2021
Ngjarjet Virtuale Krijojnë Unitet
maj 2021


Ngjarjet Virtuale Krijojnë Unitet

Ngjarjet virtuale kanë krijuar mundësi të shumta që anëtarët e Kishës të ndihen të bashkuar në qëllimet dhe të kuptuarit e ungjillit.

Miku Mikut

E financuar nga Presidenca e Përgjithshme e Fillores, kjo ngjarje për fëmijët, prindërit dhe udhëheqëset u drejtua nga një djalë dhe një vajzë që folën në gjuhët e tyre amtare anglisht, spanjisht ose portugalisht. Fëmijë të tjerë dhanë raportime gjatë transmetimit nga vende të tjera të botës. Paraqitja përfshiu histori në materiale filmike rreth Jezu Krishtit, një mesazh për fëmijët nga Presidenti Rasëll M. Nelson, një intervistë rreth besëlidhjeve të pagëzimit me Plakun Ulises Soares, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe diskutime me Presidencën e Përgjithshme të Fillores. Ajo gjithashtu përfshiu mësime vizatimi, veprimtari me punime arti dhe të kënduarit e këngëve. Ngjarja është përkthyer dhe është në dispozicion për t’u parë në më shumë gjuhë. Ajo gjithashtu do të jetë në dispozicion në segmente më të shkurtra për përdorim në studimin e ungjillit në shtëpi.

Kremtimi i Të Rejave

Presidenca e Përgjithshme e Të Rejave mbajti një ngjarje virtuale që shënoi 150‑vjetorin e organizatës së Të Rejave. Ajo u transmetua në 11 gjuhë. Presidenti Nelson dha një mesazh të regjistruar dhe udhëheqëset e Të Rejave u dhanë përgjigje pyetjeve në anglisht, spanjisht dhe portugalisht. Të rejat në Norvegji dhe Tajlandë bënë lutjet. Në vitin 2020, të rejat anembanë botës u nxitën që të bënin 150 veprime shërbimi.

RootsTech Connect

Më shumë se një milion njerëz entuziastë për historinë familjare u bashkuan me ngjarjen virtuale RootsTech në shkurt të vitit 2021. Ky ishte numri më i madh i njerëzve që morën pjesë ndonjëherë në atë që është bërë festimi më i madh në botë i historisë familjare. RootsTech ka ndërmjetësuar krijimin e një biblioteke virtuale mësimi që do të jetë në dispozicion gjatë gjithë vitit. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe bashkëshortja e tij, Patrisha, ishin folësit e ftuar për Ditën e Zbulimit të Familjes, që është një pjesë vjetore e mbledhjes.

Festivali Muzikor për Rininë

Festivali mbarëbotëror Muzikor për Rininë, i zhvilluar në mars, përfshiu talente muzikore dhe dëshmi. Të rinj e të reja nga Zelanda e Re, Brazili, Republika Domenikane, Gjermania, Afrika e Jugut dhe Filipinet paraqitën një program, i cili u bazua në temën e vitit 2021 për rininë e Kishës, “Një Vepër e Madhe” (shih Doktrina e Besëlidhje 64:33–34). Përveç muzikës dhe mesazheve të përqendruara te Krishti nga bashkëmoshatarët e tyre, të rinjtë e të rejat gjithashtu dëgjuan Presidentin Nelson; Presidenten Boni H. Kordën, Presidente e Përgjithshme e Të Rejave; dhe Presidentin Stiven J. Land, Presidenti i Përgjithshëm i Të Rinjve.

Mundësitë për Gratë

Presidentja Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, ishte folësja kryesore në simpoziumin e pestë vjetor “Dita Ndërkombëtare e Grave në Diplomaci”. E financuar nga konsulli i përgjithshëm i nderit i Republikës së Senegalit, ngjarja virtuale zuri fill nga Los Anxhelosi në Kaliforni të SHBA‑së. Presidentja Bingham u tha udhëheqëseve pjesëmarrëse të bizneseve dhe diplomateve ndërkombëtare se arsimimi është kyçi drejt suksesit për gratë dhe vajzat anembanë botës. Ajo tregoi shembuj të grave që janë bekuar nga nisma e Kishës për Shkrim‑Lexim nëpërmjet Ungjillit.

Koncertet për Krishtlindje

Anëtarë të Kishës dhe miq të besimeve të tjera fetare nga anembanë botës dorëzuan materiale filmike të paraqitjeve për Krishtlindje, të cilat u redaktuan në koncerte dhe u transmetuan në ChurchofJesusChrist.org gjatë gjithë periudhës së Krishtlindjes si pjesë e fushatës vjetore për Krishtlindjen “Ndriçoje Botën”.