Instituti
Mësimi 18 Materiali i Mësuesit: Gratë Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme dhe Shoqata e Ndihmës


“Mësimi 18 Materiali i Mësuesit: Gratë Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme dhe Shoqata e Ndihmës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 18 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 18 Materiali i Mësuesit

Gratë Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme dhe Shoqata e Ndihmës

Shoqata e Ndihmës është një nga organizatat më të vjetra dhe, me mbi 7,1 milionë anëtare, një nga organizatat më të mëdha të grave në botë. Shoqata e Ndihmës është një pjesë përbërëse e Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të jenë të aftë të tregojnë se si aftësitë dhe ndihmesat e pashoqe të grave shenjtore të ditëve të mëvonshme janë thelbësore për punën e Zotit. Studentët gjithashtu do të përcaktojnë se si do të marrin pjesë më tërësisht në Shoqatën e Ndihmës ose do ta përkrahin atë Shoqatë në plotësimin e qëllimeve të saj.

Sugjerime për Mësimdhënien

Gratë që i mbajnë besëlidhjet, japin një ndihmesë të pashoqe dhe jetike për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë.

Paraqitni një figurë të një gruaje të drejtë ose përshkruani një grua të tillë nga jeta juaj. Shkurtimisht tregojini klasës atë që e bën atë një grua shembullore dhe mënyrën se si ajo ka dhënë ndihmesë për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë.

Ftojini studentët të japin mendimet e tyre rreth një gruaje të drejtë që e njohin dhe mënyrës se si ajo është një ndikim për mirë në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë. (Kjo ishte diçka që studentët u ftuan ta përsiatnin në materialin e përgatitjes.)

Paraqiteni thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë dhe vëreni klasën ta ndjekë e të kërkojë atë që Presidenti Nelson na mëson rreth grave të drejta të Kishës.

“Motrat e mia të dashura, ju … jeni bashkëpunëtoret tona jetike gjatë kësaj skene që po shpaloset. … Virtyti, drita, dashuria, dituria, guximi, karakteri, besimi dhe jeta juaj e drejtë do të tërheqin gra të mira nga bota, së bashku me familjet e tyre, drejt Kishës në përmasa të pashembullta!

Ne, vëllezërit tuaj, kemi nevojë për forcën tuaj, kthimin tuaj në besim, bindjen tuaj, aftësinë tuaj për të udhëhequr, urtësinë tuaj dhe zërat tuaj. Mbretëria e Perëndisë nuk është dhe nuk mund të jetë e plotë pa gra të cilat bëjnë besëlidhje të shenjta dhe më pas i mbajnë ato, pa gra të cilat mund të flasin me fuqi dhe autoritet nga Perëndia!” (Rasëll M. Nelson, “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 96)

  • Çfarë ju bën përshtypje nga kjo thënie?

  • Si do ta përmblidhnit një të vërtetë që mund ta mësojmë nga mësimet e Presidentit Nelson rreth grave që i mbajnë besëlidhjet në Kishë? (Duke përdorur fjalët e studentëve, shkruani në tabelë ose paraqitni një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Tiparet, udhëheqja dhe zërat e grave që i mbajnë besëlidhjet, janë thelbësore për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë.)

  • Si mendoni, përse mbretëria e Perëndisë “nuk është dhe nuk mund të jetë e plotë” pa zërat dhe ndihmesat e grave që i mbajnë besëlidhjet?

Shpjegoni se siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 25, Zoti e thirri Emën që ajo tʼi përdorte zërin, talentet dhe aftësitë e saja që të ndihmonte për të ndërtuar mbretërinë e Tij. Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 25:5–7, 10–16, të cilat i studiuan te pjesa 1 e materialit të përgatitjes dhe kërkojuni të përcaktojnë këshillën dhe përgjegjësitë që Zoti ia dha Emës.

Kërkojuni studentëve të tregojnë për atë që u bie në sy nga këto vargje dhe arsyen përse. Jepuni studentëve një minutë kohë që të marrin parasysh cilat pika të këshillës së Zotit do të donin t’i pranonin dhe t’i jetonin më plotësisht.

Zoti e organizoi Shoqatën e Ndihmës nëpërmjet Profetit Jozef Smith.

Paraqitni një figurë të Dyqanit me Tulla të Kuqe të Jozef Smithit në Navu të Ilinoisit dhe shpjegoni se si këtu u organizua Shoqata e Ndihmës në mars 1842.

Dyqani me Tulla të Kuqe i Jozef Smithit në Navu të Ilinoisit

Kërkojuni studentëve të kujtojnë nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes (ose ftojeni një student në fillim të orës mësimore që të përgatitet për ta bërë këtë gjë) rrethanat që çuan drejt ngritjes së Shoqatës së Ndihmës.

  • Sipas cilit model tha Jozef Smithi se organizohet Shoqata e Ndihmës? (Shoqata e Ndihmës organizohet sipas modelit të priftërisë.)

  • Çfarë do të thotë që Shoqata e Ndihmës u organizua sipas modelit të priftërisë? Përse kjo gjë është e rëndësishme që ne ta dimë? (Nëse nevojitet, ftojini studentët të kujtojnë rreth asaj që e mësuan nga pjesa 2 e materialit të përgatitjes.)

  • Si mund t’i përmblidhni qëllimet e Shoqatës së Ndihmës? (Ju mund të ftoni studentë që tʼi rishikojnë thëniet e Motrës Zina D. H. Jang dhe Motrës Xhuli B. Bek te pjesa 3 e materialit të përgatitjes për t’i ndihmuar ata që të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Shoqata e Ndihmës u organizua që të siguronte ndihmë për të varfrit dhe që të ndihmonte të shpëtonte shpirtra.)

  • Cilat janë mënyrat se si i keni parë gratë e Shoqatës së Ndihmës t’i përmbushin këto qëllime? (Ju gjithashtu mund të tregoni për një shembull ose përvojë domethënëse nga vetja juaj.)

Jepni kohë për dy motra në klasë që të shprehin ndjenjat e tyre rreth bekimeve të Shoqatës së Ndihmës.

Kërkojuni disa studentëve të japin përgjigjet e tyre lidhur me pyetjet vijuese që ata u ftuan t’i përsiatnin në materialin e përgatitjes:

  • Çfarë mund të bëjnë si gratë edhe burrat që të rrokin vizionin e Shoqatës së Ndihmës dhe që të punojnë së bashku për të ndihmuar që të përmbushen qëllimet e saj?

Paraqitni pyetjet vijuese dhe ftojini studentët të mendojnë plot lutje rreth një synimi dhe ta shkruajnë atë në ditarin ose fletoren e tyre të shënimeve:

  • Motra, si do të merrni pjesë më plotësisht në përmbushjen e qëllimeve të Shoqatës së Ndihmës nëpërmjet aftësive, besimit, zërit dhe udhëheqjes suaj?

  • Vëllezër, çfarë do të bëni për t’i mbështetur e nxitur më mirë gratë dhe për të punuar me to në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë?

Nëse e lejon koha, merreni parasysh t’i ftoni disa studentë të tregojnë atë që shkruan.

PËRMIRËSIMI I MËSIMDHËNIES DHE I TË MËSUARIT TONË

Përshtatini sugjerimet për mësimdhënien. Ju mund të zgjidhni t’i përdorni të gjitha sugjerimet e mësimdhënies ose disa prej tyre dhe mund t’i përshtatni sugjerimet në përputhje me drejtimin e Shpirtit dhe nevojat e rrethanat e studentëve tuaj. Kur i përshtatni sugjerimet për dhënien e mësimit ose i zëvendësoni ato me vetë idetë tuaja, merrni parasysh rezultatet që synoni për mësimin e studentëve, dhe përzgjidhni një ide mësimdhënieje alternativë që do të sjellë rezultatin që synoni.

Për ta mbyllur mësimin, merreni parasysh të bëni njërën apo të dyja gjërat që vijojnë:

  1. Pyetini studentët se si do t’i përgjigjeshin dikujt që shpall se gratë kanë një vend dhe rol të zvogëluar në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

  2. Dëshmoni për të vërtetat e përcaktuara gjatë mësimit.

  3. Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson:

“Janë motrat e kthyera në besim, që i mbajnë besëlidhjet … jeta e drejtë e të cilave do të bjerë në sy gjithnjë e më shumë në një botë që po përkeqësohet dhe të cilat si rrjedhim do të shihen si të ndryshme dhe të veçanta në mënyrat më të lumtura.

… Unë iu lutem motrave të mia të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme të bëjnë një hap përpara! Zëreni vendin tuaj të ligjshëm dhe të nevojshëm në shtëpinë tuaj, në komunitetin tuaj dhe në mbretërinë e Perëndisë – më shumë sesa e keni zënë ndonjëherë më parë.” (Rasëll M. Nelson, “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 97; kursivet në origjinal)

Për Herën Tjetër

Shpjegojuni studentëve se herën tjetër që mblidhen, ata do të përqendrohen te një aspekt i ungjillit të rivendosur të cilit Profeti Jozef Smith iu drejtua si një nga përgjegjësitë më të mëdha në këtë botë që Perëndia ka vendosur mbi shenjtorët e ditëve të mëvonshme (shih Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009],f. 508). Ftojini studentët që ta studiojnë me kujdes materialin e përgatitjes për mësimin 19 dhe të vijnë të gatshëm për të diskutuar premtimet e mrekullueshme profetike, të bëra atyre që ndihmojnë për të kryer punën në tempull për të vdekurit.