“Mësimi 15 Materiali i Mësuesit: Plani i Atit Qiellor dhe Potenciali Ynë Hyjnor”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 15 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 15 Materiali i Mësuesit
Plani i Atit Qiellor dhe Potenciali Ynë Hyjnor
Zoti i zbuloi Jozef Smithit lavdinë e planit të Atit Qiellor për shëlbimin dhe potencialin tonë hyjnor për t’u bërë si Ai. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët ta forcojnë vlerësimin e tyre për planin e Atit dhe të kuptojnë më thellësisht se kush janë dhe çfarë mund të bëjnë për ta arritur potencialin e tyre hyjnor.
Sugjerime për Mësimdhënien
Jozef Smithi mori të vërteta të rëndësishme lidhur me planin e shpëtimit.
Ftojini studentët të shpjegojnë atë që mund të kishin kuptuar shumica e të krishterëve dhe të kthyerve të hershëm në besimin në Kishë rreth Perëndisë dhe jetës së përtejme përpara zbulesave që dha Zoti nëpërmjet Jozef Smithit mbi këto tema. (Studentët mund të duan të rishikojnë pjesët 1 dhe 3 të materialit përgatitor.)
-
Nga ato që keni mësuar në materialin përgatitor, kur dhe si ia zbuloi Zoti të vërtetat për planin e shpëtimit Jozef Smithit?
-
Cilat janë disa të vërteta të rivendosura rreth planit që ju mendoni se do të kenë qenë më jetëndryshueset për shenjtorët e hershëm? Ku janë shënuar këto të vërteta? (Shih pjesët 1 dhe 3 të materialit përgatitor.)
Ndërsa studentët u përgjigjen pyetjeve të mësipërme, ju mund të bëni që ata të rishikojnë disa nga fragmentet e shkrimeve të shenjta të përmendura në materialin përgatitor, të tilla si Mosiu 1:39 dhe Abraham 3:22–26. Ndihmojini studentët të përcaktojnë dhe shpjegojnë të vërteta si ato që vijojnë: Vepra dhe lavdia e Perëndisë është të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut (shih Moisiu 1:39). Ne jetuam me Atin Qiellor si shpirtra përpara se të lindeshim (shih Abraham 3:22–23). Zoti e krijoi tokën si një vend ku ne mund të zgjidhnim nëse do t’i bindeshim Perëndisë ose jo (shih Abraham 3:24–25).
-
Përfytyroni se sa e ndryshme do të ishte jeta juaj nëse nuk do të dinit për planin e Atit Qiellor. Si mendoni se ka ndikuar njohuria për planin në mënyrën se si mendoni, merrni vendime dhe veproni?
Jozef Smithi dha mësim për potencialin tonë hyjnor.
Shpjegoni se më “7 prill 1844, Jozef Smithi u ngrit të fliste në atë që do të provohej se do të ishte konferenca e tij e fundit. Pasi u kërkoi shenjtorëve ‘vëmendjen [e tyre] të madhe’, … Jozefi dha mësim rreth natyrës hyjnore dhe përparimit të përjetshëm” (“King Follett Discourse”, Church History Topics, ChurchofJesusChrist.org/study/church-history).
Ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë thënien e Jozef Smithit nga ligjërata e tij për King Folletin që gjendet në fillim të pjesës 2 në materialin përgatitor.
-
Çfarë mësoni nga mësimet e Jozefit rreth marrëdhënies suaj me Perëndinë?
Shpjegoni se në vitin 1995, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve botuan një dokument të quajtur “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Në të ata shpallën:
“Të gjitha qeniet njerëzore – meshkuj dhe femra – janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor. …
Në mbretërinë paratokësore, bijtë dhe bijat shpirtërore e njihnin dhe e adhuronin Perëndinë si Atin e tyre të Amshuar dhe e pranuan planin e Tij, me anë të të cilit fëmijët e Tij mund të merrnin një trup fizik, mund të fitonin përvojë tokësore për të përparuar drejt përsosjes dhe së fundi, mund të arrinin të ardhmen e tyre hyjnore si trashëgimtarë të jetës së përjetshme.” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org)
-
Si bij dhe bija të Perëndisë, cili është potenciali ynë i përjetshëm? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë një parim të ngjashëm me sa vijon: Si bij dhe bija shpirtërore të Atit Qiellor, ne kemi potencialin të bëhemi si Ai.)
Paraqitni ose bëni pyetjet vijuese dhe jepuni studentëve një ose dy minuta kohë për t’i përsiatur ato dhe për të shkruar përshtypjet që mund t’u vijnë atyre.
-
Si ndikon kjo e vërtetë në mënyrën se si e shihni marrëdhënien tuaj me Atin Qiellor? Si ndikon kjo në mënyrën se si i shihni veten tuaj dhe njerëzit përreth jush? Si mund të ndikojë kjo në mënyrën se si e jetoni jetën tuaj?
Jezu Krishti na tregoi se si mund të marrim një plotësi të lavdisë së Perëndisë në mbretërinë çelestiale.
Shkruani në tabelë ose paraqitni fjalët Parajsë dhe Ferr dhe pyetini studentët se çfarë besonte shumica e të krishterëve të shekullit të 19‑të rreth asaj se kush do të shkonte te secili prej tyre.
Ftojini studentët të rrëfejnë atë që kanë mësuar nga Doktrina e Besëlidhje 76 rreth jetës së përtejme dhe marrjes së lavdisë çelestiale. (Studentët mund të kenë nevojë të rishikojnë vargjet te Doktrina e Besëlidhje 76:50–54.) Ju gjithashtu mund t’i pyetni studentët se çfarë mësuan rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga të vërtetat e zbuluara në seksionin 76.
Paraqitni thënien vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Në Kishë dëgjoj shumë veta që hasin vështirësi me këtë çështje: ‘Thjesht nuk jam i mirë aq sa duhet’. ‘Nuk jam atje ku duhet.’ ‘Nuk do të jem kurrë në lartësinë e duhur.’ E dëgjoj këtë nga adoleshentët. E dëgjoj nga misionarët. E dëgjoj nga të kthyerit e rinj në besim. E dëgjoj nga ata që kanë qenë anëtarë gjithë jetën.” (Xhefri R. Holland, “Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 40)
Ju mund t’i ftoni studentët të marrin në shqyrtim raste në jetën e tyre kur ata janë ndier në këtë mënyrë.
Ftojini studentët të lexojnë te Doktrina e Besëlidhje 76:40–42, 69, duke kërkuar rolin vendimtar që luan Jezu Krishti në shpëtimin tonë.
-
Çfarë roli luan Jezu Krishti në kërkimin tonë për jetë të përjetshme? (Ndihmojini studentët të përcaktojnë të vërtetën vijuese: Ne mund të bëhemi të përsosur vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit.)
-
Përse mendoni se është e rëndësishme të kujtoni që përsosmëria dhe ekzaltimi vijnë vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit?
Lexoni me klasën te Doktrina e Besëlidhje 93:12–13, duke kërkuar atë që na mëson fragmenti rreth shtegut të Shpëtimtarit për t’u bërë si Ati Qiellor.
-
Çfarë mendoni se do të thotë që Shpëtimtari “vazhdoi nga hiri në hir, derisa mori një plotësi”?
-
Si mund t’ju ndihmojë shembulli i Shpëtimtarit që t’i mposhtni ndjenjat e shkurajimit teksa përpiqeni fort për jetën e përjetshme?
Paraqitni dhe lexoni thënien vijuese nga Plaku Holland:
“Unë dëshmoj për atë fat të madhërishëm, të vënë në dispozicion për ne nëpërmjet Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht, i cili Vetë vazhdoi ‘nga hiri në hir’ [Doktrina e Besëlidhje 93:13] derisa në pavdekësinë e Tij [Lluka 13:32] Ai mori një plotësi të përkryer të lavdisë çelestiale. Unë dëshmoj se në këtë orë dhe në çdo orë Ai, me duart e tij të shenjuara nga gozhdët, është duke na dhënë të njëjtin hir, duke mos na braktisur dhe duke na dhënë zemër, duke mos pranuar të na lejojë të shkëputemi derisa të kthehemi të sigurt në shtëpi, në përqafimin e Prindërve Qiellorë. Për një çast të tillë, vazhdoj të përpiqem fort, edhe pse me ngathtësi. Për një dhuratë të tillë të përkryer, unë vazhdoj të jap falënderime, edhe pse papërshtatshmërisht. E bëj këtë gjë pikërisht në emrin e Përsosurisë vetë, të Atij që nuk ka qenë kurrë i ngathët apo i papërshtatshëm, por që na do ne të gjithëve që jemi të tillë, madje Zotit Jezu Krisht.” (Xhefri R. Holland, “Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 42.)
Ftojini studentët të përsiatin për një minutë mbi atë që do t’i ndihmonte më shumë për të përparuar shpirtërisht drejt jetës së përjetshme në këtë kohë. Përfundoni duke dhënë dëshminë tuaj se nëpërmjet hirit të Shpëtimtarit dhe duke ndjekur shembullin e Tij ne mund të marrim jetë të përjetshme dhe të hyjmë në mbretërinë çelestiale.
Për Herën Tjetër
Kërkojuni studentëve të marrin në shqyrtim se si ka ndryshuar jeta e tyre për shkak të tempujve dhe ordinancave të tempullit. Shpjegoni se në orën tjetër mësimore, ata do të mësojnë përse profetët e lashtë iu shfaqën Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit në Tempullin e Kirtlandit. Nxitini që ta studiojnë materialin përgatitor për mësimin 16, që të mund të vijnë gati për të diskutuar parime që do t’i ndihmojnë ta bëjnë tempullin një pjesë më domethënëse të jetës së tyre.