“Mësimi 14 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Zoti Zbulon Shkrim të Shenjtë Shtesë”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 14 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 14 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Zoti Zbulon Shkrim të Shenjtë Shtesë
Presidenti Rasëll M. Nelson ka vërejtur: “Prej [Profetit Jozef Smith], kemi marrë më shumë faqe shkrimi të shenjtë nga sa kemi pasur prej çdo profeti tjetër” (“Kapeni Valën”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 47). Shkrimet e shenjta që Zoti i solli nëpërmjet Jozef Smithit, sigurojnë një dëshmi bindëse për thirrjen e tij hyjnore si profet. Ndërsa studioni, merreni parasysh se si shkrimi i shenjtë shtesë e ka forcuar kuptueshmërinë dhe dëshminë tuaj për Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tyre.
Pjesa 1
Çfarë besojmë ne rreth zbulesës së vazhdueshme dhe shkrimit të shenjtë shtesë?
Një redaktori gazete në Çikago, i cili pyeti rreth bindjeve fetare të Kishës së Jezu Krishtit, Jozef Smithi i shpalli: “Ne besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë” (Nenet e Besimit 1:9).
Kjo bindje te zbulesa e vazhdueshme nëpërmjet profetëve të gjallë është një doktrinë e dallueshme e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Përveç Biblës së Shenjtë, ne mësojmë të vërteta themelore nga Libri i Mormonit, Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe, libra të cilët që të gjithë vlerësohen si shkrim i shenjtë.
Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it, përveçse qartëson shumë fragmente të Biblës, rivendos gjithashtu shumë të vërteta të qarta e të çmueshme që kishin humbur përgjatë epokave.
Pjesa 2
Si mund ta bekojë jetën time studimi i librit Doktrina e Besëlidhje?
Profeti Jozef Smith shkroi: “Në këto ditë të foshnjërisë së Kishës, kishte një shqetësim të madh për ta marrë fjalën e Zotit për çdo çështje që në njëfarë mënyre kishte të bënte me shpëtimin tonë” (History, 1838 –1856 [Manuscript History of the Church], vëllimi A–1, f. 146, josephsmithpapers.org). Zoti iu përgjigj hirshëm dhe vazhdimisht këtyre dëshirave të zjarrta nëpërmjet zbulesës.
Kisha kishte pak më shumë se 18 muaj që ishte organizuar, kur Profeti i propozoi një grupi pleqsh në një konferencë në Hajrëm të Ohajos, që të përpilonin dhe të botonin zbulesat që Zoti i kishte dhënë. Bërja e kësaj do t’i vinte zbulesat në dispozicion të të gjithë anëtarëve të Kishës dhe do të ndihmonte në punën misionare. Anëtarët e Kishës në këtë konferencë shpallën se zbulesat ishin “me vlerë sa … pasuritë e gjithë tokës” (Minute Book 2, f. 18, josephsmithpapers.org). Pak kohë më vonë, zbulesat u botuan në një vëllim të quajtur Libri i Urdhërimeve. Më vonë, këto dhe zbulesa shtesë u botuan si libri Doktrina e Besëlidhje.
Parathënia te Doktrina e Besëlidhje na ndihmon të kuptojmë arsyen përse një përpilim i zbulesave është kaq i çmuar: “Mesazhet, paralajmërimet dhe këshillimet janë për të mirën e gjithë njerëzimit dhe përmbajnë një ftesë për gjithë njerëzit kudo, që të dëgjojnë zërin e Zotit Jezu Krisht, duke u folur për mirëqenien e tyre tokësore dhe për shpëtimin e tyre të përjetshëm” (parathënia te Doktrina e Besëlidhje; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 18:34–36).
Gjatë konferencës së pleqve, Jozefi mori një zbulesë tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 1. Ishte parathënia e vetë Zotit për zbulesat.
Pjesa 3
Çfarë i shtojnë Përkthimi prej Joseph Smith-it dhe Perla me Vlerë të Madhe të kuptuarit tim lidhur me Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij?
Profeti Jozef Smith tregoi një dashuri të madhe për Biblën gjatë gjithë jetës së vet. Megjithatë, ai ishte i vetëdijshëm se kishte probleme në tekst. Ai tha:
“Unë e besoj Biblën siç lexonte kur erdhi nga pena e shkruesve të parë. Përkthyes të paditur, kopjues të pakujdesshëm, apo priftërinj mashtrues dhe të korruptuar kanë kryer shumë gabime.” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 217)
Duke filluar në verën e vitit 1830, Jozef Smithi nisi një përkthim të frymëzuar të Biblës. Ai nuk e përktheu Biblën nga një gjuhë në tjetër, as nuk kishte një dorëshkrim biblik origjinal me të cilin të punonte. Në vend të kësaj, Jozefi lexoi e studioi fragmente nga Varianti i Mbretit Xhejms të Biblës dhe më pas bëri korrigjime dhe shtesa siç u frymëzua nga Fryma e Shenjtë.
Pjesë të rishikimeve të frymëzuara të Profetit mund të gjenden te poshtëshënimet dhe shtojcat e disa botimeve të Biblës dhe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Perla me Vlerë të Madhe është një koleksion i teksteve të frymëzuara, i cili e qartëson dhe shton kuptimin tonë për ungjillin. Libri i Moisiut përbëhet nga pjesë të shkëputura prej përkthimit të Jozef Smithit të gjashtë kapitujve të parë të Zanafillës në Bibël. Joseph Smith – Mateu është pjesë e Përkthimit prej Joseph Smith-it të Mateut 23 dhe 24 që gjenden në Dhiatën e Re. Joseph Smith – Historia dhe Nenet e Besimit janë pjesë të dëshmisë së Jozefit dhe një shpallje e bindjeve prej tij.
Perla me Vlerë të Madhe përmban gjithashtu disa prej shkrimeve të patriarkut Abraham. Në verën e vitit 1835, një burrë i quajtur Majkëll Çendlër mbërriti në Kirtland të Ohajos me katër mumie dhe rrotulla të shumta papirusesh të lashta, të zbuluara në Tebë të Egjiptit. Profeti Jozef Smith i shqyrtoi rrotullat e papiruseve dhe pasi përktheu “disa nga karakteret ose hieroglifët”, ai deklaroi se “njëra prej rrotullave përmbante shkrimet e Abrahamit, një tjetër shkrimet e Jozefit të Egjiptit” (History, 1838–1856, vëllimi B–1 [1 shtator 1834–2 nëntor 1838], f. 596). Me ndihmën e anëtarëve të Kishës, Profeti bleu mumiet, dy rrotulla papirusesh dhe një numër fragmentesh nga papiruset. Ai e përktheu një pjesë të shkrimeve të Abrahamit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë dhe më vonë i botoi ato fillimisht te gazeta e Kishës Times and Seasons, si libri i Abrahamit.
Pjesa 4
Çfarë është libri i Abrahamit?
Libri i Abrahamit është një libër i shkrimit të shenjtë që rrëfen pjesë të jetës së hershme të këtij profeti me vetë fjalët e tij. Ai flet për dëshirën e tij për të “[qenë] ndjekës më i madh i drejtësisë” (Abraham 1:2) dhe për mirëbesimin që vendosi te Zoti, i cili në mënyrë mrekullibërëse e shpëtoi pasi “etërit” e tij e kishin dorëzuar për t’u sakrifikuar nga prifti i Faraonit (shih Abraham 1:5–7, 30). Ky libër na mëson gjithashtu të vërteta të mëdha që lidhen me besëlidhjen e Abrahamit, jetën para lindjes, natyrën e përjetshme të shpirtrave, parashugurimin, Këshillin në Qiell, qëllimin e jetës, planifikimin dhe krijimin e tokës. Më e rëndësishmja, ai dëshmon për Jezu Krishtin – madhështinë e Tij përpara lindjes, mëshirën e Tij dhe fuqinë e Tij për t’i çliruar fëmijët e Perëndisë dhe rolin e Tij qendror në planin e Atit Qiellor.
Temat e mëposhtme trajtojnë ato që ne dimë dhe nuk dimë për daljen në dritë të librit të Abrahamit.
Libri i Abrahamit dhe Bota e Lashtë
Libri i Abrahamit përputhet në mënyrë të jashtëzakonshme me ato që kanë mësuar studiuesit për botën e lashtë. Disa nga këto njohuri nuk ishin zbuluar ende ose nuk diheshin mirë në kohën e Jozef Smithit. Për shembull, dikur mendohej se egjiptianët nuk e praktikonin sakrificën njerëzore siç përshkruhet në librin e Abrahamit (shih Abraham 1:8–15; “Një Faksimile nga Libri i Abrahamit”, Nr. 1). Gjetjet e fundit historike tani dëshmojnë se ata e bënin atë dhe se ajo drejtohej ndaj atyre që i kundërshtonin praktikat fetare egjiptiane, ashtu siç bënë bijat e Onitahut, të cilat përmenden tek Abraham 1:11.
Studiuesit gjithashtu kanë gjetur se sakrificat nuk ndodhnin vetëm në Egjipt, por edhe në zonat që ishin nën ndikimin egjiptian (shih Abraham 1:1, 5–11). Libri i Abrahamit përmend “pllajë[n e] Olishemit” pranë vendit të Urit dhe Haranit (shih Abraham 1:10). Ky emër vendi ishte i panjohur për këdo në kohën e Jozef Smithit. Sidoqoftë, tekstet e lashta të zbuluara që nga ajo kohë i referohen një vendi të quajtur Ulishem pranë Haranit që mund të përafrohet me qytetin e përmendur në librin e Abrahamit. Një numër tekstesh të lashta gjithashtu e përmendin Abrahamin që u jep mësim egjiptianëve duke përdorur astronominë (shih Abraham 3:1–15; “Faksimile”, Nr. 3). Dokumente të tjera të lashta rrëfejnë vegimin e Abrahamit për Krijimin dhe përshkruajnë një këshill qiellor ku u diskutua dhe u planifikua krijimi i njerëzimit (shih Abraham 3:23–25; 4:26–27). Këto përputhje janë tregues të vërtetësisë së librit të Abrahamit.
Për më shumë informacion, shih edhe “Translation and Historicity of the Book of Abraham”, Tema të Ungjillit, topics.ChurchofJesusChrist.org; Daniel C. Peterson, “News from Antiquity”, Ensign, janar 1994, f. 16–21; dhe Kerry Muhlestein, “Egyptian Papyri and the Book of Abraham: A Faithful, Egyptological Point of View”, në Robert L. Millet, red., No Weapon Shall Prosper: New Light on Sensitive Issues (2011), rsc.byu.edu.
Papiruset Egjiptiane
Pas vdekjes së Jozef Smithit, familja e tij përfundimisht i shiti mumiet dhe papiruset. Shumica e papiruseve u shkatërruan me sa duket në Zjarrin e Madh të Çikagos në vitin 1871. Sidoqoftë, në vitin 1967, Muzeu Metropolitan i Artit në Nju‑Jork i paraqiti Kishës fragmente papirusesh që dikur i përkisnin Profetit Jozef Smith. Këto fragmente të gjetura datojnë disa shekuj para Krishtit, shumë kohë pasi jetoi Abrahami.
Kritikët janë orvatur ta përdorin datën e shkrimit të fragmenteve të papiruseve për të hedhur dyshime mbi vërtetësinë e librit të Abrahamit. Sidoqoftë, fragmentet e papiruseve nuk ka pse të datohen që në kohën e Abrahamit që libri i Abrahamit të jetë i vërtetë. Tekstet e lashta shpesh kalonin dorë më dorë si kopje ose si kopje të kopjeve. Për shembull, dorëshkrimet më të vjetra që kanë mbijetuar të librave të Biblës, datojnë shekuj pasi u shkruan fillimisht (shih John Gee, A Guide to the Joseph Smith Papyri [2000], f. 23–25, scholarsarchive.byu.edu; Kerry Muhlestein, “Egyptian Papyri and the Book of Abraham: Some Questions and Answers”, Religious Educator, vëll. 11, nr. 1 [2010], f. 91–108).
Disa individë e kritikojnë gjithashtu librin e Abrahamit, ngaqë përkthimet bashkëkohore të fragmenteve të papiruseve, të cilat përmbajnë tekste të lashta egjiptiane të varrimeve, nuk përputhen me tekstin e librit të Abrahamit. Mund të ketë disa arsye të mundshme për këtë.
Një nga fragmentet e papiruseve përfshin një pjesë të figurës që tani është Faksimilja 1 në librin e Abrahamit. Disa njerëz kanë hamendësuar se teksti ngjitur me këtë figurë duhet të ketë qenë burimi nga i cili Jozef Smithi e përktheu librin e Abrahamit. Sidoqoftë, është e zakonshme të gjenden figura në papiruset egjiptiane, të cilat janë disi larg nga teksti që i përshkruan ato. Dëshmitarët okularë përshkruan “një sasi analesh, të shkruara në papiruse”, përfshirë “një rrotull të gjatë” ose “rrotulla” të shumta papirusesh (shih John Gee, An Introduction to the Book of Abraham [2017], f. 5). Ndërkohë që përkthente, Profeti Jozef Smith mund të ketë qenë duke punuar me pjesë të papiruseve, të cilat u shkatërruan më vonë. Pra, ne nuk i dimë se cilat pjesë të papiruseve përdori Jozefi në procesin e përkthimit.
Të tjerë kanë sugjeruar që ndoshta libri i Abrahamit, ose fragmente të tij, nuk erdhën nga një përkthim i mirëfilltë i papiruseve. Sipas kësaj pikëpamjeje, studimi i hieroglifëve egjiptianë nga ana e Jozefit mund të ketë çuar drejt një zbulese rreth ngjarjeve dhe mësimeve kyç në jetën e Abrahamit, të ngjashme me mënyrën se si Profeti mori librin e Moisiut ndërkohë që studionte Biblën. As Zoti as Jozef Smithi nuk e shpjeguan kurrë procesin se si u përkthye libri i Abrahamit.
Një Dëshmi nga Perëndia
Libri i Abrahamit është një dhuratë nga Perëndia. Ashtu si me të gjitha shkrimet e tjera të shenjta, një bindje për vërtetësinë e përmbajtjes së librit të Abrahamit është kryesisht një çështje besimi. Një dëshmi hyjnore e mësimeve të tij nëpërmjet studimit plot lutje dhe zbulesës nga Fryma e Shenjtë është prova më e madhe se ai është i vërtetë. Presidenti Diter F. Uhtdorf, ndërkohë që shërbente në Presidencën e Parë, dëshmoi: “Ka një burim të vërtete që është i plotë, i saktë dhe i padëmtueshëm. Ai burim është Ati ynë Qiellor, pafundësisht i urtë dhe i gjithëditur” (“Ç’është e Vërteta?” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 13 janar 2013], f. 5, speeches.byu.edu).