“Mësimi 26 Materiali i Mësuesit: Kisha në Perëndim”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 26 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 26 – Materiali i Mësuesit
Kisha në Perëndim
Themelimi i Kishës në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara është një histori mbresëlënëse besimi. Ky mësim do t’u japë studentëve një mundësi për të mësuar nga shenjtorët besnikë që e ndërtuan themelin e tyre mbi Jezu Krishtin dhe që ia përkushtuan jetën e tyre ndërtimit të mbretërisë së Tij. Gjithashtu do t’i ndihmojë studentët që ta kuptojnë më mirë një ngjarje tragjike në historinë e Kishës nga kjo periudhë, që tregoi një shkëputje të rëndë nga mësimet e ungjillit të Shpëtimtarit: Masakrën e Livadheve Malore.
Sugjerime për Mësimdhënien
Shenjtorët vazhduan ta ndërtonin mbretërinë e Perëndisë nëpërmjet besimit dhe sakrificës.
Paraqiteni imazhin vijues të një sixhadeje ose silleni një tuajën në klasë. Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se sixhadeja formohet duke endur së bashku shumë fije në kombinime të ndërlikuara dhe të ngatërruara për të krijuar një figurë ose një modelim të bukur.
Ftojeni një student të lexojë thënien vijuese nga Plaku Stiven E. Snou, i Të Shtatëdhjetëve, që më parë shërbeu si Historian dhe Arkivist i Kishës.
“Nëse e mendoni historinë e Kishës si një qilim ose një sixhade, është gjëja më e larmishme dhe më e bukur që kam vëzhguar ndonjëherë. Nëse e shqyrtoni me vëmendje atë, do të gjeni disa fije të veçanta në atë qilim apo sixhade të bukur dhe nëse i tërhiqni dhe fiksoheni tek ato fije, do të humbisni mesazhin e mrekullueshëm të historisë sonë. Nëse do të bëni një hap prapa dhe do ta shihni qilimin apo sixhaden e plotë, ajo është e bukur.” (Steven E. Snow, “Start with Faith: A Conversation with Elder Steven E. Snow”, Religious Educator, nr. 3 [2013], f. 11)
Shpjegoni se nga historia e hershme e Kishës në Perëndim, ka mijëra histori të shenjtorëve besnikë, përpjekjet e të cilëve për ta ndjekur Jezu Krishtin dhe për të ndërtuar Kishën e Zotit krijuan një sixhade të bukur besimi.
Zbuloni se cilat rrëfime lexuan studentët te pjesa 1 e materialit përgatitor. Për secilin rrëfim, ftojeni një student të bëjë sa vijon:
-
Ta përmbledhë rrëfimin që lexoi ai ose ajo.
-
Të shpjegojë se si shenjtori apo shenjtorët e ditëve të mëvonshme në rrëfim, e treguan besimin e tyre në Jezu Krisht dhe tek ungjilli i Tij i rivendosur.
-
Të tregojë mësime ose parime që mësoi ai apo ajo nga rrëfimi.
Lejojini studentët e tjerë që e lexuan të njëjtin rrëfim, të shtojnë idetë e tyre përpara se të kaloni te rrëfimi tjetër.
Disa anëtarë të hershëm të Kishës planifikuan dhe kryen Masakrën e Livadheve Malore.
Paraqiteni imazhin shoqërues dhe shpjegoiuni studentëve se është një fotografi e monumentit përkujtimor të varrezës së Masakrës së Livadheve Malore, e ndërtuar nga Kisha në Jutën jugore. Shpjegoni se, për fat të keq, tragjedia e Livadheve Malore është një fije plot keqardhje e endur në historinë e shenjtorëve.
Pyetini studentët për atë që mësuan nga leximi i tyre rreth Masakrës së Livadheve Malore. Sigurohuni që studentët ta kuptojnë se më 11 shtator 1857 rreth 50 deri në 60 milicë vendorë në Jutën jugore, me ndihmën e disa aleatëve indianë të Amerikës, masakruan rreth 120 emigrantë që po udhëtonin me karro drejt Kalifornisë. Vetëm 17 fëmijë i kursyen.
-
Cilat janë disa nga ngjarjet dhe zgjedhjet që çuan në tragjedinë e Livadheve Malore? (Nëse nevojitet, jepuni studentëve disa minuta kohë për ta shqyrtuar pjesën 2 te materiali përgatitor.)
Merreni parasysh t’u kërkoni studentëve të tregojnë parime dhe të vërteta nga shkrimet e shenjta që mund t’i kishin ndihmuar këta kolonë të bënin zgjedhje të ndryshme. (Disa shembuj mund të përfshijnë Fjalët e Urta 28:13; 3 Nefi 12:24–25, 43–44; Doktrina e Besëlidhje 64:9–11.)
-
Cilat janë disa mësime që mund t’i marrim nga tragjedia e Masakrës së Livadheve Malore? (Merreni parasysh t’i shkruani në tabelë përgjigjet e studentëve.)
Mund t’u jepni studentëve një ose dy minuta kohë që të shkruajnë ose të tregojnë se si këto parime mund ta parandalonin trishtimin e panevojshëm në jetën e tyre.
Shpjegoni se, ngaqë disa anëtarë dhe udhëheqës vendorë të Kishës ishin përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e Masakrës së Livadheve Malore, disa njerëz e kanë lejuar këtë ngjarje të ndikojë për keq në pikëpamjen e tyre për Kishën.
-
Çfarë mund t’i thoshit dikujt që mendon keq rreth Kishës për shkak të Masakrës së Livadheve Malore? (Ftojini studentët të përdorin atë që mësuan te pjesa 2 e materialit përgatitor.)
Ftojini studentët të lexojnë dhe të përcaktojnë një parim nga Helamani 5:12. Paraqitni thënien vijuese. Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë dhe kërkojini klasës të vërejë për mënyrën se si thënia e ilustron parimin që jepet mësim te Helamani 5:12.
Xhejms Sandersi është një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe një stërnip i Nensi Safrona Hafit, njërit prej fëmijëve që i mbijetuan masakrës. Vëllai Sanders shprehu këto ndjenja rreth masakrës: “Ende ndiej dhembje; ende ndiej zemërim e trishtim që ndodhi masakra. … Por e di se njerëzit që e bënë këtë, do të jenë përgjegjës përpara Zotit dhe kjo më sjell paqe.” Vëllai Sanders tha se “dijenia që [një] paraardhës ishte vrarë në masakër ‘nuk ndikoi në besimin tim, sepse ai bazohet te Jezu Krishti, jo te ndonjë njeri në Kishë’” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, Ensign, shtator 2007, f. 21).
-
Si ilustrohet parimi i dhënë mësim te Helamani 5:12, te thënia e Xhejms Sandersit? (Pasi studentët të përgjigjen, shkruajeni në tabelë parimin vijues: Ndërtimi i besimit tonë mbi themelin e Jezu Krishtit dhe tek ungjilli i Tij mund të na ndihmojë të qëndrojmë të fortë pavarësisht nga të metat njerëzore të anëtarëve të Kishës.)
-
Në ç’mënyrë të bazuarit e besimit tonë te Jezu Krishti na ndihmon kur shohim apo mësojmë për raste kur anëtarët e Kishës nuk ia dalin mbanë të jetojnë sipas mësimeve të ungjillit?
-
Çfarë bëni që ju ndihmon ta ngrini besimin tuaj mbi themelin e Jezu Krishtit e ta ruani atë?
Jepuni kohë studentëve që të mendojnë dhe të shkruajnë atë që do të bëjnë për ta ruajtur e forcuar besimin e tyre te Jezu Krishti dhe tek ungjilli i Tij.
Dëshmoni për rëndësinë e të jetuarit të mësimeve të Shpëtimtarit dhe të bazuarit e besimit tonë tek Ai dhe ungjilli i Tij, pavarësisht nga të metat njerëzore të anëtarëve të Kishës. Ndërsa veprojmë kështu, ne mund të ndihmojmë ta çojmë përpara mbretërinë e Krishtit, siç bënë shenjtorët pionierë besnikë.
Për Herën Tjetër
Pyetini studentët nëse i kanë pyetur ndonjëherë rreth arsyes përse Kisha ua ndaloi për njëfarë kohe anëtarëve me prejardhje afrikane zezake autoritetin e priftërisë dhe disa prej ordinancave të tempullit. Shpjegoni se gjatë përgatitjes për orën tjetër mësimore, studentët do të kenë mundësinë të mësojnë rreth kësaj teme dhe zbulesës që lidhet me të te Deklarata Zyrtare 2, të cilën profetët e kishin pritur prej shumë vitesh. Ftojini studentët të vijnë të përgatitur në klasë për të diskutuar atë që kanë mësuar dhe për ndonjë pyetje që e kanë rreth kësaj teme.