2021
Drita Kapet pas Dritës
maj 2021


11:11

Drita Kapet pas Dritës

Teksa e forcojmë besimin tonë në Krisht, ne marrim dritë në shkallë më të madhe derisa ajo e davarit të gjithë errësirën.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, gëzohem me ju në këtë të diel të bekuar Pashke kur sjell ndër mend dritën e lavdishme që agoi mbi tokë me Ringjalljen e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezusi deklaroi: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”1. Shpirti i Krishtit “është në gjithçka [dhe] i jep jetë gjithçkaje”2. Ai e mposht errësirën që përndryshe do të na rrethonte.

Vite më parë, në kërkim të aventurës, dy bijtë e mi dhe unë shoqëruam një grup të Të Rinjve për në Moaning Cavern [Shpella e Rënkimit], e quajtur kështu prej një tingulli që jehonte dikur nga gryka e saj. Shpella është në formë oxhaku i cili hapet në një kthinë vertikale 55 metra të thellë, kthina e veçuar më e madhe e një shpelle në Kaliforni.

Shpella e Rënkimit

Ka vetëm dy rrugë për të shkuar poshtë: shkallët e sigurta rrethore ose rrëshqitja me litar teposhtë mureve të shpellës; bijtë e mi dhe unë zgjodhëm të rrëshqitnim me litar. Djali im më i madh u fut i pari, ndërsa unë dhe djali im më i vogël u futëm qëllimisht të fundit në mënyrë që të zbritnim bashkë.

Pasi udhërrëfyesit tanë na udhëzuan dhe na lidhën me rripa sigurimi dhe mekanizëm shtrëngues te një litar i fortë, ne ecëm me hapa të vegjël praptas derisa qëndruam mbi një buzë shkëmbi dhe morëm zemër, sepse ky ishte vendi i fundit për t’u kthyer pas dhe vendi i fundit prej të cilit mund të shihnim ndonjë rreze drite nga gryka e shpellës.

Hapi ynë i radhës praptas na futi në një shpellë sa një katedrale aq të lartë e të gjerë sa mund ta përpinte Statujën e Lirisë. Atje në litar u lëkundëm me rrotullim të ngadaltë teksa sytë tanë u mësuan me errësirën e vendit. Ndërsa vazhduam zbritjen tonë, shkëlqimi i dritave elektrike ndriçoi një mur të mahnitshëm stalagmitesh dhe stalaktitesh të shndritshme.

Pa paralajmërim, befas u fikën të gjitha dritat. Të mbetur pezull mbi greminë, na gllabëroi një errësirë aq e thellë sa nuk mund të shihnim as duart tona mbi litarët që kishim përpara. Në çast thirri një zë: “Babi, babi, aty je?”

“Këtu jam bir, ja tek jam”, u përgjigja.

Humbja e papritur e dritës qe planifikuar për të treguar se pa elektricitet, errësira e shpellës ishte e padepërtueshme. Ia arriti qëllimit; ne “e ndiem” errësirën. Kur dritat u kthyen, errësira u dorëzua në çast, sepse errësira duhet të dorëzohet gjithnjë, edhe ndaj dritës më të zbehtë. Bijve të mi dhe mua na la një kujtim errësire që nuk e kishim njohur kurrë, një vlerësim më të madh për dritën që nuk do ta harrojmë kurrë, dhe sigurinë që nuk jemi kurrë të vetëm fare në errësirë.

Zbritja jonë në atë shpellë në disa mënyra ngjason me rrugëtimin tonë përgjatë vdekshmërisë. Ne u ndamë nga drita e lavdishme e qiellit dhe zbritëm përmes një veli harrese në një botë të errësuar. Ati ynë Qiellor nuk na braktisi në errësirë por na premtoi dritë për rrugëtimin tonë nëpërmjet Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit.

Ne e dimë se drita e diellit është jetike për të gjithë jetën në tokë. Po aq jetike ndaj jetës sonë shpirtërore është drita që buron nga Shpëtimtari ynë. Në dashurinë e Tij të përsosur, Perëndia ia dhuron Dritën e Krishtit çdo personi “që vjen në botë”3, që ai të mund ta “dallojë të mirën nga e keqja”4 dhe të nxitet “për të bërë mirë përherë”5. Ajo dritë, duke u shpalosur nëpërmjet asaj që shpesh e quajmë ndërgjegjja jonë, na shtyn përherë që të veprojmë e të jemi më të mirë, të jemi vetja jonë më e mirë.

Teksa e forcojmë besimin tonë në Krisht, ne marrim dritë në shkallë më të madhe derisa ajo e davarit të gjithë errësirën që mund të mblidhet rrotull nesh. “Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë.”6

Drita e Krishtit na përgatit për të marrë ndikimin shërbestar të Frymës së Shenjtë, që është “fuqia bindëse e Perëndisë … për vërtetësinë e ungjillit”7. Anëtari i tretë i Kreut‑Perëndi, Fryma e Shenjtë “është një personazh i Shpirtit”8. Burimi më i madh i dritës që Ati Qiellor ju jep në vdekshmëri, vjen nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ndikimi i të cilit “do të ndriçojë mendjen t[uaj dhe] do ta mbushë shpirtin t[uaj] me gëzim”9.

Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, nëpërmjet autoritetit të rivendosur të priftërisë, pagëzoheni me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve. Më pas, mbi kokën tuaj vihen duart dhe ju jepet kjo “dhuratë … [e] papërshkrueshme”10, e mrekullueshme e Frymës së Shenjtë.

Nga ai çast e tutje, kur dëshirat dhe veprimet tuaja përqendrohen te shtegu i besëlidhjeve, Fryma e Shenjtë, si një dritë brenda jush, do ta zbulojë e do të dëshmojë për të vërtetën11, do ta paralajmërojë për rrezikun, do ta ngushëllojë12 e pastrojë13 dhe do t’i japë paqe14 shpirtit tuaj.

Për shkak se “drita kapet pas dritës”15, shoqërimi i vazhdueshëm i Frymës së Shenjtë do t’ju udhëheqë të bëni zgjedhje që do të priren t’ju mbajnë në dritë; anasjelltas, zgjedhjet e bëra pa ndikimin e Frymës së Shenjtë, do të priren t’ju udhëheqin nëpër hije dhe errësirë. Plaku Robert D. Hejls dha mësim: “Kur është e pranishme drita, errësira mposhtet dhe duhet të largohet. … Kur është e pranishme drita shpirtërore e Frymës së Shenjtë, errësira e Satanit largohet.”16

A mund të sugjeroj se, ndoshta, kjo është koha për ta pyetur veten: “A e kam atë dritë në jetën time? Nëse jo, kur ishte hera e fundit që e kisha?”

Njësoj si drita e diellit që e mbështjell përditë tokën për ta përtëritur e mbështetur jetën, ju mund ta bëni dritën të ndriçojë përditë brenda jush kur zgjidhni ta ndiqni Atë – Jezu Krishtin.

Pakëz dritë shtohet sa herë që e kërkoni Perëndinë në lutje; i studioni shkrimet e shenjta që ta “dëgjoni Atë”17; veproni sipas udhërrëfimit dhe zbulesës nga profetët tanë të gjallë; dhe u bindeni dhe i zbatoni urdhërimet që të “ec[ni] në të gjitha ordinancat e Zotit”18.

Do të ftoni dritë dielli shpirtërore në shpirtin tuaj dhe paqe në jetën tuaj sa herë që pendoheni. Kur ta merrni sakramentin çdo javë për të marrë emrin e Shpëtimtarit mbi vete, që ta kujtoni gjithmonë Atë e t’i zbatoni urdhërimet e Tij, drita e Tij do të shkëlqejë brenda jush.

Ka rrëzëllim në shpirtin tuaj sa herë që e përhapni ungjillin dhe jepni dëshminë tuaj. Sa herë që i shërbeni njëri-tjetrit siç bëri Shpëtimtari, ngrohtësia e Tij ndihet në zemrën tuaj. Drita e Atit Qiellor qëndron gjithnjë brenda tempullit të Tij të shenjtë dhe mbi të gjithë ata që e paraqitin veten në shtëpinë e Zotit. Drita e Tij brenda jush shtohet me veprat tuaja me dashamirësi, durim, falje e dashuri hyjnore dhe shfaqet në shprehinë tuaj të gëzueshme të fytyrës. Nga ana tjetër, ne ecim nëpër hije kur jemi tepër të shpejtë për t’u zemëruar dhe tepër të ngadaltë për të falur. “Ndërsa e mbani fytyrën tuaj drejt rrezeve të diellit, hijet nuk kanë ç’të bëjnë tjetër veçse t’ju mbeten prapa.”19

Kur jetoni për ta merituar shoqërimin e Frymës së Shenjtë, ju vërtet e “rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë”20.

Jeta paraqit sfida dhe pengesa dhe të gjithë duhet të përballemi me disa ditë të errëta dhe stuhi. Përmes gjithçkaje, nëse e “lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë”21, drita e Frymës së Shenjtë do të zbulojë se ka një qëllim dhe kuptim në sprovat tona që ato përfundimisht të na shndërrojnë në individë më të mirë, më të plotë me një besim më të vendosur dhe shpresë më të ndritshme në Krisht, duke e ditur se Perëndia na gjendej pranë gjatë gjithë kohës në ditët tona të errëta. Sikurse na ka këshilluar Presidenti Rasëll M. Nelson: “Errësira në rritje që e shoqëron fatkeqësinë, bën që drita e Jezu Krishtit të ndriçojë përherë më e shkëlqyeshme”22.

Stinët e jetës sonë mund të na çojnë në vende si të papritura edhe në vende të padëshiruara. Nëse mëkati ju ka çuar atje, mbylleni perden e errësirës dhe filloni tani t’i qaseni me përulje Atit tuaj Qiellor me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar dhe pendohuni. Ai do ta dëgjojë lutjen tuaj të zellshme. Me guxim sot, “afro[ju]ni pranë dhe [Ai] do të afrohe[t] pranë jush”23. Ju nuk mund të bëni kurrë diçka që e tejkalon fuqinë shëruese të Shlyerjes së Jezu Krishtit.

Unë vij nga prindër të mirë dhe paraardhës besnikë që iu përgjigjën dritës së Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij dhe kjo e bekoi jetën e tyre dhe të brezave që kanë ardhur pas tyre me aftësi për t’u ripërtërirë shpirtërisht. Babai im fliste shpesh për të atin, Majlo T. Daiksin, dhe tregonte se si besimi i Tij në Perëndi ishte një dritë për të ditë e natë. Gjyshi ishte një rojtar pylli dhe shpesh kalëronte vetëm nëpër male, duke ia mirëbesuar pa asnjë dyshim jetën e vet drejtimit dhe përkujdesit të Perëndisë.

Një fund vjeshte, gjyshi ishte vetëm nëpër malet e larta. Dimri ishte shfaqur tashmë kur shaloi njërin prej kuajve të vet të parapëlqyer, Princin e vjetër, dhe e kalëroi drejt një kantieri sharrash për t’i peshuar dhe matur trungjet përpara se të sharroheshin e të bëheshin lëndë drusore.

Në muzg, e mbaroi punën dhe hipi prapë në shalë. Deri në atë kohë, temperatura kishte rënë shumë dhe një stuhi e furishme dimri me dëborë po e gllabëronte malin. Pa dritë e pa shteg për ta udhërrëfyer, ai e ktheu Princin në një drejtim që mendoi se do t’i çonte përsëri në vendqëndrimin e rojave të pyllit.

Majlo Daiksi duke udhëtuar në një stuhi

Pasi udhëtoi për disa kilometra në errësirë, Princi e uli ritmin, pastaj u ndal. Gjyshi e nxiti shumë herë Princin që të shkonte përpara, por kali nuk pranoi. Me borën verbuese që shtillej përreth tyre, gjyshi e kuptoi se i nevojitej ndihma e Perëndisë. Ashtu siç kishte bërë gjatë gjithë jetës, ai përulësisht “kërko[i] me besim, pa dyshuar”24. Një zë i qetë, i vogël u përgjigj: “Majlo, lëshoja kapistallin Princit”. Gjyshi u bind dhe kur nuk ia tërhoqi më kapistallin, Princi u rrotullua dhe u çapit në një drejtim tjetër. Pas disa orësh, Princi u ndal sërish dhe uli kokën. Përmes borës së furishme, gjyshi pa që ata kishin mbërritur shëndoshë e mirë në portën e vendqëndrimit të rojave.

Kur doli dielli i mëngjesit, gjyshi ndoqi gjurmët e zbehta të Princit në borë. Ai mori frymë thellë kur zbuloi se ku ia kishte lëshuar kapistallin Princit: ishte pikërisht buza e një shkëmbi të lartë malor, kur një hap i vetëm përpara do ta kishte plandosur edhe kalin, edhe kalorësin drejt vdekjes në shkëmbinjtë e thepisur teposhtë.

Në bazë të asaj përvoje dhe shumë të tjerave, gjyshi këshilloi: “Ortaku më i mirë dhe më i shkëlqyer që do të keni ndonjëherë, është Ati juaj në Qiell”. Kur babai im e rrëfente historinë e gjyshit, më kujtohet se citonte nga shkrimet e shenjta:

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;

pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.”25

Shpëtimtari duke mbajtur një llambë

Dëshmoj se Jezu Krishti është drita e përjetshme që “shkëlqen në errësirë”26. Nuk ka errësirë që do të mund ta shuajë, zhdukë, sundojë ose mposhtë ndonjëherë atë dritë. Ati ynë Qiellor jua ofron lirisht atë dritë. Ju nuk jeni kurrë vetëm. Ai e dëgjon dhe i përgjigjet çdo lutjeje. Ai “ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme”27. Kur ju të pyetni: “Atë, Atë, aty je?” Ai gjithmonë do të përgjigjet: “Këtu jam biri im/bija ime, ja tek jam”.

Jap dëshmi se Jezu Krishti e përmbushi planin e Atit Qiellor si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë28; Ai është drita jonë, jeta jonë dhe udha jonë. Drita e tij nuk do të zbehet kurrë29; lavdia e Tij nuk do të pushojë kurrë, dashuria e Tij për ju është e përjetshme – dje, sot dhe përgjithmonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.