“Mësimi 18 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Gratë Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme dhe Shoqata e Ndihmës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 18 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 18 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Gratë Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme dhe Shoqata e Ndihmës
Kur foli rreth Shoqatës së Ndihmës, Profeti Jozef Smith shpalli: “Kisha nuk qe kurrë e organizuar përsosurisht derisa gratë u organizuan kështu” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 481]. Mendoni rreth mesazhit që i dërgon kjo thënie botës lidhur me vendin e grave në Kishën e Zotit. Teksa i studioni këto materiale, përsiatni se si puna e grave shenjtore të ditëve të mëvonshme dhe Shoqata e Ndihmës janë thelbësore në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit.
Pjesa 1
Si e ndërtojnë mbretërinë e Perëndisë gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme?
Plaku Xhejms E. Talmixh, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dikur tha: “Mbrojtësi më i madh botëror i grave dhe i të qenit grua është Jezusi, Krishti” (në Daughters in My Kingdom [2011], f. 3).
Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:
“Motrat tona gjithmonë kanë qenë jetike dhe thelbësore në punën e Zotit. Gratë besnike kanë punuar plot guxim në kauzën e së vërtetës dhe të drejtësisë që përpara themeleve të kësaj bote. … Periudhës sonë ungjillore nuk i mungojnë heroinat e saj.” (M. Russell Ballard, “Women of Righteousness”, Ensign, prill 2002, f. 69)
Ema Smithi, bashkëshortja e Profetit Jozef Smith, shërbeu si shembull i një gruaje shenjtore të ditëve të mëvonshme, e cila e përmbushi rolin e saj të rëndësishëm në Rivendosjen. Në një zbulesë dhënë Jozef Smithit, Zoti iu drejtua Emës si “një zonjë e zgjedhur” (Doktrina e Besëlidhje 25:3). Teksa lexoni një pjesë të kësaj zbulese, merreni parasysh shenjimin e përgjegjësive dhe këshillës që Zoti i dha Emës. Vini re që në vargun 16 Zoti shpall se këshilla e Tij, e dhënë Emës, gjithashtu gjen zbatim për secilin prej nesh.
Ema dhe Jozefi vuajtën sprova të mëdha gjatë kohës së tyre së bashku. Ata gjithashtu i sollën njëri‑tjetrit shumë ngushëllim e gëzim. E vërtetë ndaj thirrjes së saj, Ema ishte një lehtësim i madh për Jozefin, duke e nxitur dhe ngushëlluar atë përmes përndjekjeve dhe përvojave të hidhura sprovuese. Duke reflektuar për një kohë kur Ema e vizitoi ndërsa ishte i fshehur prej rrezikut, Profeti shkroi: “Përsëri ajo është këtu, pavarësisht nga çfarë shqetësimi kemi, e paepur, e fortë dhe e patundur, e pandryshueshme, e dashura Ema” (“Journal, December 1841–December 1842”, f. 135, josephsmithpapers.org).
Ema shërbeu për një kohë si shkruese e Jozefit, duke ndihmuar për përkthimin e Librit të Mormonit. Gjatë gjithë jetës së vet ajo dëshmoi me guxim për Librin e Mormonit. Pak kohë përpara vdekjes së saj, ajo i tha birit të vet: “Bindja ime është se Libri i Mormonit ka vërtetësi hyjnore – nuk kam as më të voglin dyshim për të” (Emma Smith, në “Last Testimony of Sister Emma”, Saints’ Herald, 1 tetor 1879, f. 290). E bindur ndaj urdhrit të Zotit, Ema gjithashtu përmblodhi librin e parë të himneve të Kishës.
Ema dha mësim me anë të shembullit: “Në Nju‑Jork, ajo qepi veshje për … misionarët që u thirrën për [të] predikuar ungjillin. … Në Kirtland, ajo punoi me gra të tjera për të mbledhur batanije, ushqim e veshje për marshuesit e Kampit të Sionit, për t’ia çuar shenjtorëve të pikëlluar në Misuri. Ajo ndihmoi në përgatitjen e vakteve dhe bërjen e [veshjeve] për punëtorët që po ndërtonin Tempullin e Kirtlandit. Ajo mori kaq shumë punëtorë të tempullit për të banuar në shtëpinë e saj, saqë asaj dhe Jozefit iu desh të flinin përtokë. Në ditët e hershme të Navusë, ajo ia kushtoi shumë prej kohës dhe vëmendjes së saj përkujdesjes për shumë viktima të malaries të vendosura në kampim jashtë shtëpisë së saj në brigjet e lumit Misisipi. Në këto dhe shumë mënyra të tjera, ajo u bë shembull i shërbimit të dhënë prej shumë motrave në kohën e saj” (Mësimet: Jozef Smith, f. 480).
Pjesa 2
Çfarë është unike rreth organizimit të Shoqatës së Ndihmës?
Në pranverën e 1842‑it, shenjtorët po hasnin vështirësi për të ndërtuar Tempullin e Navusë për shkak të varfërisë së tyre. Shumë prej motrave dëshiruan të bënin më shumë për të ndihmuar. Të udhëhequra nga Sara Kimbëlli dhe Margaret Kuku, një grup motrash u mblodhën për të skicuar një kushtetutë dhe urdhëresa për një shoqëri të re të grave që të qepnin veshje për punëtorët e tempullit. Kur u këshilluan me Profetin Jozef Smith, ai u tha se kushtetuta e tyre ishte nga “më të mirat që kishte parë ndonjëherë” (Mësimet: Jozef Smithi, f. 479). “Por”, tha ai, “nuk është kjo ajo që ju [doni]. Thuaju motrave se oferta e tyre pranohet prej Zotit dhe ai ka diçka më të mirë për to. … Unë i ftoj ato të gjitha të takohen me mua dhe disa prej vëllezërve … dhe unë do t’i organizoj gratë nën priftërinë, sipas modelit të priftërisë” (në Daughters in My Kingdom, f. 12). Eliza R. Snou tregoi se Jozef Smithi i dha mësim Shoqatës së Ndihmës se “e njëjta organizatë ekzistonte në kishë në lashtësi” (në Daughters in My Kingdom, f. 7).
Motra Xhuli B. Bek, ish‑Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, na mësoi se çfarë do të thotë të organizohemi sipas modelit të priftërisë:
“Shoqata e Ndihmës është unike ngaqë u organiza sipas ‘modelit të priftërisë’ [Joseph Smith, cituar në Sarah M. Kimball, “Auto-biography”, Woman’s Exponent, 1 shtator 1883, f. 51]. … Ne funksionojmë sipas mënyrës së priftërisë – që do të thotë se ne kërkojmë, marrim dhe veprojmë sipas zbulesës; marrim vendime në këshilla; dhe shqetësohemi për t’u kujdesur për individët një e nga një. Është i yni qëllimi i priftërisë që të përgatitemi për bekimet e jetës së përjetshme duke bërë dhe mbajtur besëlidhje. Prandaj, ashtu si vëllezërit tanë që mbajnë priftërinë, kjo e jona është një punë për shpëtim, shërbim dhe për t’u bërë një popull i shenjtë.” (Xhuli B. Bek, “Shoqata e Ndihmës: Një Punë e Shenjtë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 110)
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, theksoi më tej se puna e Shoqatës së Ndihmës bëhet me autoritetin e priftërisë:
“Në një fjalim drejtuar Shoqatës së Ndihmës, Presidenti Jozef Filding Smith, në atë kohë Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha këtë: ‘Ndërsa motra[t] nuk [janë shuguar në] Priftëri[në], … kjo nuk do të thotë se Zoti nuk u ka dhënë atyre autoritet. … Ju mund të flisni me autoritet, sepse Zoti ka vendosur autoritet mbi ju.’ Ai gjithashtu tha se Shoqatës së Ndihmës ‘i [është] dhënë fuqi dhe autoritet për të bërë shumë gjëra të madhërishme. Puna që ato bëjnë, bëhet nëpërmjet autoritetit hyjnor’ [“Relief Society – An Aid to the Priesthood”, Relief Society Magazine, janar 1959, f. 4–5]. …
… Kushdo që vepron në një detyrë ose thirrje të marrë nga një njeri që mban çelësat e priftërisë, ushtron autoritet priftërie në kryerjen e detyrave të caktuara atij ose asaj.” (Dallin H. Ouks, “Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 50–51)
Pjesa 3
Si ndihmojnë gratë dhe Shoqata e Ndihmës që të plotësohen qëllimet e Perëndisë dhe të Kishës së Tij?
Mbledhja e parë e Shoqatës së Ndihmës u mbajt më 17 mars 1842, në dhomën e sipërme të Dyqanit me Tulla të Kuqe të Jozef Smithit në Navu të Ilinoisit. Ema u zgjodh dhe u mbështet si presidente e organizatës së re. Jozefi u ngrit dhe shpjegoi se kjo ishte një plotësim i shpalljes së Zotit se Ema ishte “një zonjë e zgjedhur, të cilën unë e kam thirrur” (Doktrina e Besëlidhje 25:3). Pak kohë më vonë Profeti tha: “Kjo Shoqatë do të marrë udhëzime nëpërmjet rendit që Perëndia ka caktuar – nëpërmjet shërbesës së atyre që janë caktuar për të udhëhequr – dhe tani unë jua dorëzoj çelësin juve në emrin e Perëndisë dhe kjo shoqatë do të gëzohet, dhe dije e inteligjencë do të burojë që nga kjo kohë” (në Daughters in My Kingdom, f. 14–15).
Motra Ema Smith shpalli se së bashku motrat e Kishës do të bënin “diçka të jashtëzakonshme” (“Mësimet e Dhëna nga Jozef Smithi rreth Priftërisë, Tempullit dhe Grave”, Ese mbi Temat e Ungjillit, topics.ChurchofJesusChrist.org). Teksa studioni thëniet vijuese, merreni parasysh të shenjoni atë që ju bie në sy rreth qëllimeve dhe misionit të Shoqatës së Ndihmës.
Zina D. H. Jang, ish‑Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, tregoi:
“Shoqata e Ndihmës … u organizua fillimisht … për t’u dhënë bekime materiale të varfërve dhe nevojtarëve: dhe për t’u dhënë kurajë të dobëtëve, dhe për t’i kufizuar të gabueshmit, dhe për zhvillimin më të mirë, dhe për ushtrimin e ndjenjave të dashamirësisë së gruas, dhe për ushtrimin e dashurisë hyjnore, që ajo të mund të ketë mundësinë për të fituar forcë shpirtërore dhe fuqi për të përmbushur mirësi më të madhe në punën e shëlbimit të familjes njerëzore.” (“First General Conference of the Relief Society”, Woman’s Exponent, 15 prill 1889, f. 172)
Motra Bek dha mësim:
“Jozef Smithi tha se gratë e kësaj Kishe u organizuan për t’u siguruar ‘lehtësim të varfërve, të mjerëve, të vejave dhe jetimëve dhe për ushtrimin e të gjithë qëllimeve mirëdashëse’ [në History of the Church, 4:567] dhe ‘jo vetëm për t’u dhënë [ndihmë] të varfërve, por për të shpëtuar shpirtra’ [në History of the Church, 5:25]. Ajo përpjekje ndihme u përcaktua më tej nga Plaku Xhon A. Uidso si ‘lehtësim i varfërisë, lehtësim i sëmundjes, lehtësim i dyshimit, lehtësim i padijes – lehtësim nga gjithçka që i frenon … gëzimin dhe përparimin …ʼ [Evidences and Reconciliations, përsh. G. Homer Durham, 3 vëll. në 1 (1960), f. 308].
… Nëpërmjet Shoqatës së Ndihmës ne ushtrohemi të jemi dishepuj të Krishtit. Ne mësojmë atë që Ai do të donte që ne të mësojmë, ne bëjmë atë që Ai do të donte që ne të bëjmë dhe ne bëhemi ata që Ai do të donte që ne të bëhemi.” (Xhuli B. Bek, “Çfarë Bëjnë më Mirë Gratë Shenjtore të Ditëve të Mëvonshme: Qëndrojnë Fort e të Palëkundura”, Ensign dhe Liahona, nëntor 2007, f. 111, 109)
Presidenti Spenser W. Kimball shpjegoi përse si burrat ashtu edhe gratë duhet tʼi kuptojnë qëllimet dhe fuqinë e Shoqatës së Ndihmës:
“Ka një fuqi në këtë organizatë [të Shoqatës së Ndihmës] që nuk është ushtruar ende plotësisht, për të forcuar shtëpitë e Sionit dhe për të ndërtuar Mbretërinë e Perëndisë – dhe as nuk do të ushtrohet derisa edhe motrat edhe priftëria [vëllezërit] të rrokin vizionin e Shoqatës së Ndihmës”. (Spencer W. Kimball, në Daughters in My Kingdom, f. 142; kursivet të shtuara)