“Hyrje për Materialin e Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (Feja 225)”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Hyrje për Materialin e Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (Feja 225)”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Hyrje për Materialin e Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (Feja 225)
Hyrje për Materialin e Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (Feja 225)
Mirë se vini në kursin Themelet e Rivendosjes! Faleminderit që e pranuat mundësinë për t’i ndihmuar studentët tuaj që ta thellojnë kthimin e tyre në besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur.
Synimi i Seminareve dhe Instituteve të Fesë shpall:
“Qëllimi ynë është të ndihmojmë rininë dhe të rinjtë në moshë madhore që t’i kuptojnë dhe të mbështeten te mësimet dhe Shlyerja e Jezu Krishtit, të kualifikohen për bekimet e tempullit, si dhe të përgatiten vetë, të përgatisin familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell”. (Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit: Një Manual për Mësuesit dhe Udhëheqësit në Seminaret dhe Institutet e Fesë [2012], f. 1)
Cilat janë synimet e këtij kursi?
Ky kurs hartohet që t’i ndihmojë studentët:
-
Ta forcojnë dëshminë e tyre për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur.
-
T’i rritin dëshirën dhe përpjekjen e tyre për të jetuar parimet dhe doktrinën e ungjillit dhe për t’u bërë më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.
-
Të vënë në jetë parime të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe të fitojnë përvojë për vlerësimin e burimeve të informacionit.
-
Të përcaktojnë e shpjegojnë doktrinën, zbulesën dhe ngjarjet historike, themelore të Rivendosjes.
Si strukturohet ky manual?
Përmbajtja e këtij manuali hartohet që t’i ndihmojë studentët të kenë përvoja domethënëse, lartësuese si jashtë ashtu edhe brenda klasës. Secili mësim përbëhet nga materiali i përgatitjes dhe materiali i mësuesit.
Materiali i Përgatitjes
Materiali i përgatitjes ka për qëllim të studiohet si nga ju, mësuesi, ashtu edhe studentët tuaj në përgatitje për orën mësimore. Ai përfshin kontekst dhe pamje historike të lidhura me çështjen, mësime nga shkrimet e shenjta dhe udhëheqësit e Kishës dhe një pjesë “A Doni më Shumë?” që përcakton burime shtesë të cilat lidhen me mësimin.
Materiali i përgatitjes gjithashtu përmban pyetje dhe veprimtari që kanë për qëllim ta thellojnë përvojën e të mësuarit të studentëve në orën mësimore. Për shembull, në materialin e përgatitjes për mësimin 6, “Libri i Mormonit – Guri Kyç i Besimit Tonë”, juve dhe studentëve tuaj u jepet mundësia që të studioni mësime nga udhëheqës të Kishës lidhur me mënyrën se si Libri i Mormonit na ndihmon të afrohemi më shumë te Perëndia dhe e bekon jetën tonë në mënyra shtesë:
Si ju ka ndihmuar studimi dhe vënia në jetë e mësimeve që gjenden në Librin e Mormonit që t’i afroheni më shumë Perëndisë? Cilat janë disa fragmente të shkrimeve të shenjta nga Libri i Mormonit që ju kanë ndihmuar të bëheni më shumë si Ai? Shënojini përgjigjet tuaja për këto pyetje në hapësirën e dhënë. Ejani në klasë të përgatitur që t’i shprehni mendimet tuaja.
Plaku Kim B. Klark, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim rreth përgatitjes dhe përpjekjes së sinqertë që kërkohen për të mësuar thellësisht:
“Nëse dëshironi vërtet të mësoni thellësisht, nëse zemra juaj dhe mendja juaj janë të hapura ndaj të mësuarit dhe nëse veproni sipas asaj dëshire, Zoti do t’ju bekojë. Kur e bëni pjesën tuaj – luteni me besim, përgatiteni, studioni, përfshiheni aktivisht dhe bëni më të mirën që mundeni – Fryma e Shenjtë do t’ju japë mësim, do ta lartësojë aftësinë tuaj për të vepruar sipas asaj që mësoni, dhe do t’ju ndihmojë të bëheni çfarë Zoti dëshiron që ju të bëheni” (“Learning for the Whole Soul”, Ensign ose Liahona, gusht 2017, f. 27).
Materiali i Mësuesit
Materiali i mësuesit hartohet për t’i ndihmuar mësuesit që t’i ftojnë studentët të diskutojnë atë që mësuan në përgatitjen e tyre, dhe për t’i ndihmuar studentët ta thellojnë kuptueshmërinë dhe dëshminë e tyre për Zotin dhe ungjillin e Tij të rivendosur. Në hyrjen për secilin mësim ju do të gjeni një përshkrim të rezultateve të synuara të mësimit. Kjo pasohet nga ide mësimdhënieje të sugjeruara që japin strukturë, përmbajtje, ndihma për diskutim dhe ide për zbatimin e mësimit.
Sa vijon është një shembull i mënyrës se si materiali mësimor mbështetet te përgatitja e studentëve, përsëri nga mësimi 6:
Ndajini studentët në disa grupe të vogla dhe ftojini të tregojnë dhe të shpjegojnë fragmente nga Libri i Mormonit që i kanë ndihmuar të afrohen më shumë te Perëndia. (Studentët që e kanë studiuar materialin e përgatitjes, mund t’i drejtohen asaj që shkruan në fund të pjesës 4.) Ju gjithashtu mund t’i ftoni studentët të diskutojnë në grupe se si të jetuarit e mësimeve të shënuara në fragmentet që i zgjodhën, i ndihmon ata të bëhen më shumë si Jezu Krishti.
Teksa lexoni mësimet në këtë manual, kushtojini vëmendje mënyrës se si materiali i mësuesit mbështetet rregullisht te përgatitja e studentëve. Mbështetja vazhdimisht te përgatitja e studentëve do t’i ndihmojë ata ta ndiejnë rëndësinë e përgatitjes për çdo orë mësimore.
Materiali i mësuesit gjithashtu jep modelin e parimeve themelore të mësimdhënies dhe të të nxënit të ungjillit (shih Mësimdhënia dhe të Nxënit e Ungjillit, f. 10, 23–31, 38–41). Këto përfshijnë ndihmën ndaj studentëve që të përcaktojnë, kuptojnë dhe ndiejnë të vërtetën dhe rëndësinë e doktrinës dhe parimeve të ungjillit të Jezu Krishtit, si edhe ftesën drejtuar atyre që të shpjegojnë, tregojnë e dëshmojnë.
Si mund të përqendrohem te studentët dhe t’i ndihmoj ata të kenë një përvojë domethënëse me këtë kurs?
Ju do t’i bekoni studentët tuaj duke pritur prej tyre dhe duke i nxitur ata që t’i përmbushin rolet e tyre si nxënës si jashtë ashtu edhe brenda klasës. Disa mënyra se si mund ta bëni këtë gjë janë duke u mbështetur te përgatitja e studentëve, duke i ftuar të bëjnë pyetje rreth materialit të përgatitjes ose temës së mësimit, duke u dhënë mundësi t’i shpjegojnë doktrinën dhe parimet me vetë fjalët e tyre, të tregojnë përvoja që lidhen me temën, dhe të japin dëshmi, si dhe duke i ftuar që t’i jetojnë më plotësisht të vërtetat e ungjillit të rivendosur.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka dhënë mësim:
“Ne mund të jemi mësues më të mirë nga sa jemi ndonjëherë. Gjatë qasjes te një detyrë kaq druajtëse, ju lutem … mbani mend se një student nuk është enë që duhet mbushur; një student është zjarr që duhet ndezur” (Jeffrey R. Holland, “Angels and Astonishment” [Transmetimi Satelitor i Trajnimit të Sistemit Arsimor të Kishës, 12 qershor 2019], ChurchofJesusChrist.org/broadcasts/article/article/2019/06/14holland).
Struktura e mësimit e sugjeruar në materialin e mësuesit duhet t’ju ndihmojë për të siguruar kohë të mjaftueshme në klasë që studentët t’i dallojnë e ndjekin nxitjet shpirtërore. Materialet gjithashtu duhet t’ju ndihmojnë t’i ftoni studentët që ta zbatojnë atë që po mësojnë dhe të bëhen më shumë si Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti. Merrni parasysh këtë shembull nga mësimi 19, “Shëlbimi i të Vdekurve”:
Ky kurs është hartuar si një kurs i plotë semestral me 28 mësime të shkruara për orë mësimore 50‑minutëshe. Nëse klasa juaj mblidhet vetëm një herë në javë për 90 ose 100 minuta, ndërthurni dhe jepni dy mësime në secilën orë mësimore. Në vend që të shqetësoheni për zhvillimin e të gjithë përmbajtjes në materialin e mësuesit, përqendrohuni që t’i ndihmoni studentët për ta thelluar kuptueshmërinë e tyre për doktrinën ose parimet që janë veçanërisht domethënëse për ta, dhe që t’i ndihmoni për të jetuar më plotësisht sipas këtyre të vërtetave.
Si mund të përgatitem me efektshmëri për të dhënë mësim?
Ati Qiellor do t’ju ndihmojë ndërsa përgatiteni dhe u jepni mësim fëmijëve të Tij. Përpjekjet tuaja që ta jetoni me zell ungjillin, do t’ju ndihmojnë që të kualifikoheni për Shpirtin në përgatitjen tuaj për të dhënë mësim.
Teksa përgatiteni, merrni parasysh mënyra se si mund ta përshtatni siç duhet materialin e mësuesit që të plotësojë nevojat dhe rrethanat e studentëve tuaj. Ndiqeni këtë këshillë nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, kur bëni përshtatje:
“Shpesh e kam dëgjuar Presidentin [Bojd K.] Paker të japë mësim që ne së pari përvetësojmë, pastaj përshtatim. Nëse ngulitemi tërësisht në mësimin e përshkruar që duhet ta japim, atëherë ne mund të ndjekim Shpirtin për ta përshtatur atë. Por ka një tundim kur flasim për këtë mundësi për ndryshueshmëri, që t’ia nisim nga përshtatja në vend që t’ia nisim nga përvetësimi. Është një baraspeshim. Është një sfidë e vazhdueshme. Por metoda e përvetësimit së pari dhe më pas e përshtatjes është një mënyrë e mirë për të qëndruar mbi një bazë të shëndoshë” (“A Panel Discussion with Elder Dallin H. Oaks” [transmetim satelitor për Seminaret dhe Institutet e Fesë, 7 gusht 2012], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).
Mund t’ju duket e dobishme t’i bëni vetes pyetjet vijuese si pjesë e përgatitjes suaj për të dhënë mësim:
-
A jam lutur për të marrë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë?
-
A e kam studiuar materialin e përgatitjes?
-
A ndihem mjaft i bazuar te materiali i mësuesit? A ka ndonjë gjë që kam nevojë ta përshtat për t’i përmbushur nevojat e studentëve të mi?
-
Si mund të mësojmë me efektshmëri prej shkrimeve të shenjta në orën mësimore?
-
Si mund t’i ndihmoj studentët të përqendrohen te Shpëtimtari dhe të mësojnë nga Fryma e Shenjtë në këtë mësim?
-
Si mund t’i ndihmoj studentët e mi në mënyrën më të efektshme që të mësojnë, kuptojnë dhe rriten në dëshminë e tyre për parimet që lidhen me këto aspekte të ungjillit?
-
Çfarë mund të bëj që ta përfshij në mënyrë domethënëse atë që studentët e kanë mësuar nga përgatitja e tyre për orën mësimore dhe nga përvoja e tyre në jetë?
-
Si mund ta ndihmoj secilin prej studentëve të mi që të përfshihet plotësisht në mësim?
-
Si mund t’i ndryshoj veprimtaritë dhe metodat mësimore që i përdor në çdo orë mësimore?
-
Si mund të krijojmë një mjedis mësimi që e fton Shpirtin dhe u jep studentëve privilegjin dhe përgjegjësinë që të japin mësim dhe të mësojnë nga njëri‑tjetri? (Shih Doktrina e Besëlidhje 88:78, 122.)
Si mund t’i përshtat mësimet për njerëzit me paaftësi?
Ndërsa përgatiteni që të jepni mësim, jini të vëmendshëm ndaj studentëve që kanë nevoja të veçanta. Përshtatini veprimtaritë dhe pritshmëritë që t’i përfshini ata dhe t’i ndihmoni të kenë sukses (shihni faqen Disability Resources [Burimet për Paaftësitë] te disabilities.ChurchofJesusChrist.org).
Çfarë pritet prej studentëve që të marrin kredite?
Që të marrin kredite për diplomimin nga instituti, studentëve u kërkohet:
-
Ta studiojnë materialin e përgatitjes për të paktën 75 përqind të mësimeve.
-
Të marrin pjesë në 75 përqind të orëve mësimore që mbahen.
-
Të plotësojnë njërën nga tri përvojat e të mësuarit: të mbajnë një ditar studimi, të shkruajnë përgjigje për tri pyetje ese ose të hartojnë e të plotësojnë një projekt të të mësuarit (me miratimin e mësuesit) për veten e tyre që lidhet me përmbajtjen e kursit. Gjeni më shumë hollësi këtu: ChurchofJesusChrist.org/si/institute/learning-experiences.
Nëse studentët shënojnë përgjigje për të gjitha pyetjet dhe veprimtaritë në materialin e përgatitjes, kjo gjithashtu do ta plotësojë kërkesën e përvojës së të mësuarit. Studentët nuk kanë nevojë t’jua dorëzojnë juve përgjigjet e tyre. Në fund të semestrit ata thjesht nevojitet t’ju tregojnë se çfarë plotësuan.