2021
Plaku Shon Daglas
maj 2021


Plaku Shon Daglas

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Si misionar në moshë të re që po shërbente në Misionin e Konsepsionit në Kili, Shon Daglasi e filloi shërbimin e tij në zonën rurale të vendit. “Shoku dhe trajneri [i tij] i parë dhe i mrekullueshëm kilian fliste spanjisht me shpejtësinë e dritës.” Pas tre muajsh në shtetin e Amerikës së Jugut, Plaku Daglas ende haste vështirësi me spanjishten.

Shkurajimi dhe malli për shtëpinë e zhytën në dyshim të thellë dhe e detyruan të binte në gjunjë. “Nuk po bëj ndonjë të mirë”, u lut ai. “Nuk duket se po ndikoj te ndonjë njeri.”

Zemra iu mbush me një pyetje të fuqishme nga qielli: “A je këtu për Mua, apo je këtu për veten tënde?”

Në këtë çast ai mori vendimin me Perëndinë që ta harronte vetveten dhe të vazhdonte të përpiqej. “Pikërisht atë natë pashë një ëndërr në spanjisht”, tha ai.

Të nesërmen gjithçka ishte më e lehtë. “Mund të flisja pak më mirë. Mund të kuptoja pak më shumë”, tha ai. “Misioni e përshpejtoi dëshminë time për fuqinë e lutjes dhe se kur ju shkoni e bëni atë që urdhëron Zoti, Ai gjithmonë siguron një udhë për ju.”

Ajo filozofi e ka udhërrëfyer pjesën në vazhdim të jetës së tij.

Shon Daglasi iu lindi Barbara dhe Lio Daglasit më 1 maj 1964 në Solt-Lejk-Siti të Jutës. I rritur në pjesën lindore të luginës së Solt-Lejkut, ai u martua me Patrisia En Diksonin – vajzën që e donte që nga shkolla e mesme – në Tempullin e Solt-Lejkut në qershor 1985. Ata kanë katër fëmijë.

Plaku Daglas mori diplomë universitare për kontabilitet në Universitetin e Jutës dhe punoi si kontrollor financiar përpara se të kalonte tri dekada me korporatën Huntsman, duke shërbyer më së fundi si zëvendëspresident ekzekutiv dhe drejtuesi kryesues financiar.

Besimi dhe mirëbesimi i tij te Zoti, të çimentuar gjatë rinisë dhe misionit të tij, e udhërrëfyen gjatë lëvizjeve për karrierë në Angli, ku shërbeu si peshkop i ri në moshë, dhe në Hjuston të Teksasit në SHBA. Ai shërbeu si president i Misionit të Limës Jugore në Peru nga viti 2012 deri në 2015. Plaku Daglas po shërbente si I Shtatëdhjetë Zonal përpara thirrjes së tij të tanishme.