Instituti
Mësimi 20 Materiali i Mësuesit: Ordinancat dhe Adhurimi në Tempull


“Mësimi 20 Materiali i Mësuesit: Ordinancat dhe Adhurimi në Tempull”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 20 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 20 Materiali i Mësuesit

Ordinancat dhe Adhurimi në Tempull

Kur Tempulli i Navusë ishte në ndërtim e sipër, Profeti Jozef Smith dha mësim: “Kisha nuk është e organizuar plotësisht … derisa Tempulli të përfundohet” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 444). Qëllimi i këtij mësimi është të thellojë të kuptuarit e studentëve për rëndësinë e ordinancave të tempullit dhe t’i ftojë ata që të përmirësojnë shpeshtësinë (siç e lejojnë rrethanat) dhe cilësinë e adhurimit të tyre në tempull.

Sugjerime për Mësimdhënien

Zoti i rivendosi ordinancat shpëtuese të tempullit nëpërmjet Jozef Smithit.

Paraqitni një fotografi të një tempulli që studentët do ta njihnin. Ftojini disa studentë që kanë gjetur kënaqësi në adhurimin në tempull, të tregojnë se si ndihen kur hyjnë në shtëpinë e Zotit. Ju gjithashtu mund të pyesni se si ndihen kur largohen nga tempulli.

PËRMIRËSIMI I MËSIMDHËNIES DHE I TË MËSUARIT TONË

Bëni pyetje që nxitin vënien në zbatim. Ftojini studentët t’u përgjigjen pyetjeve që nxitin vënien në zbatim. Këto lloj pyetjesh mund të luajnë një rol jetik për t’i ndihmuar studentët që të shohin se si gjejnë zbatim të vërtetat e diskutuara në situatat e tyre të tanishme dhe gjithashtu të marrin në shqyrtim se si mund t’i zbatojnë ato në të ardhmen (shih Gospel Teaching and Learning [2012], 5.1.4).

Shpjegoni se pasi shenjtorët ishin vendosur në Navu të Ilinoisit, Profeti Jozef Smith mori një urdhërim për të ndërtuar një tempull. Sikurse me Tempullin e Kirtlandit, kjo detyrë kërkonte sakrifica të mëdha nga shenjtorët. Kur Tempulli i Navusë ishte në ndërtim e sipër, Profeti Jozef Smith dha mësim: “Kisha nuk është e organizuar plotësisht … derisa Tempulli të përfundohet” (Mësimet: Jozef Smith, f. 444).

  • Si mendoni, përse Rivendosja e Kishës së Shpëtimtarit nuk ishte e plotë pa një tempull? (Ju mund t’i nxitni studentët që të tregojnë disa prej gjërave që mësuan nga studimi i materialit përgatitor.)

Shpjegoni se në një zbulesë që i urdhëronte shenjtorët të ndërtonin Tempullin e Navusë, Zoti zbuloi arsyen pse tempulli do të ishte aq i rëndësishëm për shenjtorët. Ai shpjegoi se larjet, vajosjet, pagëzimet për të vdekurit dhe ordinancat e tjera i përkasin shtëpisë së Tij të shenjtë. Ftojini studentët të shpenzojnë disa minuta kohë për të studiuar vargjet te Doktrina e Besëlidhje 124:31, 34, 40–41, 55, duke kërkuar mënyrën se si premtoi Zoti t’i bekonte njerëzit e Tij në tempuj.

Vërini studentët që të raportojnë atë që gjejnë. Duke përdorur fjalët e studentëve, paraqitni ose shkruani në tabelë një të vërtetë që është e ngjashme me sa vijon: Në tempull, Zoti na bekon me ordinanca thelbësore që të mund të kurorëzohemi me nder, pavdekësi dhe jetë të përjetshme.

  • Në çfarë mënyrash mendoni se ordinancat e tempullit na përgatitin për nder, pavdekësi dhe jetë të përjetshme?

Dyqani me Tulla të Kuqe

Tregoni një fotografi të Dyqanit me Tulla të Kuqe të Jozefit në Navu dhe kërkojuni studentëve të shpjegojnë se çfarë dinë për rivendosjen e ceremonisë së dhurimit në tempull. Ftojini që të rishikojnë pjesën 2 të materialit përgatitor nëse është e nevojshme.

  • Çfarë mësuat për bekimet e [ordinancës] së dhurimit nga pjesa 3 e materialit përgatitor?

Ndërsa diskutoni për dhurimin, merreni parasysh të bëni disa nga pyetjet për ndjekjen e ecurisë, të renditura më poshtë. Theksoni që Plaku Bednar dha mësim se ndërsa flasim për tempullin, nuk duhet t’i “nxjerrim në pah ose t’i përshkruajmë simbolet e veçanta që shoqërojnë besëlidhjet të cilat i marrim në ceremonitë e shenjta në tempull”, por që ne “mund t’i diskutojmë qëllimet bazë dhe doktrinën e parimet që i shoqërojnë ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit” (“Të Përgatitur për të Fituar Çdo Gjë të Nevojshme”, Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 103).

  • Çfarë përfshihet në dhuratën e dhurimit? (Shih pjesën 3 të materialit përgatitor.)

  • Cila është marrëdhënia midis ordinancave dhe besëlidhjeve?

  • Ndërsa studiuat materialin përgatitor, çfarë mësuat për besëlidhjet që i bëjmë gjatë ceremonisë së dhurimit?

  • Si mendoni, përse Zoti dëshiron që njerëzit e Tij ta kenë marrë dhurimin në tempull?

Merreni parasysh që t’u jepni studentëve një ose dy minuta kohë ku secili t’i tregojë një studenti tjetër të ulur aty pranë mendimet e veta për pyetjet vijuese që gjenden në fund të materialit përgatitor:

  • Çfarë do t’i sugjeronit të bëjë dikujt që të përgatitet për të marrë dhurimin e tij ose të saj? Përse tempulli dhe ordinancat e tij janë të rëndësishme për ju personalisht?

Adhurimi në tempull fton fuqinë dhe bekimet e Zotit në jetën tonë.

Tempulli i Kirtlandit

Kujtojuni studentëve që Tempulli i Kirtlandit ishte tempulli i parë i përfunduar në periudhën tonë ungjillore. Qëllimi i tij ishte i ndryshëm nga ai i tempujve që pasuan – ai siguroi një vend që Zoti të rivendoste njohurinë dhe çelësat e priftërisë për adhurimin e ardhshëm në tempull. Gjatë lutjes përkushtuese të atij tempulli, Jozef Smithi i kërkoi Zotit që t’u jepte bekime të caktuara atyre që adhurojnë në tempull. Ftojini studentët të shqyrtojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 109:13, 22–26 dhe të kërkojnë bekimet që mund të marrin nëpërmjet adhurimit në tempull.

  • Sipas këtyre vargjeve, çfarë bekimesh mund të marrim kur adhurojmë në tempull? (Merreni parasysh t’i renditni përgjigjet e studentëve në tabelë dhe t’u kërkoni atyre që të shpjegojnë përse këto bekime janë të rëndësishme për ta. Ju mund t’i ndihmoni studentët të përcaktojnë një parim si ai që vijon: Ndërsa adhurojmë në tempullin e Zotit, Ai do të na armatosë me fuqinë dhe mbrojtjen e Tij.)

Diskutoni me studentët mbi arsyet pse kemi nevojë për fuqinë dhe mbrojtjen e Zotit në kohën tonë. Ftojini studentët të cilët e pyetën një pjesëtar të familjes apo një mik/e se çfarë bekimesh të veçanta ka ndier ai ose ajo nëpërmjet ordinancave dhe adhurimit në tempull, të tregojnë atë që mësuan (shiko ftesën në fund të pjesës 1 në materialin përgatitor). Ju gjithashtu mund t’i ftoni studentët të dëshmojnë për bekimet që ata kanë ndier nëpërmjet vetë adhurimit të tyre në tempull.

Paraqitni dhe lexoni me studentët thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson:

Presidenti Rasëll M. Nelson

“Ju përgjërohem ta merrni parasysh plot lutje mënyrën se si e shpenzoni kohën tuaj. … Nëse keni mjaftueshëm afër një tempull, ju nxit të gjeni një mënyrë për të lënë një takim rregullisht me Zotin – për të qenë në shtëpinë e Tij të shenjtë – dhe pastaj shkoni në atë takim me përpikëri dhe gëzim. Ju premtoj se Zoti do t’i sjellë mrekullitë që Ai e di se ju nevojiten teksa bëni sakrifica për të shërbyer dhe adhuruar në tempujt e Tij.” (Rasëll M. Nelson, “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 114.)

Për t’i ndihmuar studentët të mendojnë thellë për zotimin e tyre ndaj Zotit dhe për përvojën e tyre në tempull, paraqitni pyetjet vijuese dhe ftojini studentët të përsiatin pyetjet që gjejnë zbatim për rrethanat e tyre të tanishme. Jepuni studentëve kohë të mjaftueshme për të menduar e ndoshta për t’i shënuar mbresat e tyre.

  1. A ka shpërqendrime apo çështje padenjësie që më mbajnë larg tempullit? Çfarë duhet të bëj për t’i hequr këto pengesa?

  2. Ç’lloj sakrificash mund të dojë Zoti që unë të bëj për të marrë më shumë prej bekimeve që janë në dispozicion nëpërmjet adhurimit në tempull?

  3. Si mund ta bëj më kuptimplotë adhurimin tim në tempull?

  4. Në ç’mënyra mund të dojë Zoti që unë t’i ndihmoj të tjerët për të provuar bekimet e tempullit?

Për Herën Tjetër

Theksoni se gjatë orës së ardhshme mësimore, studentët do të kenë mundësinë të diskutojnë për ordinancën kurorëzuese në tempull, që është martesa e përjetshme. Nxitini studentët që ta lexojnë me kujdes materialin e tyre përgatitor për mësimin 21 dhe të marrin në shqyrtim përse martesa dhe familja janë kaq qendrore në planin e Atit Qiellor për lumturinë.