2021
Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet
maj 2021


16:22

Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet

Besimi te Jezu Krishti është fuqia më e madhe që kemi në dispozicion në këtë jetë. Të gjitha gjërat janë të mundshme për ata që besojnë.

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, jam mirënjohës për privilegjin që t’ju flas në këtë të diel Pashke.1 Flijimi shlyes dhe Ringjallja e Jezu Krishtit e ndryshuan jetën e secilit prej nesh përgjithmonë. Ne e duam Atë dhe e adhurojmë plot mirënjohje Atë dhe Atin tonë Qiellor.

Gjatë gjashtë muajve të shkuar, ne kemi vazhduar të kacafytemi me një pandemi mbarëbotërore. Mahnitem nga aftësia juaj ripërtëritëse dhe forca juaj shpirtërore përballë sëmundjes, humbjes dhe izolimit. Lutem vazhdimisht që, përmes gjithë kësaj, ju do ta ndieni dashurinë e patundur të Zotit për ju. Nëse u jeni përgjigjur sprovave tuaja me një dishepullim më të fortë, ky vit i kaluar nuk do të ketë qenë më kot.

Këtë mëngjes, ne kemi dëgjuar udhëheqës të Kishës që vijnë nga çdo kontinent i tokës, i banuar nga njerëz. Me të vërtetë, bekimet e ungjillit janë për çdo racë, gjuhë dhe popull. Kisha e Jezu Krishtit është një kishë mbarëbotërore. Jezu Krishti është udhëheqësi ynë.

Fatmirësisht, madje as një pandemi nuk ka qenë në gjendje ta ngadalësojë marshimin përpara së vërtetës së Tij. Ungjilli i Jezu Krishtit është pikërisht ajo që nevojitet në këtë botë të pështjelluar, grindavece dhe të munduar.

Secili prej fëmijëve të Perëndisë e meriton mundësinë për ta dëgjuar dhe pranuar mesazhin shërues dhe shëlbues të Jezu Krishtit. Asnjë mesazh tjetër nuk është më jetik për lumturinë tonë se ky – tani dhe përgjithmonë.2 Asnjë mesazh tjetër nuk është i mbushur me më shumë shpresë se ky. Asnjë mesazh tjetër nuk mund ta eliminojë grindjen në shoqërinë tonë.

Besimi te Jezu Krishti është themeli i gjithë bindjes dhe përçuesi i fuqisë hyjnore. Sipas Apostullit Pal: “Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh [Perëndisë], sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë”3.

Çdo gjë e mirë në jetë – çdo bekim i mundshëm me rëndësi të përjetshme – fillon me besimin. Lejimi që Perëndia të triumfojë në jetën tonë fillon me besimin që Ai është i gatshëm të na udhërrëfejë. Pendimi i vërtetë fillon me besimin se Jezu Krishti ka fuqinë për të na pastruar, shëruar dhe forcuar.4

“Mos [e] mohoni fuqinë e Perëndisë”, shpalli profeti Moroni, “pasi ai vepron nëpërmjet fuqisë, sipas besimit të fëmijëve të njerëzve.”5 Është besimi ynë që e shkyç fuqinë e Perëndisë në jetën tonë.

Dhe prapëseprapë, ushtrimi i besimit mund të duket mbingarkues. Nganjëherë mund të pyetim veten a mundet që të mbledhim besim të mjaftueshëm sa të marrim bekimet që na nevojiten kaq skajshëm. Sidoqoftë, Zoti e qetësoi këtë frikë nëpërmjet fjalëve të profetit të Librit të Mormonit, Almës.

Kokërr sinapi

Alma na kërkon që thjesht të bëjmë një provë me fjalën dhe të “ushtro[jmë] një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se [ne] nuk mund të bë[jmë] më shumë sesa të dëshiro[jmë] të beso[jmë]”6. Fraza “pjesëz të besimit” më kujton për premtimin biblik të Zotit se, në qoftë se “ke[m]i besim sa një kokërr sinapi”, do të jemi në gjendje “t’i th[em]i këtij mali: ‘Zhvendosu nga këtu atje’, dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për [ne]7.

Zog mes kokrrave të sinapit

Zoti e kupton dobësinë tonë njerëzore. Ne të gjithë lëkundemi me raste. Por Ai gjithashtu e njeh potencialin tonë të madh. Kokrra e sinapit është e vogël kur fillon, por ajo rritet dhe bëhet një pemë mjaft e madhe saqë zogjtë të ngrenë fole në degët e saj. Kokrra e sinapit përfaqëson një besim të vogël por në rritje.8

Zoti nuk kërkon besimin të përsosur që ne të kemi të drejtën e përdorimit të fuqisë së Tij të përsosur. Por Ai na kërkon të besojmë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kërkesa ime për ju këtë mëngjes Pashke është të filloni sot që ta rritni besimin tuaj. Nëpërmjet besimit tuaj, Jezu Krishti do ta rritë aftësinë tuaj për të zhvendosur male në jetën tuaj9 ndonëse sfidat tuaja vetjake mund të përvijohen po aq të larta sa mali i Everestit.

Malet tuaja mund të jenë vetmia, dyshimi, sëmundja apo probleme të tjera vetjake. Malet tuaja do të ndryshojnë dhe prapëseprapë përgjigjja për secilën prej sfidave tuaja është të shtoni besimin tuaj. Për këtë duhet punë. Nxënësit dembelë dhe dishepujt e shkujdesur gjithmonë do të hasin vështirësi për të grumbulluar qoftë edhe një pjesëz besimi.

Për të bërë mirë cilëndo gjë, duhet përpjekje. Bërja një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit nuk është një përjashtim i kësaj. Rritja e besimit dhe e mirëbesimit tuaj tek Ai, kërkon përpjekje. Më lejoni të ofroj pesë sugjerime për t’ju ndihmuar që ta zhvilloni atë besim dhe mirëbesim.

Së pari, studioni. Bëhuni një nxënës që merr pjesë aktivisht. Zhytuni në shkrimet e shenjta për t’i kuptuar më mirë misionin dhe shërbesën e Krishtit. Kini njohuri për doktrinën e Krishtit me qëllim që ta kuptoni fuqinë e saj për jetën tuaj. Përvetësojeni të vërtetën se Shlyerja e Jezu Krishtit gjen zbatim te ju. Ai mori mbi veten e Tij mjerimin tuaj, gabimet tuaja, dobësinë tuaj dhe mëkatet tuaja. Ai pagoi çmimin shpërblyes dhe siguroi fuqinë që ju ta zhvendosni çdo mal me të cilin do të përballeni ndonjëherë. Ju e fitoni atë fuqi me anë të besimit, mirëbesimit dhe gatishmërisë suaj për ta ndjekur Atë.

Zhvendosja e maleve tuaja mund të kërkojë një mrekulli. Mësoni rreth mrekullive. Mrekullitë vijnë në përputhje me besimin tuaj te Zoti. Qendror për atë besim është mirëbesimi te vullneti dhe koha e Tij – mënyra si dhe koha kur Ai do t’ju bekojë me ndihmën mrekullibërëse që dëshironi. Vetëm mosbesimi juaj do ta pengojë Perëndinë nga bekimi për ju me mrekulli që të zhvendosni malet në jetën tuaj.10

Sa më shumë që mësoni rreth Shpëtimtarit, aq më e lehtë do të jetë që të mirëbesoni në mëshirën e Tij, në dashurinë e Tij të pafundme dhe fuqinë e Tij forcuese, shëruese dhe shëlbuese. Shpëtimtari nuk është kurrë më pranë jush sesa kur po përballni ose po i ngjiteni një mali me besim.

Së dyti, zgjidhni të besoni te Jezu Krishti. Nëse keni dyshime rreth Perëndisë, Atit, dhe Birit të Tij të Dashur, ose vlefshmërisë së Rivendosjes apo vërtetësisë së thirrjes hyjnore të Jozef Smithit si profet, zgjidhni të besoni11 dhe qëndroni besnikë. Drejtojuani pyetjet tuaja Zotit dhe burimeve të tjera besnike. Studioni me dëshirën që të besoni, në vend që të studioni me shpresën se mund të gjeni një të metë në strukturën e jetës së një profeti apo një mospërputhje në shkrimet e shenjta. Mos vazhdoni t’i shtoni dyshimet tuaja duke i ritreguar me njerëz të tjerë dyshues. Lejojeni Zotin t’ju udhëheqë në udhëtimin tuaj të zbulimit shpirtëror.

Së treti, veproni me besim. Çfarë do të bënit nëse do të kishit më shumë besim? Mendoni për të. Shkruani për të. Më pas merrni më shumë besim duke bërë diçka që kërkon më shumë besim.

Së katërti, merrni pjesë në ordinanca të shenjta me denjësi. Ordinancat e shkyçin fuqinë e Perëndisë për jetën tuaj.12

Dhe së pesti, kërkojini ndihmë Atit tuaj Qiellor, në emrin e Jezu Krishtit.

Besimi kërkon punë. Marrja e zbulesës kërkon punë. Por “kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket”13. Perëndia e di se çfarë do ta ndihmojë të rritet besimin tuaj. Kërkoni dhe më pas kërkoni përsëri.

Një mosbesimtar mund të thotë se besimi është për të dobëtit. Por ky pohim e anashkalon fuqinë e besimit. A do të kishin vazhduar Apostujt e Shpëtimtarit që ta jepnin mësim doktrinën e Tij pas vdekjes së Tij, duke vënë në rrezik jetën e tyre, në qoftë se ata do të kishin dyshim tek Ai?14 A do të kishin vuajtur vdekje martirësh Jozef dhe Hajrëm Smithi, duke mbrojtur Rivendosjen e Kishës së Zotit, në qoftë se nuk kishin një dëshmi të sigurt se ajo ishte e vërtetë? A do të kishin vdekur gati 2 000 shenjtorë gjatë shtegtimit të pionierëve15, në qoftë se nuk do të kishin besim se ungjilli i Jezu Krishtit ishte rivendosur? Vërtet, besimi është fuqia që i aftëson të pamundurit për të kryer të pamundurën.

Mos e zvogëloni besimin që e keni tashmë. Duhet besim që të bashkoheni me Kishën dhe të mbeteni besnikë. Duhet besim që të ndiqni profetët në vend të ekspertëve dhe opinionit shoqëror. Duhet besim që të shërbeni në mision gjatë një pandemie. Duhet besim që të jetoni një jetë të dëlirë kur bota bërtet që ligji i Perëndisë për dëlirësinë tani është i dalë nga moda. Duhet besim që t’u mësoni ungjillin fëmijëve në një botë laike. Duhet besim që të përgjëroheni për jetën e një njeriu të dashur dhe madje më shumë besim që ta pranoni një përgjigje zhgënjyese.

Dy vjet më parë, Motra Nelson dhe unë vizituam Samoan, Tongën, Fixhin dhe Tahitin. Secili nga këto kombe që jetojnë në ishuj, kishin përjetuar shira të rënda për ditë të tëra. Anëtarët kishin agjëruar dhe ishin lutur që mbledhjet e tyre në natyrë do të mbroheshin nga shiu.

Në Samoa, Fixhi dhe Tahiti, pikërisht kur filluan mbledhjet, shiu pushoi. Por në Tonga shiu nuk pushoi. Prapëseprapë 13 000 shenjtorë besnikë erdhën orë më përpara që të zinin vend, pritën me durim gjatë një rrebeshi të vazhdueshëm dhe më pas qëndruan të ulur gjatë një mbledhjeje dyorëshe me lagështi të madhe.

Shenjtorë nga Tonga në shi

Ne pamë besim të fortë dhe në rritje, që po ushtrohej nga secili prej këtyre banorëve të ishujve – besim i mjaftueshëm për ta pushuar shiun dhe besim për të ngulmuar kur shiu nuk pushonte.

Malet në jetën tonë nuk zhvendosen gjithmonë në mënyrën ose kohën që ne do të donim. Por besimi ynë do të na shtyjë gjithmonë përpara. Besimi gjithmonë e rrit aftësinë tonë për ta përdorur fuqinë e Perëndisë.

Ju lutem, dijeni këtë: nëse do të dështojë çdo gjë dhe çdo njeri tjetër në botë tek i cili mirëbesoni, Jezu Krishti dhe Kisha e Tij kurrë nuk do t’ju lënë në baltë. Zoti kurrë nuk dremit, dhe as nuk fle.16 Ai “është i njëjtë dje, sot dhe [nesër]”17. Ai nuk do t’i braktisë besëlidhjet e Tij18, premtimet e Tij ose dashurinë e Tij për popullin e Tij. Ai kryen mrekulli sot dhe Ai do të kryejë mrekulli nesër.19

Besimi te Jezu Krishti është fuqia më e madhe që kemi në dispozicion në këtë jetë. Të gjitha gjërat janë të mundshme për ata që besojnë.20

Besimi juaj në rritje tek Ai, do të zhvendosë male – jo malet shkëmbore që zbukurojnë tokën, por malet e mjerimit në jetën tonë. Besimi juaj në lulëzim do t’ju ndihmojë t’i ktheni sfidat në mundësi dhe rritje të pashembullta.

Në këtë të diel Pashke, me ndjenjat e mia të thella të dashurisë dhe mirënjohjes, unë shpall dëshminë time se Jezu Krishti vërtet u ringjall. Ai u ringjall që të udhëheqë Kishën e Tij. Ai u ringjall që të bekojë jetën e gjithë fëmijëve të Perëndisë, kudo që jetojnë. Me besim tek Ai, ne mund t’i zhvendosim malet në jetën tonë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Në disa pjesë të botës njerëzit përdorin një mënyrë të pashoqe dhe të veçantë për shkëmbimin e përshëndetjeve në mëngjesin e Pashkës. Në gjuhën e tyre vendase, personi që përshëndet, do të thotë: “Krishti u ringjall!” Personi që u përshëndet më pas përgjigjet: “Vërtet! U ringjall!” Për shembull, shkëmbimi në përshëndetjet e Pashkës nga ata që flasin rusisht fillon me: “Христос воскрес” (Krishti është ngritur [ringjallur]!), me përgjigjen “Воистину! воскрес!” (Vërtet! Ai është ngritur!)

  2. Shih Mosia 2:41.

  3. Hebrenjve 11:6. Lectures on Faith thotë se besimi “është parimi i parë i madhërishëm i qeverisjes që ka fuqi, sundim dhe autoritet mbi të gjitha gjërat” ([1985], f. 5).

  4. Shih Mateu 11:28–30; Alma 7:12–13; Ethëri 12:27.

  5. Moroni 10:7; theksimi i shtuar.

  6. Alma 32:27; theksimi i shtuar.

  7. Mateu 17:20, theksimi i shtuar; shih edhe Helamani 12:9, 13.

  8. Shih Doktrina e Besëlidhje 78:17–18. Shpërblimi për zhveshjen e njeriut të natyrshëm është të bëhemi “një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot” (Mosia 3:19).

  9. Shih 1 Nefi 7:12.

  10. Shih Mormoni 9:19–21; Ethëri 12:30.

  11. Shih 2 Nefi 33:10–11.

  12. Shih Doktrina e Besëlidhje 84:20.

  13. Mateu 7:8.

  14. Pa fuqinë e besimit, a do të kishte vuajtur Abinadi vdekjen nga zjarri ngaqë nuk pranoi ta mohonte atë që e dinte se ishte e vërtetë? (Shih Mosia 17:7–20.) Pa atë fuqi, a do të ishte fshehur Ethëri në zgavrën e një shkëmbi (shih Ethëri 13:13–14) dhe a do të kishte duruar Moroni vite të tëra vetmie (shih Moroni 1:1–3) kur jeta e tyre mund të kishte qenë shumë më e rehatshme, në qoftë se vetëm do ta kishin mohuar atë që besonin?

  15. Shih Melvin L. Bashore, H. Dennis Tolley dhe the BYU Pioneer Mortality Team, “Mortality on the Mormon Trail, 1847–1868”, BYU Studies, vëll. 53, nr. 4 (2014), f. 115.

  16. Shih Psalmeve 121:4.

  17. Mormoni 9:9.

  18. Shih Isaia 54:10; 3 Nefi 22:10.

  19. Shih Mormoni 9:10–11, 15.

  20. Shih Marku 9:23.