Thirrje të Reja
Plaku Pol V. Xhonson
Presidenca e Të Shtatëdhjetëve
Një nga mësimet e vlefshme që ka mësuar Plaku Pol V. Xhonson nga vitet e tij të shumta të punës në arsimimin e Kishës, është që për ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre, Zoti i mban premtimet e Tij – pavarësisht nga sfidat në jetë.
“Edhe pse përballemi me pasiguri në fusha të caktuara të jetës, ne kemi premtime që janë të sigurta”, tha ai kohët e fundit. “Ne nuk mund t’i lejojmë perspektivat e pasigurta që të na lëkundin prej premtimeve të sigurta të Zotit.”1
Sot, fëmijët e Perëndisë përballen me një pandemi mbarëbotërore, polarizim shoqëror dhe përmbytje prej mediave shoqërore. Por kur i jetojmë besëlidhjet tona, tha Plaku Xhonson, Zoti na ofron udhërrëfim, fuqi dhe ngushëllim.
Më 3 prill 2021, Plaku Xhonson u mbështet si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, që hyn në fuqi më 1 gusht 2021. Plaku Xhonson shërbeu si Komisioneri i 16‑të i Sistemit Arsimor të Kishës nga viti 2008 deri në vitin 2015, duke e rimarrë atë pozicion në vitin 2019.
Pol Ver Xhonsoni iu lindi Ver dhe Uinifred Xhonsonit më 24 qershor 1954, në Geinsvill, Florida, SHBA. Pasi u rrit në Logan të Jutës në SHBA, ai shërbeu si misionar kohëplotë në Misionin e Oslos në Norvegji. Pas misionit të tij, ai u martua me Lesli Xhill Uoshbërnin në Tempullin e Loganit në Jutë në vitin 1976. Ata kanë 9 fëmijë dhe 40 nipër e mbesa.
Plaku Xhonson mori një diplomë universitare për zoologji/botanikë në Universitetin “Brigam Jang” në vitin 1978, një diplomë pasuniversitare për arsimim në UBJ në vitin 1982 dhe një doktoraturë për teknologji mësimdhënëse në Universitetin Shtetëror të Jutës në vitin 1989.
Ai dha mësim në seminar për 12 vjet në Arizonë dhe Jutë përpara se të punonte në një larmi pozicionesh në zhvillimin e programit mësimor dhe pozicione administrative për Sistemin Arsimor të Kishës në Solt‑Lejk‑Siti.
Plaku Xhonson u mbështet si anëtar i Kuorumit të Parë të Të Shtatëdhjetëve më 2 prill 2005. Ai gjithashtu ka shërbyer si I Shtatëdhjetë Zonal, këshilltar në një presidencë kunji, këshilltar i lartë i kunjit, peshkop dhe president i Të Rinjve në lagje.