha “po”.

Si një baba i shqetësuar, fillova të shpresoj se do ta linin që të mos bënte më [pagëzime] të tjera. Por më kujtohet ende qëndrueshmëria e saj kur e pyetën a mund të bënte të tjera dhe ajo me një zë të qetë, të vendosur tha “Po”. Ajo qëndroi derisa personi i fundit në listë atë ditë, të kishte marrë bekimin e pagëzimit në emrin e Jezu Krishtit.

Kur dola nga tempulli me të atë natë, pyesja veten për atë që kisha parë. Një fëmijë ishte lartësuar shpirtërisht dhe kishte ndryshuar para syve të mi duke i shërbyer Zotit në shtëpinë e Tij. Ende më kujtohet ndjenja e dritës dhe paqes ndërsa u larguam së bashku nga tempulli.

Kanë kaluar vite. Ajo ende po i përgjigjet “po” pyetjes nga Zoti nëse do të bëjë më shumë për Të kur të jetë shumë e vështirë. Kjo është ajo që shërbimi në tempull mund të bëjë për të na ndryshuar dhe lartësuar shpirtërisht. Kjo është arsyeja pse shpresa ime për ju dhe për të gjithë familjen tuaj të dashur është që t’ju shtohet dëshira dhe vendosmëria për të qenë të denjë që të hyni në shtëpinë e Zotit aq shpesh sa jua lejojnë rrethanat.

Ai do që t’ju mirëpresë atje. Lutem që ju do të përpiqeni të krijoni në zemrat e fëmijëve të Atit Qiellor dëshirën për të shkuar atje, ku ata të mund të ndihen pranë Tij, dhe që gjithashtu do t’i ftoni paraardhësit tuaj të kualifikohen për të qenë me Të dhe me ju përgjithmonë.

Këto fjalë mund të jenë tonat:

Tempullin shum’ dua t’shoh.

Një dit’ atje do shkoj,

Të ndiej Shpirtin e Shenjtë,

Të lutem dhe dëgjoj.

Shtëpi e Per’ndis’ ësht’ tempulli,

Vend plot hir dhe dashuri.

Do bëhem gati sa jam i ri;

K’të detyr’ t’shenjt’ kam tani.4

Unë jap dëshmi solemne se ne jemi fëmijë të një Ati të dashur Qiellor. Ai zgjodhi Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, që të ishte Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. E vetmja mënyrë për t’u kthyer për të jetuar me Ta dhe me familjen tonë është nëpërmjet ordinancave të tempullit të shenjtë. Dëshmoj se Presidenti Rasëll M. Nelson mban dhe ushtron të gjithë çelësat e priftërisë që bëjnë të mundur jetën e përjetshme për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.