2021
Shpëtimtari Ynë Vetjak
maj 2021


8:30

Shpëtimtari Ynë Vetjak

Për shkak të flijimit të Tij shlyes, Shpëtimtari ka fuqinë të na pastrojë, të na shërojë e të na forcojë një e nga një.

Jam mirënjohës që jam me ju këtë mëngjes të mrekullueshëm Pashke. Kur mendoj për Pashkën, më pëlqen të risjell në mendje fjalët e thëna nga engjëjt që ishin te Varri në Kopsht: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk është këtu, por është ringjallur.”1 Dëshmoj se Jezusi i Nazaretit u ringjall dhe Ai jeton.

Ç’Mendoni Ju për Krishtin?

Tridhjetë e katër vjet më parë, shoku im i misionit dhe unë takuam dhe i dhamë mësim një burri tepër intelektual, i cili ishte një shkrues që kontribuonte në një gazetë vendore në Davao-Siti, Filipine. Na pëlqente t’i jepnim mësim atij ngaqë kishte shumë pyetje dhe shumë respekt për bindjet tona fetare. Pyetja më e paharrueshme që na bëri ishte: “Ç’[mendoni] ju për Krishtin?”2 Ne sigurisht që ia shprehëm ndjenjat tona me ngazëllim dhe dhamë dëshmi për Jezu Krishtin. Ai më vonë botoi një artikull mbi të njëjtën temë që përmbante fjalë dhe fraza të mrekullueshme rreth Shpëtimtarit. Më kujtohet se artikulli më la mbresa, por nuk më lartësoi domosdoshmërisht nga ana shpirtërore. Artikulli pati informacion të mirë, por dukej i zbrazët dhe i mungonte fuqia shpirtërore.

Të Arrijmë ta Njohim Atë Gjithnjë e më Tepër

“Ç’mendoni ju për Krishtin?” Po kuptoj që fakti se sa nga afër e njoh Shpëtimtarin, ndikon ndjeshëm tek aftësia ime për ta dëgjuar Atë si dhe te mënyra se si përgjigjem. Disa vite më parë, Plaku Dejvid A. Bednar, bëri pyetjet vijuese si pjesë e bisedës së tij: “Vetëm dimë rreth Shpëtimtarit, apo po arrijmë ta njohim gjithnjë e më shumë Atë? Si arrijmë ta njohim Zotin?”3

Teksa studioja dhe përsiatja, arrita në përfundimin befasues se gjërat që di për Shpëtimtarin, e tejkalonin shumë faktin se sa e njoh vërtet Atë. Atëherë vendosa të bëja më shumë përpjekje për ta njohur Atë. Jam shumë mirënjohës për shkrimet e shenjta dhe dëshmitë e burrave dhe grave që janë dishepuj/dishepulle besnike të Jezu Krishtit. Udhëtimi im vetjak gjatë disa prej viteve të fundit më ka çuar nëpër rrugë të shumta studimi e zbulimi. Lutem që Fryma e Shenjtë do t’ju përçojë sot një mesazh shumë më të madh se fjalët e papërshtatshme që kam shkruar.

Së pari, ne kemi nevojë të pranojmë se të njohim Shpëtimtarin është veprimtaria më e rëndësishme e jetës sonë. Ajo duhet të ketë përparësi mbi gjithçka tjetër.

“Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.”4

“Jezusi i tha: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje’.”5

“Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”6

Së dyti, ndërsa arrijmë ta njohim gjithnjë e më tepër Shpëtimtarin, fragmentet e shkrimeve të shenjta dhe fjalët e profetëve bëhen aq domethënëse së brendshmi sa ato bëhen fjalët tona vetjake. Nuk ka të bëjë më me kopjimin e fjalëve, ndjenjave dhe përvojave të të tjerëve, sa ka të bëjë me faktin që të arrijmë ta njohim për veten tonë, në vetë mënyrën tonë të pashoqe, duke eksperimentuar me fjalën7 dhe duke marrë dëshmi nga Fryma e Shenjtë. Sikurse deklaroi profeti Alma:

“A nuk mendoni se këto gjëra i di edhe unë vetë? Vini re, unë ju dëshmoj se e di që këto gjëra, për të cilat unë kam folur, janë të vërteta. Dhe si mendoni që unë di për sigurinë e tyre?

Vini re, unë po ju them se ato m’u bënë të njohura nga Shpirti i Shenjtë i Perëndisë. Vini re, unë kam agjëruar dhe jam lutur për shumë ditë, që t’i di këto gjëra vetë. Dhe tani, unë vetë e di se ato janë të vërteta; pasi Zoti Perëndi m’i ka njoftuar nëpërmjet Shpirtit të tij të Shenjtë; dhe ky është shpirti i zbulesës që është tek unë.”8

Së treti, të kuptuarit gjithnjë e më tepër se Shlyerja e Jezu Krishtit gjen zbatim për ne personalisht dhe individualisht, do të na ndihmojë ta njohim Atë. Shpeshherë e kemi më të lehtë të mendojmë e flasim për Shlyerjen e Krishtit në terma të përgjithshëm sesa ta pranojmë domethënien e saj vetjake në jetën tonë. Shlyerja e Jezu Krishtit është e pafundme, e përjetshme dhe gjithëpërfshirëse për nga gjerësia dhe thellësia e saj, por tërësisht vetjake dhe individuale për nga efektet e saj. Për shkak të flijimit të Tij shlyes, Shpëtimtari ka fuqinë të na pastrojë, të na shërojë e të na forcojë një e nga një.

Dëshira e vetme e Shpëtimtarit, qëllimi i Tij i vetëm që nga fillimi, ishte të bënte vullnetin e Atit. Vullneti i Atit ishte që Ai të ndihmonte për të “bë[rë] të ndodh[te] pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”9 duke u bërë “avokat[i ynë] tek Ati”10. Pra “edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi, dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden”11.

“Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji …

Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, … dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, … që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.

… Biri i Perëndisë vuan sipas mishit, që ai të mund të marrë përsipër mëkatet e popullit të tij, që të fshijë shkeljet e tyre, sipas fuqisë çliruese të tij.”12

Do të doja të tregoja një përvojë të thjeshtë e cila ilustron vështirësinë që kemi ndonjëherë për ta përqafuar natyrën vetjake të Shlyerjes së Zotit.

Vite më parë, me ftesë nga udhëheqësi im drejtues, e lexova Librin e Mormonit nga fillimi deri në fund dhe i shenjova vargjet që përmendnin Shlyerjen e Zotit. Udhëheqësi im më ftoi që të përgatitja edhe një përmbledhje njëfaqëshe për atë që kisha mësuar. Thashë me vete: “Një faqe? Patjetër, kollaj fare.” Megjithatë, për habinë time, zbulova se detyra ishte jashtë mase e vështirë dhe dështova.

Që nga ajo kohë kam kuptuar se unë dështova ngaqë nuk e kuptova qëllimin e vërtetë dhe kisha hamendësime të pasakta. Së pari, prisja që përmbledhja të ishte frymëzuese për çdo njeri. Përmbledhja ishte synuar për mua dhe për askënd tjetër. Ajo kishte për qëllim të shprehte ndjenjat dhe emocionet e mia rreth Shpëtimtarit dhe rreth asaj që Ai kishte bërë për mua, kështu që sa herë që ta lexoja, të më nxirrte në pah përvoja shpirtërore të mrekullueshme, prekëse dhe vetjake.

Së dyti, prisja që përmbledhja të ishte madhështore, e shtjelluar mirë dhe të përmbante fjalë e fraza të mëdha. Synimi nuk ishin kurrë fjalët e mëdha. Ajo kishte për qëllim të ishte një shpallje e thjeshtë dhe e qartë e bindjes që kisha. “Pasi shpirti im kënaqet në qartësi; pasi sipas kësaj mënyre vepron Zoti Perëndi mes fëmijëve të njerëzve. Pasi, Zoti Perëndi i jep dritë të kuptuarit.”13

Së treti, prisja që të ishte e përsosur, një përmbledhje që u jepte fund të gjitha përmbledhjeve – një përmbledhje përfundimtare së cilës askush nuk mund dhe nuk duhet t’i shtojë asgjë – në vend të një pune në përparim e sipër së cilës mund t’i shtoj një fjalë këtu ose një frazë atje teksa kuptueshmëria ime për Shlyerjen e Jezu Krishtit rritet.

Dëshmia dhe Ftesa

Kur isha i ri, mësova shumë nga bashkëbisedimet me peshkopin tim. Gjatë atyre viteve delikate, mësova t’i dua këto fjalë nga një himn i parapëlqyer:

Qëndroj plot habi kur shoh sa shum’ Krishti më do,

I shtangur nga hiri që ai kaq shum’ më dërgon.

Un’ dridhem kur di se për mua ai shkoi në kryq,

Për mua m’katarin vuajti, u gjakos dhe vdiq.

Kaq shum’ t’kujdeset për mua, o ç’mrekulli!

Aq shum’ sa u bë fli!

Për mua ç’mrekulli, o çfar’ mrekulli!14

Profeti Moroni na ftoi: “Dhe tani unë do të doja t’ju këshilloj ta kërkoni këtë Jezus për të cilin kanë shkruar profetët dhe apostujt”15.

Presidenti Rasëll M. Nelson premtoi se “nëse [ne] vazhdo[jmë] të mëso[jmë] gjithçka mundemi rreth Jezu Krishtit, … do të shtohet … aftësia [jonë] për t’u larguar nga mëkati. Dëshira [jonë] për t’i mbajtur urdhërimet do të ngrihet në qiell.”16

Në këtë të diel Pashke, ashtu si Shpëtimtari doli nga varri i Tij prej guri, u zgjofshim nga dremitja jonë shpirtërore dhe u ngritshim mbi retë e dyshimit, kthetrat e frikës, krenarinë helmuese dhe nanuritjen e vetëkënaqësisë. Jezu Krishti dhe Ati Qiellor jetojnë. Dëshmoj për dashurinë e Tyre të përsosur për ne. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.