2021
Mesazhi i Mirëseardhjes
maj 2021


4:27

Mesazhi i Mirëseardhjes

Mirë se vini në konferencën e përgjithshme dhe në privilegjin për të dëgjuar zërin e Zotit!

Vëllezërit, motrat dhe miqtë e mi të dashur nga e gjithë bota, ju uroj personalisht mirëseardhjen në këtë konferencë të përgjithshme. Ne mblidhemi si një familje e madhe botërore që dëshiron të adhurojë Zotin dhe Shpëtimtarin e vet, Jezu Krishtin. Faleminderit që u bashkuat me ne.

Ky vit i fundit ka qenë një vit për t’u shënuar. Pa dyshim që secili nga ne ka mësuar gjëra që nuk i dinte më parë. Disa mësime që i dija më parë, janë shkruar në zemrën time në mënyra të reja dhe udhëzuese.

Për shembull, unë e di me siguri se Zoti i drejton punët e Kishës së Tij. Ai tha: “Unë do [t’ju] tregoj [juve] se jam në gjendje të bëj punën time”1.

Shpesh, unë dhe këshilltarët e mi kemi parë përmes syve të përlotur ndërsa Ai ka ndërhyrë në rrethana jashtëzakonisht sfiduese pasi ne kemi bërë më të mirën tonë dhe nuk mund të bënim më shumë. Ne vërtet qëndrojmë plot habi.

Gjithashtu tani e kuptoj më mirë se çfarë donte të thoshte Ai kur tha: “Vini re, unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë”2. Herë pas here jam ngazëllyer ndërsa Ai e ka drejtuar dhe kryer përshpejtimin e veprës së Tij – edhe gjatë një pandemie botërore.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, forca e Kishës qëndron te përpjekjet dhe dëshmitë gjithnjë në rritje të anëtarëve të saj. Dëshmitë kultivohen më së miri në shtëpi. Gjatë këtij viti të kaluar, shumë prej jush e kanë rritur ndjeshëm studimin e ungjillit në shtëpitë e tyre. Unë ju falënderoj dhe do t’ju falënderojnë edhe fëmijët tuaj.

Projekti vigan për të restauruar Tempullin e Solt‑Lejkut vazhdon. Nga zyra ime kam një ndenjëse në rresht të parë për ta vëzhguar punën që po zhvillohet në sheshin e tempullit.

Puna e ndërtimit në sheshin e tempullit

Ndërsa kam parë punëtorët që i nxjerrin me rrënjë pemët e vjetra, heqin instalimet hidraulike, instalimet elektrike dhe shatërvanin që pikon nga të çarat, kam menduar rreth nevojës së secilit prej nesh për të hequr, me ndihmën e Shpëtimtarit, mbeturinat e vjetra nga jeta jonë.

Ungjilli i Jezu Krishtit është një ungjill pendimi3. Për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit, ungjilli i Tij siguron një ftesë që të vazhdojmë të ndryshojmë, të rritemi dhe të bëhemi më të pastër. Ai është një ungjill shprese, shërimi dhe përparimi. Pra, ungjilli është një mesazh gëzimi! Shpirtrat tanë ngazëllehen nga çdo hap i vogël që bëjmë përpara.

Pjesë e mbledhjes së Izraelit, dhe një pjesë shumë e rëndësishme, është detyra që ne si njerëz të jemi të denjë dhe të gatshëm që të ndihmojmë të përgatitet bota për Ardhjen e Dytë të Zotit.

Ndërsa i dëgjojmë mesazhet që janë përgatitur me kujdes nga udhëheqësit tanë nën drejtimin e Frymës së Shenjtë, ju ftoj të luteni për të përcaktuar mbeturinat që duhet të hiqni nga jeta juaj që të mund të bëheni më të denjë.

Ju dua, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, dhe dëshmoj se Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur ju njohin dhe ju duan individualisht. Ata qëndrojnë gati për t’ju ardhur në ndihmë në çdo hap që bëni përpara. Mirë se vini në konferencën e përgjithshme dhe në privilegjin për të dëgjuar zërin e Zotit! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.