“Mësimi 6 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Libri i Mormonit – Guri Kyç i Besimit Tonë”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 6 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 6 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Libri i Mormonit – Guri Kyç i Besimit Tonë
Cila është dëshmia juaj për Librin e Mormonit? Çfarë mund të bëni që të vazhdoni ta forconi atë? Teksa studioni materialin vijues, ju duhet të jeni në gjendje më mirë që të shpjegoni përse Libri i Mormonit është guri kyç i fesë sonë dhe i dëshmive tona.
Pjesa 1
Cilat janë disa prova për vërtetësinë dhe rëndësinë e Librit të Mormonit?
Pak kohë pasi u botua Libri i Mormonit në mars 1830, Zoti e urdhëroi Jozefin të organizonte Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit. Misionarët filluan të shitnin kopje të Librit të Mormonit ndërkohë që udhëtonin. Libri filloi të kishte ndikim të thellë në mbledhjen e njerëzve në Kishë.
Në të njëjtin vit që u botua Libri i Mormonit, një i ri i quajtur Parli P. Prat u ndie i frymëzuar ta shiste fermën e tij në Ohajo që të mund të predikonte Biblën. Pak kohë pasi shitën fermën, Parli dhe bashkëshortja e tij, Thenkfulli, udhëtuan drejt lindjes. Kur iu afruan Palmirës në Nju‑Jork, Parli u ndie i nxitur të zbriste nga anija. Ai zbriti dhe Thenkfulli vazhdoi udhëtimin. Parli më pas eci 16 kilometra drejt shtëpisë së një dhjaku baptist. Dhjaku i foli për një libër që e kishte marrë, i cili u përkthye nga fletë të arta. Parli më vonë shënoi sa vijon:
“E hapa [Librin e Mormonit] me padurim dhe lexova faqen e titullit të tij. Pastaj lexova dëshminë e disa dëshmitarëve lidhur me mënyrën se si u gjet dhe u përkthye ai. Pas kësaj fillova me përmbajtjen e tij me radhë. Lexova gjithë ditën; të haja ishte një barrë, nuk kisha dëshirë për ushqim; kur erdhi nata, gjumi ishte një barrë, sepse parapëlqeva të lexoja në vend që të flija.
Ndërsa lexoja, shpirti i Zotit ishte mbi mua dhe e dija dhe e kuptova se libri ishte i vërtetë, po aq qartë dhe haptazi sa një njeri kupton dhe e di se ai ekziston.” (Autobiography of Parley P. Pratt, bot. Parley P. Pratt Jr. [1938], f. 37)
Që nga ditët e hershme të Kishës, miliona njerëz kanë zbuluar atë që Parlit ia mësoi Fryma e Shenjtë atë natë – se Libri i Mormonit është i vërtetë. Ai përmban fjalën e Perëndisë.
Kur Jozef Smithi e përfundoi përkthimin e Librit të Mormonit në qershor 1829, Zoti Vetë dëshmoi për vërtetësinë e tij.
Zoti më vonë pohoi vërtetësinë e Librit të Mormonit dhe dha arsye përse Ai e nxori atë në dritë.
Vite më vonë, një të diel në vitin 1841, Profeti Jozef Smith e kaloi ditën në këshill me Dymbëdhjetë Apostujt në shtëpinë e Presidentit Brigam Jang, i cili po shërbente në atë kohë si president i atij kuorumi. Duke folur me ta mbi një larmi temash, Jozefi dha mësim rëndësinë e Librit të Mormonit:
“Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga [cilido] libër mbi tokë dhe gur[i kyç] i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga [cilido] libër tjetër”. (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 67)
Studioni pjesët vijuese që të mësoni më shumë rreth këtyre të vërtetave të dhëna mësim nga Profeti Jozef.
Pjesa 2
Çfarë do të thotë që Libri i Mormonit është më i sakti nga cilido libër mbi tokë?
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Libri i Mormonit është më i sakti nga cilido libër mbi tokë sepse ai përqendrohet tek e Vërteta (shih Gjoni 14:6; 1 Nefi 13:40), madje Jezu Krishti, dhe rivendos gjërat e qarta dhe të çmueshme që janë hequr nga ungjilli i vërtetë (shih 1 Nefi 13:26, 28–29, 32, 34–35, 40). Ndërthurja unike e këtyre dy faktorëve – një përqendrim tek Shpëtimtari dhe thjeshtësia e mësimeve – fton fuqishëm dëshminë konfirmuese të anëtarit të tretë të Kreut‑Perëndi, madje të Frymës së Shenjtë. Si rrjedhim, Libri i Mormonit i flet shpirtit dhe zemrës së lexuesit si asnjë vëllim tjetër shkrimi të shenjtë.” (Dejvid A. Bednar, “Duke Ndenjur Zgjuar … me Çdo Ngulmim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 41)
Pjesa 3
Në ç’mënyrë Libri i Mormonit është guri kyç i besimit tonë?
Kur ndërtohet një hark, dy krahët ndërtohen me materiale mbështetëse nga jashtë për t’i mbajtur ato lart. Hapësira në majë të harkut matet me kujdes dhe guri kyç pritet që t’i përshtatet saktësisht harkut. Kur ai gur kyç vendoset në qendër dhe shtypja prej gurëve të tjerë bie mbi të, harku qëndron i palëkundshëm pa pasur mbështetje.
Presidenti Ezra Taft Benson shpjegoi se si Libri i Mormonit është guri kyç i besimit tonë:
“Ka tri mënyra në të cilat Libri i Mormonit është guri kyç i fesë sonë. Ai është guri kyç i dëshmimit tonë për Krishtin. Ai është guri kyç i doktrinës sonë. Ai është guri kyç i dëshmisë sonë.
Libri i Mormonit është guri kyç i dëshmimit tonë për Jezu Krishtin. … Shumë nga bota e krishterë sot e kundërshtojnë hyjninë e Shpëtimtarit. Ata e vënë në dyshim lindjen e Tij si mrekulli, jetën e Tij të përkryer dhe realitetin e Ringjalljes së Tij të lavdishme. Libri i Mormonit na mëson me fjalë të qarta dhe të pagabueshme rreth së vërtetës së të gjitha këtyre gjërave. Ai gjithashtu na jep shpjegimin më të plotë të doktrinës së Shlyerjes. …
Libri i Mormonit është edhe guri kyç i doktrinës së Ringjalljes. … Libri i Mormonit ofron kaq shumë saqë i zgjeron kuptueshmëritë tona për doktrinat e shpëtimit. Pa të, shumica prej asaj që jepet mësim në shkrimet e tjera të shenjta, nuk do të jetë aq e qartë dhe e çmuar. …
… Libri i Mormonit është guri kyç i dëshmisë. Ashtu si harku shembet në qoftë se i hiqet guri kyç, po kështu edhe e gjithë Kisha qëndron ose bie me vërtetësinë e Librit të Mormonit. … Në qoftë se Libri i Mormonit është i vërtetë … atëherë duhen pranuar shpalljet për Rivendosjen dhe gjithçka që lidhet me të.” (Ezra Taft Benson, “The Book of Mormon—Keystone of Our Religion”, Ensign, nëntor 1986, f. 5–6; kursivet të shtuara)
Pjesa 4
Si na ndihmon Libri i Mormonit që t’i afrohemi më shumë Perëndisë?
Merreni parasysh të shenjoni fjalë ose fraza në thëniet vijuese që na mësojnë se si Libri i Mormonit na ndihmon të afrohemi më shumë me Perëndinë dhe se si ai e bekon jetën tonë.
Presidenti Benson dha mësim:
“Brenda [Librit të Mormonit] gjendet një fuqi që do të fillojë të rrjedhë në jetën tuaj në çastin kur filloni një studim serioz të librit. Ju do të gjeni fuqi më të madhe për t’i bërë ballë tundimit. Do të gjeni fuqinë për ta shmangur mashtrimin. Do të gjeni fuqinë për të qëndruar në shtegun e ngushtë e të ngushtuar. Shkrimet e shenjta quhen ‘fjalët e jetës’ (Doktrina e Besëlidhje 84:85) dhe askund tjetër nuk është ajo më e vërtetë sesa është për Librin e Mormonit. Kur filloni të keni uri dhe etje për ato fjalë, ju do të keni në jetë begati gjithnjë e më të madhe.” (Ezra Taft Benson, “The Book of Mormon—Keystone of Our Religion”, f. 7)
Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, gjithashtu ka dëshmuar:
“Efekti i Librit të Mormonit në karakterin, fuqinë dhe guximin tuaj për të qenë një dëshmitar i Perëndisë është i sigurt. Doktrina dhe shembujt e guximshëm në atë libër do t’ju lartësojnë, udhëzojnë dhe do t’ju japin guxim. … Studimi me lutje i Librit të Mormonit do të ndërtojë besim në Perëndinë, Atin, në Birin e Tij të dashur dhe në ungjillin e Tij. Ai do të ndërtojë besimin tuaj te profetët e Perëndisë, të lashtët dhe të kohës sonë. Ai mund t’ju afrojë më shumë me Perëndinë se çdo libër tjetër. Ai mund ta ndryshojë jetën për më mirë. … Unë ju lutem që ju t’i studioni thellësisht dhe shpesh faqet e tij.” (Henri B. Ajring, “Një Dëshmi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 69–71)
Dhe Presidenti Rasëll M. Nelson ka premtuar:
“Unë ju premtoj se, kur e studioni me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, ju do të merrni vendime më të mira – çdo ditë. Ju premtoj se, teksa e përsiatni atë që studioni, dritaret e qiellit do të hapen dhe ju do të merrni përgjigje për vetë pyetjet tuaja dhe drejtim për vetë jetën tuaj. Ju premtoj se, ndërsa e zhytni veten përditë në Librin e Mormonit, ju mund të fitoni imunitet kundër të ligave të ditës, përfshirë edhe murtajën dërrmuese të pornografisë dhe varësive të tjera që na mpijnë mendjen.” (Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?” Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 62–63)