2021
Perëndia i Do Fëmijët e Tij
maj 2021


8:40

Perëndia i Do Fëmijët e Tij

Do të doja të tregoja tri mënyra të veçanta se si Ati ynë Qiellor e shfaq dashurinë e Tij për ne, fëmijët e Tij.

Vëllezër e motra, unë gëzoj me ju në ungjillin e Jezu Krishtit. Unë sjell me vete dashurinë nga anëtarët e patundur në Filipine dhe ju them, në emër të tyre, Mabuhai!

Në këtë mëngjes Pashke, unë dëshmoj për Krishtin e gjallë, që Ai u ngrit së vdekuri dhe se dashuria e Tij për ne dhe për Atin tonë në Qiell është e pastër dhe e përjetshme. Sot, unë dëshiroj të përqendrohem te dashuria e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për të gjithë, e cila manifestohet nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16).

Kur profetin Nefi e pyeti një engjëll rreth njohurisë së tij për Perëndinë, Nefi iu përgjigj thjesht: “Unë e di se ai i do fëmijët e tij” (shih 1 Nefi 11:16–17).

Një varg nga Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit, e përshkruan fuqishëm dashurinë e përsosur të Shpëtimtarit: “Dhe bota, për shkak të paudhësisë së vet, do ta gjykojë atë të jetë një gjë pa vlerë; … ata e fshikullojnë atë …, ata e godasin atë … ata pështyjnë mbi të dhe ai e duron atë, për shkak të dashurisë së përzemërt të tij dhe të shpirtmirësisë së tij kundrejt fëmijëve të njerëzve” (1 Nefi 19:9). Dashuria universale e Shpëtimtarit, është forca shtytëse pas gjithçkaje që Ai bën. Ne e dimë se është e njëjta dashuri që Ati ynë në Qiell ka për ne, sepse Shpëtimtari dha mësim me përulësi se Ai dhe Ati “j[anë] një” (shih Gjon 10:30; 17:20–23).

Atëherë, si t’ua kthejmë mirënjohjen tonë për dashurinë e Tyre universale dhe si ta shfaqim atë? Shpëtimtari na mësoi me këtë ftesë të thjeshtë e gjithëpërfshirëse: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15).

Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Dashuria universale dhe e [përsosur] e Perëndisë shfaqet në të gjitha bekimet e planit të Tij ungjillor, përfshirë faktin se bekimet e Tij më të çmuara u rezervohen atyre që u binden ligjeve të Tij”1.

Do të doja të tregoja tri mënyra të veçanta se si Ati ynë Qiellor e shfaq dashurinë e Tij për ne, fëmijët e Tij.

Së Pari, Marrëdhëniet me Perëndinë dhe Familjen e Manifestojnë Dashurinë e Tij

Marrëdhëniet tona më me vlerë janë me Atin e Birin dhe me vetë familjet tona, sepse lidhjet tona me ta janë të përjetshme. Plani i madh i lumturisë është një manifestim i mrekullueshëm i dashurisë së Perëndisë për ne. Me sytë e ngulitur në planin e Perëndisë, ne zgjedhim me gatishmëri të heqim dheun dhe gurët brenda nesh që ushqejnë dëshirat egoiste dhe i zëvendësojmë ato me themelet që ndërtojnë marrëdhënie të përjetshme. Në njëfarë kuptimi, kjo mund të quhet “gërmim shpirtëror”. Kur kryejmë gërmimin tonë shpirtëror, ne së pari duhet të kërkojmë Perëndinë dhe t’i thërrasim Atij (shih Jeremia 29:12–13).

Kërkimi dhe thirrja për Atë do të fillojë procesin dhe do të sigurojë mundësinë për t’i ndërtuar dhe forcuar marrëdhëniet tona të përjetshme. Kjo e zgjeron pikëpamjen tonë shpirtërore dhe na ndihmon të përqendrohemi te ndryshimi i asaj që mund të kontrollojmë, në vend që të përqendrohemi te frika [për gjërat] që nuk mund t’i kontrollojmë. Studimi i jetës dhe shërbesës së Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, do të na mundësojë që t’i shohim këto shqetësime të tjera me një këndvështrim të përjetshëm.

Shpërqendrimet ndonjëherë mund të na pengojnë që ta përjetojmë dashurinë e Perëndisë në marrëdhëniet dhe veprimtaritë tona familjare. Një nënë, që ndiente se aparatet elektronike po mbizotëronin në marrëdhëniet e saj familjare, gjeti një zgjidhje. Gjatë vaktit të darkës në tryezë dhe në raste të tjera familjare, ajo thjesht bën thirrjen: “Dorëzojini celularët, le të shihemi ballë për ballë”. Ajo thotë se kjo është norma e re për familjen e tyre dhe se marrëdhënia e tyre si familje forcohet kur shihen ballë për ballë me të vërtetë. Tani atyre u pëlqejnë diskutimet cilësore së bashku si familje për programin ‘Eja, Më Ndiq’.

Së Dyti, Ai ua Manifeston Dashurinë e Tij Fëmijëve të Tij duke Thirrur Profetë

Bota jonë e tanishme është e zhytur në një “luft[ë] fjalësh dhe ngatërres[ë] opinionesh” (Joseph Smith – Historia 1:10). Pali na kujton se “ka … [shumë] lloje zërash në botë” (1 Korintasve 14:10). Cili nga të gjithë zërat ngrihet qartësisht dhe kuptimplotë mbi këtë potere? Është zëri i profetëve, shikuesve dhe zbuluesve të Perëndisë.

Më kujtohet qartë që, pasi iu nënshtrova një operacioni në vitin 2018, kur u ktheva në punë, ndodhesha në garazhin e parkimit në zyrat qendrore të Kishës. Befas, dëgjova zërin e Presidentit Rasëll M. Nelson duke thirrur: “Taniela, Taniela”. Vrapova drejt tij dhe ai më pyeti se si po ia kaloja.

Unë thashë: “Po e marr veten shumë mirë, Presidenti Nelson”.

Ai më dha këshilla dhe një përqafim. E ndjeva vërtet shërbesën vetjake të një profeti ndaj një “individi”.

Presidenti Nelson ka udhëtuar në shumë kombe mbi tokë. Në mendjen time, ai nuk po u jep shërbesë thjesht mijëra njerëzve, por ai po u jep shërbesë mijëra “individëve”. Duke e bërë këtë, ai jep dashurinë që Perëndia ka për të gjithë fëmijët e Tij.

Kohët e fundit, fjalët e Presidentit Nelson kanë qenë një burim force dhe frymëzimi për njerëzit në Filipine. Sikurse ndodhi me çdo vend të botës, gjatë vitit 2020, filipinasit u prekën rëndë nga pandemia e COVID‑19, si edhe nga një shpërthim vullkanik, tërmete, tajfune të forta dhe përmbytje shkatërruese.

Por si një shtyllë drite që ndriçon tejpërtej reve të zeza të frikës, vetmisë dhe dëshpërimit, erdhën fjalët e profetit. Ato përfshinë thirrjen për agjërim dhe lutje mbarëbotërore dhe këshillë për të vazhduar përpara pavarësisht pandemisë. Ai na ftoi t’i bëjmë shtëpitë tona shenjtërore vetjake besimi. Ai u bëri thirrje shenjtorëve të ditëve të mëvonshme kudo që ndodheshin, që t’i respektonin të gjithë fëmijët e Perëndisë dhe ta linin Perëndinë të triumfonte në jetën e tyre.2

Po aq frymëzuese ishte edhe dëshmia te materiali filmik i kohëve të fundit nga Presidenti Nelson rreth fuqisë së mirënjohjes dhe lutja e tij përmbyllëse, e cila jehoi anekënd Filipineve.3 Në provincën e Lejtes, materiali filmik u shfaq gjatë një ngjarjeje ndërfetare dhe gjithashtu u përmend si pjesë e predikimit moralizues të një prifti. Filipinasit, bashkë me të gjithë botën, janë kaq të bekuar që e ndiejnë dashurinë e Perëndisë nëpërmjet fjalëve të profetit të Tij të zgjedhur.

Së Treti, Qortimi Mund të Jetë një Manifestim i Dashurisë së Perëndisë për Fëmijët e Tij

Nganjëherë Perëndia e manifeston dashurinë e Tij duke na qortuar. Është një mënyrë për të na kujtuar se Ai na do dhe se Ai e di se kush jemi. Bekimi i Tij i premtuar për paqe është i hapur ndaj të gjithë atyre që ecin gjithë guxim në shtegun e besëlidhjeve dhe janë të gatshëm ta pranojnë korrigjimin.

Kur e dallojmë qortimin dhe e pranojmë me gatishmëri, ky bëhet një operacion shpirtëror. E kujt vallë i pëlqen operacioni? Por atyre që kanë nevojë për të dhe janë të gatshëm t’i nënshtrohen atij, mund t’u shpëtojë jetën. Zoti i qorton ata që Ai i do. Shkrimet e shenjta na e thonë këtë (shih Hebrenjve 12:5–11; Helamani 12:3; Doktrina e Besëlidhje 1:27; 95:1). Ai qortim ose operacion shpirtëror, do të sjellë ndryshimin e nevojshëm në jetën tonë. Ne do të kuptojmë, vëllezër e motra, se ai e rafinon dhe e pastron enën tonë të brendshme.

Jozef Smithi, Profeti i Rivendosjes, u qortua. Pasi Jozefi humbi dorëshkrimin me 116 fletë të Librit të Mormonit, Zoti edhe e korrigjoi, edhe i shfaqi dashurinë duke i thënë: “Nuk duhet të frikësohesh[e] më shumë nga njeriu sesa nga Perëndia. … Ti duhej të kishe qenë besnik. … Vër re, ti je Joseph-i dhe u zgjodhe. … Kujto, Perëndia është i mëshirshëm; si rrjedhim, pendohu” (Doktrina e Besëlidhje 3:7–10).

Në vitin 2016, ndërsa shërbeja në një mision në Litëll Rok, Arkansas, i kërkova Vëllait Kava t’i dorëzonte një pako motrës sime të madhe që jetonte në një ishull në Fixhi. Përgjigja e tij qe diçka që nuk e prisja. “Presidenti Uakolo”, psherëtiu ai, “motra juaj ndërroi jetë dhe iu bë varrimi 10 ditë më parë”. Ndjeva keqardhje për veten dhe madje u ndjeva pak i mërzitur që familja ime as nuk e kishte marrë mundimin të më njoftonte.

Të nesërmen, ndërsa bashkëshortja ime po u jepte mësim misionarëve, ky mendim ma përshkoi shpirtin: “Taniela, të gjitha këto përvoja janë për të mirën dhe zhvillimin tënd. Ti ke dhënë mësim dhe dëshminë tënde rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit; tani jeto sipas kësaj mënyre.” M’u kujtua vargu që thotë se i bekuar është njeriu të cilin Perëndia e korrigjon, prandaj nuk duhet ta përbuzim qortimin e të Plotfuqishmit (shih Jobit 5:17). Për mua ishte një operacion shpirtëror dhe rezultati ishte i menjëhershëm.

Ndërsa po meditoja mbi përvojën, më thirrën që të jepja mendimet e mia përmbyllëse për diskutimin. Ndër të tjera, unë tregova mësimet që sapo i kisha marrë: një, unë sapo isha qortuar nga Fryma e Shenjtë dhe më pëlqeu shumë sepse isha i vetmi që e dëgjova; dy, për shkak të flijimit dhe shpërblesës së Shpëtimtarit, unë nuk do t’u referohem më sfidave të mia si sprova dhe fatkeqësi, por si përvojat e mia të mësimit; dhe tre, për shkak të jetës së Tij të përsosur dhe pa mëkat, nuk do t’u referohem më të metave të mia dhe mungesës së aftësive të mia si dobësi por, përkundrazi, si mundësitë e mia për zhvillim. Kjo përvojë më ndihmoi të dija se Perëndia na qorton sepse Ai na do.

Po e mbyll. Ati ynë i Amshuar dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, e shfaqin dashurinë e Tyre duke bërë të mundur për ne që të kemi marrëdhënie të përjetshme me Ta dhe pjesëtarët e familjes sonë, duke thirrur profetë të ditëve të sotme që të na japin mësim dhe shërbesë dhe duke na qortuar që të na ndihmojnë të mësojmë e të rritemi. “Perëndisë i qoftë falë për dhuratën e pashoqe të Birit të Tij hyjnor”4, Zotit tonë të ringjallur, madje Krishtit të gjallë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.