Instituti
Mësimi 23 Materiali i Mësimit: Misioni Profetik dhe Martirizimi i Jozef Smithit


“Mësimi 23 Materiali i Mësuesit: Misioni Profetik dhe Martirizimi i Jozef Smithit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 23 Materiali i Mësuesit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 23 Materiali i Mësuesit

Misioni Profetik dhe Martirizimi i Jozef Smithit

Më 27 qershor 1844, Jozef dhe Hajrëm Smithi u martirizuan në Karthixh të Ilinoisit. Vdekjet e tyre u shtuan një vulë të fuqishme dëshmive të tyre për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit (shih Doktrina e Besëlidhje 135:1, 3). Ky mësim hartohet për të ndihmuar që të forcohen dëshmitë e studentëve për misionin profetik të Jozef Smithit.

Sugjerime për Mësimdhënien

PËRMIRËSIMI I MËSIMDHËNIES DHE I TË MËSUARIT TONË

Përdorni himne. Muzika e shenjtë, veçanërisht himnet e Kishës, mund t’i ndihmojnë studentët të ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë ndërsa studiojnë ungjillin. Për të dhënë ide shtesë gjatë një mësimi, ju mund të përzgjidhni një himn që ta këndoni në fillim të orës mësimore, i cili lidhet me materialin e mësimit.

Jozef dhe Hajrëm Smithi martirizohen në burgun e Karthixhit.

Merreni parasysh të këndoni pak strofa (përfshirë strofën 7) të himnit “Një Burr’ të Varfër Plot Pik’llim”. Shpjegoni se ky himn dhe mesazhi i tij që t’i shërbejmë Shpëtimtarit, ishin të parapëlqyer për Jozef Smithin. Profeti i kërkoi Xhon Tejlorit ta këndonte në burgun e Karthixhit pikërisht përpara se të sulmonte turma.

Kërkojuni studentëve të shpjegojnë atë që dinë rreth ngjarjeve që çuan drejt arrestimit dhe burgosjes së Jozefit dhe Hajrëm Smithit në Karthixh të Ilinoisit. (Nxitini studentët të mbështeten tek ajo që mësuan nga materiali i përgatitjes.)

  • Si mendoni se fjalët e himnit “Një Burr’ të Varfër Plot Pik’llim” mund ta kenë pasqyruar zotimin e Jozefit kundrejt Shpëtimtarit? (Nëse nevojitet, mund t’u jepni studentëve një minutë që të rishikojnë fjalët e himnit teksa i përgjigjen kësaj pyetjeje.)

Shpjegoni se Jozefi e dinte që ai do të përballej me vdekjen e sigurt nëse shkonte në Karthixh që të dilte në gjyq. Anëtari i Kishës, Den Xhonsi, i cili ishte me Profetin në Navu, ndërkohë që ai përgatitej për të udhëtuar drejt Karthixhit, kujtoi:

“Nuk do ta harroj kurrë atë skenë kur [Profeti] u ngrit në këmbë … dhe duke e hedhur vështrimin përreth, pastaj mbi qytetin dhe banorët e tij të cilët ishin kaq të dashur për të, tha: ‘Nëse nuk shkoj [në Karthixh], pasoja do të jetë shkatërrimi i këtij qyteti dhe i banorëve të tij; dhe nuk mund të mendoj që vëllezërit dhe motrat e mia të dashura dhe fëmijët e tyre, të vuajnë sërish skenat e Misurit në Navu; jo, është më mirë për ju që vëllai juaj, Jozefi, të vdesë për vëllezërit dhe motrat e tij, sepse unë jam i gatshëm të vdes për ta. Puna ime ka mbaruar.’” (Dan Jones, në Ronald D. Dennis, përkth., “The Martyrdom of Joseph Smith and His Brother, Hyrum”, BYU Studies, vëll. 24, nr. 1 [1984], f. 85)

  • Çfarë zbulojnë fjalët dhe veprimet e Profetit rreth karakterit të tij?

pamje nga jashtë e burgut të Libertisë

Ju mund të vini në dukje se Jozef Smithi ndoqi shembullin e Shpëtimtarit për dashurinë nëpërmjet gatishmërisë së tij për të dhënë jetën e vet që të mbronte shenjtorët (shih Gjoni 15:13).

Paraqitni një figurë të burgut të Karthixhit. Ftojini studentët të kujtojnë atë që dinë rreth ngjarjeve në burgun e Karthixhit më 27 qershor 1844 kur i vranë Jozefin dhe Hajrëmin. (Nxitini studentët të kujtojnë atë që mësuan nga materiali i përgatitjes.)

Shpjegoni se shpallja e vdekjes së Profetit, tani e përfshirë te Doktrina e Besëlidhje 135, u mor nga rrëfimet e dëshmive okulare të Pleqve Xhon Tejlor dhe Uillard Riçards.

Lexoni me klasën te Doktrina e Besëlidhje 135:1–2, 4–6.

  • Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja kur shqyrtoni sakrificën që Jozef dhe Hajrëm Smithi ishin të gatshëm të bënin për dëshmitë e tyre për ungjillin e rivendosur?

Ftojini studentët të lexojnë dy fjalitë e fundit te Doktrina e Besëlidhje 135:3 (duke filluar me frazën “Ai jetoi në mënyrë të madhërishme …”) dhe te Doktrina e Besëlidhje 136:39, duke kërkuar atë që mësojnë rreth vdekjeve të Jozefit dhe Hajrëmit.

  • Çfarë na mësojnë këto vargje për rëndësinë e vdekjeve të Jozef dhe Hajrëm Smithit? (Studentët mund të përcaktojnë një të vërtetë të ngjashme me të vërtetën vijuese: Jozef dhe Hajrëm Smithi i vulosën dëshmitë e tyre për ungjillin e rivendosur me gjakun e vet.)

Shpjegoni se ky veprim i vulosjes së dëshmive të tyre me gjakun e vet përfundimisht i vërtetoi dëshmitë e tyre dhe misionet e tyre hyjnore lidhur me Rivendosjen e ungjillit.

Për t’i ndihmuar studentët ta kuptojnë më mirë këtë të vërtetë, merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Testimony of the Book of Mormon” [“Dëshmi e Librit të Mormonit”] (4:39) nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ftojini studentët të mendojnë rreth zotimit të palëkundur të Jozefit dhe Hajrëmit, të treguar ndaj dëshmive të tyre për ungjillin e rivendosur madje edhe përballë vdekjes.

  • Si e forcon gatishmëria e Jozef Smithit për të dhënë jetën e vet për ungjillin e rivendosur, dëshminë tuaj për të si Profeti i Zotit?

Bekime hyjnore janë vënë në dispozicion të fëmijëve të Atit Qiellor nëpërmjet shërbesës profetike të Jozef Smithit.

Ftojini studentët të lexojnë fjalinë e parë te Doktrina e Besëlidhje 135:3, që na mëson se Jozef Smithi ka bërë më shumë për shpëtimin e njerëzve në këtë botë, sesa çdo njeri tjetër përveçse Jezu Krishtit. (Ju mund t’i nxitni studentët që ta shenjojnë këtë të vërtetë në shkrimet e tyre të shenjta.)

Merreni parasysh t’u kërkoni studentëve të tregojnë se si do t’ia shpjegonin këtë të vërtetë një miku ose një mikeje të një besimi tjetër të krishterë.

Ftojini studentët ta lexojnë pjesën tjetër te Doktrina e Besëlidhje 135:3, duke kërkuar kontributet që dha Profeti Jozef Smith për t’i ndihmuar fëmijët e Atit Qiellor që të fitonin shpëtimin. Vërini studentët të raportojnë atë që gjetën. Ju mund t’i renditni përgjigjet e tyre në tabelë.

  • Çfarë tjetër do t’i shtoni listës së kontributeve që ka dhënë Profeti Jozef Smith për shpëtimin e botës?

Ftojini studentët të zgjedhin njërën prej pyetjeve vijuese për t’u dhënë përgjigje. Jepuni studentëve ca kohë për t’i shënuar mendimet e tyre.

  • Çfarë përvojash keni pasur që ju kanë ndihmuar të fitoni dëshmi për Profetin Jozef Smith?

  • Si është ndikuar dhe bekuar jeta juaj ngaqë Jozef Smithi e përmbushi misionin e tij profetik?

Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini disa studentë që t’i tregojnë klasës atë që shkruan. Përfundoni duke treguar dëshminë tuaj për Profetin Jozef Smith.

Për Herën Tjetër

Kërkojuni studentëve të përfytyrojnë se si do të ishte sikur të thirreshit për të udhëhequr në Kishë duke pasur pak përvojë dhe shumë dobësi. Ftojini të përsiatin nëse do të kishin besim dhe do të mirëbesonin se Zoti do t’i ndihmonte në një thirrje të tillë. Nxitini studentët të studiojnë materialin e përgatitjes për mësimin e ardhshëm me këtë pyetje në mendje.