2021
Ju Mund ta Mblidhni Izraelin!
maj 2021


10:53

Ju Mund ta Mblidhni Izraelin!

Jam plotësisht i sigurt që ju të rinj e të reja mund ta bëni këtë për shkak të diçkaje rreth identitetit tuaj dhe një fuqie të pamasë brenda jush.

Pothuajse tre vjet më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson e ftoi të gjithë rininë e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme “të rekrutohet në batalionin e rinisë së Zotit për të ndihmuar që Izraeli të mblidhet” në të dyja anët e velit. Ai tha: “Ajo mbledhje është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot”1. Jam plotësisht i sigurt që ju të rinj e të reja mund ta bëni këtë – dhe ta bëni shumë mirë – për shkak të 1) diçkaje rreth identitetit tuaj dhe 2) një fuqie të pamasë brenda jush.

Vëllai dhe Motra Korbit

Dyzet e një vjet më parë, dy misionarë nga Kisha jonë ndien nxitjen për të shkuar te një shtëpi në Nju‑Xhersi, në Shtetet e Bashkuara. Me kalimin e kohës, mrekullisht, të dy prindërit dhe të 10 fëmijët u pagëzuan. Sipas fjalëve të profetit, ata e “lej[uan] Perëndinë të triumfo[nte]”2 në jetën e tyre. Duhet të them “në jetën tonë”. Unë isha fëmija i tretë. Isha 17 vjeç kur vendosa të bëja një besëlidhje të përhershme për ta ndjekur Jezu Krishtin. Por a e gjeni se çfarë tjetër vendosa? Nuk do të shërbeja në një mision kohëplotë. Ishte diçka e tepërt. Dhe kjo nuk mund të pritej prej meje, apo jo? Isha një anëtar fare i ri i Kishës. Nuk kisha para. Përveç kësaj, ndonëse sapo isha diplomuar nga shkolla e mesme më kërkuese afër Filadelfiës Perëndimore dhe kisha kapërcyer disa sfida të rrezikshme, përbrenda isha i tmerruar nga ideja e largimit nga shtëpia për plot dy vjet.

Familja Korbit

Identiteti Juaj i Vërtetë

Por sapo kisha mësuar se unë dhe i gjithë njerëzimi kishim jetuar me Atin tonë Qiellor si bij dhe bija të Tij shpirtërorë përpara lindjes sonë. Të tjerët kishin nevojë të dinin, sikurse unë, se Ai dëshironte fort që të gjithë fëmijët e Tij të gëzonin jetën e përjetshme me Të. Ndaj, përpara se ndokush të vinte në tokë, Ai ua paraqiti të gjithëve planin e Tij të përsosur të shpëtimit dhe të lumturisë, me Jezu Krishtin si Shpëtimtarin tonë. Tragjikisht, Satani e kundërshtoi planin e Perëndisë.3 Sipas librit të Zbulesës, “u bë luftë në qiell”4! Satani e mashtroi dinakërisht një të tretën e fëmijëve shpirtërorë të Atit Qiellor që ta linin atë të triumfonte në vend të Perëndisë.5 Por ju jo! Apostulli Gjon pa se ju e mposhtët Satanin “me anë të fjalës së dëshmisë [suaj]”6.

Dijenia për identitetin tim të vërtetë, me ndihmën e bekimit tim patriarkal, më dha guximin dhe besimin që ta pranoja ftesën e Presidentit Spenser W. Kimball për ta mbledhur Izraelin.7 Do të jetë e njëjta gjë edhe për ju, miq të dashur. Dijenia se e mposhtët Satanin me anë të fjalës së dëshmisë suaj më përpara, do t’ju ndihmojë të jepni dashuri, shpërndani dhe ftoni8 tani dhe gjithmonë – për t’i ftuar të tjerët të vijnë e të shohin, të vijnë e të ndihmojnë dhe të vijnë e të kenë përkatësi, ndërkohë që po e njëjta luftë vijon furishëm për shpirtrat e fëmijëve të Perëndisë.

Plaku Korbit

Besimi i Fuqishëm Brenda Jush

Po fuqia e pamasë brenda jush? Mendoni për këtë: Ju lëshuat britma gëzimi9 për të ardhur në një botë të rënë, ku të gjithë njerëzit do të përballeshin me vdekjen fizike dhe shpirtërore. Ne nuk do të ishim kurrë në gjendje ta mposhtnim asnjërën prej tyre të vetëm. Ne do të vuanim jo vetëm prej vetë mëkateve tona, por edhe prej mëkateve të të tjerëve. Njerëzimi do të përjetonte praktikisht çdo lloj shkatërrimi dhe zhgënjimi të imagjinueshëm10 – të gjitha këto me një vel harrese mbi mendjen tonë dhe me armikun më të keq të botës që vazhdon të na ketë në shënjestër e të na tundojë. Të gjithë shpresojnë që të kthehen të ringjallur dhe të pastër në praninë e shenjtë të Perëndisë, të mbështetur plotësisht tek e vetmja Qenie që e mban premtimin e Tij.11

Çfarë ju fuqizoi që të shkoni përpara? Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “U desh besim te Jezu Krishti për ta mbështetur planin e lumturisë dhe vendin e Jezu Krishtit në të, kur ju dinit kaq pak për sfidat me të cilat do të përballeshit në vdekshmëri”12. Kur Jezu Krishti premtoi se Ai do të vinte në vdekshmëri dhe do të jepte jetën e Tij për të na mbledhur13 dhe shpëtuar, ju nuk është se thjesht e besuat Atë. Ju “shpirtra fisnikë”14 kishit një “besim jashtëzakonisht të madh” saqë e patë premtimin e Tij si të sigurt15. Ai nuk mund të gënjente, ndaj e patë Atë sikur Ai ta kishte derdhur tashmë gjakun e Tij për ju, kohë përpara se Ai të lindte16.

Me fjalët simbolike të Gjonit, ju “fitua[t] [ndaj Satanit] me anë të gjakut të Qengjit”17. Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim se në atë botë “[ju] e kuptua[t] mbarimin që nga fillimi”18.

Supozoni sikur një ditë, përpara se të niseshit për në shkollë, njëri nga prindërit tuaj ju bën një premtim të vërtetë se do të hani ushqimin tuaj të parapëlqyer kur të ktheheni në shtëpi! Jeni shumë të emocionuar! Ndërkohë që jeni në shkollë, imagjinoni sikur po e hani atë ushqim dhe mund t’ia ndieni që tani shijen. Natyrshëm, ju ua tregoni edhe të tjerëve lajmin e mirë. Pritja me padurim për të shkuar në shtëpi ju lumturon aq shumë saqë provimet dhe sfidat në shkollë ju duken të lehta. Asgjë nuk mund t’jua heqë gëzimin ose t’ju bëjë të dyshoni për shkak të faktit se sa i sigurt është premtimi! Kësisoj, përpara se ju shpirtra fisnikë të lindnit, mësuat t’i shihnit premtimet e Krishtit në këtë mënyrë të sigurt dhe ju e shijuat shpëtimin e Tij.19 Besimi juaj i madh është si muskujt që bëhen më të fortë dhe më të mëdhenj sa më shumë që t’i stërvitni, por i keni tashmë brenda jush.

Si mund ta zgjoni besimin tuaj vigan te Krishti dhe ta përdorni atë që të mblidhni Izraelin tani dhe të triumfoni përsëri mbi Satanin? Duke mësuar sërish se si ta presim me padurim dhe ta shohim me po atë siguri premtimin e Zotit për t’i mbledhur dhe shpëtuar [njerëzit] në ditët e sotme. Ai përdor kryesisht Librin e Mormonit dhe profetët e Tij për të na mësuar se si ta bëjmë këtë. Shumë kohë përpara Krishtit, “profetët dhe priftërinjtë dhe mësuesit [nefitë] … i bind[ën njerëzit] që të shikonin me padurim për Mesian dhe të besonin në ardhjen e tij, sikur ai tashmë të kishte ardhur”20. Profeti Abinadi dha mësim: “Dhe tani, në qoftë se nuk do të kishte ardhur Krishti në botë, duke folur për gjëra që do të ndodhin sikur të kishin ndodhur, nuk do të mund të kishte pasur ndonjë shëlbim”21. Ashtu si Alma, Abinadi “pri[ti] me padurim me syrin e besimit”22 dhe e pa premtimin e sigurt të Perëndisë për shpëtim si të përmbushur tashmë. Ata e “mposhtën [Satanin] me anë të gjakut të Qengjit dhe … fjalës së dëshmisë së tyre” që përpara se të lindte Krishti, ashtu siç bëtë edhe ju. Dhe Zoti u dha atyre fuqinë për ta ftuar dhe mbledhur Izraelin. Ai do të bëjë të njëjtën gjë për ju ndërsa pritni me padurim, me besim, që ta shihni Izraelin të mbledhur – botërisht dhe në vetë “rrethet” tuaja [shoqërore]23 – dhe t’i ftoni të gjithë njerëzit!

Qindra misionarë ndërtuan mbi besimin e tyre të fuqishëm te Krishti para lindjes, duke i përfytyruar njerëzit që i kanë kontaktuar ose u kanë dhënë mësim, të veshur me rrobat e pagëzimit dhe të tempullit. Në një bisedë që titullohet: “Begin with the End in Mind” [“Fillojeni duke Pasur Fundin në Mendje”]24, Presidenti Nelson dha një shembull vetjak për bërjen e kësaj dhe i udhëzoi udhëheqësit e misionit t’u mësonin misionarëve tanë të bënin të njëjtën gjë. Dijenia se e ushtruan këtë besim të madh te Jezu Krishti në botën para lindjes, i ndihmoi tej mase misionarët tanë të dashur që ta “dëgjoj[në] Atë”25 dhe ta vënë në veprim besimin e tyre të pamasë për ta mbledhur Izraelin siç premtoi Zoti.

Sigurisht, të imagjinosh gënjeshtra e dëmton besimin26. Miqtë e mi, përfytyrimi ose shikimi me dashje i gjërave që bien ndesh me atë që ju jeni në të vërtetë, veçanërisht pornografia, do ta dobësojë besimin tuaj te Krishti dhe, pa pendim, mund ta shkatërrojë atë. Ju lutem, përdoreni imagjinatën tuaj për ta rritur besimin te Krishti, jo për ta rrënuar atë.

Programi ‘Fëmijët dhe Rinia’

Programi ‘Fëmijët dhe Rinia’ është një mjet profetik për t’ju ndihmuar ju të rinj e të reja që ta fuqizoni besimin tuaj të madh. Presidenti Ouks dha mësim: “Ky program është hartuar që t’ju ndihmojë të bëheni më shumë si Shpëtimtari ynë në katër fusha: shpirtërore, shoqërore, fizike dhe intelektuale”27. Kur ju të rinj e të reja udhëhiqni – udhëhiqni – në të jetuarit e ungjillit, kujdesin për të tjerët, ftesën ndaj të gjithëve për ta pranuar ungjillin, bashkimin e familjeve në përjetësi dhe organizimin e veprimtarive argëtuese28, besimi i madh te Krishti që kishit në jetën para lindjes, do të rishfaqet dhe do t’ju fuqizojë që të bëni veprën e Tij në këtë jetë!

Gjithashtu, synimet vetjake, “veçanërisht synimet afatshkurtra”29, ju ndihmojnë ta rindizni besimin tuaj të fuqishëm. Kur vendosni një synim të mirë, ju po prisni me padurim, siç bëtë më parë, dhe po shihni atë që Ati juaj Qiellor dëshiron që ju ose dikush tjetër të bëhet.30 Më pas, ju planifikoni dhe punoni fort për ta arritur atë. Plaku Kuentin L. Kuk dha mësim: “Asnjëherë mos e nënvlerësoni rëndësinë e planifikimit, vendosjes së synimeve … dhe [bërjes së ftesës ndaj të tjerëve] – të gjitha me syrin e besimit”31.

Zgjedhja është e juaja! Zoti tha për ju: “Është në ta fuqia [për të zgjedhur]”32. Plaku Nil L. Andersen shpjegoi: “Besimi juaj nuk do të rritet rastësisht, por nga zgjedhja”33. Ai gjithashtu tha: “[Çdo] pyetje … [e] ndershme [që mund të keni] … do të zgjidhe[t] me durim dhe me syrin e besimit”34.

Unë dëshmoj se 1) identiteti juaj i vërtetë dhe 2) fuqia e pamasë e besimit te Krishti brenda jush, do t’ju aftësojnë të “ndihmo[ni] për ta përgatitur botën për kthimin e Shpëtimtarit duke i ftuar të gjithë që të vijnë te Krishti dhe të marrin bekimet e Shlyerjes së Tij”35. E shpërndafshim të gjithë gëzimin e premtimit të sigurt në Librin e Mormonit:

“Të drejtët që dëgjojnë … profetë[t] dhe … presin me padurim Krishtin me vendosmëri, … megjithë përndjekjen … nuk do të vdesin.

Por [Krishti] … do t’i shërojë ata dhe ata do të kenë paqe me të.”36

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.