Përpjekjet Humanitare Sjellin Ndihmë
Kisha i vazhdon përpjekjet për të ndihmuar njerëzit nevojtarë anembanë botës dhe për të dhënë ndihmë humanitare gjatë kohëve të krizës.
Në përpjekjen më të madhe humanitare për ndihmë në historinë e Kishës, Latter-day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] (krahu humanitar i Kishës) ka ndihmuar shumë njerëz gjatë pandemisë së COVID-19, duke siguruar fonde dhe furnizime për të ndihmuar në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes. Përpjekja gjithashtu ka siguruar artikuj materialë dhe trajnim për profesionistët e kujdesit shëndetësor, përfshirë udhërrëfim mbi mënyrën se si të ofrohet përkrahje fizike, mendore dhe emocionale.
Fabrikat e konservimit dhe të përpunimit të ushqimeve të Kishës janë përshtatur që të përmbushin nevojat në rritje, duke vënë në dispozicion prodhime dhe mallra sipas nevojave të udhëheqësve të Kishës, agjencive të komunitetit, programeve të ushqimit në shkolla, bankave ushqimore dhe organizatave të tjera që janë partnerë me Kishën, përfshirë qeveritë, organizatat ndërkombëtare joqeveritare dhe grupe të tjera humanitare. Deri më sot, Latter-day Saint Charities ka përkrahur 1 050 projekte ndihmash ndaj COVID‑19 në 152 vende.
Që nga konferenca e fundit e përgjithshme, Latter-day Saint Charities dhe udhëheqësit krahinorë e vendorë të Kishës:
-
Kanë organizuar vullnetarë të Duarve Ndihmëtare dhe përpjekje ndihme mbasi tre uraganë goditën Bregdetin e Gjirit të SHBA‑së nga Teksasi juglindor deri në Floridën veriperëndimore.
-
Kanë punuar me partnerë dhe kanë bashkërenduar me udhëheqës vendorë të Kishës për të siguruar ndihmë mbas tajfuneve që goditën Filipinet. Dyzet shtëpi mbledhjesh të Kishës u përdorën si qendra evakuimi.
-
U kanë ardhur në ndihmë viktimave të zjarreve në 23 kunje në Kaliforni, Ajdaho, Oregon dhe Uashington në SHBA.
-
Kanë punuar me një partner për të siguruar 180 ton ushqime për të ndihmuar njerëzit nevojtarë në Uajomi, Merilend, Miçigan, Nebraska, Karolinën e Jugut, Kolorado, Masaçusets dhe Karolinën e Veriut në SHBA.
-
I kanë dhënë 1 milion dollarë organizatës Salvation Army që të përkrahë shpërndarjen e ushqimeve në më shumë se 150 vendndodhje në vende të ndryshme të SHBA‑së.
-
U kanë dhuruar ushqime 200 qendrave vendore të ushqimeve në Nju-Jork, SHBA.
-
I kanë dërguar Hondurasit mbi 17 000 kilogramë veshje dhe mbi 77 600 kilogramë ushqime, duke punuar me udhëheqës qeveritarë dhe komunitarë për t’u siguruar ndihmë të mbijetuarve pas dy uraganeve.
-
Kanë ndihmuar në financimin e programeve që do të sigurojnë 30 milionë vakte ushqimore për shkolla në nëntë shtete në Afrikë.
-
Kanë financuar 200 veprimtari për dhurimin e gjakut në 14 shtete në Zonën Qendrore të Kishës për Amerikën Veriore.
-
Kanë dhuruar më shumë se 200 000 dollarë për mjete mbrojtëse vetjake për profesionistët mjekësorë dhe maska për fëmijët e shkollave në Botsvanë. Njëmbëdhjetë bashkësi vendore të Kishës në mënyrë kolektive qepën 8 000 maska për të ndihmuar përpjekjen.
-
Janë zotuar të japin një ndihmë financiare prej 20 milionë dollarësh në përkrahje të përgjigjes mbarëbotërore ndaj COVID-19 nga Fondi i Emergjencës për Fëmijët i Kombeve të Bashkuara (UNICEF), i cili do të ndihmojë për të siguruar vaksina për 196 shtete.
-
Kanë shpërndarë mbi 350 000 kilogramë ushqime; 17 000 kuti me ujë; dyshekë dhe furnizime të tjera për njerëzit nevojtarë në Teksas dhe Oklahomë mbas stuhive të ashpra dimërore.