2008
Shpëtimi dhe Ekzaltimi
Maj 2008


Shpëtimi dhe Ekzaltimi

Në planin e përjetshëm të Perëndisë, shpëtimi është një çështje individuale; ekzaltimi është një çështje familjare.

Elder Russell M. Nelson

Me mirënjohje, ne i urojmë mirëseardhjen Plakut D. Tod Kristoferson në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Me gjithë zemër ne e mbështesim këtë Presidenci të Parë të mrekullueshme dhe të gjithë ata që janë thirrur.

Vëllezër dhe motra, kur morëm lajmin se Presidenti Gordon B. Hinkli kishte ndërruar jetë, secili nga ne menjëherë pati një ndjenjë të thellë humbjeje. Duke e ditur se fati i tij ishte në duart e Zotit, megjithatë, ne kemi ndierë se gjendja jonë shpirtërore ka ndryshuar nga hidhërimi në mirënjohje. Ne jemi shumë mirënjohës për gjërat që kemi mësuar nga ky profet i madh i Perëndisë.

Sot, në këtë asamble solemne, ne jemi pajtuar me vullnetin e Zotit, i cili tha se “nuk do t’i jepet askujt që të shkojë për të predikuar ungjillin tim, ose për të ngritur kishën time, përveçse nëse ai shugurohet nga dikush që ka autoritet e njihet prej kishës që ka autoritet dhe është shuguruar në mënyrë të rregullt nga krerët e kishës”1. Këtij ligji të miratimit të përbashkët2 i është bërë thirrje dhe Kisha do të shkojë përpara në kursin e saj të parashikuar.

Anëtarët nëpër të gjithë botën e mbështesin Presidentin Tomas S. Monson dhe këshilltarët e tij të aftë. Ne nuk jemi “më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë,

të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes”3.

Zoti zbuloi se pse “ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë”. Ajo është “për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit,

derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë”4.

Kështu, shërbesa e Apostujve – Presidencisë së Parë dhe të Dymbëdhjetëve – është të sjellë atë unitet të besimit dhe që të shpallim njohjen tonë të Mësuesit. Shërbesa jonë është të bekojmë jetën e të gjithëve që do të mësojnë dhe ndjekin “[udhën] më të shkëlqyer” të Zotit.5 Dhe ne duhet t’i ndihmojmë njerëzit të përgatiten për shpëtimin dhe ekzaltimin e tyre të mundshëm.

Neni i tretë i besimit shpall se “nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”.

Të shpëtohesh – ose të fitosh shpëtimin – do të thotë të shpëtohemi si nga vdekja fizike ashtu edhe nga vdekja shpirtërore. Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen dhe shpëtohen nga vdekja fizike. Njerëzit gjithashtu mund të shpëtohen nga vdekja individuale shpirtërore nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, nëpërmjet besimit të tyre tek Ai, nëpërmjet të jetuarit me bindje ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit të Tij dhe duke i shërbyer Atij.

Të ekzaltohesh – ose të fitosh ekzaltimin – nënkupton gjendjen më të lartë të lumturisë dhe lavdisë në sferën çelestiale. Këto bekime mund të na vijnë pasi të largohemi nga kjo ekzistencë e brishtë dhe e vdekshme. Koha për t’u përgatitur për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë përfundimtar është tani.6

Si pjesë e asaj përgatitjeje, njerëzit në fillim duhet ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë ungjillin. Për këtë arsye ungjilli i Jezu Krishtit po i shkon “çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli”7.

Përgjegjësia Personale

Disa vite më parë u takova me një mbret fisi në Afrikë. Kur ai e kuptoi se po mësohej nga një Apostull i Zotit, ai u prek thellësisht. Ai më tha se turma të mëdha nga njerëzit e tij do të pagëzoheshin nëse ai do t’u jepte atyre këtë urdhër. E falenderova për mirësinë e tij, por i shpjegova se Zoti nuk punon në atë mënyrë.

Zhvillimi i besimit tek Zoti është një çështje individuale. Pendimi është gjithashtu një çështje individuale. Vetëm si individ dikush mund të pagëzohet dhe të marrë Frymën e Shenjtë. Secili nga ne lindet individualisht; po ashtu, secili nga ne “lindet rishtas”8 individualisht. Shpëtimi është një çështje individuale.

Përgjegjësitë Familjare

Përparimi individual zhvillohet në familje, e cila është “thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”9. Shtëpia duhet të jetë laboratori i Perëndisë për dashurinë dhe shërbimin. Atje bashkëshorti duhet ta dojë bashkëshorten e tij, bashkëshortja duhet ta dojë bashkëshortin e saj dhe prindërit e fëmijët duhet ta duan njëri-tjetrin.

Nëpër të gjithë botën, familja është gjithmonë e më tepër nën sulm. Nëse familjet dështojnë, shumë nga sistemet tona politike, ekonomike dhe shoqërore, gjithashtu do të dështojnë. Dhe nëse familjet dështojnë, potenciali i tyre i lavdishëm e i përjetshëm nuk mund të përmbushet.

Ati ynë në Qiell dëshiron që bashkëshortët dhe bashkëshortet të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit dhe t’i vlerësojnë dhe trajtojnë fëmijët e tyre si një trashëgimi që vjen nga Zoti.10 Në një familje të tillë ne studiojmë shkrimet e shenjta dhe lutemi së bashku. Dhe ne e fiksojmë vështrimin tonë tek tempulli. Atje ne marrim bekimet më të mëdha që Perëndia ka ruajtur për fëmijët e Tij besnikë.

Falë planit të madh të lumturisë së Perëndisë,11 familjet mund të jenë së bashku përgjithmonë – si qenie të ekzaltuara. Ati ynë në Qiell shpalli: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.”12 Të dyja qëllimet e Tij u mundësuan nga Shlyerja e Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit. Shlyerja e Tij e bëri ringjalljen një realitet dhe jetën e përjetshme një mundësi për të gjithë që do të jetonin ndonjëherë.

Ringjallja, ose pavdekësia, vjen tek çdo burrë dhe çdo grua si një dhuratë e pakushtëzuar.

Jeta e përjetshme, ose lavdia çelestiale, apo ekzaltimi, është një dhuratë e kushtëzuar. Kushtet e kësaj dhurate janë vendosur nga Zoti, i cili tha: “Nëse i zbaton urdhërimet e mia e duron deri në fund, ti do të kesh jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë.”13 Ato kushte cilësuese përfshijnë besimin tek Zoti, pendimin, pagëzimin, marrjen e Frymës së Shenjtë dhe qëndrimin besnik ndaj ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit.

Askush në këtë Kishë nuk mund të fitojë shkallën më të lartë të lavdisë çelestiale pa një grua të denjë e cila të jetë vulosur me të.14 Kjo ordinancë e tempullit si rrjedhojë, mundëson ekzaltimin e secilit prej tyre.

Në thirrjet e Kishës me kohën do të lirohemi. Por nuk mund të lirohemi nga thirrja si prindër. Që nga ditët e para të historisë njerëzore, Zoti i ka urdhëruar prindërit t’u mësojnë ungjillin fëmijëve të tyre.15 Moisiu shkroi: “Do t’ua ngulitësh … bijve të tu … do të flasësh për to [fjalët e Perëndisë] kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.”16

Në ditët tona Zoti ka shtuar: “[Rritini] fëmijët tuaj në dritë e të vërtetë.”17 Kisha duhet të ndihmojë dhe jo të zëvendësojë prindërit në përgjegjësitë e tyre për të mësuar fëmijët e tyre.

Në këtë ditë imoraliteti të tërbuar dhe pornografie ngjitëse, prindërit kanë një përgjegjësi të shenjtë për t’u mësuar fëmijëve të tyre rëndësinë e Perëndisë në jetën e tyre.18 Këto të liga, kaq shkatërruese ndaj potencialit hyjnor, duhet të shmangen me rreptësi nga fëmijët e Perëndisë.

Ne gjithashtu duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë t’i nderojnë prindërit e tyre. Urdhërimi i pestë shpall: “Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.”19

Si mund t’i mësojmë fëmijët tanë në mënyrën më të mirë? Zoti na ka dhënë udhëzime të posaçme:

“Asnjë fuqi apo ndikim nuk mund ose nuk duhet të mbahet me anë të priftërisë, veçse nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur;

Nëpërmjet mirësisë dhe diturisë së pastër, të cilat do ta zgjerojnë shumë shpirtin, pa hipokrizi dhe pa mashtrim –

Duke qortuar në kohën e duhur me mprehtësi, kur u nxite nga Fryma e Shenjtë; dhe atëherë duke treguar më pas rritje të dashurisë ndaj atij që e ke qortuar, që ai të mos të të vlerësojë si armikun e tij.”20

Kur një fëmijë ka nevojë për qortim, ju mund t’i bëni vetes pyetjen: “Çfarë mund të them ose bëj që do ta nxiste atë të zgjidhte një rrugë më të mirë?” Kur bëni një korrigjim të nevojshëm, bëjeni me qetësi, veçmas, me dashuri dhe jo në sy të të tjerëve. Nëse kërkohet qortim, tregoni një rritje të dashurisë menjëherë, në mënyrë që farat e fyerjes të mund të zhduken. Për të qenë bindës, dashuria juaj duhet të jetë e sinqertë dhe mësimet tuaja të jenë të bazuara në doktrina hyjnore dhe parime të sakta.

Mos u përpiqni t’i vini nën kontroll fëmijët tuaj. Në vend të kësaj, i dëgjoni ata, i ndihmoni të mësojnë ungjillin, i frymëzoni ata dhe i udhëhiqni drejt jetës së përjetshme. Ju jeni mjetet e Perëndisë për t’u kujdesur për fëmijët me të cilët Ai ju ka besuar. Lëreni ndikimin e Tij hyjnor të qëndrojë në zemrën tuaj, ndërsa mësoni dhe bindni të tjerët.

Paraardhësit

Çdo diskutim mbi përgjegjësitë familjare për t’u përgatitur për ekzaltim do të ishte i paplotë nëse do të përfshinim vetëm nënën, babain dhe fëmijët. Po në lidhje me gjyshërit e gjyshet dhe paraardhësit e tjerë? Zoti ka zbuluar se ne nuk mund të përsosemi pa ta; dhe as ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur.21 Ordinancat e vulosjes janë thelbësore për ekzaltim. Një grua duhet të vuloset me burrin e saj; fëmijët duhet të vulosen me prindërit e tyre; dhe të gjithë ne duhet të lidhemi me paraardhësit tanë.22

Po në lidhje me ata që nuk mund të martohen në këtë jetë, ose ata që nuk mund të vulosen me prindërit e tyre në këtë jetë? Ne e dimë se Zoti do të na gjykojë të gjithëve sipas dëshirave të zemrës sonë, si edhe veprave tona23 dhe se bekimet e ekzaltimit do t’u jepen të gjithëve që janë të denjë.24

Ne si fëmijë të besëlidhjes jemi mjaft të favorizuar. Ne zemrën tonë janë mbjellë premtimet e bëra ndaj At Abrahamit, Isakut e Jakobit. Zoti ka thënë:

“Ju jeni trashëgimtarë të ligjshëm, sipas mishit, dhe jeni fshehur nga bota me Krishtin në Perëndinë… .

Si rrjedhim, bekuar qofshi ju, nëse vazhdoni në mirësinë time, një dritë për Johebrenjtë, dhe, nëpërmjet kësaj priftërie, një shpëtimtar për popullin tim, Izraelin.”25

Kjo jetë është koha për t’u përgatitur për shpëtim dhe ekzaltim.26 Në planin e përjetshëm të Perëndisë, shpëtimi është një çështje individuale; ekzaltimi është një çështje familjare.

Si fëmijë të besëlidhjes, jemi mbledhur në asamble solemne këtë mëngjes. Vëmendja është përqendruar tek titujt e shenjtë të profetëve dhe apostujve. Por përgjegjësia përfundimtare për t’u përgatitur për shpëtim dhe ekzaltim, qëndron mbi çdo person, të përgjegjshëm për zgjedhje individuale, duke vepruar në familjen e vet, duke mbajtur mbi vete një tjetër titull të shenjtë nëne, babai, bije, biri, gjysheje apo gjyshi.

Në ato role përgjegjësie, le të shkojmë përpara në besim, të udhëhequr nga Jezu Krishti, Kisha e të cilit kjo është dhe nga profeti i Tij, nëpërmjet të cilit Ai flet, unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. DeB 42:11; shkronjat kursive janë shtuar.

  2. Shih DeB 26:2; 28:13.

  3. Efesianëve 2:19–20.

  4. Efesianëve 4:11–13.

  5. 1 Korintasve 12:31; Ethëri 12:11.

  6. Shih Alma 34:32–33.

  7. Zbulesa 14:6.

  8. Gjoni 3:3, 7; Mosia 27:25; Alma 5:49; 7:14; Moisiu 6:59.

  9. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, tetor 2004, fq. 49.

  10. Shih Psalmi 127:3.

  11. Shih Alma 42:8.

  12. Moisiu 1:39.

  13. DeB 14:7; shih gjithashtu 3 Nefi 15:9. Libri i Mormonit më tej shpjegon natyrën e kushtëzuar të kësaj dhurate të madhe. Ai deklaron se “ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:20; shkronjat kursive janë shtuar).

  14. Shih DeB 131:1–3.

  15. Shih Moisiu 6:57–58. Gjithashtu vini re mësimet e Mbretit Benjamin: “Ju nuk do të lejoni fëmijët tuaj që ata të jenë të uritur ose të zhveshur; as nuk do të lejoni që ata të shkelin ligjet e Perëndisë dhe të luftojnë dhe të grinden me njëri-tjetrin, dhe t’i shërbejnë djallit që është mjeshtri i mëkatit… . Por, ju do t’u mësoni atyre të ecin në udhët e së vërtetës dhe të maturisë; ju do t’u mësoni atyre të duan njëri-tjetrin dhe t’i shërbejnë njëri-tjetrit” (Mosia 4:14–15).

  16. Ligji i Përtërirë 6:7.

  17. DeB 93:40. Zoti gjithashtu tha: “[Mësojini] fëmijët [tuaj] të luten dhe të ecin drejt përpara Zotit” (DeB 68:28).

  18. Kështu e mësoi Pali Timoteun: “Qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove, … që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus” (2 Timoteut 3:14–15).

  19. Eksodi 20:12. Kujtoni proverbin prindëror: “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket” (Fjalët e Urta 22:6).

  20. DeB 121:41–43.

  21. Shih DeB 128:15.

  22. Shih DeB 128:18.

  23. Shih DeB 137:9.

  24. Shih DeB 130:20–21; shih gjithashtu Rudger Clawson, në Conference Report, tetor 1917, fq. 29; Joseph F. Smith, në Deseret News, 1 maj 1878, fq. 2; Richard G. Scott, “The Joy of Living the Great Plan of Happiness,” Ensign, nëntor 1996, fq. 75.

  25. DeB 86:9, 11.

  26. Shih Alma 12:24.