Rendja drejt Synimit
Nuk ka të bëjë shumë me atë që po kalojmë në jetë, por me atë që po bëhemi.
Kur lexoj librin e Veprave të Apostujve dhe letrat e Palit, mahnitem nga mënyra se si Pali u nxit nga dashuria dhe mirënjohja për të shërbyer, për të dhënë mësim dhe për të dëshmuar për Jezu Krishtin. Si mund të shërbejë një person i tillë, me kaq shumë dashuri e mirënjohje, veçanërisht kur marrim parasysh vuajtjet e tij të mëdha? Çfarë e shtyu Palin të shërbente? “[Unë] rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.”1
Të rendim drejt synimit do të thotë të vazhdojmë me besnikëri në “shteg[un e] ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme”2 me Shpëtimtarin tonë dhe Atin tonë në Qiell. Pali i pa vuajtjet e tij si gjëra që “nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne”3. Letra e Palit drejtuar filipianëve, të cilën ai e shkroi kur ishte në burg, është një letër gëzimi dhe ngazëllimi gjithëpërfshirës dhe inkurajimi për të gjithë ne, veçanërisht në këtë kohë të vështirë pasigurie. Të gjithë ne kemi nevojë të marrim zemër nga Pali: “I konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin”4.
Ndërsa hedhim vështrimin te shërbimi i Palit, ne frymëzohemi dhe lartësohemi nga vetë “Palët” tanë në kohën tonë, të cilët gjithashtu shërbejnë, japin mësim dhe dëshmojnë me dashuri e mirënjohje mes sfidave me të cilat përballen në jetën e tyre dhe në jetën e njerëzve të tyre të dashur. Një përvojë që e pata nëntë vjet më parë, më ndihmoi të kuptoj rëndësinë e rendjes drejt synimit.
Në vitin 2012, kur hyra për herë të parë në mbledhjen e udhëheqjes për konferencën e përgjithshme, nuk mund të mos ndihesha i mbingarkuar emocionalisht dhe i papërshtatshëm. Në mendjen time ishte një zë që përsëriste vazhdimisht: “Ti nuk i përket këtij vendi! Është bërë një gabim i rëndë!” Pikërisht teksa po ecja duke u përpjekur të gjeja një vend për t’u ulur, Plaku Xhefri R. Holland më pikasi. Ai erdhi drejt meje dhe më tha: “Eduard, sa mirë që të shoh këtu”, dhe më ceku lehtas në faqe. U ndjeva si foshnjë! Dashuria dhe përqafimi i tij më ngrohën dhe më ndihmuan të ndiej shpirtin e përkatësisë, shpirtin e vëllazërisë. Të nesërmen, e vëzhgova Plakun Holland të bënte të njëjtën gjë që kishte bërë me mua një ditë më parë, tek cekte me ngrohtësi në faqe ish‑Plakun Dallin H. Ouks, i cili është shok i tij më i vjetër në detyrë!
Në atë çast ndjeva dashurinë e Zotit përmes këtyre burrave të cilët ne i mbështetim si profetë, shikues e zbulues. Plaku Holland, nëpërmjet veprimeve të tij të sjellshme, të natyrshme, më ndihmoi të kapërcej përqendrimin te vetja dhe ndjenjat e papërshtatshmërisë. Ai më ndihmoi të përqendrohesha te puna e shenjtë dhe e gëzueshme për të cilën isha thirrur – për të sjellë shpirtra te Krishti. Ai, ashtu si Pali i lashtë, më drejtoi që të rendja drejt synimit.
Në mënyrë interesante, Pali po na këshillon të shkojmë përpara, ndërsa na bën thirrje të harrojmë atë që është prapa – frikën tonë të kaluar, përqendrimin tonë të kaluar, dështimet tona të kaluara dhe trishtimin tonë të kaluar. Ai po na fton, ashtu si profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson, te “një qasje më [e] re, më [e] shenjtë”5. Premtimi i Shpëtimtarit është i vërtetë: “Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë”6.
Në fjalimin tim të parë në konferencën e përgjithshme, tregova një përvojë të nënës sime që më mësoi të punoja në fushën tonë. “Mos e kthe kurrë kokën pas”, tha ajo. “Shiko përpara tek ajo që kemi ende për të bërë.”7
Nga fundi i jetës së saj, ndërkohë që nëna po luftonte me kancerin, ajo jetoi me mua dhe Naumen. Një natë e dëgjova tek qante me dënesë në dhomën e saj. Dhembja e saj ishte e fortë, edhe pasi kishte marrë dozën e saj të fundit të përditshme të morfinës vetëm dy orë më parë.
Hyra në dhomë dhe qava me dënesë bashkë me të. U luta me zë të lartë që të merrte çlirim të menjëhershëm nga dhembja e saj. Dhe më pas ajo bëri të njëjtën gjë që kishte bërë në fushë vite më parë: ajo ndaloi dhe më dha një mësim. Nuk do ta harroj kurrë fytyrën e saj në atë çast: e brishtë, e vuajtur dhe plot dhembje, duke vështruar me mëshirë drejt birit të saj të pikëlluar. Ajo buzëqeshi përmes lotëve, më pa drejt e në sy dhe tha: “Nuk varet nga ty apo dikush tjetër, por varet nga Perëndia a do të largohet kjo dhembje apo jo”.
U ula qetësisht. Edhe ajo u ul qetësisht. Skena mbetet e gjallë në mendjen time. Atë natë, nëpërmjet nënës sime, Zoti më mësoi një mësim që do të mbetet me mua përgjithmonë. Kur nëna ime shprehu pranimin nga ana e saj të vullnetit të Perëndisë, m’u kujtua arsyeja pse Jezu Krishti vuajti në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq në Golgotë. Ai tha: “Vini re, unë ju kam dhënë ungjillin tim dhe ky është ungjilli që ju kam dhënë – se unë erdha në botë për të bërë vullnetin e Atit tim, sepse Ati im më dërgoi”8.
Unë reflektoj për pyetjet profetike të profetit tonë të dashur, Presidentit Nelson, që na i drejtoi neve në konferencën e fundit të përgjithshme. Presidenti Nelson pyeti: “A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj? A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj? … A do ta lejoni zërin e Tij të ketë përparësi mbi çdo zë tjetër? A jeni të gatshëm që vullneti juaj të shkrihet me të Tijin?”9 Nëna ime do të ishte përgjigjur me një “po” emocionale, por të vendosur dhe anëtarë të tjerë besnikë të Kishës në të gjithë globin do të përgjigjeshin gjithashtu me një “po” emocionale, por të vendosur. Presidenti Nelson, faleminderit që na frymëzon dhe na lartëson shpirtërisht me këto pyetje profetike.
Kohët e fundit, pata një bisedë në Pretoria, në Afrikën e Jugut, me një peshkop i cili kreu varrimin e bashkëshortes dhe vajzës së tij të rritur në të njëjtën ditë. Jetët e tyre u morën nga kjo pandemi e koronavirusit. E pyeta se si po mbahej. Përgjigjja e Peshkopit Tedi Tabeti e forcoi vendosmërinë time për të ndjekur fjalët dhe këshillat nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit e Zotit. Peshkopi Tabeti u përgjigj se ka gjithmonë shpresë e ngushëllim në njohurinë se Shpëtimtari ka marrë mbi Vete dhembjet e popullit të Tij, që Ai të mund të dijë se si të na ndihmojë.10 Me një besim të thellë ai dëshmoi: “Jam mirënjohës për planin e shpëtimit, planin e lumturisë”. Më pas, ai më bëri një pyetje: “A nuk është kjo ajo që profeti ynë po përpiqej të na mësonte këtë konferencë të fundit?”
Ndërsa sfidat e vdekshmërisë do të vijnë për të gjithë ne në një mënyrë apo në një tjetër, le të përqendrohemi në qëllimin e “rend[jes] drejt synimit”, i cili është “çmimi [i] thirrjes së lartme të Perëndisë”11.
Ftesa ime e përulur për të gjithë ne është që të mos dorëzohemi kurrë! Jemi thirrur të “hedh[im] tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, [dhe] le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit [tonë]”12.
Nuk ka të bëjë shumë me atë që po kalojmë në jetë, por me atë që po bëhemi. Rendja drejt synimit na sjell gëzim. Dëshmoj se Ai që i mposhti të gjitha, do të na ndihmojë ndërsa e ngremë vështrimin tek Ai. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.