Instituti
Mësimi 1 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Preludi për Rivendosjen


“Mësimi 1 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Preludi për Rivendosjen”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 1 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 1 – Materiali i Përgatitjes së Klasës

Preludi për Rivendosjen

rreze dielli mbi male

Mirë se vini në kursin Themelet e Rivendosjes. Në këtë kurs, ju do të studioni zbulesat, doktrinën, njerëzit dhe ngjarjet historike themelore, që lidhen me Rivendosjen e Kishës së Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme. Studimi plot lutje i këtyre gjërave do t’ju ndihmojë t’i lidhni këto koncepte e njerëz me jetën dhe rrethanat tuaja. Ju gjithashtu do të jeni në gjendje më të mirë që të fitoni njohuri shpirtërore dhe të dalloni të vërtetën nga gabimi.

Ky material përgatitjeje do t’ju ofrojë një bazë për përvojën tuaj gjatë orës mësimore. Studimi përpara orës mësimore i materialit të përgatitjes së çdo mësimi, do t’ju ndihmojë të keni një përvojë të mësuari më të thellë, më domethënëse.

Kur i drejtoheni me lutje këtij kursi, ju do ta shihni dorën e Zotit në historinë e Rivendosjes dhe do ta dëgjoni zërin e Tij në zbulesat e Rivendosjes (shih Doktrina e Besëlidhje 18:34–36). Nga fundi i këtij mësimi të parë, ju duhet të jeni në gjendje të shpjegoni përse ishte e nevojshme që Kisha të rivendosej. Ju gjithashtu duhet të dalloni mënyrën se si Zoti e përgatiti udhën për një periudhë të re ungjillore të së vërtetës në kohën tonë.

Pjesa 1

Çfarë çoi drejt Braktisjes së Madhe?

Pas vdekjes dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit, Apostujt e Tij vazhduan ta udhëhiqnin Kishën teksa përhapej. Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si përfundimisht Kisha e Jezu Krishtit ra në braktisje:

“Dhiata e Re vë në dukje se Apostujt e hershëm punuan shumë për ta ruajtur kishën që Jezu Krishti e la nën kujdesin dhe ruajtjen e tyre, por ata e dinin se përfundimisht përpjekjet e tyre do të ishin pa vlerë. Pali u shkroi shenjtorëve thesalonikas, të cilët po prisnin me padurim ardhjen e dytë të Krishtit, se ‘ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia’ (2 Thesalonikasve 2:3). …

Përfundimisht, me përjashtimin që dihet të Gjon të Dashurit, Pjetri dhe shokët e tij Apostuj u martirizuan. Apostulli Gjon dhe anëtarët e Kishës u përballën me vështirësi për t’i mbijetuar një përndjekjeje të tmerrshme. Falë meritës së tyre të përjetshme, krishterimi mbijetoi dhe ishte me të vërtetë një forcë e spikatur nga fundi i shekullit të dytë ps.K. Shumë shenjtorë të guximshëm luajtën rol të rëndësishëm që ta ndihmonin krishterimin të vazhdonte.

Pavarësisht nga rëndësia e shërbesave të këtyre shenjtorëve, ata nuk mbanin të njëjtin autoritet apostolik që Pjetri dhe Apostujt e tjerë e kishin marrë nëpërmjet shugurimit nën duart e Vetë Zotit Jezu Krisht. Kur ai autoritet humbi, njerëzit filluan të shihnin te burime të tjera për kuptim doktrinor. Si rrjedhojë, humbën shumë të vërteta të qarta dhe të çmueshme.” (M. Russell Ballard, “Restored Truth”, Ensign, nëntor 1994, f. 65–66)

Profeti Nefi pa në vegim Braktisjen e Madhe. Ai pa se gjatë kësaj braktisjeje, njerëz të ligj do të “[hiqnin] prej ungjillit të Qengjit shumë pjesë të cilat janë të qarta dhe më të çmueshmet dhe gjithashtu shumë besëlidhje të Zotit at[a] i [kishin] hequr” (1 Nefi 13:26). Ai gjithashtu tha se “shumë gjëra të qarta dhe të çmueshme [do] të [hiqeshin] nga” Bibla gjatë Braktisjes së Madhe (1 Nefi 13:28). Një engjëll i tha Nefit: “Për shkak të këtyre gjërave që u hoqën nga ungjilli i Qengjit, një shumicë jashtëzakonisht e madhe njerëzish ngatërrohen, po, aq shumë, sa Satani ka fuqi të madhe mbi ta” (1 Nefi 13:29).

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Përse ishte e nevojshme një rivendosje e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit?

Pjesa 2

Si e përgatiti Zoti udhën për Rivendosjen?

Pas shekujsh braktisjeje, gjatë të cilëve shumë pak njerëz patën mundësi t’i përdornin shkrimet e shenjta, burra e gra të frymëzuara bënë gjithçka mundën, shpesh duke vënë veten në rrezik, për t’i ndihmuar të tjerët që të kërkonin të vërtetën. Nga fundi i viteve 1 300, Xhon Uaklifi filloi një përkthim të Biblës në anglisht dhe si pasojë u dënua si heretik nga autoritetet fetare të kohës së tij. Shpikja e shtypshkronjës nga mesi i viteve 1 400 vuri në dispozicion të më shumë njerëzve kopje të Biblës me çmim të përballueshëm . Në vitet 1 500, Shpirti i Zotit i frymëzoi Martin Luterin, Huldrik Zuinglin, Xhon Kalvinin, Xhon Noksin, En Eskjun dhe shumë të tjerë të cilët filluan të flisnin kundër gabimeve të kishave kryesuese të kohës të tyre. Uilliam Tindejlli dhe të tjerë gjithashtu bënë përkthime të reja të Biblës. Shumë nga këta reformatorë paguan me jetën e vet për veprimet e tyre. Përpjekjet e tyre çuan drejt organizimit të kishave të reja protestante. Ngaqë në Europë mungonte liria fetare, krijimi i këtyre kishave të reja çoi drejt konflikteve të rëndësishme.

Përndjekja fetare i nxiti shumë prej këtyre dhe individë të tjerë që të gjenin një vendbanim të ri ku mund të adhuronin lirisht, përfshirë pelegrinët, të cilët udhëtuan nga Anglia drejt kontinentit amerikan në fillim të viteve 1 600. Profeti Nefi pa në një vegim shumë reformatorë të tillë fetarë, të cilët më së fundi do të vendoseshin në Amerikë.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te 1 Nefi 13:13–16, 19.

Pasardhës të pelegrinëve dhe emigrantë të tjerë, të cilët po kërkonin më shumë liri, u shkëputën nga Britania e Madhe duke çuar në Luftën Revolucionare Amerikane. Një ushtar që luftoi në anën amerikane, quhej Ejsëll Smith. Ejsëlli, gjyshi nga babai i Profetit Jozef Smith, është shënuar se pati thënë në një rast: “Më është dhënë brenda frymës sime se një nga pasardhësit e mi do të shpallë një punë për ta revolucionarizuar botën e besimit fetar” (Joseph Fielding Smith, Church History and Modern Revelation, 2 vëll. [1953], 1:4). Ejsëlli dëshmoi themelimin e një kombi të ri, një kombi me liri fetare në thelbin e vet.

Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi se krijimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte një hap në përgatitjen e botës për Rivendosjen e ungjillit:

“Ndjenja fetare i udhërrëfeu themeluesit e një kombi të ri në kontinentin amerikan. Nën dorën e Perëndisë, ata siguruan liri fetare për çdo qytetar me një deklaratë të frymëzuar të Të Drejtave të Njeriut. Katërmbëdhjetë vjet më vonë, më 23 dhjetor 1805, lindi Profeti Jozef Smith. Përgatitja për Rivendosjen po i afrohej plotësimit të saj.

… Unë dëshmoj se dora [e Jezu Krishtit] ka qenë mbi veprën e Rivendosjes që përpara themelimit të kësaj bote.” (Robert D. Hales, “Preparations for the Restoration and the Second Coming: ‘My Hand Shall Be over Thee’”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 90, 92)

Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim sa vijon:

“Jozef Smith Plaku, babai i profetit, vuajti financiarisht. … [Ai] filloi një biznes me një ortak. Ortaku i biznesit i mori paratë dhe i humbi ato. Ata blenë një fermë që dështoi. Blenë një tjetër dhe ajo dështoi; blenë një tjetër dhe ajo dështoi. Më së fundi Jozef Smith Plaku u shpërngul në Palmira. Dora e Zotit ishte në veprim, duke e shpërngulur familjen Smith atje ku Ai kishte nevojë që ata të ishin.” (M. Russell Ballard, “The Tapestry of God’s Hand” [Takim Shpirtëror Përkujtimor për Jozef Smithin, 13 shkurt 2011, Instituti i Fesë në Logan, Universiteti Shtetëror i Jutës])

Sipas planit hyjnor, Jozef Smithi u lind në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe në kushtet e duhura për të filluar ngjarjet themeluese të Rivendosjes. Presidenti Brigam Jang dëshmoi:

“[Jozef Smithi] qe parashuguruar në përjetësi për të kryesuar këtë periudhë të fundit ungjillore”. (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 96)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë mund të mësojmë për Zotin nëpërmjet mënyrës se si Ai e përgatiti udhën për Jozef Smithin dhe Rivendosjen?