2021
Bekoni në Emrin e Tij
maj 2021


13:4

Bekoni në Emrin e Tij

Qëllimi që ne e marrim priftërinë, është që të na lejojë t’i bekojmë njerëzit për Zotin, duke e bërë këtë në emrin e Tij.

Vëllezërit e mi të dashur, bashkëshërbëtorë në priftërinë e Perëndisë, është nder për mua t’ju flas sonte. Ju keni respektin dhe mirënjohjen time më të thellë. Kur flas me ju dhe dëgjoj për besimin tuaj të madh, është bindja ime se gjithnjë e më shumë po rritet fuqia e priftërisë në botë, me kuorume gjithnjë e më të forta dhe mbajtës gjithnjë e më besnikë të priftërisë.

Në pak kohë që kam me ju sonte, unë do t’u flas atyre prej jush që duan të jenë edhe më të efektshëm në shërbimin e tyre vetjak të priftërisë. Ju keni dijeni për detyrën se duhet ta lartësoni thirrjen tuaj për të shërbyer.1 Por ju mund të pyetni veten se çfarë domethënie mund të ketë për ju thirrja juaj.

Do ta filloj me dhjakët më të rinj, sepse ka shumë të ngjarë që ndihen të pasigurt për atë që mund të nënkuptojë lartësimi i shërbimit të tyre të priftërisë. Mund të duan të dëgjojnë edhe pleqtë e saposhuguruar. Dhe mund të jetë i interesuar edhe një peshkop në javët e tij të para të shërbimit.

Është udhëzuese për mua ta kthej vështrimin te ditët e mia si dhjak. Sa do të doja që dikush të më kishte thënë asokohe atë që unë do të sugjeroj tani. Mund të kishte ndihmuar në të gjitha detyrat e priftërisë që më janë dhënë që prej asaj kohe – madje edhe ato që marr në kohën e sotme.

U shugurova dhjak në një degë kaq të vogël, sa unë isha i vetmi dhjak dhe vëllai im, Tedi, ishte i vetmi mësues. Ne ishim e vetmja familje në degë. E gjithë dega mblidhej në shtëpinë tonë. Udhëheqësi i priftërisë për mua dhe vëllanë tim ishte një kthyer i ri në besim, i cili sapo kishte marrë vetë priftërinë. Asokohe besoja se detyra ime e vetme e priftërisë ishte të kaloja sakramentin në dhomën time të ngrënies.

Kur familja ime u shpërngul në Jutë, e gjeta veten në një lagje të madhe me shumë dhjakë. Në mbledhjen time të parë të sakramentit atje, vëzhgova dhjakët – mua m’u duk si një ushtri – që lëviznin me saktësi teksa e kalonin sakramentin si një ekip i stërvitur.

Isha aq i frikësuar, saqë të dielën vijuese shkova herët në ndërtesën e lagjes për të qenë vetëm kur askush nuk mund të më shihte. Më kujtohet që ishte Lagjja Jellkrest në Solt‑Lejk‑Siti, dhe kishte një statujë te terreni. Shkova pas statujës dhe u luta me zjarr për ndihmë që të dija se si të mos dështoja ndërsa zija vendin për të kaluar sakramentin. Ajo lutje mori përgjigje.

Por tani e di që ka një mënyrë më të mirë për t’u lutur dhe për të menduar ndërsa përpiqemi të rritemi në shërbimin tonë të priftërisë. Kjo ka ardhur duke e kuptuar vetë se përse individëve u jepet priftëria. Qëllimi pse ne e marrim priftërinë, është që të na lejojë t’i bekojmë njerëzit për Zotin, duke e bërë këtë në emrin e Tij.2

Kishin kaluar vite prej kohës që kur isha dhjak, kur mësova se çfarë do të thotë kjo në praktikë. Për shembull, kur isha prift i lartë, u caktova të vizitoja një mbledhje sakramenti në një qendër përkujdesjeje. M’u kërkua të shpërndaja sakramentin. Në vend që të mendoja për procesin ose saktësinë e mënyrës se si e shpërndava sakramentin, përkundrazi vështrova fytyrën e secilit prej të moshuarve. I pashë shumë prej tyre duke qarë. Një zonjë më kapi mëngën, vështroi lart dhe tha me zë të lartë: “O, faleminderit, faleminderit”.

Zoti e kishte bekuar shërbimin tim të dhënë në emrin e Tij. Atë ditë unë isha lutur që të vinte një mrekulli e tillë, në vend që të lutesha se sa mirë mund ta bëja pjesën time. U luta që njerëzit të ndienin dashurinë e Zotit nëpërmjet shërbimit tim plot dashuri. Kam mësuar se ky është çelësi për t’u shërbyer të tjerëve dhe për t’i bekuar ata në emrin e Tij.

Dëgjova një përvojë të kohëve të fundit që ma kujtoi një dashuri të tillë. Kur të gjitha mbledhjet e Kishës u pezulluan për shkak të pandemisë COVID‑19, një vëlla shërbestar pranoi një detyrë nga presidenti i kuorumit të tij të pleqve për t’ia bekuar dhe administruar sakramentin një motre së cilës ai i jep shërbesë. Kur ai e mori në telefon që t’i ofronte dhënien e sakramentit, ajo pranoi me ngurrim, sepse shqetësohej ta nxirrte atë nga shtëpia e tij në një kohë kaq të rrezikshme dhe gjithashtu besonte se gjërat do të ktheheshin shpejt në normalitet.

Kur ai mbërriti në shtëpinë e saj atë të diel në mëngjes, ajo kishte një kërkesë. A mund të shkonin te dera ngjitur që ajo ta merrte sakramentin me fqinjën e saj 87‑vjeçare? Me autorizimin e peshkopit, ai ra dakord.

Për javë të tëra, me një largësi shoqërore shumë të kujdesshme dhe masa të tjera sigurie, ai grup i vogël shenjtorësh mblidhej çdo të diel për një shërbesë të thjeshtë sakramenti. Thjesht disa copa buke të copëtuara dhe gota me ujë – por shumë lot u derdhën për mirësinë e një Perëndie të dashur.

Me kalimin e kohës, vëllai shërbestar, familja e tij dhe motra së cilës i jep shërbesë, ishin në gjendje të ktheheshin sërish në kishë. Por e veja 87–vjeçare, fqinja, nga meraku për situatën, duhej që të qëndronte në shtëpi. Vëllai shërbestar – mbani mend se detyra e tij ishte te fqinja e saj dhe jo te vetë kjo motër e moshuar – akoma edhe sot e kësaj dite shkon qetësisht në shtëpinë e saj çdo të diel, me shkrime të shenjta dhe një copë të vogël buke në dorë, për të administruar sakramentin e Darkës së Zotit.

Shërbimi i tij i priftërisë, ashtu si i imi atë ditë në qendrën e përkujdesjes, jepet nga dashuria. Në fakt, vëllai shërbestar kohët e fundit e pyeti peshkopin e tij nëse kishte të tjerë në lagje për të cilët mund të kujdesej. Dëshira e tij për ta lartësuar shërbimin e tij të priftërisë, është rritur kur ai ka shërbyer në emrin e Zotit dhe në një mënyrë që dihet pothuajse vetëm prej Tij. Nuk e di nëse vëllai shërbestar është lutur, siç u luta unë, që ata të cilëve u shërben, të dinë për dashurinë e Zotit, por ngaqë shërbimi i tij ka qenë në emrin e Zotit, rezultati ka qenë i njëjtë.

I njëjti rezultat i mrekullueshëm vjen kur lutem për të përpara se t’i jap një bekim priftërie dikujt që është i sëmurë ose në një kohë nevoje. Ndodhi një herë në një spital kur mjekë të paduruar më shtynë – më shumë sesa më shtynë – më urdhëruan – të nxitoja dhe të largohesha në mënyrë që të mund të bënin punën e tyre, në vend që të më jepnin mundësinë për të dhënë bekimin e priftërisë. Qëndrova dhe e dhashë bekimin. Dhe ajo vajzë e vogël që bekova atë ditë, për të cilën doktorët menduan se do të vdiste, jetoi. Në këtë çast jam mirënjohës që atë ditë nuk i lashë ndjenjat e mia të më pengonin, por ndjeva se Zoti donte që ajo vajzë e vogël të merrte një bekim. Dhe e dija se cili ishte bekimi: E bekova atë që të shërohej. Dhe ajo u shërua.

Ka ndodhur shumë herë kur i kam dhënë një bekim dikujt që me sa dukej ishte pranë vdekjes, me pjesëtarë të familjes që e rrethonin shtratin, duke shpresuar për një bekim shërimi. Edhe nëse kam vetëm një çast, unë gjithmonë lutem të di se çfarë bekimi ka Zoti në ruajtje, që unë mund ta jap në emrin e Tij. Dhe kërkoj të di se si dëshiron Ai që ta bekoj atë person dhe jo atë që dëshiroj unë apo njerëzit që qëndrojnë pranë. Përvoja ime është që, edhe kur bekimi nuk është ai që të tjerët dëshirojnë për veten e tyre ose për njerëzit e tyre të dashur, Shpirti i prek zemrat për të përjetuar pranim dhe ngushëllim në vend të zhgënjimit.

I njëjti frymëzim vjen kur patriarkët agjërojnë e luten për udhërrëfim, për të dhënë bekimin që Zoti dëshiron për një person. Përsëri, unë i kam dëgjuar bekimet që janë dhënë, të cilat më befasuan mua dhe gjithashtu personin që e mori bekimin. Qartësisht, bekimi ishte nga Zoti – si paralajmërimet që përmban, ashtu edhe premtimet e dhëna në emrin e Tij. Lutja dhe agjërimi i patriarkut u shpërblyen nga Zoti.

Si peshkop, mësova që ndërsa kryeja intervista denjësie, të lutesha që Zoti të më lejonte të ndieja atë që Ai donte për personin, duke e mbajtur çdo frymëzim që Ai do të jepte, të paprekur nga vetë gjykimi im. Kjo është e vështirë nëse Zoti, me dashuri, mund të dëshirojë ta bekojë dikë duke e korrigjuar. Kërkon përpjekje për ta dalluar atë që dëshiron Zoti nga ajo që dëshironi ju dhe mund të dëshirojë personi tjetër.

Unë besoj se ne mund ta lartësojmë shërbimin tonë të priftërisë gjatë gjithë jetës sonë dhe ndoshta përtej kësaj jete. Kjo do të varet nga zelli ynë në përpjekje për të ditur vullnetin e Zotit dhe nga përpjekjet tona për ta dëgjuar zërin e Tij, në mënyrë që të mund të dimë më mirë se çfarë dëshiron Ai për personin të cilit po i shërbejmë në emrin e Tij. Ky lartësim do të vijë me hapa të vegjël. Mund të vijë ngadalë, por do të vijë. Zoti na premton këtë gjë:

“Sepse cilëtdo që janë besnikë në marrjen e këtyre dy priftërive për të cilat kam folur, dhe në lartësimin e thirrjes së tyre, shenjtërohen me anë të Shpirtit në ripërtëritjen e trupave të tyre.

Ata bëhen bijtë e Moisiut dhe të Aaronit dhe fara e Abrahamit, dhe kisha e mbretëria, dhe të zgjedhurit e Perëndisë.

Dhe gjithashtu gjithë ata që e pranojnë këtë priftëri, më pranojnë mua, thotë Zoti.”3

Është dëshmia ime që çelësat e priftërisë iu rivendosën Profetit Jozef Smith. Shërbëtorët e Zotit u shfaqën nga qielli për të rivendosur priftërinë për ngjarjet e mëdha që janë shpalosur dhe ato që shtrihen përpara nesh. Izraeli do të mblidhet. Populli i Zotit do të jetë i përgatitur për Ardhjen e Tij të Dytë të lavdishme. Rivendosja do të vazhdojë. Zoti do t’u zbulojë më shumë nga vullneti i Tij profetëve të Tij dhe shërbëtorëve të Tij.

Ju mund të ndiheni të vegjël në krahasim me lëvizjen e madhe dhe të pandërprerë të asaj që Zoti do të bëjë. Nëse e bëni këtë, unë ju ftoj të kërkoni me lutje se si ju sheh Zoti. Ai ju njeh personalisht, Ai ju dha priftërinë dhe përgjigjja e lartësimi i priftërisë nga ana juaj kanë rëndësi për Të, sepse Ai ju do dhe Ai ju mirëbeson që t’i bekoni në emrin e Tij njerëzit të cilët Ai i do.

Unë ju bekoj tani që të jeni në gjendje ta ndieni dashurinë e Tij dhe mirëbesimin e Tij, në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.